Queens, New York, 25 Qershor- Të Shtunën me 25 Qershor 2015, në mbrëmje, u mblodh dega e Vatrës në Queens-Nju Jork, nën drejtimin e kryetarit të saj Dr. Skënder Murtezani. I pranishëm ishte edhe Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” Dr. Gjon Buçaj dhe editori i Diellit Dalip Greca. Takimi u organizua në kuadër të Vitit të Faik Konicës, shpallë nga Vatra. Dega e Queensit ishte e para që nisi veprimtaritë që do të kulmojnë në nëntor të këtij viti.
Fillimisht Kryetari i Federatës “Vatra” dr. Gjon Buçaj informoi edhe një herë anëtarësinë e kësaj dege pse Vatra vendosi që këtë vit t’ia kushtojë njërit prej themelusëve të Vatrës, publicistit,shkrimtarit, studuesit, ustait të Gjuhës shqipe, zbulueist të Flamurit Kombëtar, diplomatit Faik Konicës. Dr. Buçaj informoi për mbështetjen që i po i jep Vatra studiuesit Fotaq Andrea për botimin e studimit të tij dhe sjelljen në shqip të dy romaneve të Faik Konicës “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” botuar me pseudonimin Jean de Kroïa (Gjoni i Krujës).Kryetari Buçaj informoi edhe për fushatën që nisi fillimisht në Uster-MA, nga Thanas Gjika me mbështetjen e grupit “Djemtë e Shën Mërisë” dhe priftit atdhetar Franklin Zdruli në Kishën Orthodokse “FJETJA E SHEN MARISE”. Më pas dr. Buçaj shpalosi qëndrimet e Vatrës për çështjet Kombëtare dhe historinë e saj. Në përgjigje të pyetjes se pse duhet anëtarësuar në Vatër dhe pse duhet ta mbështesim Vatrën, ai tha se mbajtja gjallë e Vatrës është detyrë kombëtare dhe obligim për çfarë kanë bërë vatranët për Kombin. Për 104 vjetë Vatra e Shqiptarëve e të Amerikës ka laujtë rol historik. Dr. Buçaj sqaroi se në Vatër askush nuk duhet të mendojë se vjen për të fituar, jo në Vatër vihet për të dhënë për çështjen Kombëtare. Përfitimi është në aspektin shpirtëror, moral, kush e ndjenë në shpirt se duhet të kontribojë për ta mbajtë gjallë këtë Insititucion Kombëtar që na lanë themeluesit dhe ata që e mbajtën gjallë Vatrën për më shumë se 100 vjet, është i mirëpritur. Kemi hyrë në Shekullin e dytë të jetës së Vatrës, kështu që brezi i tanishëm është përballë provës së historisë për ta çuar përpara Vatrën suksesshëm drejt shekullit tjetër duke ia deleguar kontributin brezit tjetër. Ne që drejtojmë Vatrën, tha dr. Buçaj, nuk jemi të përjetshëm si individë, as në qendër as edhe tek degët. Kuvendin e ardhshëm na takon që të zgjedhim një kryetar tjetër, kjo nuk do të thotë që detyra jonë si drejtues mbaron në këtë Kuvend, jo kontributi vazhdon. Kështu edhe ju me kryetarin tuaj, i cili bënë gjithë ato sakrifica për ta mbajtë gjallë veprimtarinë e degës me gjithë punët e shumta që ka në dy klinika si mjek. Ju duhet që t’i jepni më shumë mbështetje. Por jam i bindur , tha dr. Buçaj se edhe nesër kur të mos jetë kryetar i degës dr. Murtezani do ta vazhdojë aktivitetin në Vatër sepse ai është patriot i përkushtuar.Kjo natyrisht që vlen edhe për degët e tjera; kryetarët duhet t’i drejtojnë degët me frymën vatrane,kolektivisht,si kryesi dege, duke menduar për të ardhmen dhe vazhdimësinë e aktiviteteve, edhe kur ata të mos jenë më kryetarë.
Kryetari Buçaj i falenderoi pjesmarrësit që kishin lënë punët e tyre apo obligimet familjare për të ardhur në këtë takim vatranësh.
Kryetari i degës dr. Murtezani falenderoi Kryetarin e Vatrës dr. Buçajn për informacionin që përcolli dhe e njohu me veprimtaritë e degës së Queensit, e cila frymëm dhe aktivitetin Kombëtar, i ka jetike. Ai përmendi veprimtaritë kryesore që ka organizuar dega e Vatrës në mbështetje edhe të veprimtarive të qendrës.
Më pas dr. Murtezani ekspozoi para pjesmarrsëve jetën dhe veprimtaritë kulmore të Faik Konicës, momentete kryesore jetësore, veprimtarinë publicistike, politike, diplomatike, filozofike dhe kontributi si usta i gjuhës shqipe. Në ekran shfaqeshin thënie të Konicës për Shqipërinë dhe shqiptarët, pjesë nga artikujt e tij, veprat e shkruara, të botuara a të mbetura dorëshkrim etj. Më me detaje u pasqyrua kontributi i Konicës si bashkëthemelues i Vatrës, si botues i Gazetës”Albania”, i Trumpetës së Krujës, dhe Kryeredaktor i Gazetës Dielli. Po ashtu ishte përgatitur një ekstrat i shkurtër në gjuhën angleze për historikun e Vatrës.
Thënie të Faik Konicës të gati para një shekulli mbeten aktuale edhe sot si: “Në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: “U-ngjall nga idealistët, U- ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët”.- Dielli, 1923.
Takimi u mbyll me emocionet që krijoi poezia e shkruar dhe recituar nga Naim Syla, që i përloti pjesmarrësit.
Si gjithëmon në raste takimesh të degës dr. Murtezani kishte përgatitë një kokteil të thjeshtë për pjesmarrësit.(Korresp. i Diellit)