
Prof. dr. Roland Gjini/
Populli i Kosovës, i inkurajuar nga lëvizjet demokratike në vendet ish socialiste pas rënies së Murit të Berlinit, me fillimin e vitit 1990, intensifikon përpjekjet, si për të fituar të drejtat e tij ashtu edhe për të demokratizuar jetën e vendit të vet. Gazeta Dielli, organ i Federatës Vatra, bëhet jo thjesht pasqyruese e ngjarjeve të shpeshta e me rëndësi të këtij viti, por edhe analizuese dhe interprete e saktë e realiste e tyre. Një pasqyrim konçiz, por të qartë, për situatën në Jugosllavi e në Kosovë në fillim vitin 1990 na jep një artikull redaksional i Diellit, i muajit shkurt, me titull “Jugosllavia dërgon trupa ushtarake, autoblinda dhe avionë luftarakë kundër shqiptarëve të Kosovës – të vrarë e të plagosur ndërmjet demostruesve, në qytete të ndryshme krijohen partitë demokratike”. (Gazeta Dielli, vol. 81. Nr. 1-2, 15 shkurt 1990) Artikulli mbështetet në burime serioze të informacionit, në agjensitë e lajmeve më prestigjoze të Evropës, por edhe nga Beogradi. Duke parë lajmet e zhvillimet, në këtë artikull nxjerrim këto konkluzione të përgjithshme: Së pari, në Kosovë, lufta dhe përpjekjet për liri, të drejta njerëzore dhe etnike, ndërthuret me kërkesat për një shoqëri demokratike e rrëzimin e monizmit, Së dyti, tashmë lufta për demokraci, por edhe për shkëputje nga varësia serbe, shihet edhe te popujt e tjerë të federatës jugosllave, sidomos te sllovenët e kroatët dhe, së treti, mund të themi se tashmë ka rënë përfundimisht parimi i jugosllavizmit që mbështetej në bashkëpunimin dhe “bashkim – vëllazërimin” e popujve të federatës, parim i cili të çarat e para i mori që nga protestat e kosovarëve të vitit 1981.
Le t’i shohim në mënyrë konkrete se si trajtohen në artikullin që i referohemi këto dukuri gjatë fillim vitit 1990 në Kosovë e Jugosllavi. Mbështetur në agjensitë ndërkombëtare të lajmeve, sidomos te Associadet Press dhe Reuters, sikurse edhe në transmetimet televizive amerikane dhe evropiane, ka lajme të shumta për zhvillime të vrullshme ngjarjesh në Jugosllavi e në Kosovë, sidomos nga fundi i janarit e fillimi i shkurtit. Shqiptarët e Kosovës demostrojnë për demokraci e për liri. Ata e ndjejnë veten të shtypur dhe të keqtrajtuar nga serbët dhe kjo i ka bërë që të ngrihen në këmbë në disa qytete, sidomos në Prishtinë. Agjensia e lajmeve Reuters, njofton se më datë 1 shkurt tanke e autoblinda u derdhën nga të katër anët e Kosovës, kurse avionet luftarakë fluturuan mbi qiellin e Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës. Pesëmbëdhjetë tanke u dukën në afërsi të katundit Mikosevo, kurse 30 tanke dhe 20 automjete ushtarake, me ushtarë të armatosur deri në dhëmbë, u dukën në afërsi të Prishtinës. Po kjo agjensi njofton se në një katund afër Podujevës një vajzë e vogël ra përdhe nga plumbat e ushtarëve serbë.
Gazetarët e huaj që ndodhen në Kosovë, shkruan Dielli, thonë se më shumë se 30 vetë janë vrarë gjatë këtyre demostratave. Demostruesit kërkojnë zgjedhje politike të lira, dorëheqjen e udhëheqësve krahinore dhe lirimin nga burgu të burgosurve politikë. Mjerisht, disa gazetarë kanë folur me këtë rast se kosovarët muslimanë janë ngritur kundër serbëve të krishterë. Ndërsa gazeta Dielli shprehet me siguri se lëvizjet e Kosovës nuk kanë aspak karakter fetar. Regjimi serb i Beogradit nuk heq dorë nga mbajtja nën fre e kosovarëve, nga njëra anë, dhe mbajtjen në këmbë të federatës jugosllave, nga ana tjetër. Për këtë, shprehet Dielli, mbështetur në lajmin e dhënë nga Radio Beogradi, presidenti i Jugosllavisë, Janez Drnovski, do të vizitojë Kosovën, për t’u takuar me udhëheqësit shqiptarë dhe me drejtuesit e demokratëve (Lidhjes Demokratike të Kosovës të krijuar në dhjetor të vitit 1989), mjaft që këta të pranojnë integritetin e Jugosllavisë. Por vrulli i ngjarjeve nuk ndalet, madje vetë mediat jugosllave pranojnë se gjendja është keqësuar aq shumë sa duket se jemi në një luftë civile. Një diplomat i huaj në Beograd, deklaroi se po bëhej gjithnjë e më e vështirë që të konsiderohej Jugosllavia si një vend i vetëm.
Zhvillimet e reja në Jugosllavi befasojnë me qëndrime të reja. Kështu, në këtë artikull që po bazohemi, Dielli thotë që sllovenët dhe kroatët po mbajnë anën e kosovarëve. Ata i prenë lidhjet e tyre me partinë komuniste jugosllave dhe tash ka filluar të flitet jo për një Jugosllavi me gjashtë republika, por për gjashtë Jugosllavira! Në kongresin e fundit të Lidhjes Komuniste Jugosllave nuk u arrit dot një akord midis republikave të ndryshme dhe kongresi i mbylli dyert e veta pa asnjë përfundim konkret. Ndarjet mes republikave u thelluan aq shumë, sa që mund të themi që tani çdo republikë ka filluar të ecë në rrugën e vet, shkruhet te Dielli. Më tej në artikull njoftohet se më 23 janar, delegatët e Sllovenisë në Kongresin e Lidhjes Komuniste Jugosllave, dolën nga salla ku ishte mbledhur kongresi, i kthyen shpatullat flamurit të kuq dhe bustit të mareshallit Tito, duke pezulluar kështu të vetmen parti jugosllave që kishte fuqinë. Pas kësaj ngjarje, në gazetën Borba, zëdhënësja e Lidhjes Komuniste Jugosllave, shkruajti menjëherë se partia komunsite jugosllave nuk ekzistonte më. Këto ngjarje i dhanë zemër Lidhjes Demokratike të Kosovës, me në krye Ibrahim Rugovën, që të rrisë aktivitetin e saj për liri e demokraci dhe për të krijuar lidhje me parti e organizata të tjera demokratike në Evropë e Amerikë. Në fund, artikulli mbyllet me konstatimin se partia e re demokratike e Kosovës shumë shpejt arriti të ketë më tepër anëtarë se sa partia e dikurshme komuniste kosovare.
Lajme, njoftime, reportazhe e analiza për ngjarjet në Kosovë, apo që kishin lidhje me Kosovën, vazhdonin të ishin mjaft të pranishme në gazetën Dielli. Kështu, gazeta e muajit prill 1990 (Gazeta Dielli, vol. 81. Nr. 3-4, 26 prill 1990) njofton se më 28 shkurt, Lidhja Civile Shqiptaro-Amerikane ora 10.00 zhvilloi një tubim proteste para Selisë së OKB-së, me qëllim kundërshtimin e shtypjeve të përgjakshme në Kosovë dhe shkeljes së të drejtave njerëzore të shqiptarëve të kësaj krahine. Protesta do të udhëhiqet nga kongresmeni Joseph Dioguardi. Interesant është fakti që flamuri kombëtar që përdorën protestuesit ishte pa yllin e kuq pasi, sipas drejtuesve të protestës, ylli i kuq nuk mund ta ndihmonte dot lëvizjen demokratike në Kosovë, të udhëhequr nga dr. Rugova.
Në numrin e muajit maj Dielli njofton nëpërmjet korrespondent të saj në Belgjikë se u vra me armë zjarri Enver Hadi më datë 25 fruer (shkurt) të vitit 1990. Atentati u krye nga një makinë në lëvizje, ku pasagjeri i saj qëllon në makinën e tij Enver Hadrin me tre plumba ne gjoks, duke e lënë të vdekur në ved (Gazeta Dielli, vol. 81. Nr. 5-6, 25 maj 1990). Enver Hadri ishte kryetar i Komitetit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe, si i tillë, pati informuar dhe sensibilizur opinionin publik evropian me një punë të palodhur mbi shtypjen e të drejtave demokratike të popullit shqiptar të Kosovës nga regjimi serbomadh.
Enver Hadri ishte partizan i flaktë i Republikës Kosovare në Jugosllavi dhe shtypi e ka çmuar si një personalitet të moderuar dhe të gatshëm për dialog, për të gjetur një mënyrë paqësore të zgjidhjes së problemit të Kosovës. Informacioni i korrespondentit nuk jep ndonjë të dhënë për atentatorin apo atentatorët. Gjithashtu, në po këtë gazetë, në një shkrim redaksional, jepet lajmi që në muajin prill 1990 një delegacion i Jugosllavisë dëshmon para Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Kongresit Amerikan. Delegacioni përbëhej nga përfaqësues si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia. Nga pala kosovare merrnin pjesë një grup intelektualësh me zotin Ibrahim Rugova në krye dhe në përbërje të grupit ishin z. Tom Berisha, z. Rexhep Qosja, zj. Luljeta Pulaj, z. Idriz Ajeti, z. Gazmend Pulaj, z. Ramadan Marmullaku, z. Viron Suroj, z. Gazmend Zaimi e te tjerë. (Gazeta Dielli, vol. 81. Nr. 5-6, 25 maj 1990). Mbledhjen e Komisionit të Kongresit amerikan e kryesonte z. Tom Lantos. Anëtarët kosovarë të delegacionit që të gjithë folën në gjuhën shqipe (me përkthyes) dhe ata kishin sjellë me vete shumë dokumenta që faktonin dhunimin e të drejtave njerëzore të shqiptarëve në Jugosllavi. Në këtë mbledhje asistuan edhe shumë shqiptarë që banojnë në anë të ndryshme të Amerikës.
Vera e vitit 1990, sidomos muaji korrik, ishte me ngjarje të mëdha si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën. Në Tiranë, në fillim të korrikut të këtij viti rreth 4 000 vetë futen në ambasadat e huaja, kryesisht të vendeve të Evropës perëndimore, e kërkojnë strehim politik. Sigurisht, gazeta Dielli kësaj ngjarjeje me rëndësi për Shqipërinë komuniste i kushton vendin e saj. Por, në rastin tonë, ngjarja më e rëndësishme për Kosovën është ajo e 2 korrikut 1990: shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Kjo ngjarje ishte dhe ajo që zuri vendit e editorialit, apo kryeartikullit, në gazetën Dielli të muajit gusht 1990. Ky editorial, i titulluar “Një ngjarje me rëndësi epokale – KOSOVA E PAVARUR – Dhe e barabartë me subjektet e tjera të Federatës/Konfederatës jugosllave” (Gazeta Dielli, vol. 81. Nr. 14-15, korrik/gusht 1990), përshkruan në detaje mënyrën se si kosovarët e vetshpallën Kosovën republikë të pavarur, të barabartë me republikat e tjera jugosllave dhe rëndësinë që ka kjo ngjarje për shqiptarët. Në nëntitull të kryeartikullit shkruhet se vullneti i popullit i shprehur me legalitet të pakontestueshëm, mbështetur në procedurën e sanksionuar në Kushtetutë e ligje dhe në mënyrë demokratike, … me të cilën sigurohet barazia e plotë e Kosovës me njësitë e tjera federale/konfederale të Jugosllavisë, e nënshkruan të gjithë deputetët e pranishëm. Deklarata kushtetuese për statusin e ri të Kosovës u përshëndet nga të gjithë.
Në kryeartikull përshkruhet e gjithë procedura e ndjekur në Kovendin e Kosovës për shpalljen e Kosovës Republikë. Kryeartikulli shkruan se mbështetet në burime të shumta informacioni. Më tej shprehet se deputetët e të tria dhomave të Kuvendit të Kosovës, këmbëngulës në kërkesën e tyre që mbledhja e ndërprerë natën ndërmjet 21 e 22 qershorit, të vazhdojë më 2 korrik, me gjithë presionin, makinacionet dhe kundërshtimin e hapur të kryetarit të tij Gjorgje Bozhoviç dhe të forcave të shumta policore, që e kishin rrethuar ndërtesën dhe i kishin mbyllur dyert e saj – vendosën që atë ta mbanin përpara dyerve të Kuvendit. Mbështetur në procedurën që parasheh Rregullorja e Punës e Kuvendit, ata zgjodhën kryesues të kësaj mbledhjeje deputetin Bujar Gjurgjealo. Pasi konstatuan se në mbledhje merrnin pjesë shumica e duhur e deputetëve, e nevojshme për të punuar e për të vendosur në mënyrë legale e të plotfuqishme (nga gjithsej 186 asistonin 114 delegatë, pa asnjë serb e malazez), ata vazhduan punën … më shpejt se zakonisht, për shkak të rrethanave në të cilat mbahej mbledhja (nën bllokimin e plotë të forcave policore) deputetët u shprehën për katër pikat e rendit të ditës, që kishin mbetur nga mbledhja e pakryer. Ata përkrahën, me vërejtje të caktuara, amendamentet e Qeverisë federative për kushtetutën e RSFJ, por nuk u pajtuan me amendamentet e Kryesisë së RSFJ, përderisa në Kosovë të krijohen rrethana të jetës normale për një deklarim si ky. Kryeartikulli nënvizon se deputetët e Kuvendit të Kosovës kundërshtuan me vendosmëri edhe propozimin e Kryesisë së Sërbisë për nxjerrjen e kushtetutës së kësaj republike, me të cilën mohohej krejtësisht autonomia politike e krahinave. Pika e katërt e rendit të ditës, që i kushtohej nismës së delegatëve të këtij Kuvendi për nxjerrjen e kushtetutës së re të Kosovës, përbënte në fakt hapin konkret të përfilljes e të përmbushjes së vullnetit të popullit, shprehur kategorikisht në gjithë ato mbledhje e tubime legale mbarëpopullore në këta 5-6 muajt e fundit. Më tej editoriali shkruan se kështu u fut në procedurë të rregullt kushtetuese e juridike të sistemit politik në fuqi çështja e sanksionimit të statusin të barabartë të Kosovës në federatën apo konfederatën jugosllave. Propozimin për këtë iniciativë, të nënshkruar nga 114 deputetët e pranishëm, e lexoi deputeti Bujar Gjeorgjialo. Ky propozim u votua nga të gjithë deputetët e pranishëm pa asnjë votë kundër apo abstenim dhe u prit me duartokritje frenetike. Punimet e kësaj mbledhjeje, që u mbajt në rrethana të jashtëzakonshme, përveç shumë gazetarëve e reporterëve të qendrave TV të vendit e të botës së jashtme, i ndoqën edhe korrepondentët e “Rojterit”, të “Zërit të Amerikës”, të “Dejli Telegrafit”, gazetarë nga Holanda e Austria. Ishin të pranishëm edhe Venera Greivs (Liga Ndërkombëtare për të Drejtat e Lirinë e Popujve), Zhan Zhak Kirkiasherien (Lëvizja kundër Racizmit dhe për Miqësi Ndërmjet Popujve) dhe Çarls Greivs (Komisioni Ndërkombëtar i Profesionistëve për Shëndetësinë e të Drejtat e Njeriut), përfaqësues të OKB-së me seli në Gjenevë, që kishin ardhur në Kosovë me ftesë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut të Prishtinës.
Në këtë editorial, vlerësohet si shumë e rëndësishme kjo ngjarje dhe theksohet se ky akt historik i deputetëve të këtij Kuvendi shënon padyshim fillimin e një epoke të re të jetës politike të etnitetit kombëtar shqiptar në Kosovë. Ai i jep fund një periudhe mëse dyzet e pesë vjeçare të një statusi përgjithësisht të padrejtë e të nëpërkëmbur të këtij populli në Jugosllavinë e pas Luftës (editoriali i cituar ) përfundon editoriali. Po në këtë Gazetë, në faqen e parë, botohet e plotë edhe Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 korrikut 1990.
Kjo ngjarje e rëndësishme trajtohet në disa shkrime të tjera të Diellit në numrin e tij të muajit korrik/gusht 1990. Këto shkrime janë reagime ndaj shpalljes republikë të Kosovës, komunikata, rezoluta, artikuj analitikë e tj. Kështu, në Rezolutën e Parlamentit Evropinan të datës 13 korrik thuhet se pro kësaj rezolute votuan 517 deputetetë të këtij parlamenti dhe vetëm njëri votoi kundër. Para se të votohej kjo rezolutë iu nënshtrua debatit nga Paralamenti Evropian, ku ishte i pranishëm edhe një delegacion nga Kosova, i përbërë nga Dr. Ibrahim Rugova, Dr. Rexhep Qosja, Dr. Hivzi Islami, Dr. Ali Aliu dhe Dr. Bujar Bukoshi (Dielli, korrik/gusht 1990, shkrimi: Rezoluta e Parlamentit Evropian). Në këtë Rezolutë shkruhet se nëpërmjet Deklaratës së Pavarësisë më 2 korrik 1990 Kosova u konstitua në kuadrin e shtetit federal jugosllav, një emër autonom në mesin e të tjerëve, me një status kushtetues identik republikave të tjera. Ky hap i Kuvendit të Kosovës, shkruan më tej Rezoluta, bëhet për arsye të shkeljeve sistematike të drejtave të njeriut në Kosovë, … të cilat mbrohen nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Këto shkelje janë të regjistruara në të gjitha raportet alarmante, dhënë nga organizata të ndryshme ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Rezoluta konstaton se këto të drejtja po vazhdojnë të shkelen edhe aktualisht, dhe situata po bëhet gjithnjë e më eksplozive. Në fund Rezoluta mbyllet me thirrjen e bërë ndaj autoriteteve serbe që të njohin e respektojnë Kushtetutën e vitit 1974 dhe të drejtat e autonomisë kulturore e politike të popullsisë shqiptare në Jugosllavi.
Gjithashtu, Dielli boton një artikull vlerësues, për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shkruar nga Dr. Murat Blaku, që përfshihet po në këtë numër, i titulluar Korriku i dytë. Autori në këtë shkrim identifikon faktin se në historinë e Kosovës së pas Luftës II botërore janë dalluar dy muaj korriku. Korriku i Parë, në vitin 1945, për fat të keq i kobshëm, pasi në datat 7, 8, dhe 9 në mbledhjen e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, i mbajtur para tytave të automatikëve dhe pas “përpunimit” të “përfaqësuesve” dhe kërcënimeve deri në likuidim fizik”, u vendos që Kosova t’i bashkohej Serbisë federale në kuadër të Jugosllavisë. Ky akt vulosi ripushtimin e Kosovës. Në rrjedhën e viteve që pasuan, shkruan më tej autori, do të dalin në shesh në formën më të egër, pasojat fatale për shqiptarët e Kosovës që shkaktoi ky korrik. Statusi kushtetues-juridik i Kosovës në federatën jugosllave, megjithëse për qëllime të kalkulimeve politike më 1974 ishte i avancuar deri diku, përsëri kishte mbetur bivalent dhe i pa definuar qartë. Shkalla e mëvetësisë së kësaj krahine, e përcaktuar nga Kushtetuta e vitit 1974, përsëri nuk i krijonte pavarësi nga Serbia. Nga ana tjetër, thekson autori, udhëheqja e Serbisë, pas vdekjes së Titos, e sidomos me ardhjen në krye të Millosheviçit, e shtyrë nga motive agresive shtetomëdha e ambicie që t’i imponohet krejt Jugosllavisë, e shfrytëzoi si preteks këtë status të Kosovës për të hapur një fushatë të tmerrshme antishqiptare. Shpifjet, komplotet, intrigat, gënjeshtrat, instinuatat e makinacionet e propogandës zyrtare të Beogradit në kurriz të shqiptarëve u intensifikuan, thekson autori i shkrimit. … Etiketimet, diferencimet politike, denoncimet, largimet nga puna, përndjekjet, arrestimet, gjykimet e dënimet drakonike bëhen dukuri e përditshme. Me dhjetëra mijë vetë dënohen me burgim prej 1 deri 15 vjet. … Historia, tradita, etnogjeneza, kultura, gjuha, dhe gjithëçka që ka të bëjë me tiparet kombëtare shqiptare, denigrohet. Populli reagoi fuqishëm në vitin 1981. Autori nënvizon se veçanërisht të fuqishme, mbarëpopullore e me tektonikë të theksuar ato u bënë në mars të vitit 1989, kur Serbia e ndryshoi me dhunë Kushtetutën e Kosovës dhe në nëntor 1989 e janar-mars 1990, ku brenda një viti establishmenti policor serbo-jugosllav vrau me tërbim më se 100 vetë e plagosi disa qindra të tjerë. Të gjitha këto veprime antishqiptare, sipas autorit, e mbushën kupën, dhe nuk lanë asnjë mundësi të perspektivës së jetës së shqiptarëve me kurrëfarë statusi brenda republikës së Serbisë. Në këto kushte, erdhi si epilog e kundërveprim vigjilent, logjik, normal, e historikisht i drejtë dhe i arsyeshëm Korriku i Dytë, ky i bardhi, fatmadhi: deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që kanë kundrejt popullit, shpallën botërisht pavarësinë e Kosovës brenda federatës/konfederatës jugosllave dhe statusin e saj të barabartë me republikat e tjera. Autori e përfundon logjikën e vlerësimit të aktit të Deklaratës së Pavarësisë duke u shprehur se për këtë akt merita historike e deputetëve s’mund të mohohet, por kurora e lavdisë për këtë kryevepër dhe gur shënues të epokës, i takon pengut më të madh e më sublim: jetëve të shumta e gjakut të njomë, të pakursyer të rinisë, kësaj luleje më të bukur të Kosovës martire, popullit të saj heroik. (Dielli, korrik/gusht 1990, Dr. Murat Blaku shkrimi me titull: Korriku i dytë)
Dr Murat Blaka nuk trajton vetëm me njërën anë të problemit: çfarë rëndësie kishte akti i shpalljes së Kosovës Republikë, brenda federatës jugosllave, si subjekt i barabartë me republikat e tjera të federatës dhe e shkëputur nga Serbia. Ai analizon edhe qëndrimin e Serbisë ndaj këtij akti të shqiptarëve në artikullin “Anschluss-i” serb, botuar po në numërin e muajve korrik/gusht të vitit 1990 të Diellit. Këtu ai i jep përgjigje pyetjes: Çfarë u bë me Kosovën pas shpalljes nga vetë ajo të republikës si subjekt federativ? Qëndrimin e Serbisë ndaj shpalljes së Kosovës republikë ai e krahason me pushtimin e Austrisë nga Gjermania naziste pas Luftës së Parë Botërore, veprim i njohur si “Anchluss”, i cili në terminologjimë politike ndërkombëtare ka hyrë si akt që nënkupton pushtimin e vendeve e territoreve të huaja. Lidhur me këtë Hitleri para se të bëjë pushtimin provokoi në Austri trazira, më pas ndërhyri me ushtri në emër, gjoja, të parandalimit të luftës civile, duke e pushtuar atë. Të njëjtën gjë bëri edhe Serbia ndaj Kosovës, duke provokuar atje popullin shqiptar që përbënte shumicën dërrmuese të popullsisë së krahinës. Fillimisht i hoqi asaj statusin e krahinës autonome duke jo thjesht mohuar të drejtat e shqiptarëve por duke i përndjekur, vrarë e burgosur ato. Kjo bëri që shqiptarët e kësaj krahine të reagojnë fuqishëm, deri në shpalljen e Kosovës republikë. Pavarësisht ngjashmërisë të rrugëve që ndoqën Hitleri dhe Millosheviçi, metodat e zbatuar në Kosovë ndryshojnë në varësi të rrethanave objektive. Kështu, shprehet Blaka, ndërsa Vermahti nazist me një “Blitz Krieg” i kreu punët si vetëtimë, se ishin mjeshtër të zanatit, strategët serbë të kamarilës (përdorur në kuptimin: makineria, R.Gj.) së Millosheviçit e zgjatën paksa. Për këtë, vijon më tej Blaka, duke u përpjekur që qëllimet e veta t’i realizojnë gradualisht, me pushtimin në etapa të Kosovës, pa bujë e kokëçarje të mëdha, hasën më në fund në kundërpotezin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kjo i tërboi serbët fare, prandaj iu rikthyen veprimit të rrufeshëm: më 5 korrik u vunë në jetë ligje speciale, të nxjerra me “procedurë të shpejtë” nga Kuvendi i Serbisë(!), me të cilat përmbyset pushteti legal në Kosovë: pushtohet e shpërndahet Kuvendi dhe organet e tij ekzekutive dhe ligjvënëse, okupohen përnjëherësh në stilin e zbarkimit të komandosëve, nga policia speciale dhe mbyllen Radiotelevizioni – redaksitë në gjuhën shqipe, gazeta “Rilindja”, revista “Zëri i rinisë”, me një fjalë të gjitha mjetet e informacionit në gjuhën shqipe, lokalet e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Një puç klasik!- thekson autori.
Në fakt logjikshëm për të gjithë lindi pyetja: A do të pajtohej Serbia dhe Millosheviçi me aktin e shpalljes së Kosovës Republikë nga vetë shqiptarët? Si do të vepronin ata pas kësaj ngjarjeje? Një përgjigje të qartë këtyre pyetjeve u jep prof. Rexhep Qosja në artikullin e gazetës Dielli me titull Vazhdimësia e dhunës, botuar po në numrin e muajve korrik-gusht 1990. Artikulli nis me fjalët e drejtëpërdrejta se dhuna e regjimit serb mbi popullin shqiptar … pas Deklaratës Kushtetuese mbi Kosovën Republikë, në Kuvendin Krahinor, në 2 korrik 1990, po zgjerohet e po thellohet. Më tej artikulli bën një paraqitje të gjerë të veprimeve antishqiptare të regjimit serb në Kosovë për periudhën afro tetëdhjetë vjeçare, që nga pushtimi serb mbi këtë krahinë i vitit 1912. Nga luftërat ballkanike e në vazhdim, shkruan prof Qosja, sa herë që shqiptarët kanë kërkuar të drejtën e vetëvendosjes, e cila i ka takuar dhe i takon si popull shumicë të Kosovës, që në krahasim me serbët ishin më shumë, siç janë edhe sot, Serbia e krajlëve, e më pas e komunistëve, u është përgjigjur shqiptarëve me forcë e me dhunë. Pas krijimit të shtetit të Jugosllavisë më 1918, sa herë që shqiptarët kanë kundërshtuar marrjen e tokës së tyre dhe kolonizimin e Kosovës me serbë e malazesë, Serbia është përgjigjur me forcë e dhunë. Më tej, kur midis dy luftërave botërore, kur shqiptarët kanë kërkuar të drejtën e shkollimit në gjuhën shqipe, Serbia u është përgjegjur me dhunë. Në përfundim të Luftës të Dytë Botërore, shqiptarët rishtazi e kanë kërkuar të drejtës e vetëvendosjes, Serbia rishtazi, por tani ne firmën e Jugosllavisë, është përgjegjur me forcë e dhunë. Shqiptarët do të ndahen në tri republika: në Serbi, në Maqedoni e në Mal të Zi, që të mund të treten më lehtë.
Më tej Prof. Rexhep Qosja përmend situata të tjera kur shqiptarët sa herë kërkojnë të drejtat e tyre që u takojnë, aq herë Serbia sillet ashpër me ta. Kështu, vijon ai, kur shqiptarët në vitin 1968 kanë kërkuar të themelojnë universitetin, të kenë të drejtën e përdorimit të lirë të flamurit kombëtar, të kenë autonomi më të gjerë, Serbia u është përgjegjur me dhunë politike dhe shtetërore. Shumë të rinj kanë përfunduar në burgje, por universiteti është bërë, kurse flamuri kombëtar është lejuar. Kur në vitin 1981 kanë kërkuar trajtën më të lartë të barazisë në Federatën jugosllave, domethënë kur kanë kërkuar që Kosova të bëhet Republikë, Serbia u është përgjegjur me forcë e dhunë. Ne force, dhunë e reprezalje që nuk pushojnë që dhjetë vjet. Në vitin 1989 kanë refuzuar të pajtohen me shkallmimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, të përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974, Serbia u është përgjegjur me forcë e dhunë. Kur përgjatë këtij viti, 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës kanë aprovuar Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova shpallet e pavarur dhe e barabartë në Federatën jugosllave, domethënë shpallet Republikë, Serbia edhe tani u është pergjegjur me forcë e dhunë. Ka suprimuar Kuvendin e Kosovës dhe Këshillin Ekzekutiv, ka mbyllur Radion dhe Televizionin, ka ndaluar botimin e të vetmes gazetë të përditshme në gjuhën shqipe – Rilindja -, ka vënë gjendje okupacioni në Kosovë.
Prof Qosja shtron pyetjen: Ç’mund të pritet më tej? Në përgjigjen që e jep po vetë, ai beson në paqe. Paqen duhet ta besojmë, shkruan ai, për hir të rinisë sonë, për hir të miqve tanë në Evropë dhe në botë. Duke përfunduar ai thekson se në këtë situatë Serbia do të lodhet prej dhunës së vet. … Do të lodhet prej së vërtetës që nënkupton mendimi i një të urti: çdo e drejtë marrë nëpër këmbë e lind një borxh për ta paguar (artikulli i cituar Vazhdimësia e dhunës i prof. Rexhep Qosjes).