QEVERIA RAMA E KA HUMBUR TË DREJTËN MORALE PËR TË QEVERISUR SHQIPTARËT/
Kryesia e Degës se Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “VATRA” në Michigan, të shqetësuar nga ngjarjet e fundit në Shqipëri, konstaton se:
-Përkeqësimi i rendit publik, rritja e korrupsionit në nivele të larta ministrore, parlamentare, vendore etj., dhe mbrojtja ligjore ndaj tij, rënia e tejskajshme e nivelit ekonomik dhe punës së ndershme, kriminalizimi i jetës së popullatës në përgjithësi, nëpërmjet lejimit të punës fiktive, kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike dhe i trafiqeve të tjera, rënia e frikshme e numrit të popullsisë nëpërmjet emigrimit masiv, janë tregues të qartë për një dështim total të punës së qeverisë në detyrën e saj për rritjen e mirëqenies së popullit të vet.
-Përceptimi mbarëpopullor i zaptimit të pushtetit nëpërmjet tjetërsimit dhe blerjes së votave, përcmimi, arroganca dhe gjuha e urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë, instalimi në krye të parlamentit, të qeverisë dhe posteve ministrore, të ish-funksionarëve apo pasardhësëve të nomenklaturës komuniste dhe kapja e pushtetit të pavarur gjyqësor, shënon një degradim të demokracisë dhe vlerave euro-atlantike.
-Diskutimi nga kreu i qeverisë dhe vënia në tavolinë më fqinjët, historikisht me intersa grabitqare, të kufijve dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe të Kosovës, të paguara me gjakun e martirëve dhe të pranuara botërisht; krijimi i klimës miqësore me Serbinë dhe klimës së mosmarrëveshjes me lidershipin e Republikës se Kosovës, bie ndesh me luajalitetin ndaj kombit, është në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar në vendin amë dhe Diasporë, si dhe krijon një situatë te rrezikshme me pasoja afatgjata rajonale.
Prandaj, dega e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” në Michigan, mbartëse e vlerave nacionaliste dhe demokratike, në linjën e saj për t’i shërbyer me dinjitet kombit, gjykon se qeveria aktuale e Shqipërisë e drejtuar nga Edi Rama, e ka humbur të drejtën, detyrimin dhe privilegjin për t’i shërbyer popullit të vet. Në të njëjtën kohë, përkrahim pa rezerva aksionin e forcave opozitare dhe kërkesën për një qeveri të përkohshme, e cila do të normalizonte situatën sociale, politike dhe kombëtare në përgjithësi.
Dega e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA në Michigan