Në sinkron me Frymën e Kanunores së Federatës Pan-Shqiptare, Vatra, pikërisht sipas Nyjës 5, Amandamenti 3-b: “Vatra mbështetet mbi parimin e bashkimit kombëtar me mjete ligjore dhe demokratike, duke ndjekur INTEGRIMET NDËRSHQIPTARE, si ne fushën e doganave, të arsimit tē tregëtise, të sportit e te tjera”, Dega e Vatrës Michigan, deklaron sa më poshtë vijon:
Dega e Vatrës Michigan e konsideron iniciativën e perfaqësuesve te shteteve të Serbisë, Maqedonisë, Malit te Zi dhe Shqiperisë për “Mini-Shengenin Ballkanik”, si një nismë të dështuar, të dëshpëruar dhe në dëm të interesave kombëtare shqiptare, për sa kohe që:
- Përveçse një nismë individuale e inicuar nga Serbia dhe më pas e përkrahur nga Kryeministri shqiptar Rama, si rezultat i dështimit të plotë të qeverisë së tij në përmbushjen e premtimeve elektorale, i denigrimit të cilësisë së jetës, rendit publik, të drejtave njerëzore dhe integrimit në BE, nuk eshtë një lëvizje gjithpërfshirëse e spektrit politik, shoqërisë civile dhe opinionit të gjerë publik në Shqipëri dhe Diasporë.
- Shteti i Kosovës, me themelet mbi eshtrat dhe gjakun e heronjëve të vet, i njohur nga mbi 100 shtete të ndryshme të botës, përfaqesues i gjysmës më të mirë të kombit shqiptar, me gjithë strukturën e integruar të një shteti modern, nuk është ftuar, nuk është konsultuar dhe nuk është përfshirë në këtë nismë.
- Për shtetin e ri të Kosovës, i cili është në procesin e integrimit evropian dhe të njohes botërore, ky mos-respektim, kjo manovër e dyshimtë mbas shpine e Kryeministrit të Shqipërisë, përbën një mosnjohje (defacto ç’njohje), apo prerje në besë ndaj Kosovës.
- Spektri politik dhe shoqëria civile ne Kosovë, duke e parë se kjo nismë është në kundërshtim me interesat politike, ekonomike dhe territoriale të Kosovës, është kundër kësaj saj.
- Shteti i Serbisë nuk njeh shtetin e Kosovës, për më tepër ka pretendime territoriale ndaj Kosovës
- Përfaqësuesi i shtetit serb Vuçiç në këtë nismë, ka qenë anëtar i kabinetit te qeverisë famëkeqe te Millosheviçit, për më tepër, nuk i njeh krimet, masakrat apo genocidin serb mbi popullsinë civile shqiptare.
- Nisma të tilla, e ngjashme me atë të ish-Jugosllavise, e njejte ne forme dhe qëllime por në kohë të ndryshme, kanë dëshmuar se kanë qenë me dëm dhe pasoja për kombin tonë.
- Kjo nismë, përveçse i shërben interesave tregtare të Serbisë, shfrytëzimit të hapësirave detare dhe hapësirave rrugore ndërshtëterore të Shqiperisë dhe Kosovës nga Serbia, nuk i shërben bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar Shqipëri-Kosovë, nuk përmireson por i përkeqëson mardhëniet midis qeverive shqiptare të Tiranës dhe asaj të Prishtinës
- Kjo nismë e largon Shqiperinë dhe Kosovën nga rruga e tyre e integruese në Evropë dhe i izolojnë ato në rrethin e ngushtë euro-aziatik të dominuar nga interesat Ruso-Turke.
- Qeveria e Shqiperisë nuk ka në plan të parë integrimin ndërshqiptar, heqjen e taksave doganore, taksave rrugore, njësimin e teksteve arsimore, aktiviteteve sportive etj.
Në të njëjtën kohë:
- Dënojmë dritëshkurtësinë dhe qëndrimin tinëzar dhe anti-shqiptar të kryeministrit Rama, i cili, duke i shërbyer qorrazi apo me dashje politikës serbomadhe, (të cilët nuk e njohin, dhe për rrjedhojë nuk e duan në tavolinë dhe kurrë nuk mund të bëjnë marrveshje integruese me Kosoven si palë), nga njëra anë krijon klimën e konfliktit e të mosmarrveshjes me qeverinë e Kosovës, duke mos promovuar asnjë mundësi që ajo të marrë pjesë , dhe nga ana tjetër e akuzon atë për mospjesëmarrje.
- Dënojmë çdo nismë rajonaje ku shqiptarët perfaqësohen me një individ të vetmuar dhe jo si komb dhe shteti i Kosoves nuk nihet si palë dhe i barabartë me te gjitha shtetet e tjera.
- I bëjmë thirrje Presidentit te Shqipërisë, lidershipit te bllokut opozitar dhe shoqerisë civile, që te jenë ne lartësinë e përgjegjësisë se tyre ndajçeshtjeve kombëtare të ditës, që t’i unifikojnë qëndrimet e tyre, t’a ngrenë zërin më me force, në unison me institucionet e Kosovës kundër kësaj nisme antikombëtare.
Kryesia e Vatrës Michigan
27 Dhjetor 2019