Mendime për librin e Novruz Xh. Shehut “Komita vate e shkoi”/
Nga Idajet Jahaj- studiues/
Kohët e fundit u botua libri i Novruz Xh. Shehut “Komita vate e shkoi”. Ky titull është përzgjedhur nga njëri prej vargjeve të një elegjie të hershme dhe të gjatë, të cilën autori e quan baladë, sepse sipas tij, kjo elegji, si përmbledhje e disa elegjive që i kushtohen së njëjtës ngjarje, është transmetuar në mënyrën klasike të baladave që lindën në Europë në fund të Mesjetës. Nëpërmjet pleonazmit të bukur “vate e shkoi” jepet romantika e një nëne të re, personazh kryesor i elegjisë.
Libri nuk është voluminoz, gjithsej 90 faqe, por nga densiteti i ngjarjeve që pasqyron, i ngjan një romani. Gjithë ngjarja që përshkruhet ngërthen pikërisht një elegji, të gjysmës së parë të shekullit XVI dhe konkretisht të vitit 1537. Ky vit është i fiksuar në historinë tonë, si vit i një ndeshjeje të madhe midis forcave luftëtare të popullit me hordhitë e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, aty në Bregdetin himarjot. Kanë kaluar qysh atëherë pesë shekuj, ose më saktë 479 vjet dhe balada- elegji ruhet përgjithësisht e plotë! Ajo është një thesar i vërtetë i kulturës sonë folklorike. Gjer më sot kanë qenë të botuara fragmente të saj si në librin e studiuesit Fane Veizi “Bregdeti në këngë”, studiuesit Llambro Ruci , “Himara”, 2011; Pr. Bardhosh Gaçe “Himara në shekuj”, ose dhe në ndonjë punim tjetër. Por tërësia e vjershës nuk ka qenë e njohur.
Libri ka dy linja kryesore: ngjarjen dramatike të atentatorit Damjan Himarjoti (i njohur në histori si banor vendës nga Himara), por linja e gjenezës fisnore fillon nga kështjella e fortifikuar e Shatit, me lëvizjen e të parit të tyre Petro Shati dhe pasardhësve të tij si kalorës të Kryqit, besnikë të Shën Pjetrit ( fideles Sancti Petri) kalorës të Krishtit drejt Himarës, ku më vonë dhe vetë Damiani do të ishte një “capitano fidelis sancti Petri” ( Kapiten kryqtar besnik i Shën Pjetrit), i cili, mbas kthimit nga luftërat për Papatin e Venedikun, do ta vazhdonte këtë detyrë me zbritjen e hordhive osmane me në krye Sulltan Sulejmanin dhe në Himarë. Gjurmimi i gjenezave të këtij fisi doli pikërisht nga formimi tërësor i pjesëve të kësaj elegjie. Si lindi ajo? Në libër bëhet një sqarim i plotë dhe i gjerë i gjurmimit dhe i ecurisë së saj sidomos në dekadat e fillimit të shekullit XX.
Ja kuadri i shkurtër i ngjarjes së atij viti 1537 (25 korrik): Forcat e Sulltan Sulejmanit kishin mbuluar bregdetin si një re e zezë. Pas shumë luftimeve të luftëtarëve tanë kundër tyre, një djalë himarjot nga Dhërmiu, Damian Petro Shati, vendosi që ta asgjësojë sulltanin, në çadrën e tij. Ky aksion i tij është i njohur në histori. Por në çastin që do të futej në çadër, u zbulua nga rojet dhe u kap prej tyre. Kryekomandant i ushtrisë osmane aty ishte pikërisht Ajaz Pasha. Ky ishte shqiptar, kishte lindur në Palasë. Të parët e tij kishin zbritur nga Progonati. Ishte marrë jeniçer prej turqve që kur ishte i vogël, kishte bërë karrierë të lartë ushtarake, deri në disa vende të tre kontinenteve që përfshinte Perandoria Osmane… Dhe ja tani, komandonte hordhinë gjakatare turke për të djegur vendin e vet! Renegat i pastër!
Mirëpo tragjedia u lidh: atentatori Damjan ishte kunati i tij. Kishte për grua Komita Petën, kushërirën e parë të Ajaz Pashës, i njohur ndryshe si Li Peta. Ky, i mbarsur me egërsinë e osmanëve, me lavdinë për pushtet e parà, nuk pati mëshirë për të kunatin, por dha urdhër ta torturonin çdo ditë. Por Damjani nuk kallëzoi gjë për inicimin e atentatit që do të kryente. Ajazi dërgoi jeniçerë për të sjellë me forcë aty gruan e Damjanit, Komitën (kushërirën e tij të parë) për ta detyruar Damjanin të fliste. Por Komita, e shoqëruar nga një grua e re, trime, nga Bregu, Marë Lania, niset për në Kurvelesh. Rrugës së Malit të Çikës, jeniçerët i afrohen, por Marë Lania e lë në një farë vendi Komitën e vetë kthehet e dredhon në malet e Çikës, duke thirrur: “Unë jam Komita!”, – për të shpëtuar shoqen e saj tashmë të torturuar nga fati tragjik, por dhe veten nga shtënia në dorë e jeniçerëve që i dhunonin robinat. Jeniçerët kërkojnë ta kapin Marën, por kjo hidhet nga një shkëmb në humnerë, diku mbi majat e Çikës, afër Palasës. Komita, pas shumë peripecish, (kishte një djalë të vogël në krahë, por dhe shtatzënë) shkon nga mali i Bolenës në Petaj të Progonatit, në derëbabe dhe vendoset përfundimisht me banim në Nivicë me njerëzit e afërm të bashkëshortit që ishin kështjellarë në kështjellën e Nivicës. Aty vjen nga Dhërmiu dhe vjehrra e saj, Thëllëza (Fëllëza), e cila mbërrin në kohën kur Komita kishte lindur një vajzë dhe aty fillon vajtimi i saj i gjatë… Është pikërisht ky vajtim që mori faqen e shekujve. Gjithë ky veprim intensiv, i cili ndodhi në një kohë fare të shkurtër, u përshkrua në vajtimin e saj tipik lab. Të gjitha ngjarjet aty parakalojnë si në një film të gjallë. Sigurisht, nëpër shekuj ky vajtim, kjo elegji, që në atë kohë është quajtur dhe baladë, për vetë karakterin e saj të thekshëm lirik, mund të ketë pësuar lëmime, zgjatje ose shkurtime, por thelbi gjithsesi ngelet i paprekur. Kjo elegji është nga më të hershmet në folklorin gojor, të paktën të trevave tona jugore. Ka pasur dhe para kësaj këngë të ndryshme historike si ajo e Rugjinë Balshës, “Ç’bën që rri, Rugjinë e gjorë”, e vitit 1417-1418; kënga e Gjergj Aranitit “Në Çipin përmbi Smokthinë”, e vitit 1434; ajo për trimin nga Bolena -Miho Hoçi, për luftën me turqit në vitin 1492 në Markovë, e ndonjë tjetër. Por këto kanë qenë të shkurtra, me nga 7-8 e deri në 15 vargje. Ndërsa elegjia për Komita Petën ka 72 vargje! Dhe të ruajtura për mrekulli në pesë shekuj!
Për nga sasia e vargjeve, densiteti i ngjarjeve dhe personazheve, ajo i ngjan një poeme të shkurtër të tipit homerik por ndryshe nga ajo ka vërtetësi e dhimbje tronditëse. Të gjithë emrat, vendet e ngjarjet që thuhen në elegji, sigurisht që janë me gjuhën e vjershërimit të hershëm popullor. Kështu ajo është polivalente dhe është vështirë të shprehen në një punim të tillë të gjitha vlerat që ngërthen. Dallohet aty leksiku i vjetër, shumë i hershëm i ligjërimeve popullore labe:
… Komitë e mbodhisurë
Çish shkon e vithisurë?
Çish vij a arça pëllua!
Halli që më zuri mua:
Kopaneci si cimbua… etj.
Përpos kësaj, aty ka fjalë të tjera pa mbarim, të veshura me tisin e hershëm të së folurës labe: sheprak, llomie, allonar, Otrënt, u mënua, felluk, illi që ke mbë konak, e kërreu, zërë (zanë), thepakë, bjerëjëm, fitirçjerrë, p’eja (pa eja), kumbiset, mënxirë, silarme, mbarlisia (pellazge kjo fjalë)… e sa e sa të tjera.
Në libër jepen personazhe të një rëndësie historike: Ajaz Pasha ka drejtuar ushtri e qeverisur në shumë vende të Perandorisë Osmane, duke u bërë deri në vezir i madh (kryeministër) i saj. Këto të dhëna dalin nga kontekstet historike deri dhe te fakti se ai bëhet jo vetëm kryeministër, por dhe dhëndër në familjen sulltanore, duke u martuar me motrën e Suljemanit të Madhërishëm (për të cilin vitet e fundit pati dhe një film të gjatë historik me shumë seri.) Madje, mbas shqiptarit Pargaliu, me origjinë nga Parga e Çamërisë, si komandant i ushtrisë osmane, erdhi Ajaz Pasha në vendin e tij! E pikërisht ky sillet me egërsi ndaj bashkatdhetarëve të tij, madje edhe ndaj njerëzve të tij më të afërt. Kështu në libër pasqyrohen “heronj” të palës tjetër, pra të pushtuesit, të përmasave ndërkontinentale. Aty paraqitet vija e gjenezës së fisit Petroshati (Petoshati) që nga demilitarizimi dhe shkatërrimi i kështjellës së Shatit të Shkodrës, kalimi në Dhërmi, Nivicë e Dukat të Vlorës. Edhe sot në Dukat të Vlorës gjendet një toponim që quhet “Ara e Troshanëve”, duke ruajtur kështu dhe origjinën e hershme të pjesës tjetër të fisit kryesisht me klerikë nga Troshani i Shkodrës.
Libri pasqyron përpjekjet për evidentimin e elegjisë. Këto përpjekje filluan me publicistin Sali Nivica e shumë të tjerë në dekada të ndryshme të shekullit XX, deri tek njëri nga pinjollët e sotëm të fisit Petoshati, ish ushtaraku Xhelo Petoshati, tashmë mbi të tetëdhjetat, i cili e ka ditur përmendësh që në rininë e vet, të ruajtur gjysh pas gjyshi. Madje, mund të thuhet se Xhelo Petoshatit i takon merita e nxjerrjes dhe sqarimit të plotë të kësaj elegjie të famshme, të cilën shkrimtari dhe studiuesi i talentuar Novruz Xh. Shehu e kërkoi deri në hollësi duke i bërë sistemimin e plotë, pajisjen me fotografi dhe dokumente historikë nëpërmjet gërmimeve të shumta të literaturës së shkruar dhe gojore. Balada bën pasqyrimin e qëndresës legjendare të shqiptarëve për ruajtjen e trojeve dhe të fesë së të parëve. Por dhe ruajtja dhe transmetimi i saj me stoicizëm, është gjithashtu një qëndresë e fortë për të mos harruar të shkuarën dhe për të qartësuar të sotmen e të ardhmen evropiane të shqiptarëve.
Libri është një punim serioz, i tipit akademik, me serial të madh referimesh për të dhënat e konteksteve historikë dhe të personazheve.
Nga pikëpamja e gjuhës, mund të thuhet se autori është një zotërues i hollë i semantikës së fjalëve. Ka përdorur një leksik të pastër e të pasur, duke shpjeguar edhe labirintet më të vështira të rrjedhave, bëmave, personazheve, konteksteve historike, etj.