• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HEROIZMI I GRAVE VLONJATE NE HISTORI

March 6, 2017 by dgreca

Nga  IDAJET  JAHAJ/Vlora-kjo kryekështjellë e historisë shiptare! Dëshmorët dhe heronjtë e saj kanë skuqur shekujt për liri, kundër hordhive të huaja që vinin për ta shkrumbuar këtë vend, për ta përmbytur këtë komb.
    Vlora e qëndresës heroike të rrallë, e trimave të panumërt në beteja.
    Po heroizmi i grave, i nënave , i bijave të këtij populli kaq martir, në këtë kështjellë mijëvjeçare? Shembulli i nënave e  i vashave ka shkëlqyer. Kontributi i tyre ka qenë i pazëvendësueshëm. Pra, si kudo, edhe në këtë vise të atdheut, ka ndriçuar  edhe heroika e tyre për liri.
   Shembuj të panumërt e  qëndisin këtë heroikë, në faqen e historisë shqiptare.
    Në gjysmën e parë të shekullit të 16-të (1537), një këngë e bukur himariote ligjëron për një vashë-kapedane të grave himariote kundër hordhive turke që kishin mësyrë këto brigje :
                                                                 Marë Lane, Marë Lane,
                                                                 Marë, vashëz kapetane,
                                                                 Thëllëza zemërstërralle,
                                                                  Shoqet i more në valle;
                                                                   Shoqet në valle i more,
                                                                   Moj thëllëzë fluturove;
                                                                   Dhe në harcat thikë-thikë
                                                                   Ti u bëre çikë-çikë,
                                                                   Të mos bjerje në jezitë
                                                                    N’ ata qentë osmanllitë…
      Shekuj më vonë ky heroizëm u përsërit nga gratë e vashat e Sulit, në Jugun shqiptar. Ato u hodhën nga shkëmbi i Zalogut, me valle…në humnerë,për të mos rënë në duart e vrasësve.
      Të tilla heroizma kanë bërë bujë edhe në folklorin dhe historinë e vendeve fqinj si edhe në njerëzit e shquar në Evropë, të cilët  u kanë kënduar me simpati heroinave shqiptare.
       Heroizmi i Sado Koshenës më 1920, i heroinave te Luftës Nacionalçlirimtare si: Qeriba Derri, Persefoni Kokëdhima, Zonja Çurre e sa e sa të tjera, ndriçuan si neonë të mëdhenj të lirisë.
        Ja ç’thotë  kënga për sakrificat e grave vlonjate e labe në epopenë e 1920-ës :
                                                                    Eni shoqe të ndihmojmë,
                                                                    Burrat tanë që luftojnë;
                                                                    Të dalim breg më breg,
                                                                    T’u shpiem bukë e fuishekë,
                                                                    T’u hapim ndonjë hendek;
                                                                     Eni shoqe që me natë,
                                                                     Të ngjitemi malit-ë  lart,
                                                                      Me hanxhar e me sëpatë,
                                                                      Të marrim peshqir e napë,
                                                                       T’u njomim buzën e thatë…
      Lufta Nacionalçlirimtare qe një vullkan i pashembullt i heroizmit për liri. Mijëra e mijëra luftëtarë nga të gjitha viset e atdheut u bënë shatërvanë zjarri mbi ushtritë e armatosura të dy perandorive.
       Mbi 6000 gra e vajza dolën malit për liri, krahas vëllezërve të tyre partizanë. Dhjetra prej tyre derdhën gjakun e dhanë jetën në themelet e kësaj lirie që gëzojmë ne sot.
       Një folklor i madhërishëm i përshkruan këto heroizma. Vargje të ndritshëm ngjyrojnë aktet, bëmat  dhe trimëritë edhe të partizaneve, të nënave, të vashave shqiptare- shqiponja për liri.
       Ne i kujtojmë ato me emocion historik, me elegji prekëse, me krenari kombëtare, me optimizëm për ardhmërinë e këtij kombi.
       Vetëm nga Vlora dolën mbi 400 partizane, nga të cilat 54 luftuan në Kosovë, për çlirimin edhe të asaj pjese të martirizuar të kombit. Nga këto ranë 38 dëshmore e 52 viktima ( në territorin e Vlorës).
        Heroizmi ndrit edhe në fshatra të veçantë. Vetëm nga Tragjasi dolën 34 partizane, nga të cilat ranë në fushën e lirisë-10 dëshmore- fakt i pangjashëm ky në gjithë historinë e luftës.
        Nga Tërbaçi dolën 24 partizane,  nga vunoi- 20, etj. Eshtë përgatitur edhe një libër i plotë me kronika e tablo për këtë temë- “Gra vlonjate në Histori”, e cila i njeh brezat me shembujt e shumtë të sakrificave te popullit, burrave e grave të tij në therorizmat e lirisë.
        Madhështia e tyre pasurohet edhe me qëndresën e nënave. Pati nëna me dy e tre djem apo vajza dëshmore, si : Metullahe Murraj në Mesaplik- me tre djemtë dhe burrin-dëshmorë; Hava Gjolikun e Shaho Luçin në Kuç apo  Fatushe Sullaj në Mesaplik- me nga dy djem dëshmorë; Nurhanë Lelaj  në Mesaplik-me djalin dhe burrin dëshmorë … Apo  Duze Bajrami në Kallarat, Sofie Gjiknuri në Kudhës të Himarës, etj, etj.
    Po ç’thanë këto nëna në çastin e marrjes së lajmit për vrasjen e bijve të tyre  për liri ? Drita heroike shkëlqeu edhe në fjalët e tye. Folklori i përjetësoi:
                                                                  Edhe nënave kur u thanë
                                                                   Se djemtë u janë vrarë,
                                                                   Të mirë e dhanë xhevapnë :
                                                                   -Mirë bënë që u vranë,
                                                                    Se na çliruan vatanë,!
                                                                    Ta gëzojnë fëmijët tanë
                                                                     Hallall gjirin që u dhamë…
      Tablot heroike ndriçuan në vargje, amanete, në kujtime, në libra, në kallzime, monumente…
       Një heroizëm i tillë epokal i ka mahnitur të huajt. Një udhëtar e dijetar çek, në vitet 30-të të shekullit të kaluar, Ernest Novak, erdhi deri në malet e Labërisë së Vlorës. Ai ishte nuhatës i madh i historisë dhe në librat e tij shkroi : “Lugina e Lumit të Vlorës ka një bukuri heroike”. Po sa e sa maksima të tilla kanë thënë të huajt e të mëdhenjtë për historinë tonë, për luftëtarët tanë, për kontributin edhe të grave shqiptare  në historinë tonë shkëlqimtare?
    Këtë e përndritën edhe vargjet  brilante të folklorit vlonjat :
                                                                          Vlorë, o Vlorë e trimërisë,
                                                                           Shkronjë e artë e historisë,
                                                                            …O Vlorë- flamur i zjarrit,
                                                                             Bijt’ e Ismail Qemalit…
                                                                             …Moj Vlorë, moj heroinë,
                                                                              Fond ‘ i artë për historinë…
 
Vlorë, dt. 3 mars 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: HEROIZMI, I GRAVE VLONJATE, Idajet Jahaj, në histori

FIGURA TË SHQUARA TË ÇAMËRISË

January 24, 2017 by dgreca

Të flasësh për figurat e shquara të Çamërisë, si për çdo vis tjetër të atdheut, është një temë e vështirë. Sepse këto figura janë kaq të shumta, aq të ndritshme, sa nuk mund t’i rrokësh dot me një kumtesë të shkurtër apo informacion. Duhen libra të tërë për këtë qëllim.
Dhe libra për Çamërinë janë bërë, jo me dhjetra, por me qindra. Por, gjithmonë ka edhe punime e këndshikime të veçanta, që e thellojnë apo e koncentrojnë më shumë njohjen e historisë dhe figurave të saj.1 Idajet
Njëri prej këtyre këndshikimeve është edhe kjo kumtesë e shkurtër. Është përgatitur edhe një libër gjithëpërfshirës për këtë qëllim. Synimi është që informacioni për figurat e shquara të përhapet si objekt më vete në masat e gjera, deri edhe tek nxënësit e shkollave e brezat e rinj, në të gjitha trevat e atdheut. Pra, jo vetëm si punim akademik, i cili përqëndrohet tek pak njerëz, por një punim me karakter masiv, popullor, për të gjitha viset. 
Kemi evidentuar rreth 60 figura të tilla të Çamërisë martire. Sa pika e nyje njohëse ka për to! Kuriozitete e të dhëna të shumta që të emocionojnë e frymëzojnë.
Ja disa prej tyre:
“Ptolemejtë ishin çamë” – shkruan Sami Frashëri në “Fjalorin” e tij të madh historio-grafik për Shqipërinë. Ptolemejtë ishin pasardhësit e Aleksandrit të Madh, të cilët i vendosi zotër në Aleksandri. Aty ata ndërtuan Bibliotekën e famshme me librat e antikitetit, të cilën e dogjën vandalët evropianë të Kryqëzatave më vonë. 
Dihet nga të gjithë se strategu i Lashtësisë , Pirro,  ka lindur në Ledhëz të Çamërisë.
Kuriozitetet vijojnë në shekuj. Vetë themeluesi i Egjiptit, Mehmet Ali Pashë Misiri, kishte lindur në një zonë të Korçës, por rininë e vet e kaloi në Çamërinë Jugore. Aty mori edukatën, frymën dhe guximin për të shkëlqyer më vonë si një shtetar i madh.
Kështu, toka çame ka qenë farishtja e rritjes dhe e përndritjes të sa e sa yjeve të kombit tonë. Folklori çam ka poetizuar:
 
Qysh ka qenë mëmëdheja?
Iskanderi si rrufeja…
Filipjadha nga Janina,
Që ka pjellë aq-ë trima…
 
Çam i famshëm Hoxha Tahsini ishte rektori i parë i Universitetit të Stambollit, në vitet 80-të të shekullit 19-të. Por ai nuk shkëlqeu më tepër për këtë, se sa për faktin e madh që ai u bë fanari i parë i Rilindjes Kombëtare, rrezet e të cilës i përhapi në çdo kënd të tokës shqiptare. E quajtën edhe “Koperniku i Lindjes”, dhe  populli ynë i këndoi:
 
Gjithë rilindasit radhë
Nga Tahsini morën farë…
 
Rilindësja Dore d’Istria flet me dashuri për Pargën e bukur çame. Bile, diku ajo  thotë se “Kam lindur në Pargë…dhe se nëna e saj i fliste me dashuri të madhe për atë qytet të bukur çam”.
 
Çami i famshëm Abedin pashë Dino është vlerësuar nga historio-grafia e kohës si njëri nga 50 valinjtë më të shquar të perandorisë së atëhershme. Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit për çështjen Kombëtare. Dhe ky patriot vdiq me emrin e Shqipërisë në gojë.
E kështu, yjet e Çamërisë hijeshojnë në shekuj e dekada. Sidomos në kapërcim të shekullit XIX e në dekadat e para të shekullit XX, – këta yje u dendësuan shumë. Sepse ishte çështja e lirisë së mëmëdheut, e cila rrezikohej nga bishat shovene ballkanase dhe duart gjakatare të drejtuesve të Fuqive të Mëdha të Evropës.
Kujtojmë: Sheh Sabri Preveza, në kapërcim të shekullit, u bë përhapësi i madh i librit shqip në krejt jugun shqiptar, deri në Vlorë e Berat.
Shquajnë në folklor emrat e Osman Takës me vallen e tij, e Çelo Mezanit me këngën e tij; shkëlqejnë dyert e mëdha Çame me e kulturën e patriotizmin e tyre  shqiptar e sakrificat për liri. Shkëlqejnë poetët Muhamet Kuçuku e Ali Dine, ashtu sikurse i riu çam- internacionalisti Thimio Gogozoto, i cili ra dëshmor në luftën e Spanjës, në vitin 1936, bashkë me të tjerë trima nga Kosova e vise të tjera të atdheut. Shkëlqeu Ali Demi, dëshmor – hero në Kaninë të Vlorës, në Luftën Nacionalçlirimtare.
Figurat e shquara të artit: shkrimtari Mitrush Kuteli nga Pogradeci e piktori Kolë Idromeno nga Shkodra, ishin me origjinë nga Çamëria…
Qielli i Çamërisë martire është i përflakur nga këta yje, martirë e heronj. Ata janë e do mbeten farët e neonët e çështjes shqiptare edhe paskëtaj, në shekuj. Një folklor i madhërishëm i popullit çam i ka përjetësuar në vargje këta trima e veprimtarë. Poeti e prozatori brilant Bilal Xhaferri e sa e sa të tjerë në fushën e artit e kulturës, – janë qëndistarë të etnisë sonë në jugun e thellë shqiptar.
Çështja çame nuk vdes. Ajo është çështje e gjithë popullit shqiptar. Në vitin 1913, pas coptimit të trojeve tona nga Fuqitë e Mëdha Evropiane, populli vajtoi fatin e pjesëve që mbetën jashtë:
 
Qaj Kosovë e Çamëri,
Që kini mbetur në botë;
Ca Greqi, ca në Serbi,
Jinni këputur si zogjtë;
S’është e mirë ajo zoi,
Që jini ndarë me shokë,
Me ne do kini bashki,
Ësht’ e shkruar në Evropë…
 
Por sot, kur liria e Kosovës vezullon në qiellin Shqiptar, në gjirin e mëmës Shqipëri, vargjet e kësaj kënge vijojnë me mallëngjim për pjesën tjetër të atdheut :
 
Qaj Metvegjë e Çamëri,
Që kini mbetur në botë…
 
Por, për Çamërinë e djegur, të shkulur, të vrarë, të mohuar nga shovenët e Jugut, kënga elegjiake e popullit vazhdon:
 
Pa shikoni varret tanë:
Atje te trojet-ë  çamë,
Për një pikëz ujë qajnë.
Në varret e të parëve tanë
Lulet e barit janë tharë;
Aty lule duhen mbjellë,
Kombi ujë duhet të hedhë;
Në buzët e detit Jon,
Ku gjaku i shqipes kullon…
 
Figurat e Çamërisë janë të shumta edhe më pas, gjatë shekullit XX e në ditët tona. Ja njëri prej tyre: Skënder Beqiri, – martir i gjallë i çështjes çame. Ai është këtu mes nesh, në Vlorë. Po afron shekullin me moshën e tij dhe ka bërë një vepër të rrallë: me fotot e tij, në fototekën e tij, ka një Çamëri e një Vlorë të tërë brenda në shtëpinë e tij. Për këtë e kanë cilësuar edhe “Marubi i Çamërisë e i Vlorës”. Dhe ja një fjalë e tij prej rilindasi të gjallë: “Do vdes, po jo nga tjetër gjë, por nga derti etnik i coptimit të trojeve tona, që akoma janë jashtë trungut të mëmës!”
 
Por kënga thotë:
 
Çamëri pushoje vajnë,
Se s’të lënë djeltë çamë,
E gjithë këta shqiptarë…
 
Por ka edhe shumë të rinj çamë që punojnë fort për iealin e kësaj pjese të Atdheut. Një nga këta është edhe Festim Lato, vëllai i poetit të njohur , Xhemil Lato. Festimi banon në Holandë, por me përpjekjet e tij, me idealizmin e tij të zjarrtë, ka organizuar, ka sponsorizuar dhjetra aktivitete, takime, konferenca shkencore e sensibilizuese, tubime, botime librash patriotikë, për çështjen çame. Ai djalë, rreth të dyzetave, ka arritur ta çojë zërin e Çamërisë deri tek drejtuesit e atij shteti, deri në organizmat e tjera të larta të Evropës, organet e Drejtësisë së çështjeve nacionale, siç është çështja çame, me të drejtëne saj themelore- atë të kthimit të trojeve e pronave të këtyre shqiptarëve të shkulur me genocid afro tre çerek shekulli më parë.
Pra, yllësia çame, si e çdo visi tjetër të atdheut, vazhdon, përpiqet, ndriçon, dhe ekziston e plotë shpresa se kjo Evropë, që e coptoi Shqiperinë më 1913, po kjo – me moralin e demokracisë që përfaqëson, do ta kthejë në vend çështjen e drejtë të kësaj pjese të kombit tonë të martirizuar.

Filed Under: Histori Tagged With: figura, Idajet Jahaj, te shquara Came

FIGURA TË SHQUARA TË ÇAMËRISË

October 27, 2016 by dgreca

Çamëri pushoje vajnë, Se s’të lënë djeltë çamë, E gjithë këta shqiptarë …/

2-idajet-jahajNga IDAJET JAHAJ/

1-piro-i-epiritTë flasësh për figurat e shquara të Çamërisë, si për çdo vis tjetër të Atdheut, është një temë ë vështirë. Sepse këto figura janë kaq të shumta, kaq të ndritshme, sa nuk mund t’i rrokësh dot me një kumtesë të shkurtër apo informacion. Duhen libra të tërë për këtë qëllim. Dhe libra për Çamërinë janë bërë, jo me dhjetra, po me qindra. Por gjithmonë ka edhe punime e këndshikime të veçanta, që e thellojnë apo e koncentrojnë më shumë njohjene historisë dhe figurave të saj.Njëri prej këtyre këndshikimeve është edhe kjo kumtesë e shkurtër.  Është përgatitur edhe një libër gjithpërfshirës për këtë qëllim. Synimi është që informacioni për figurat e shquara të përhapet si objekt më vete në masat e gjera., deri edhe tek nxënësit e shkollave e brezat e rinj. Pra, jo vetëm si punim akademik, i cili përqëndrohet te pak njerëz, por një punim me karakter masiv, popullor e për të gjitha viset e Atdheut.Kemi evidentuar rreth 60 figura të Çamërisë martire. Sa pika e nyje njohëse ka për to!  Kuriozitete e të dhëna të shumta që të emocionojnë e frymëzojnë.

Ja disa prej tyre:

“Ptolemejte ishin Çamë” – shkruan Sami Frashëri ne “Fjalorin” e tij të madh historio-grafik për Shqipërinë. Ptolemejtë ishin pasardhësit e Aleksandrit të Madh, të cilët i vendosi zotër në Aleksandri. Aty ata ndërtuan bibliotekën e famshme me librat e antikitetit, të cilën e dogjën vandalët evropianë të Kryqëzatave më vonë.Dihet nga të gjithë se strategu i lashtësisë – Pirro, – ka lindur në Ledhëz të Çamërisë.Kuriozitetet vazhdojnë në shekuj. Vetë themeluesi i Egjiptit, Mehmet Ali Pashë Misiri, kishte lindur në një zonë të Korçës, por rininë e vetë e kaloi në Çamërinë jugore.Kështu toka çame ka qenë farishtja e rritjes dhe e përndritjes të sa e sa yjeve të kombit tonë. Folklori çam e ka poetizuar:

Qysh ka qenë mëmëdheja ?

Iskanderi si rrufeja …

Filipjadha nga Janina

        Që ka pjellë aq-ë trima …

1-hoxha_tahsini_3000_vjetet_023

Çami i famshëm Hoxha Tahsini ishte rektori i parë i universitetit të Stambollit, në vitet 80-të të shek. 19-të. Por ai nuk shkëlqeu më tepër për këtë, se sa për faktin e madh që ai u bë fanari i parë i Rilindjes Kombëtare, rrezet e të cilës i përhapi në çdo kënd të tokës shqiptare. E quajtën edhe “Koperniku i Lindjes”, por populli i këndoi:

        Gjithë rilindasit radhë

Nga Tahsini morën farë …dora_distriaRilindësja Dora d’Istria flist me dashuri për Pargën e bukur çame. Bile, diku thotë se “Kam lindur në Pargë!”Çami i famshëm Abedin Pashë Dino është vlerësuar nga historio – grafia e kohës si njëri nga 50 valinjtë më të shquar të perandorisë së atë|hershme. Dhe ky patriot vdiq me emrin e Shqipërisë në gojë.E kështu yjet e Çamërisë hijeshojnë në shekuj e dekada.  Sidomos në kapërcim të shek. XIX e në dekadat e para të shek. XX, – këta yje u dendësuan shumë. Sepse ishte çështja e lirisë së mëmëdheut, e cila rrezikohej nga bishat shovene ballkanase dhe duart gjakatare të drejtuesve të Fuqive të Mëdha të Evropës. Kujtojmë: Sheh Sabri Preveza, në kapërcim të shekullit, u bë përhapësi i madh i librit shqip në krejt jugun shqiptar, deri në Vlorë e Berat. Shquajnë në Folklor emrat e Osman Takës me vallen e tij, e Çelo Mezanit me këngën e tij; shkëlqejnë dyert e mëdha Çame në kulturën e patriotizmin shqiptar e sakrificat për liri. Shkëlqejnë poetët Muhamet Kuçuku e Ali Dine, ashtu sikurse i riu çam – internacionalisti Thimio Gogozoto, i cili ra dëshmor në luftën e Spanjës, në vitin 1936, bashkë me të tjerë trima nga Kosova e qytete të tjera. Shkëlqeu Ali Demi, dëshmor – hero në Kaninë të Vlorës, në luftën Nacionalçlirimtare.Figurat e shquara të artit: shkrimtari Mitrush Kuteli nga Pogradeci e piktori Kolë Idromeno nga Shkodra ishin me origjinë nga Çamëria …

1-bilal_xhaferri

Qielli i Çamërisë martire është i përflakur nga këta yje, martirë e heronj. Ata janë e do mbeten farët e neonët e çështjes shqiptare edhe paskëtaj, në shekuj. Një folklor i madhërishëm i popullit çam i ka përjetësuar në vargje këta trima e veprimtarë. Poeti e prozatori brilant Bilal Xhaferri e sa e sa të tjerë në fushën e artit e kulturës, – janë qëndistarë të etnisë sonë në jugun e thellë shqiptar.Çështja çame nuk vdes. Ajo është çështje e gjithë popullit shqiptar. Në vitin 1913, pas coptimit të trojeve tona nga Fuqit e Mëdha Evropiane, populli vajtoi fatin e pjesëve që mbetën jashtë:

Qaj Kosovë e Çamëri,

   Që kini mbetur ne botë;

Ca greqi, ca në Serbi,

  Jini këputur si zogjtë…

S’ është e mirë ajo zoi

   Që jini ndarë me shokë.

Me ne do kini bashki’

            Esht’ e shkruar në Evropë !…Por sot, kur liria e Kosovës vezullon në qiellin Shqiptar, në gjirin e mëmës Shqipëri, vargjet e kësaj kënge vijojnë me mallëngjim:

Qaj Metvegjë e Çamëri,

    Që kini mbetur në botë …

Por, për Çamërinë e djegur, të shkulur, të vrarë, të mohuar nga shovenët e Jugut, kënga elegjiake e popullit vazhdon: Pa shikoni varret tanë:

Atje te trojet-ë çamë,

   Për një pikëz ujë qajnë.

         Në varret e të parëve tanë

     Lulet e barit janë tharë;

   Aty lule duhen mbjellë,

         Kombi ujë duhet të hedhë;

                                                                     Në buzët e detit Jon ,

                                                                     Ku gjaku i shqipes kullon …

Figurat e Çamërisë janë të shumta edhe më pas, gjatë shek. XX e në ditët tona. Ja njëri prej tyre: Skënder Beqiri, – martir i gjallë i çështjes çame. Ai është këtu mes nesh. Po afron shekullin me moshën e tij dhe ka bërë një vepër të rrallë: me fotot e tij, në fototekën e tij , ka një Çamëri e një   Vlorë të tërë brenda në shtëpinë e tij. Për këtë e kanë cilësuar edhe “Marubi i Çamërisë e i Vlorës”. Dhe ja një fjalë e tij- prej rilindasi të gjallë: “Do vdes, po jo nga tjetër gjë, por nga derti etnik i coptimit të trojeve tona, që akoma janë jashtë trungut të mëmës”.

Por kënga thotë:

Çamëri pushoje vajnë,

        Se s’të lënë djeltë çamë,

            E gjithë këta shqiptarë …

 Një nga këta djem të sotëm çamë është edhe Festim Lato, vëllai i poetit të njohur- Xhemil Lato. Festimi banon në Holandë, por me përpjekjet e tij, me idealizmit të tij të zjarrtë, – ka organizuar, ka sponsorizuar me dhjetra aktivitete, takime, tubime, botime librash patriotikë, për çështjen çame. . Ai djalë, rreth të dyzetave, ka arritur ta çojë zërin e Çamërisë deri tek drejtuesit e atij shteti, deri në organizmat e tjera të larta të Evropës, organet e Drejtësisë së  çështjeve nacionale, siç është çështja çame …midis tyre – edhe të drejtën më themelore – atë të kthimit të trojeve e pronave të këtyre shqiptarëve të shkulur me genocid afro tre çerek shekulli më parë. Pra, yllësia çame, si e çdo visi tjetër të atdheut, vazhdon, përpiqet, ndriçon, dhe ekziston e plotë shpresa se kjo Evropë, që e coptoi më 1913, po kjo – me moralin e demokracisë që përfaqson, do ta kthejë në vend çështjen e drejtë të kësaj pjese të kombit tonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Cameri, figura te shquara, Idajet Jahaj

O SHAKO XHAKË TËRBAÇI-I SHQIPËRISË ISH ILAÇI…

September 17, 2016 by dgreca

  1. -portret për luftëtarin e shquar kundër shovinistëve grekë-1854…
  2. 1-idajet-jahajNga Idajet Jahaj/  
    Historia e Tërbaçit ( në Lumin e Vlorës) është si një pyll i dendur me trima e kapedanë, ashtu si e gjithë Labërisë. Por muza popullore veçon disa prej këtyre trimave. U ka kënduar atyre më shumë, ka thënë për ta cilësorë më të zgjedhur.
    Një i tillë trim-ka qenë edhe Shako Xhakë Tërbaçi.
    Ai ka shkëlqyer në luftimet kundër grekërve, në Mecovë, në vitin 1854. Në krye të forcave të Vlorës, bashkë me kapedanë të tjerë si : Selam Hasan Velçën, Sokrat Lekë Qeparoin, etj. Ata i përzunë andartët që nga malet e Vlorës e deri poshtë, në kufijtë jugorë të vendit.
    Në Mecovë u bënë luftime të ashpra kundër forcave të gjeneral Grivës.
    Në vijën e frontit shqiptar komandonte Mahmud bej Vlora ( i ati i Ismail Qemalit), së bashku me vëllain e tij-Selim Pashë Vlorën, Halit bej Frashërin (i ati i Naimit), Çelo Picarin,  Hasan Çakon  nga Kurveleshi, etj.
            Shako Xhaka-trim i lartë,
            Gjezdis nëpër rigatë,
         Kërkonte kufij të saktë.1)
    Sapo mori vesh invadimin e grekërve në jug, ai lëshoi kushtrimin:
     
    Kush doli në breg i pari?
    Shako Xhakë bajraktari,
    Pisqollë, jatagan-lari,
    Në çdo vend kordhëtari,
    Sokëllin sa tundej mali!
     
    Në ç’breg? Ka një breg në Tërbaç, i cili quhet “Bregu i alarmit”. Ai ka qenë vendi tradicional i kushtrimeve. Këtë herë armiku u shfaq larg në jug, por atdhetarët e japin kushtrimin që këtu, në malet e Labërisë. Bile Shako Xhaka “sokëllin në çdo vend”, me zërin e tij buçitës.
    “Shako Xhakë bajraktari”, dmth. se ishte flamurtar, prijës i një formacioni luftëtarësh popullorë. Ai dallohej nga pisqolla (koburja), jatagani, kordha, dhe zëri i tij i fortë në lugje e male.
    Kush u hodh Proto Mecovë?
    -I shkreti Mahmud bej Vlorë,
    Selami, një vetull-hollë…
     
    Por përkrah tyre ishte edhe:
     
    Shako Xhakë e Mahmud beu,
    Lumin përpjetë ç’e ktheu,
    Luftojnë sa tundet dheu.
    Shako Xhaka-ujk shëndreu,
    Brenda në armiq kërceu!…2)
     
    Imazhi i ujkut! Pasazhe madhështore të muzës së popullit.
    Sërish në Mecovë:
     
    Shako Xhakë bajraktari,
    Në Mecovë u hodh i pari;
    Ky Shako Xhakë Tërbaçi,
    I Shqipërisë ish ilaçi,
    Ilaçi i Shqipërisë,
    I vjen rreth e rreth kufisë,
    Për udut të Shqipërisë.1)
     
    Vetëdija kombëtare shkëlqen në shumë vargje për këtë trim, i cili lufton për idealin e madh të atdheut te vet. Ashtu si tek trimi i madh Zenel Gjoleka më parë:
     
    Pse lufton, a derëzi,
    Sos për mua a për ti,
    Po për gjithë Shqipëri!
     
    “SHQIPËRIA”-emri flamur që u gurgullon gjakun luftëtarëve.
    Dhe këta luftëtarë bëhen bllok kundër armikut që donte të zhvaste toka të atdheut tonë:
     
    Me jataganë në brez,
    U lidhë me besa-besë,
    Që t’i venë fre Moresë…2)
     
    Kështu shkëlqyen trimat e Vlorës e të jugut atje në Mecovë:
     
    Korak’ e shkreta Korakë,
    Kush u hodh e u bë kajkë?3)
    Tepelenas e vlonjatë,
    Që rrojnë me bukë thatë,
    Me mish të pjekur në napë.
     
    Në të gjitha këto prita e sulme ka marrë pjesë edhe Shako Xhaka. Për të nderuar emrin e tij atë e thirrën me emrin e fshatit “Shako Xhakë Tërbaçi”. Luftëtarët vlonjatë, thotë kënga, “e mbodhën Grivën sa dora”:
     
    N’ato zjarre e beteja
    E shpunë Grivën te reja.
     
    24 vjet më vonë, sërish trimi i Tërbaçit, Shako Xhaka, në bllok me luftëtarët e Lumit të Vlorës e të Bregdetit, i doli përpara grekut, në Lëkurës e Sarandë. Atje Shakua u mësoi luftëtarëve si të hapnin llogore e të ruheshin, ndërsa armiqve t’u jepnin dërmën:
    O Shako, ç’e bëre mirë,
    Ngrite tabjet4) në Muzinë,
    Një natë me suferinë,
    Ç’e përzunë gjiritlinë,
    Kapetan Kosta Forinë,
    Mbenë xathur, pa opingë,
    Si derrat në përcëllimë,
    S’e pa i pari të dynë,
    Lanë vrapin në Athinë…
    Në këtë betejë trimi Shako ishte 52 vjeç. Kujtesa e brezave i bën portretin: “Një trup i gjatë si bredh: i shkathët, mjeshtër i armëve; flinte edhe në borë. Ishte një shënues i rrallë. Merrte shenjë në llami”-siç thotë kënga për trimin e mëparshëm- “Beqir Labi gunëzi”, i 1847-ës. Muza i jep trimit Shako maksimën patriotike:
     
    “I Shqipërisë ish ilaçi”…
    _________________
    1)H.Skëndaj, “Gurra popullore e Tërbaçit”, T.2002, fq.17
    2)M.Kokalari, “Trima të kryengritjeve Popullore”, T.1979, fq.198  
           1)udute-kufi
    2)Greqisë
    3)theror
    4)llogoret

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, SHAKO XHAKË TËRBAÇI

MË SHPËTOI DUHANI SHQIPTAR

September 10, 2016 by dgreca

(sipas kallëzimit të një mbreti polak)/
Nga IDAJET JAHAJ /
 … Ja, më shikoni mua ju? Kam qenë mbreti i Polonisë dhe i Letonisë. Sigurisht, këto dy copa të arta të mbretërisë sime do t’i zhbënte, do t’i çirrte me thoin e vogël ariu i madh rus. E kam fjalën për shtetin e stërmadh të stepave dhe pyjeve të pafund… të asaj hapësire që kundërpeshon botën.
Pra, unë isha mbreti i Polonisë së artë e i Letonisë së argjendtë.
Kush ua jepte këto ngjyra dhe vlera? Jo vetëm fushat e bukura, pyjet piktorike e malet që hijeshojnë si vetulla të bardha mbi të kuqërremtën e mjalttë të fushave apo hapësirat e kristalta të pellgjeve e liqeneve të mëdhenj të akullt, shkopinjtë e të cilit ndriçonin si zbukurime edhe në degët e pemëve. Jo vetëm këto. Ishin të arta e të argjendta edhe për qetësinë e pavarësinë. Kumbonin si treva të këngës e të zileve të hovshme të trojkave që çanin peizazhet e verdha nëpër rrugët plot largësi e mister… E tillë ishte bota e madhe e punës, e zhurmës së këndshme të qyteteve e tymit të bardhë të jetës paqësore në fshatra e lagje… E mbi këtë frymëmarrje plot jetë, çangat e lashta të kishave shkundnin tingujt hyjnorë si zile të përjetshme, që të venë në gjumin e ëndrrës.
Këto po mendoja atëherë, kur isha djalë i ri, njëzetë e katër vjeç. Kush ish më i lumtur se unë? Bollëku, mëndafshi e hareja më rrethonin kudo, që nga fëminia… Këtë kallëzim tani unë e bëj në moshën madhore, kur kujtoj çastet e jetës, rruazat e fatit, segmentet e dritës e të errësirës, që kam patur edhe unë si çdo i gjallë mbi këtë dhe.
Shpesh njeriut i shkon filmi i jetës ndërmend. Sidomos çastet ogurzeza kur mund të humbte edhe jetën. Pak mendon njeriu për to, e këto çaste ai i kalon shpejt në kutinë e harresës, se, po të mendojë gjatë për to, nuk është mirë… Jeta ka çaste tragjike. Këto izolohen së bashku me rrënqethjen e tyre. Por ka edhe raste tragji-komike, të cilat, ndonëse rrallë, dëshiron t’i lëçitësh apo t’i shkruash ndonjëherë.
Doni t’ju them një sekret? Nga bota ime intime? Po jua them. Isha mbret, pra, i velur me gjithçka. E kisha shijuar çdo ëmbëlsirë të kësaj bote. Por edhe froni, dhe gjithë vezullimet e tjetra, më dukeshin të pamjafta për pozitën e lartë, po të mos gëzoja edhe diçka tjetër në fatin personal: unë kam qenë dashnori i parë i mbretëreshës së sotme të Rusisë – Ekaterinës së famshme! Nuk gënjej, dhe as dua të përfitoj lavdi për këtë. E kam shkruar edhe në ditarët e mi. Isha mbret i ri, e kush nuk më adhuronte mua?
Nuk zgjatem për ekzaltimin ndaj bjondinkës mbretëreshë (të sotme), e cila atëherë vezullonte si çupëlinë e re që ishte, në një provincë gjermane. Më lejoni të them vetëm kaq: i hoqa asaj, i pari, virgjërinë.. Kaq. Pra, në zgafellën e ndërgjegjes sime them se ky fakt më bëri më shumë mbret, se sa shiritat e shumëngjyrtë që mbaja mbi supe.
I dehur nga ky luks shpirtëror, kjo pasuri, doja ta ushqeja shpirtin tim me natyrë, me atë arsenal të madhërishëm pamjesh të kodrave dhe pyjeve tona të pafundme… me atë pamje lumi e qielli, rrugësh misterioze e rreziqesh, ku shpirti s’ngopet kurrë. 
Po udhëtoja në pyllin e zi të Letonisë. U futa thellë në botën e drurëve. Bisedoja në heshtje me ta, me barin e gjelbër e të verdhë, me harlisjen e kurorave të lisave e pishave që kuvendonin me qiellin… Soditja kaltrinat e qiellit midis degëve, vetullat e argjendta të maleve të akullt në largësi. Ky udhëtim e kjo vetmi, kjo botë memece e shumëngjyrëshme, ai ar akulli diku, sikur ma shuante furrën time shpirtërore, gjithnjë të ndezur…, hovin e djalit të ri, që fati e kish mbingarkuar në jetë. Po udhëtoja thellë në pyje dhe vetëm. I lashë larg rojet, as armë nuk mora me vete. Thashë: do zhgrryhem në pyje, në baltra, në degë. Do shoh, do shoh, do shoh…
E, që ta pikëzoj fjalën, tashmë vonë mendoj: po sikur të më afrohet rreziku… e të humbas me gjithë shiritat e ylbertë të fatit? Kjo pyetje më shtjellohej si fjollë mjegulle para syve. Ja këtë desha të kallëzoj: se si, për pak çaste desh më iku jeta, nga marrëzia e ikjes, e fshehjes, e fluturimit me këmbë…
Kisha humbur në pyll. Në pyjet tona, për të cilat kemi aq krenari, i kemi “si lulja në kapele”, siç i themi këtej, në anët tona, kudo që era e fatit na hedh nëpër rruzull. Në këto trungje e gëmusha ku udhëtoja, rreziku i vdekjes shpesh të qëndronte një pëllëmbë larg…
Isha i lodhur, por si i ri, më ziente gjaku…Megjithatë u ula pranë një trungu. Thashë të ndez një duhan. Kohët e fundit kisha mësuar ta hiqja duhanin, natyrisht, si mbret, kërkoja duhan “mbretëror”. Një të tillë më kishin rekomanduar se kishte në një vend bujqish e barinjsh të talentuar, të palodhur e krenarë, në bregun e poshtëm të Adriatikut, aty nën sllavët. Vendit i thonë Shqipëri. Çudi, shqiponja ka më shumë kësaj ane nga ne. Dhe janë të mëdha e ngrihen si avionë mbi kreshtat e pyjeve. Por emrin e tyre e kanë marrë ata, shqipot, siç u thonë. Ata janë të lidhur shumë me cilësinë e fluturimit e të forcës së shqiponjave. Pra, andej, nga “Vendi i shqiponjave” një mik më kish rekomanduar se ka duhan të mirë, të zgjedhur. Dhe gjetën disa shqiptarë këtu në Poloni, “Krutaj” u thoshin, më duket. I porositëm për duhan e ata e sollën nga vendi i tyre. Duhan i mirë, ngjyrë mjalti, me fijet si kadaif… dhe unë e mbajta me vete kutinë e duhanit shqiptar, siç e mbanin ata, në xhep. Kështu, edhe në momentin e pyllit të thellë. Mbaja edhe shkrepësen.
Po rrija e mendoja. Kur befas, një putër e stërmadhe më del që prapa trungut. Një tigër rus, i madh sa një elefant. Tmerr. Ç’të bëja? Vdekja po më zmadhonte sytë. Qimet e tij të verdha e gri, i ndriçonin më shumë se shiritat e mi të mbretit. Pra, më kishte ngulur sytë ai, mbreti i pyllit dhe i akullit, gjakësori i bukur. Mu afrua. Goja e tij dy të kollfitura më kish, mua, mbretin e imtë. Filmi i jetës dhe pellgu i zi i vdekjes më parakalonin bashkë para syve të mi. Në çast, në sekondë. “Ika”, thashë me vete.
Ai gati po më lëpinte hundën time. Ah, ai, mbreti i pyllit, do të hante një mbret të pyllit e të yllit…Pse? … Mendoj tani, me humor, nga që i zhvirgjërova i pari mbretëreshën e stepave të tij të pafund?!…
“Po nuk është e mundur të bëhem llokume për stomakun e tij” – mendova. Mendja më punonte instinktivisht. Ç’të bëja? Futa dorën në xhep, ashtu kot. Atje dora më preku vetëm kutinë e ndritshme metalike të duhanit shqiptar. “Ta nxjerr”, thashë, po ç’të bëja me të? Po më shkoi në mend: e hapa me të dy duart dhe ia afrova në hundë ariut. Ai e nuhati, e nuhati si të ishte një bërnet i rrallë dhe ktheu kokën pas. E tundi edhe një herë kokën dhe e afroi e i mori erë përsëri. U kthye mbrapsht e teshtiu një herë, dy. Aq fort, si bubullimë. A thua u lëkundën dhe fijet e barit e degët përreth. Teshtiu sërish… fort… e pastaj më t’ia mbath një vrapi që s’kish të arritur.
Oooo, shkëlqimi i syve po më vinte në vend. Armë nuk pata me vete. Po edhe të kisha, a do mund ta vdisja atë përbindësh aq të madh në aq pak sekonda? Po a kish armë më të fortë se kjo armë e shkëlqyer shqiptare? E deklaroj unë këtë, mbreti i Polonisë e i Letonisë! Duhani shqiptar, me atë ngjyrë mjalti e fije kadaifi, m’u bë pjesë e zemrës, më shpëtoi jetën. Jo vetëm për nevojë, por tani unë atë nuk e ndaj as për dhembshuri e mirënjohje. E dëboi vdekjen nga unë ashtu thjesht, vetëm me erë, pa zhurmë, si në bashkëbisedim sfidues me jetën. Që atëherë i mbolla mirë në mendje këta dy togfjalësha: “Vendi i shqiponjave” dhe “Duhani shqiptar”.
… E deklaroj unë këtë, mbreti i … dy copave të arta të Evropës. 
Bile, për t’ju bindur, shkruaj edhe vitin këtu: 1767. Poloni. Stanislav August Ponjatovski.

Filed Under: LETERSI Tagged With: DUHANI SHQIPTAR, Idajet Jahaj, MË SHPËTOI

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT