Prishtinë, 17 Dhjetor 2022.
Në vijim të vizitës zyrtare në Prishtinë, delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), zhvilloi takime të veçanta pune me Kryetaret e Grupeve Parlamentare dhe anëtarë të G.P të opozitës parlamentare në Parlamentin e Kosovës.
Delegacioni i KASH u prit nga z. Arben Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), z. Abelard Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe z. Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Kryetarët e Grupeve Parlamentare të LDK, PDK dhe AAK, në këto takime ishin të shoqëruar nga deputetët e partive përkatëse anëtar dhe drejtues të Komisonit të Jashtëm, të Integrimeve Europiane dhe Komisionit të Sigurisë të Parlamentit të Kosovës.
Gjatë këtyre takimeve, u shkëmbyen mendime e vlerësime në lidhje me zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe në rajon, gjithashtu u dhanë sugjerime për bashkërendimin e përpjekjeve dhe iniciativave, në funksion të zgjidhjes së situatës së krijuar në veriun e Kosovës, si dhe të avancimit të përmbushjes së objektivave eurointegruese të vendeve tona.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) vlerësoi zhvillimin e proceseve të brendshme demokratike në Republikën e Kosovës, si një shembull për të gjithë rajonin. Nga ana e KASH u vlerësua lart se si zhvillohen zgjedhjet dhe procesi demokratik si dhe respektimi dhe moskontestimi i rezultatit të tyre nga ana e qytetareve, por edhe nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Në konteksin e zhvillimeve të fundit në Kosovë, u vlerësua si një ngjarje sa historike, aq edhe e argumentuar e plotësisht e mbështetur në arritjet e standarteve të kërkuara evropiane nga ana e Republikës së Kosovës, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Anëtarët e delegacionit të KASH në badhkëbisedim me kryetarët dhe anëtarët e Grupeve Parlamentare të LDK, PDK dhe AAK, theksuan rëndësinë e përqëndrimit të të gjitha përpjekjeve në drejtim të negociatave Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuara nga BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkundër përpjekjeve te Beogradit, edhe nëpërmjet veglave të tij në veriun e Kosovës, për të përshkallëzuar artificialisht tensionet, me qëllim bllokimin e negociatave për normalizimin dhe njohjen reciproke të dy vendeve, që do të shërbenin për forcimin e mëtejshëm të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të të gjithë rajonit.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) beson se unifikimi i faktorit politik shqiptar dhe kapërcimi i ndasive politike të momentit, për përballimin e situatës së krijuar me Serbinë, janë me një rëndësi themelore kombëtare.
Gjatë bashkëbisedimit të delegacionit të KASH me kryetarët e G.P të Parlamentit të Kosovës, me theks të veçantë u diskutua për rolin e pazëvendësueshëm të Diplomacisë Parlamentare, e cila po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishem kudo në Europë dhe botë, si një instrument i mirë për lidhje direkte dhe plasimit të vërtetës për Kosovën dhe zhvillimeve rreth saj.
Kryetarët e Grupeve Parlamentare të LDK, PDK dhe AAK, u shprehën se përcjellin me vëmendje veprimtarinë e KASH dhe vlerësuan rolin e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) në këto momente delikate për Kosovën. Gjithashtu u shprehë gatishmeria dhe angazhimi i plotë intyre për koordinim dhe bashkëpunim në mes të Grupeve të tyre Parlamentare dhe KASH.
KASH u shpreh se eshtë i gatshëm për të ndihmuar me të gjitha kapacitetet e veta, si me përvojën dhe kontaktet diplomatike dhe miqësore kudo që ka mundësi, por edhe me vlerësime gjeopolitike, në mbështetje të anëtarësimeve të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, sidomos edhe me angazhim me lidhjet që ka KASH në shtetet mosnjohëse të Kosovës.
P.S.
Delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë :
1. Prof. Edmond Panariti, Ish Ministër i Punëve të Jashme – Anëtar i Asamblesë së KASH.
2. Amb. Genci Mucaj, Anëtar Bordi – Drejtor Ekzekutiv i KASH.
3. Amb. Flamur Gashi, Anëtar Bordi – Drejtor për Rajonin dhe Diasporën në KASH.
4. Amb. Spiro Koçi Anëtar Bordi – Sekretar i Përgjithshëm i KASH.
5. Ambasador Avni Spahiu, Koordinator i KASH për Kosovën – Anëtar i Asamblesë së KASH.
6. Skender Thaci – Anëtar i Bordit Këshilldhënës të KASH.