Shkruan: Frank SHKRELI- 15 Shtatori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, e përcaktuar si e tillë me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara për të promovuar — me thirrje dhe veprimtari — mbështetjen dhe mbrojtjen e parimeve dhe vlerave të demokracisë, anë e mbanë botës. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënoi këtë ditë duke u bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të ndërtojnë një botë më të barabartë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, me respekt të plotë për të drejtat e njeriut.
Në sfondin e pandemisë së koronavirusit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres, në mesazhin e tij, nënvizoi rëndësinë e demokracisë si një mjet për të siguruar përhapjen e lirë të informacionit, pjesëmarrjes në vendim-marrje dhe llogaridhënie nga autoritetet, për masat që po merren kundër vitusit COVID-19. “Ç’prej fillimit të pandemisë”, theksoi Sekretari i Përgjithëshëm, “kemi venë re se masat emergjente në luftën kundër virusit janë përdorur, në shumë vende, për të kufizuar dhe për të penguar proceset demokratike dhe hapësirën e veprimtarisë së lirë të qytetarëve. Kjo është, veçanërisht, e rrezikshme, në vendet ku demokracia nuk ka hedhur ende rrenjë sa duhet dhe ku institucionet demokratike janë ende të dobëta”, tha Guterres.
Edhe para se të fillonte pandemia, ka nënvijuar ai, shqetësimet dhe moskënaqësitë nga popujt, ndaj autoriteteve anë e mbanë botës, po shtoheshin dhe besimi tek autoritetet publike po pakësohej gjithnjë e më shumë dhe kudo. Sot, theksoi, Guterres, shqetësimet dhe mungesa e shpresës për një jetë më të mirë, sidomos nga pikëpamja ekonomike, po shkaktojnë protesta dhe trazira shoqërore, anë e mbanë botës. “Është e qartë”, përfundoi ai mesazhin e tij, në kujtim të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë se “Sot, qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të dëgjuar ankesat e njerëzve që kërkojnë ndryshime due që autoritetet të hapin kanale të reja dialogimi dhe respekti për lirinë e papenguar për të protestuar, në mënyrë paqësore”.
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është themeluar në 2007 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e cila ka rithekësuar edhe njëherë se demokracia është një vlerë universale e bazuar në vullnetin e shprehur lirisht të popujve, për të përcaktuar sistemet e tyre politike, ekonomike, sociale dhe kulturore që ata vet dëshirojnë dhe për të vendosur mbi pjesëmarrjen e tyre të plotë, në të gjitha aspektet e jetës së tyre.
Në nder të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, edhe Shtetet e Bashkuara theksuan qëndrimin e tyre në mbështetje të demokracive dhe vlerave demokratike. Demokracia është ideal i njohur botërisht dhe respekton liritë, dinjitetin dhe barazinë për çdo njeri. Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo, në mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë me 15 Shtator, 2020 theksoi, ndër të tjera, pikërisht, “Të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në proceset e vetëqeverisjes demokratike. Demokracitë kanë përgjegjësitë e veta para qytetarëve të tyre. Demokracitë respektojnë sundimin e ligjit, mbrojnë jetën dhe pronën private dhe respektojnë liritë, dinjitetin dhe barazinë për çdo person”, është shprehur kryediplomati amerikan, me këtë rast.
“Demokracia mbetet aspirata e njerëzve në të gjithë botën sepse secili prej nesh dëshiron të jetë i lirë. Që nga koha kur jemi fëmijë, ne instinktivisht pohojmë aftësinë tonë për tu vetëqeverisur, për të marrë vendime që formojnë jetën tonë. Si qytetarë, ne e kuptojmë se duhet të jemi të lirë që të angazhojmë edhe të tjerët në debate mbi mençurinë e vendimeve të udhëheqësve politikë, të cilëve u besojmë pushtetin, për të mbrojtur jetën, pronën dhe liritë tona. Dhe, si qenie njerëzore, ne e dimë që nuk mund ta ndërtojmë demokracinë vetëm. Demokracitë janë bashkësi gjithëpërfshirëse të individëve, të cilët janë të lirë të punojnë së bashku për të arritur qëllimet e përbashkëta që ata kanë përcaktuar lirisht ashtuqë ato të, sepse liria zhbllokon talentet dhe krijimtarinë e të gjithëve”, ka thenë Mike Pompeo.
Sot, bota është prekur rëndë nga një prej krizave më të mëdha të shëndetit publik, të kohërave moderne, ka nënvijuar ai, duke shtuar se “Demokracitë, qeveritë autoritare dhe diktaturat po sfidohen njësoj nga pandemia e koronavirusit, por vetëm demokracitë janë të lira të debatojnë hapur se si të përgjigjen ndaj kësaj pandemie…Prioriteti i parë i regjimeve autoritare, nuk është shëndeti publik”, tha ai, “por mbrojtja e pushtetit të tyre. Ata nuk pranojnë t’u përgjigjen pyetjeve të vështira në lidhje me pandeminë. Autoritarët mbjellin dezinformim, anashkalojnë grupet më të prekura, zgjërojnë masat e kontrollit dhe mbikëqyrjen masive, ndërkohë që edhe pezullojnë shtetin e së drejtës. Njerëzit vuajnë kur drejtuesit e tyre janë përgjegjës vetëm para vetes ose ndaj partive që ata kontrollojnë”, ka thenë Kryediplomati amerikan, Pompeo në mesazhin e tij, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, 2020.
“Qeverisja demokratike nuk është e përsosur, por sigurisht është më e mirë se alternativat e tjera të qeverisjes. Shoqëritë demokratike respektojnë të drejtat e njeriut dhe janë më paqësore, më të begata dhe më të sigurta. Ne qëndrojmë pranë të gjithë atyre njerëzëve kudo, që kërkojnë të jetojnë të lirë, të sigurt dhe me dinjitet, me qeveri demokratike”, ka përfunduar mesazhin e tij, Sekretari Amerikan i Shtetit.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e vitit 2007 u bën thirrje të gjitha qeverive anëtare që të dedikojnë programe kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë, në kujtim të 15 shtatorit, si Dita Ndërkombëtare të Demokracisë. Fatkeqësisht, edhe kjo ditë kushtuar Demokracisë në botë, në vitin 2020, e gjenë politikën shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, të ndarë e të përçarë. Pas 330-vjetë post-komunizëm, ende nuk bien dakort për rregullat e lojës, që kërkon demokracia e vërtetë. Në vend që në trojet shqiptare të promovohet demokracia e vërtetë, atje vazhdon një ngërç politik me bojkote dhe mosmarrëveshje politike, nga të gjitha palët — nga një klasë politike që po i merr frymën zhvillimit të vërtetë demokratik dhe ekonomik të gjithë shqiptarëve. Për më shumë, tepër shqetësues është fakti që ekstremistë të majtë të politikës shqiptare, po promovojnë, jo demokracinë e vërtetë, por shprehin nostalgjinë e tyre për regjimin diktatorial dhe për vet figurën e diktatorit famëkeq Enver Hoxha, si dhe për gjoja “meritat” e regjimit të tij.
Fatkeqësisht, kjo është një prej arsyeve se pse Shqipëria ka mbetur në vend numro dhe shumë mbrapa gjithë vendeve të tjera ish-komuniste. Sepse politikanët dhe partitë që ata përfaqësojnë si dhe historianë/politikanë, me këmishë të bardhë e me kravata, — më të rrezikshmit për demokracinë, do i quante Ronald Reagan — nuk mund të ndahen nga sistemi komunisto-socialist majtist, edukimi dhe tradita e të cilit i ka brumosur ata dhe një pjesë të madhe të kësaj klase politike. Duke refuzuar qqë të pakëmn të distancohen nga fryma e kësaj ideologjie majtiste mbytëse, e cila ka formuar karakterin e tyre autoritar politik, kjo klasë politike po ia kalon karakterin, mentalitetin dhe botëkuptimin e saj majtist-sllavo-komunisto-socialist edhe brezit të ri të politikanëve shqiptarë, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.
Në botën shqiptare sot — 30-vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit — ka njerëz që përhapin dyshime mbi meritat e zhvillimeve demokratike duke promovuar ide majtiste dhe duke vendosur në pozita kyçe në qeveri, individë të brumosur, jo me ide të majta të një demokracie të vërtetë – themi të llojit të social-demokratëve perëndimorë, por individë që besojnë se e majta ekstreme i ka zgjidhjet për problemet e mëdha me të cilat përballen sot shqiptarët. Suksesi i një qeverie — e majtë ose e djathtë – është nëse ajo është e zoja të plotësojë nevojat bazë të qytetarëve të vet për një jetë normale dhe të sigurt, në liri dhe demokraci. Në këtë pikë, qeveritë shqiptare të së majtës ekstreme, përfshir komunizmin për pothuaj gjysëm shekulli dhe qeveritë post-komuniste të 30-viteve të fundit – kanë dështuar mizorisht! Prova numër një: largimi i qindra mijëra shqiptarëve nga trojet e veta, që vazhdon edhe sot. Trashëgimia e kësja klase politike do të mbetet zbrazja e trojeve shqiptare due jo ndërtimi i një demokracie të vërtetë, pro-perëndimore.
Shpresa ime nuk ka qenë kurrë tek politikat majtiste, qofshin ato të “demokracisë” së sotëme 30-vjeçare, qofshin politikat diktatoriale majtiste të komunizmit 50-vjeçar, të “pushtetit popullor”. Unë e kisha shpresën tek ai që unë mendoja se do të ishte brezi i ri politikës shqiptare, të rinjë e të reja, të rritur e të edukuar pas shembjes së komunizmit – sidomos ata që janë diplomuar nepër universitetet perëndimore. Sa i gabuar paskem qenë. Nuk dua të përmendi emra të këtyre politikanëve të rinjë sepse lista është e gjatë, por gjithkush i di se kush janë këta, të cilëve po u referohem. Por Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini si përfaqësuese e kësaj gjenerate e merr stafetën. Kur Zonja Shahini u emërua për ministre, unë në të vërtetë e shikova si një hap pozitiv. Një e re nga Kosova, shumë mirë thashë me vete, e edukuar në perëndim — megjithëse nuk e njihja. Nuk di se cilat janë arsyet e largimit të saj nga detyra, por deklarata publike që bëri me bindje të thellë gjatë një interviste në televizion, se ajo ishte më majtiste se vet qeveria Rama dhe se edhe pas dorëheqjes do të vazhdojë të punojë për kauzat e majta, në Shqipëri dhe në Kosovë. Thashë me vete e hangër dreqi edhe shpresën time në brezin e ri të shqiptarëve të edukuar në perëndimin e lirë dhe demokratik. Fatkeqësisht, edhe kësaj herë, më gënjeu shpresa se ky brez i ri mund të bënte ndryshimin epokal.
Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2020 nuk e di nëse ky brez i politikanëve të rinjë shqiptarë është aq i korruptuar materialisht dhe politikisht sa janë padronët e tyre politikë në Tiranë dhe në Prishtinë. Duket se këta politikanë të rinjë shqiptarë nuk kanë asnjë problem me uzurpimin e plotë të institucioneve qeveritare dhe shtetërore nga një grup ose parti e vetme. Dhe ketë, pa pikë turpi e quajnë demokraci! Për fat të keq, shënjat janë se këta na qenkan po aq të korruptuar ideologjikisht dhe politikisht, sa edhe klasa politike që këta i shërbejnë — me krenari madje– si mbështetës/e të politikave majtiste eskstreme të shekullit të kaluar, për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot Kombi shqiptar – politika dhe ideologji këto të provuara dhe të pranuara tanimë si të dështuara, historikisht, anë e mbanë Evropës dhe botës. Në vend që të punoni për zbatimin e ideologjive tuaja të preferuara majtiste, të dështuara — për zgjidhjen e problemeve të shoqërisë shqiptare – përpiquni të pastroni politikën e korruptuar shqiptare, pjesë e të cilës jeni edhe ju, tani. Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë – para se të përcaktoheni si politikanë majtistë, pyesni veten se çfarë të mirash i sollën Kombit shqiptar politikat dhe ideologjitë e viruseve të huaja të politikave majtiste ekstreme që iu imponuan shqiptarëve për pothuaj një shekull!? “Demokracia mbetet aspirata e njerëzve në të gjithë botën sepse secili prej nesh dëshiron të jetë i lirë”, tha në mesazhin e tij Sekretari Amerikan i Shtetit, Pompeo në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos tu mbajë peng e kaluara! 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, shqiptarët ende presin realizimin e ëndërrave të tyre shekullore për liri dhe për një demokraci të vërtetë!