Artan Nati/
Diplomati amerikan Richard Holbrooke kishte një shqetësim në prag të zgjedhjeve të shtatorit 1996 në Bosnje, të cilat kishin për qëllim të rivendosnin jetën civile dhe demokracinë në atë vend të shkatërruar. “Supozoni se zgjedhjet u shpallën të lira dhe të ndershme, dhe të zgjedhurit janë racistë, fashistë, separatistë, të cilët janë publikisht kundër paqes dhe riintegrimit.” Kjo ishte dilema që shqetësonte diplomatin amerikan.” Në të vërtetë, jo vetëm në ish-Jugosllavi, por gjithnjë e më shumë në mbarë botën. Regjimet e zgjedhura në mënyrë demokratike, shpesh ato që janë rizgjedhur ose riafirmuar përmes referendumeve, po injorojnë në mënyrë rutinore kufizimet kushtetuese për pushtetin e tyre dhe po privojnë qytetarët e tyre nga të drejtat dhe liritë themelore. Shembulli më tipik është vendi ynë, ku pas vitit 91, zgjedhjet kanë qenë deri diku të rregullta ose të aprovuara nga komuniteti ndërkombëtar, por pas kësaj fituesit kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë drejtuar vendin në mënyrë autokratike.
Të gjithë e duan demokracinë. Pyete një amerikan nëse ka një formë më të mirë qeverisjeje dhe ata do të fyhen. Po kështu do të ndodhi me një qytetar që i përket civilizimit perëndimor. Edhe ne në Shqipëri besojmë në demokraci ose më saktë besonim në fillimet e saj në vitet e pasdiktaturës, apo jo?
Arsyeja pse kombet demokratike kanë liri personale, të drejta pronësie dhe sundim të ligjit nuk është se ato janë demokraci.
Liberalizmi kushtetues, siç quhet forma e saktë e demokracisë në perëndim, ka çuar në demokraci, por demokracia duket se nuk sjell liberalizëm kushtetues. Ndryshe nga vendet që i përkasin civilizimit perëndimor, Shqipëria është demokraci por jo liberal kushtetuese.
Tensioni midis liberalizmit kushtetues dhe demokracisë përqendrohet në shtrirjen e autoritetit qeveritar në gjithë jetën e vendit. Liberalizmi kushtetues ka të bëjë me kufizimin e pushtetit, demokracia me akumulimin dhe përdorimin e tij. Për këtë arsye, shumë liberalë të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë panë në demokraci një forcë që mund të minonte lirinë. Politologu francez Tocqueville paralajmëroi në shekullin e 19-të për “tiraninë e shumicës”, duke shkruar: “Vetë thelbi i qeverisjes demokratike qëndron në sovranitetin absolut të shumicës”.
Tendenca që një qeveri demokratike të besojë se ka sovranitet absolut (domethënë pushtet) mund të rezultojë në centralizimin e autoritetit, shpesh me mjete jokushtetuese dhe me rezultate të zymta. Gjatë dekadave të fundit, qeveritë e zgjedhura që pretendojnë se përfaqësojnë popullin kanë shkelur vazhdimisht fuqitë dhe të drejtat e elementëve të tjerë në shoqëri, një uzurpim që është edhe horizontal (edhe degët e tjera të qeverisë kombëtare) dhe vertikal (edhe autoritetet rajonale dhe lokale si dhe bizneset private dhe grupet e tjera joqeveritare). Ka qenë e vështirë të njihet ky problem, sepse për gati një shekull në Perëndim, demokracia ka nënkuptuar demokraci liberale — një sistem politik i dalluar jo vetëm nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe nga shteti i së drejtës, një ndarje e pushteteve dhe mbrojtjen e lirive themelore të fjalës, tubimit, fesë dhe pronës. Në fakt, kjo paketë e fundit lirish, ajo që mund të quhet liberalizëm kushtetues, është teorikisht e ndryshme dhe historikisht e dallueshme nga demokracia. Siç ka theksuar politologu Philippe Schmitter, “Liberalizmi, qoftë si koncept i lirisë politike, qoftë si doktrinë për politikën ekonomike, mund të ketë përkuar me ngritjen e demokracisë. Por ai kurrë nuk ka qenë i lidhur në mënyrë të pandryshueshme apo të qartë me praktikën e saj. Anglia, shembulli tipik i demokracisë liberale, e filloi me “Magna Carta” në 1215, një dokument historik në historinë kushtetuese britanike. Zhvillimi i lirive civile u avancua në shekujt 17 dhe 18 si pasojë e revolucionit të lavdishëm dhe kulmoi me Ligjin e të Drejtave në 1689. Ndikimi i menjëhershëm i Ligjit anglez të të drejtave ishte një kushtetutë më e drejtë e ndarjes së pushteteve qeveritare. Ligji anglez i të drejtave i mundësoi Parlamentit të funksiononte në mënyrë autonome. Krijimi i sistemeve demokratike më gjithëpërfshirëse ndodhi gradualisht, i ndikuar nga faktorë të tillë si idealet iluministe, lëvizjet sociale për të drejtat civile dhe të drejtën e votës së grave dhe evolucioni i filozofive politike. Kombinimi i parimeve kushtetuese, mbrojtja e të drejtave individuale dhe shtrirja e praktikave demokratike përfaqëson një trajektore komplekse historike që është shpalosur ndër shekuj. Për njerëzit në Perëndim, demokracia do të thotë “demokracia liberale”: një sistem politik i dalluar jo vetëm nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe nga shteti i së drejtës, një ndarje e pushteteve dhe mbrojtja e lirive themelore të fjalës, tubimit, fesë, dhe pronës. Por kjo paketë lirish, ajo që mund të quhet “liberalizëm kushtetues” – nuk ka të bëjë në thelb me demokracinë dhe të dyja nuk kanë shkuar gjithmonë bashkë, madje edhe në Perëndim. Në fund të fundit, Adolf Hitleri u bë kancelar i Gjermanisë përmes zgjedhjeve të lira demokratike, por në një Gjermani demokratike me një sfond liberal demokratik aspak të konsoliduar. Demokracia Gjermane e asaj kohe më shumë i ngjante demokracisë Shqiptare sot dhe nuk kishte asgjë të përbashkët me liberal demokracitë moderne. Gjithashtu edhe liderat e Shqiperisë të pas vitit 91 ashtu si edhe në Gjermaninë dhe Italinë e atyre viteve, për të marrë pushtet dhe nga frika se mos e humbnin atë, u kthyen brenda natës nga komunistë në socialistë apo demokratë, përqafuan populizmin dhe premtuan se do te sillnin parajsën në vend si dhe nuk u ndalën nga asnjë lloj manipulimi, vjedhje apo krimi.
Ndërkohë që Europa perëndimore po konsolidonte liberalizmin kushtetues nga poshtë lart duke prodhuar demokracinë liberale, Shqipëria dhe vendet e ballkanit menduan të sfidonin historinë dhe natyrën njerëzore dhe të kopjonin liberal demokracinë nga lart poshtë, duke aplikuar fillimisht demokracinë, proçes i cili degjeneroi në autokraci shtetërore e partiake. Në vitin 91 Shqipëria dhe Shqipërët u gjendën si anija pa busull në mes të detit dhe liderët që premtuan se kishin busullën,mashtruan me çekun e bardhë duke fshehur kushtet e liberal- demokracisë të vëna nga perëndimi. Çoroditjes popullore për demokracinë iu shtua edhe kriptokomunizmi i liderëve (hajdutëve) tanë
Ideja është se “demokracia” pa garancitë e liberalizmit kushtetues është edhe tiranike dhe jokoherente, është sistemi më i keq që mund të imagjinohet. Këtë po e përjetojmë në Shqipëri me tiraninë qeverisëse dhe partiake si edhe vjedhjen masive të mashtruesve ordinerë të quajtur politikanë në bashkëpunim me oligarkët.
Ne në Shqipëri nëpërmjet zgjedhjeve marrim pushtetin nga duart e individëve dhe e lëmë pushtetin në duart e gangsterave dhe hajduteve. Mungesa e shoqërisë civile dhe kolaboracionizmi e servilizmi i të gjithë spektrit politik në Shqipëri, me rrënjë të thella në komunizëm e feudalizëm dhe aspak në kapitalizëm, prodhoi sistemin e korruptuar demokratik por aspak liberal kushtetues.
Thomas Hobbes shkruante se: “Besëlidhjet, pa shpatën, nuk janë veçse fjalë”. Ekuivalenti modern mund të jetë ky: “Demokracia, pa Ligjin e të Drejtave, nuk është veçse tirani”.I vetmi mekanizëm që mund të vëri në lëvizje sistemin e korruptuar ekzekutiv dhe legjislativ është sistemi i drejtësisë i financuar nga perëndimi, si shpata e Demokleut që zbatimi i ligjit të mos mbetet në letër.