Prof.Romeo Gurakuqi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, takim në Vatër/
Profesor Romeo Gurakuqi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, të Mërkurën, 24 janar 2018, vizitoi selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. Deputeti Gurakuqi u prit nga kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto, nënkryetari Agim Rexhaj dhe anëtarë të kryesisë dhe Këshillit të Vatrës. Në fillim të takimit, Kryetari Mishtoi i ftoi të pranishmit që të mbanin një minut heshtje në nderim të vatranit Halit Nezaj, i cili u nda nga jeta me 20 Janar dhe u varros të mërkurën me 24 Janar 2018.
Kryetari i Vatrës i ka uruar mirëseardhjen mysafirit dhe i ka shprehur falenderimet e Vatrës për kumtesën e mbajtur në Simpoziumin e organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës dhe Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” me 17 Janar 2017 në Qendrën”Nënë Tereza”. Më pas z.Mishto e ka informuar Prof. Gurakuqin për përpjekjet që po bën Vatra për rivitalizmin e saj dhe për të sjellë rininë në Vatër si dhe intelektualë të fushave të ndryshme.
Dy nga lëvizjet e fundit të ndërmarra kohët e fundit është ajo për ridimensionimin e marrdhënieve Shqiptaro-Amerikane dhe rritjene rolit të Vatrës në këtë mision.Vatra është shumë e shqetësuar që qeveritarët shqiptarë, nisur nga interesat e castit vetiake apo interesat e partive politike, nuk po vlerësojnë realisht marrdhëniet me aleatin tonë strategjik-Shtete e Bashkuara të Amerikës, duke arritur deri në votë kundër ne OKB.Federata Vatra, tha Kryetari Mishto, ka shpalosur para disa ditësh Strategjinë e re të vlerësimit të marrdhënieve Shqiptaro-Amerikane.
Një lëvizje tjetër e Vatrës, është ajo rreth dënimit të krimeve të komunizmit.Vatra e vlerëson të pamjaftueshme punën e deritanishme të shtetit, politikës dhe shoqërisë shqiptare për zbardhjen e krimeve të komunizmit, për mekanizmat e funksionimit të diktaturës,për mosinformimin e brezit të ri me krimet e komunizmit etj. Kryetari i Vatrës tha se duhet të punojmë në mënyrë më të kualifikuar për edukimin antikomunist të brezit të ri këtu në SHBA. Vatra po e studion dhe së shpejti do të ketë në platformë të saj, ku do të përfshihen veprimtari konkrete. Po ashtu Vatra ka vendosur që të sjellë në gjuhën angleze botime cilësore që zbardhin krimet dhe represionin e diktaturës komuniste.
Profesor Romeo Gurakuqi ka falenderuar Kryetarin Mishto dhe bashkëpunëtorët për pritjen e ngrohtë. Ka qenë ëndërr e kahershme tha ai, për të qenë në këtë Vatër Kombëtare, punët e mëdha të së cilës i kam ndeshë nëpër arkiva gjatë punës sime studimore, tha ai.
Ndjehem i nderuar për respektin tuaj dhe më shtohen detyrimet ndaj qytetarëve që më kanë votuar kur shoh se ju edhe pse 8 mijë Kilometra larg vendlindjes shqetësoheni për fatet e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë,Maqedoni,Mal të Zi, Luginën e Preshevës. Ju keni të drejtë të shqetësoheni pasi gjendja e qytetarëve shqiptarë është tepër e vështirë për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit,kriminalizimit të sistemi,të zhbërjes së demokracisë,të zëvendësimit të parimeve të demokracisë me ato të militantizmit politik, të ndërtimit të administratës shtetërore me militantë, me vijimin e luftës së klasave për bijtë e nacionalistëve në forma moderne etj.
Deputeti Gurakuqi bëri këtë tablo të situatës së sotme: Dy shtetet shqiptare,Shqipëri dhe Kosovë, pavarësisht mbështetjes së jashtëzakonshme të dhënë nga Aleati ynë themelor strategjik, krijuesi, mbrojtësi dhe garantuesi ndërkombëtarë i qenieve tona shtetërore në kohë të ndryshme, SHBA, gjenden sot në një moment frenimi në aspektet e ndërtimit të strukturave bashkëkohore të shtetit të së drejtës, respektimit të lirive, demokracisë funksionale. Sfidat e antishtetit, tha z. Gurakuqi, janë të lidhura me korrupsionin politik, krimin e organizuar, dobësia e shtetit para depërtimeve antialbanianiste, fryma e largimit të forcave të mirëfillta intelektuale dhe profesionale, kanë ndalur kohën e ecjes së procesit integrues europian dhe i kanë kthyer dy vendet shqiptare, nga pararoja të procesit integrues Euro-Atlantik, në vagonin e fundit të trenit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Brukselit. Dhe ky pozicion duhet të ndryshojë. Por mos harroni, se Shqipëria dhe Kosova, vetë, pa ndihmën e kualifikuar të burimeve të ditura shqiptare, të mbeshtetura nga Aleati ynë strategjik, nuk do të munden dot ta ndryshojnë këtë pozicion aspak optimist.
Fatkeqsisht,dy shtetet shqiptare janë shkelës flagrantë të Kushtetutës dhe të demokracisë. Vetë demokracia mbetet në trysninë e tranzicionit të tejzgjatur.Deputeti i Kuvendit të shqipërisë kërkoi që diaspora duhet t’i bëjë më shumë presion shteteve shqiptare për përgjegjësi ndaj qytetarëve. Ai tha se në Kuvend do të luftojë që diaspora të jetë pjesë e votimit, por në Shqipëri, mbi të gjitha duhet ndërhyrje në sistemin e votimit.
Ai u ndal edhe në Reformën në Drejtësi, për të cilën, tha se kishte qenë që në krye mbështetës, por duket se gjithcka është fallcitet. Mjafton të përmendet rasti i kandidatit -bashkëpunëtor i Sigurimit!
Nënkryetari Agim Rexhaj e ka falenderuar për vizitën në Vatër deputetin Gurakuqi dhe solli në kujtesë pritjen e ngrohtë që iu bë qytetarëve kosovarë gjatë luftës së fundit, ku Shkodra, bujare si gjithëmonë , ashtu si gjithë Shqipëria hapi dyert dhe zemrat.
Më pas pjesmarrësit kanë diskutuar dhe kanë bërë pyetje.Kanë marrë pjesë në debat Frederik Ndoci, Kujtim Pore, Asllan Bushati, Bujar Skëndo, Idriz Lamaj, Dritan Haxhia, Ramadan Gashi etj.