TIRANE, 26 Shtator/ATSH/- Pas 25 vitesh në krah të së djathtës, deputetja Mesila Doda largohet nga Partia Demokratike. Përmes një letre të hapur të cilën e ka postuar në rrjetin social në Facebook, deputetja Doda shprehet se largohet me keqardhje nga partia të cilën e bashkëthemeloi me të djathtët 25 vite më parë.
Pavarësisht se “de juro” nuk pati një përjashtim të saj nga PD-ja, Doda thotë se është përjashtuar “de facto” nga kreu i grupit parlamentar, Edi Paloka, menjëherë pasi deputetja, ndryshe nga grupi i saj, votoi në Kuvend për heqjen e imunitetit të deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku, të cilët u vune para drejtësisë. Këtë përjashtim Doda e ka ndjerë edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, ku Paloka nuk e përfshiu në fushatën e Tiranës, shtuar këtu humbjen e doktor Halim Kosoves, të cilin e cilëson si mikun e saj, ku fajëson drejtuesit më të lartë të PD-së për rezultatin në garën e tij elektrorale me Erion Veliajn.
Në sytë e Dodës tashmë në PD mbretëron klientelizimi, ndërsa humbja e zgjedhjeve, sipas saj, nuk u analizua kurrë. “Ndryshoni qasje ose do rithemelojmë të djathtën që e dërrmuat ju, thotë Doda. Deputetja Doda thotë se në 2 vitet e fundit ka thënë të vërteta të hidhura të papranueshme për shumëkënd.
“Largohem me keqardhje nga një parti që e krijuam bashkë me studentë dhe pedagogë 25 vjet më parë, por që sot e shoh të rithemeluar larg kontekstit, boshtit dhe qëllimit politik, për të cilin u krijua. Tash është klientelizmi mbret i situatës së re dhe shpresoj fort që njerëzit politikë që ende po rezistojnë edhe për pak, të arrijnë të kthjellojnë individët përgjegjës për dëmin e madh që po shkaktojnë. Shpresoj që edhe ky largim do i shërbejë vendimarrësve partiakë të kenë nje qasje tjetër ndaj figurave të vërteta politike, burra e gra të mençura që i shoh shpesh kur fyhen, anashkalohen, mallkohen e sulmohen me dhe pa intriga, për të vetmen arsye, sepse ende nuk kanë pranuar kodin e heshtjes dhe pranimin e disfatës së rradhës.
Nëse jo, do duhet të shihemi jo shumë shpejt, kur ta kuptoni që zgjerimi dhe pranimi i tjetrit si i ndryshëm me ty është fuqi dhe të vendosni që gjithë ata që s’i deshët e që qëndruan si njerëz me dinjitet përballë, do duhet të krijojnë së bashku me ju e si të barabartë edhe më shumë se ju, rithemelimin e së djathtës që e dërrmuat ju”, shkruan Doda.
Astrit Bardhi says
Ik Mesila! Ne jemi mirenjpohes per punen tende,
nese kthehesh te presim me nderim. Partia e krijimit te demokrcise te fal gjithcka. Askush nuk te perjashtojl. Ik Mesila dhe eja prape.