Shaqir Xhani u ka hapur derën emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme. 19-vjeçari shqiptar përktheu menynë e restorantit të tij në arabisht, u ofroi ushqim falas refugjatëve dhe u dha çadra për të fjetur
U largua drejt Greqisë me familjen kur ishte vetëm dy vjeç dhe tani është bërë pronari i një restoranti në ishullin turistik grek, Kos, aty ku ditë më parë ka pasur përplasje mes policisë dhe emigrantëve ilegalë që tentojnë Evropën.
Shaqir Xhani, i njohur si Atis Tsanis në Greqi, është 19-vjeçari nga Dibra, i cili është bërë personazhi i revistës prestigjioze gjermane, “Der Spiegel”.
Gazeta shkruan se ai është i vetmi që u ka hapur derën emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme. Ndërsa shumë pronarë restorantesh i refuzojnë refugjatët të futen, ai e sheh këtë situatë me pragmatizëm.
“Këta janë njerëz si gjithë të tjerët që kanë nevojë të hanë. Që kur vura në menynë jashtë ‘FastFood’-it gjuhën arabe, restoranti im është gjithmonë plot,” ka thënë Shaqiri.
Restoranti i tij ndodhet në shëtitoren e plazhit, aty ku ndodhen çadra të shumta me refugjatë sirianë, pakistanezë, afganë e iranianë. 19-vjeçari shqiptar u ka shpesh ofruar ushqim falas refugjatëve dhe u ka dhënë çadra që të flenë gjatë natës.(Dergoi per Diellin A.Ashiku-Athine)