“Pa demokratë nuk ka demokraci”–F. Fukuyama/
“Më të zinj se komunistët janë vetëm komunistët antikomunistë”- V. Havel/
NGA ANTON ÇEFA*/
Gjendja e krijuar në atdhe, në të gjitha ngjyrimet e saj, mungesa e zgjidhjes së detyrave më të rëndësishme që kërkonte tranzicioni nga “demokracia e tipit më të lartë”, ajo e bunkerëve, në një rend të vërtetë demokratik, që do të mishërohej në vlerat më të larta e më autentike të drejtësisë shoqërore, shërimi i plagëve shpirtërore që pati shkaktuar diktatura, përmirësimi i gjendjes ekonomike, sigurimi i të drejtave të individit, integrimi në Evropë, etj., dëshmojnë për dështimin e plotë e të turpshëm të tranzicionit të pretenduem.
Sot e kësaj dite, Shqipëria vazhdon ende të luajë e të tallet me veten e saj, të mohojë vlerat e saj, të zhytet thellë e më thellë në llumin e saj, të sorollatet nga qorrsokaqet e vjetra, që i la trashëgim diktatura, në vorbullat më frikësuese të kriminalitetit, prostitucionit, vrasjes, dhunës, vjedhjes- panoramë e një shoqërie në rrokullisje. Të gjitha këto si pasojë e një loje të ndyrë politike, shoqëruar me një demagogji neveritëse, që e paraqet veten si përpjekja më fisnike për realizimin e idealeve kombëtare.
Liria që u fitua me shembjen e diktaturës u shndërrua dhe u përjetua si një anarki e vërtetë, si liri për të shkatërruar, djegur, çoroditur, qoftë fill mbas përmbysjes së diktaturës, qoftë në vitin 1997.
Periudha e tranzicionit, për të krijuar kushtet e një rilindjeje shpirtërore e ekonomike, duhet të zgjidhte, në hullinë e transformimit të institucioneve shtetërore, krijimin e një rendi të ri të drejtësisë – në pajtim me parimin e ndarjes së pushtetve, – por sikurse edhe përbërësit e tjerë shtetërorë, ai u çorodit, duke u bërë vegël e verbër e politikës, krimit, prostitucionit.
Askujt nuk iu var në qafë përgjegjësia historike për ato që ndodhën gjatë dekadave të regjimit komunist. Nuk u zgjidh, por u minua që në krye të kresë, nevoja më imperative e periudhës së tranzicionit, ajo e pajtimit kombëtar. Nuk u evidentuan krimet, nuk iu vu gishti kriminelëve, nuk kërkoi kush falje, nuk u zhdëmtuan as moralisht, as ekonomikisht e as politikisht të dëmtuarit. Kriminelët u lanë të lirë dhe, tashmë, shumica e tyre janë shndërruar në bosë të tregut kapitalist. Si pasojë, armiqësia dhe përçarja, që kultivoi me aq zell komunizmi, jo vetëm nuk u shdukën; por në sajë të politikës së ndjekur, polarizimi i popullit shkoi edhe më tej.
Pajtimi do të binte me vete bashkimin dhe mobilizimin e të gjitha forcave intelektuale, fizike e shpirtërore – premisë e domosdoshme për rilindjen shpirtërore të popullit tonë dhe progresin ekonomik, politik e kulturor.
Nuk u zgjidh me ndershmëri çështja e pronës. Shenjtëria e saj, që është një nga gurët më rëndësorë të themelit demokratik, u demonizua dhe u bë burim i një vargu krimesh. Pronarëve të vërtetë, që u ishte marrë prona me ligj e pa ligj,-iu dhanë çelësat e kashtës, siç thotë populli, tamam ashtu siç kishte porositur “ideologu reformator i transformimeve demokratike”, R. Alia.
Zgjedhjet-themeli tjetër i demokracisë-të cilat duhej të zgjidhnin njëherë e mirë çështjen e pushtetit politik, duke siguruar “qeverisjen e popullit, prej popullit, për popullin”, u shndërruan në një farsë të vërtetë fyese, poshtëruese, nëpërkëmbëse për popullin; prandaj ai përherë e më shumë po i përgjigjet me një abstenim shpërfillës, rrjedhojë e një gjendjeje shpirtërore të pashpresë. Sot Shqipëria qeveriset nga institucione e individë që nuk e kanë mandatin e popullit dhe që veprojnë kundër interesave të tij dhe kundër interesave kombëtare.
Pesha e rëndë e viteve të diktaturës, duke shkaktuar një tronditje të fortë shpirtërore të popullit, sendërtoi dëshirën, nevojën, detyrimin dhe përpjekjet për t’u larguar nga atdheu. Papunësia, mjerimi ekonomik, mungesa e kushteve më elementare të jetesës, pazotësia për vendosjen e rendit, dhunimi i të drejtave e lirive të njeriut, lulëzimi i krimnit, prostitucionit dhe faktorë të tjerë të kësaj natyre bënë që emigracióni të rritet gjithnjë e më shumë, duke marrë përmasa të frikshme. I vetmi shpëtim i shqiptarëve mbeti largimi nga atdheu, në kërkim të lirisë, të demokracisë dhe sidomos të një krodhe buke.
Edhe në politikën e jashtme të shtetit shqiptar të merr sytë “shkëlqimi demokratik”i të majtëve tonë të rinovuar. Përmbysja e diktaturës u bë me moton “E duam Shqipërinë si Europa!”, “Të shkojmë drejt Europës!” Dhe u nisem e po shkojmë në Europë. Gjithsesi, “po integrohemi”; por jo me dinjitetin e një populli të lashtë, me krenarinë e një shpirti të brumosur me vlerat e dikurshme morale, me nderin, urtinë e burrërinë që na ka karakterizuar dikur.
Marrëdhëniet me fqinjin e jugut, janë karakterizuar nga përulja, nënshtrimi, servilizmi e dukuri të tjera të kësaj natyre. Polítika antishqiptare greke po fiton gjithnjë e më tepër terrene të reja, duke marrë pjesë edhe sot e kësaj dite në lojën tonë politike të karrigave.
Komunistët antikomunistë, të cilëve u ngatërrohen nëpër hullitë e trurit e të shpirtit mësimet e pavdekshme të marksizëm-leninzmit dhe, sidomos, ato të udhëheqësit të tyre shpirtëror, Enver Hoxhës, të mobilizuar për të vënë në jetë porositë ramiziane “për ndërtimin demokratik të vendit”, nuk kanë ushqyer kurrë, në asnjë kohë, ideale demokratike. Ata janë përpjekur dhe përpiqen, të zhytur deri në segmentet më të flliqura të krimit e të prostitucionit, të korrupsionit e të mafies, të minojnë ndërtimin e institucioneve demoktratike dhe çdo ecje përpara të vendit. Edhe ata elementë të paktë në krahun e majtë, që ëndërronin të transformonin partinë e tyre në një të majtë europiane, perëndimore, pothuajse janë neutralizuar.
E djathta, që duhej të dominonte mbi jetën politike për të realizuar një transformin rrënjësor të vendit drejt demokracisë, u tregua e paaftë dhe u sabotua. Ajo pati në vitet e para dhe ka ende një shtresë intelektualësh patriotë e demokratë, që u orvatën sinqerisht për ndërtimin e institucioneve demokratike, të një Shqipërie demokratike perëndimore. Fatkeqësisht, edhe kjo shtresë, që përbënte shpresën e së ardhmes, nuk u tregua në lartësinë e trashëgimisë së idealit kombëtar rilindas, të cilit i takonte; por u luhat, e pazonja të mbajë një qëndrim konsekuent në zgjidhjen e detyrave që kërkonte koha dhe, më e keqja, u përça e u shpërnda në sa e sa parti, duke humbur aftësinë për një veprimtari konstruktive të mendueme mirë e me përspektivë, për të zgjidhur në mënyrë sa më optimale kërkesat e kohës.
Kjo shtresë intelektualësh, trashëgimtare nga gjaku dhe idealet e politikës së ndershme atdhetare e demokratike, nuk qe e zonja të bashkohet për të formuar një bllok të djathtë monolit, të aftë për të shkulur rrënjët e komunizmit nga trualli i atdheut. Gjithsesi, kjo shtresë e shpërndarë andej-këndej, por sidomos e strehuar në Partinë Demokratike, si dhe intelektualët patriotë, që kanë qëndruar jashtë partive, do të përbënin të vetmin segment politik shpresëdhënës për shpëtimin e Shqipërisë.(DIELLI- Viti 2003)
*Dielli-Editorial-arkiv-E ribotojme per shkak te aktualitetit, 14 vjet pasi u shkrua nga editori i asaj kohe-Anton Çefa)