Nga Silvana BEGAJ/
Dhe si ka mu ba Shqypnia/
Ku në të njëjtën rrugë ecin/
Krah për krah/
Dija e padija/
E kur në një tra me /
Sokëllima/
Jetojnë sëbashku vrasësi e viktima (At Gjergj Fishta)/
E për këtë vras mendjen: Po për zgjedhje kë të zgjedh?
Të zgjedh ata që shkatërruan mjekësinë apo ata që ndihmuan sistematikisht për rrënimin përfundimtar të saj ?
Kampiona! Kampiona sportesh, batutash, tavolinash, propagande, por vetëm kampion shteti nuk prodhon kjo e mjera Shqypni.
Kampiona ku i keni mjekët? Ata që keni lënë aty iu jepni titullin heronj pa municion. Unë e di se ju nuk keni luftuar kurrë si burrat prandaj nuk e dini se në cdo luftë qoftë dhe me natyrën e me sëmundjet , profesionistët kanë nevojë per staf e municione (ilace).
E dashur turmë e sëmurë nga adhurimi agresiv, i pakontrolluar dhe i pabazë ndaj kampionëve tuaj! Ju prodhoni vec zbrazëti, neveri dhe ndihmoni duke qënë pjesmarrës aktiv në shkatërrim. Punë militantësh dhe idhujsh!
Por askush nuk do të dëgjoj të vërtetën kur ajo nuk i prek aty, personalisht dhe në mënyrë direkte. Epo, mua nuk me ndalon njëri të them të vërtetën duke qeshur e aq më pak duke ulëritur!
Kampiona! Nuk duam kaq shumë rrugë kur nuk kemi ambulanca të mjaftueshme të na gjenden se në ditët e sotshme na ngelen rrugët bosh.
Po si dreqin ka mu ba Shqypnia? Aty ku nuk jeton vetëm krahë për krahë dija dhe padija…
Por ju, kampiona , nuk keni mungesa. Turqia është as 40 minuta larg nga ju se ju keni eliksirin e jetës : Paratë!
Me to mund të blini, ashtu si blini, gjithcka. Madje dhe blini pikërisht të njëjtën turm e cila mund të ketë humbur njerëz të dashur nga shkatërrimi i mjekësisë që keni bërë Ju!
Jeni vërtet kampiona sepse vërtetoni dhe pranoni në cdo lloj forme që shkaktarët jeni Ju dhe ky sinqeritet vlerësohet duke bërë turmën që më shumë të dashurohet…. Sindromë Stockholmi…
Rousseau thotë: Demokracia është atje ku askush nuk është aq i pasur sa të blejë dikë dhe askush aq i varfër sa të shitet. Por mjerimi, vllai im, mjerimi të bën të shesësh dhe shpirtin edhe pse ti mund ta quash Demokraci apo anasjelltas.
Mos shikoni ne hava me kokën nga qielli, por shikoni ndonjëherë dhe poshtë ku po shkelni.
Një gur i vogël , i parëndësishëm, deri diku i pa vënë re nga servilët tuaj, të cilët kanë shtruar me kujdes asfaltin e gënjeshtërt mund tju rrëzoj! Gur rezistent që përmban të gjitha dëshirat dhe shpresat e fshehura madje dhe të turmës suaj servile.
Prandaj po ju pyes : Po për zgjedhje kë të zgjedh? Dua ta di sot që ti kthej përgjigje Fishtës: Si ka mu ba Shqypnia? E mos harroni të më thoni: Ku i keni mjekët?