Hamit F. Gurguri në librin: “AS ALIA, AS ILIA”- Dheu i përgjakur i Dardanisë rrëfen!/
Shkruan: Kadri Tarelli/
Ka rreth një vit që më ra në dorë libri “As Alia, as Ilia”, të shkrimtarit Hamit F. Gurguri, shqiptar nga Dardania, sot mërgimtar në Suedi. Në ballinë, si në kornizë guri, paraqitet kambanorja e një kishe dhe minarja e një xhamie. Një mënyrë lakonike, që shpreh kuptim të dyfishtë, bashkëjetesë ose konflikt të heshtur. Nuk u befasova, sepse i kam qëlluar në shenjë mendimit të dytë.
E rifillova aty ku e kisha lënë para do kohësh, pikërisht në faqen e përthyer dhe për çudi më tërhoqi aq shumë, sa më shtyu për ta mbaruar shpejt dhe me kënaqësi deri në fund, duke i thënë vetes: Ky roman të përcëllon në dorë, të ngjeth trup e shpirt, aq sa loti nuk përton të mbushi syrin dhe të rrjedhë faqesh. Aty ngjizet, ndizet dhe fiket një histori e dashuri plot dhimbje, që noton në shtjellat e rrëmbyera të konfliktit. Dashuri mes dy të rinjve Mira dhe Aliu, që kanë kombësi, gjuhë dhe besime të ndryshme, me pak fjalë: vajza serbe dhe djali shqiptar i Kosovës.
Është libri i parë që lexoj nga ky autor, por dua të them, se ka një stil të bukur të shkruari, pa zgjatje të tepruara, dialog të shkurtër e të ngjeshur, mendim të qartë, të rrjedhshëm, në formën e një tregimi të qetë, që të mbërthen me çastet romantike dhe tragjike, të ndërthurura me shumë fantazi. Prisja me padurim të mësoja, kush është Alia dhe kush Ilia dhe pse ne kryetitull, thuhet: as njëri e as tjetri. Në faqen e fundit u zgjidh lëmshi, nga fjalët e priftit serb Rangjellko, që thotë me dy tre vargje, që nxijnë e pikojnë helm e vrer:
“As Alia, as Ilia
As me ne, as me ata.
Ku të dish, o djall, …çoje dikah…..!”
Tema e dashurisë e futur në mes të konfliktit, është shumë e njohur në letërsi, pasi kjo dhuratë e perëndisë, e hershme që kur ka lindur njeriu, nuk pranon logjikë, nuk pyet për kombe, raca, ngjyra, klasa, pozitë shoqërore dhe pasuri, as për grindje, thashetheme dhe opinione të shoqërisë. Ajo lind aty ku nuk e pret dhe është gati të sakrifikohet dhe të sakrifikojë gjithçka në emër të kësaj ndjenje të fuqishme, shpesh deri në marrëzi, ndaj është e bukur dhe e magjishme. Gjatë shekujve, për dashurinë janë krijuar mijëra vepra dhe kryevepra të admirueshme për të gjitha kohët. E kam fjalën për tragjedinë “Romeo dhe Zhuljeta”, të Shekspirit, si simbol të dashurisë, që pa u stepur, shkon drejt tragjedisë.
Edhe ky libër i ujdisur mjeshtërisht nga shkrimtari Hamit Gurguri, një tragjedi të tillë na rrëfen, veç në vend dhe kohë të ndryshme dhe me fund të zgjidhur ndryshe, ku heronjtë Mirushi dhe Alushi vdesin si “rastësisht”, por të pabujshëm për rrethin shoqëror, që qëndron mospërfillës, madje edhe poshtërues. Aliu, heroi i librit, është një shqiptar Kosove, mbetur jetim dhe pa pasuri, pasi xhandarët serb ia vranë babën, i dogjën shtëpinë dhe i grabitën tokën. Ai bie në dashuri me Mirën, vajzën bukuroshe serbe. Këtu hyn në veprim intriga e shtetit dhe e priftit, që shkon aq larg, sa përfshihet edhe mbreti dhe politika.
Lexuesi, shpejt, madje që në faqet e para e ndjen, se autori përdor dashurinë për një qëllim mbase më të madh, të shpjegojë politikën dhe armiqësinë mes dy popujve, mes dy kombeve, të gjuhëve dhe besimeve të ndryshme, që historia i vendosi dhunshëm dhe padrejtësisht në të njëjtin territor, që luftojnë për të njëjtin territor.
Autori e njeh mirë jetën dhe historinë e dardanëve, sepse në odën e burrave ka dëgjuar me qindra tregime, ku tema e fqinjit të pa ftuar, ishte ulur këmbëkryq, pranë çdo vatre, pranë çdo zjarri. Gjykimi i rrethanave, të cilat autori i njeh deri në hollësi, nuk janë shpikje e fantazi shkrimtari, por një realitet i prekshëm në truallin e Dardanisë, ndaj i përdor aq lirisht dhe bindës për çdo lexues.
Logjika e ngjarjeve të shtyjnë të pyesësh veten, besoj se edhe vetë autori kështu ka bërë: A mund të pajtohen dy kombe, që janë në konflikt shekullor, ku njëri kërkon ta shfarosë tjetrin, duke përdorur të gjitha mjetet politike, shtetërore dhe jo shtetërore, kishën dhe xhaminë, veprime të dukshme dhe të padukshme, mashtrime, përfshi këtu shpërnguljet, mallkimet, shpërblimet, vrasjet pas shpine, djegiet dhe fyerjet. Të gjitha këto nuk janë mjaft, sepse ideja dhe lufta për shfarosjen e shqiptareve nga Kosova, nga trojet e tyre shekullore, i shtyu deri te gjenocidi ushtarak, siç e solli fundi i shekullit njëzet, me luftën e Kosovës dhe ndërhyrjen e fuqive ndërkombëtare, për ta ndalur shpopullimin e truallit etnik. Kosova u bë e lirë dhe e mosvarme.
Ç’përgjigje pret lexuesi, ose më mirë, si do ta zgjidhte ai, fundin e këtij rrëfimi tronditës? – A mund të mbijetojë dashuria në një mjedis të tillë? Si mund të pajtohen dhe të gjejnë paqe, dy popuj të nxitur e të ushqyer me urrejtje që në djep? Këtu nuk është konflikti në mes dy të dashuruarve, që përpiqen t’i kapërcejnë pengesat, që lindin gjatë kohës, por nga politika e shtetit, në shërbim të një kombi agresor, që nuk pyet për fatin e të dashuruarve, sepse nuk i dhimbset as jeta dhe dashuria e tyre.
Autori, qëllimisht dhe mjeshtërisht fut ne lojën e madhe të politikes edhe institucionet fetare, ku predikuesit bëhen vegla, duhet thënë ushtarë dhe skllevër të politikës, njëri me bindje e tjetri me para. Dikush do të pyesë me dyshim: mirë prifti që është i një race me pushtuesin dhe kobure e fshehtë nën rrobën e zezë, po hoxha si shqiptar, si është e mundur të shesë shpirtin dhe besimin, duke i shërbyer gjakatarit? Lexuesi ka të drejtë të hamendësojë, se mbase është trillim letrar, siç ndodh në shumë raste frymëzimi.
Unë e lehtësoj dyshimin, duke iu përgjigjur me një fragment të shkurtër të mara hua, nga libri monografik dhe historik, “Ah Shqipni…. Mos thuj mbarova!”, kushtuar rapsodëve të shumë njohur, Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, të autorit Bajram Halil Gashi, i cili në gojën e emrave të vërtetë, shprehet:
“Në verën e vitit 1982, në plazhin e Durrësit vijnë për pushime plot kosovarë nga perëndimi. Ndër ta dhe një kushëriri im, Haxhi Gashi nga Prigoda e Komunës së Istogut, me mikun e tij, Ukë Berisha nga Klina, që kurrë më parë, s’i kisha pa. Kishin vite që ishin larguar në Belgjikë. Uka më rrëfen jetën maratonë të familjes së tij:
– Shpesh shikoja hoxhën e katundit, që vinte herë pas here në shtëpinë tonë, duke i bërë moral babës: – “Çka po prêt?! Ec, mos rri! Asht sevap me e lan’ vatanin tand e me dalӫ muhaxher…….. në Turqi”. Tani pӫrfundimisht jetojmë nӫ Bruksel. – “Baba mӫ vdiq, – vazhdon Uka, – ku e di unë, me apo pa iman, hoxha e di at’punӫ, por nӫ dhe tӫ huaj i mbetӫn eshtrat. Shkonte shpesh Uka, për nӫ vendlindje nӫ Kosovӫ. Njӫ ditӫ takon hoxhӫn e katundit. Pӫrshӫndetet me ’t dhe i drejtohet:
– Hoxh’ Efendi! Ç’ka po ban?
– Ç’ka tӫ t’baj, ore?
– Ec, mos rri!
– Ku tӫ shkoj?
-Shko muhazhir! Babӫn ma hupe e as vorrin s’ia di. Po shohim, se edhe ne nӫ atӫ rrugë jemi.
– Ukӫ! – m’u drejtua hoxha: – Po ti qenke budall’, more! Po a e di ti, se as valia i Stambollit, s’e merr rogën time!. Intervistë e herëshme. Faqe 100.
Lexuesi, besoj se është në një mendje me mua, sepse kur të përfundojë faqen e fundit, do të bindet, se kjo lloj letërsie, me drama dhe tragjedi të jetuara dhimbshëm, do të vazhdojë gjatë, pasi mbart mbi shpinë, ngjarje ndodhi, drama e tragjedi, që tronditin çdo shpirt e mendje njerëzore. Shqiptarët e Kosovës, mbi më shumë se një shekull, janë ndodhur në trysni dhe gjakosje në kufijtë e mbijetesës. S’besoj se ka mbetur familje, që nuk është prekur e përgjakur. Dardania e gjakosur, por jo e nënshtruar, është pjesë e jetës dhe kujtesës kolektive. Aty çdo pëllëmbë toke është gatuar me gjak, ajo rënkon e vajton për dashuritë e humbura, për jetët e prera pa filluar, për shtëpitë e djegura shpesh me familjarët brenda, për krimin e pa ndëshkuar, për fajin e pa pranuar dhe faljen e pa dëgjuar.
Lexuesi në fund të mbarimit të librit, ka të drejtë të japë përshtypjet dhe vlerësimet për gjithçka shkruhet në të, veç me një përkushtim që buron nga shpirti i lënduar, për të gjetur fabulën e këtij romani, që të trondit. Sepse është e pamundur që të japë frute dashuria, kur heroi i pret rrënjët e trungut të vet, apo kur harron gjakun e derdhur nga të parët e fisit. Është një thirrje që ushton së brendshmi: “Mos! Mos….”. Për një rast të tillë, gjëmojnë fjalët bubullimë të poetit hungarez Shandor Petëf, që thotë: “Për dashurinë jap jetën, për atdheun jap edhe dashurinë”
Nuk është e vështirë të nxjerrim këtë përfundim, mjafton të gjykojmë veprimin e dhjetëra familjeve kosovare, që e rindërtuan brenda pak kohësh shtëpinë e Hodos, të djegur nga kolonistët serb. Janë po këta kosovarë që e braktisën në mes të sheshit, birin e tyre Aliun, aq sa nuk pranuan t’i lenë dy metra vend për varr. Ai për hir të dashurisë mohoi gjakun dhe gjeti “strehë” tek shkau, i cili me përbuzje shprehet: “As me ne as me ata, merre djall, çoje dikah…..!
Zëri i kombit, djeg si hekur i skuqur, si majë thike shpon plagët e pa mbyllura, ushton si kambanë alarmi ne veshin e çdo krijuesi dhe dëgjuesi mëmëdhetar, që ka shpirt iliriani e gjak shqiptari. Ai thërret, për të thënë kumtin e madh: Kujdes me lirinë që kemi fituar. Nuk duhet të humbasim vëmendjen dhe të hallakatemi në vogëlsira dhe grindje pa kuptim. Lufta nuk ka sosur!
Urime shkrimtarit Hamit Gurguri, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Suedisë, për vepra po kaq të bukura dhe me vlera artistike!