Shkruan:Eugen SHEHU/
Korça e bukur në gjoks të malit moravë të shtetit amë,ajo Korçë që ka nxjerë aq shumë burra në shekullin që lamë pas,do të lindëte dhe ritëte edhe kolos të mendimit atdhetar.Nëse Butka,Panariti , Grameno,Matraku etj,do të endeshin maleve të jugut të Shqipërisë me armë në dorë për të mbrojtur trojet tona prej hordhive greke,të tjerë burra do të përpiqeshin me kartë e pendë për të ndriçuar rrugën e shqiptarizmës.Dhimitër Berati bën pjesë pikërisht në këtë plejadë të ndritur të mendimtarëve të Rilindjes sonë,fjala e të cilëve shkonte po aq larg sa plumbi i pushkës së trimave të maleve.Dhimitri lindi në qytetin e Korçës në tetorin e vitit 1886,në një familje zanatçinjësh.Në fund të shekullit 19-të,Korça po trazohej gjithmonë e më shumë prej furtunave helene të cilat të ndikuara dukshëm prej Patriarkanës së Stambollit,përgadisnin copëtimin e shpejtë të Shqipërisë, natyrisht përmes aleancave të fshehta me serbët dhe bullgarët.
Mësimet e para i merr në qytetin e Korçës,por shkolla shqipe e asaj kohe,jo rrallë do të virej përpara vështirësish të jashtëzakonshme.Kleri osman dhe ai grek,në luftën e tyre për zona të influencës,përpiqeshin të godisnin pikërisht shkollën shqipe e cila gjithsesi ishte shndrruar në çerdhe të përhapjes së shqiptarizmës.Në fillim të shekullit të 20-të,pikërisht kur pati marrë mësimet e para,falë mirëqenies ekonomike familjare,si edhe disa miqve të të jatit,Dhimitri 14 vjeç i drejtohet Konstancës së Rumanisë.Në Konstancë,në fillim të shekullit të kaluar,ishte një koloni e vogël shqiptarësh, të cilët ndonëse patën mërguar për bukën e gojës,nuk patën harruar atdheun e tyre.Përgjithësisht aty kishin shkuar shqiptarë nga Korça,Kolonja,Starova dhe Manastiri, të cilët u bashkuan rreth njëri-tjetrit duke ruajtur në këtë mënyrë jo vetëm gjuhën shqipe por edhe traditat,zakonet dhe historinë e të parëve.Në një mjedis të tillë,Dhimitër Berati jo vetëm do të merrte njohuri në studimet e mesme dhe të larta por do të mbronte pareshtur në vetëdijen e tij,ndjenjat e fuqishme të shqiptarizmës.Pas studimeve të mesme,Dhimitër Berati do të mbaronte me rrezulltate mjaft të larta Fakultetin e Shkencave Politiko-Administrative të Bukureshtit. Kanë qenë disa prej atdhetarëve shqiptarë në Bukuresht,të cilët ndikuan në formimin e karakterit të Dhimitrit,por nga letërkëmbimet që kemi mundur të gjejmë,shohim se si do të ishte në mënyrë të veçantë në shoqërinë e Ibrahim Temos.Të dy sëbashku ata do të shiheshin shpesh në zyrat e shoqatës “Dituria” e cila asaj kohe zhvillonte një veprimtari atdhetare që i kalonte kufijtë e kolonisë shqiptare.Janë disa nga veprat fundamentale të kuluturës shqiptare të shkruara prej Sami Frashërit,Naim Frashërit,Jani Vretos etj,të cilët u shtypën në Bukuresh prej atdhetarëve shqiptarë,për t’u shpërndarë pastaj anekend trojeve shqiptare.Dhimitër Berati,pati fatin e madh,t’i kalojë nëpër duar i pari këto vepra të rilindasve tanë të shquar me çrast u angazhua në mënyrë të vazhdueshme dhe pa u frikësuar,në rrjedhat e lëvizjes autonomiste shqiptare.
Ngase mbaron me rezulltate të shkëlqyera Universitetin e Bukureshtit i hapen dyert për të punuar në admnistratën e lartë të Rumanisë.Dhimitër Berati parapëlqen të shkojë në Korçën e vet të dashur dhe të zgjoj mendjet e bashkëmoshatarëve të vet,t’i nxitë ata në rrugën e dijes,të përparimit, të pavarsisë.Në fillim të vitit 1908, e shohim të punojë si mësues në shkollën shqipe të qytetit.Ky vit do të ishte triumfi i Turqve të Rinj,të cilët fillimisht lejuan çeljen e shkollave shqipe si edhe disa reforma sipërfaqsore.Dhimitër Berati me entuziazmin që e karakterizonte si edhe guximin e vetëdijshëm së bashku me gjuhën shqipe do të përcillte tek nxënësit e vet,ndjenjën e fuqishme të atdhetarizmit,atë ndjenjë të fashitur e nëpërkëmbur ndër shekuj.Një prej mësuesve të kësaj shkolle na bën me dije veç të tjerave se ; “Kjo shkollë ndodhej nën drejtimin e shkruesit të këtyre radhëve por në të kanë dhënë mësim edhe z.Dhimitër Berati,Thoma Avrami dhe të tjerë mësues”.( Thanas Floqi “Lufta për çlirim kombëtar 1878-1912” Tiranë 1962, fq 41 ).
Dhimitër Berati në vitin 1908,iu kushtua tërësisht çështjes së arsimit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë problemit të gjuhës shqipe.Në mënyrë të veçantë në Korçë,aty ku pati lindur e para shkollë shqipe.Dhimtër Berati në bashkëpunim të ngushtë me Sotir Pecin,Ilo Mitkë Qafzezin dhe motrat Qiriazi duke nxitur e përhapur idenë e alfabetit me gërma latine.Dhimitër Berati,menjëherë pas vendimeve të Kongresit të Manatsirit në vjeshtën e vitit 1908,iu vu punës së tij si mësues për edukimin e gjeneratave të reja me ndjenjën e shqiptarizmit si edhe prirjet drejt familjes së madhe të Evropës së qytetëruar.Ndonëse i ri në moshë,ai do të shquhej sa për intelegjencën e rallë aq edhe për përkushtimin ndaj lëvizjes sonë kombëtare.Në vitin 1919,Dhimitër Berati merr pjesë në Kongresin e Elbasanit,si përfaqsues i qytetit të Korçës,së bashku me Sevasti Qiriazin.Nga tribuna e këtij Kuvendi tjetër për gjuhën shqipe,ai do të shpaloste pikpamjet e veta,në gjurmë të ideve dhe detyrave që u caktuan nga Kongresi i Manastirit.Përkrah atdhetarëve të tjerë shqiptarë,Berati do të ngrinte fort zërin se kish ardhur koha që pikërisht në Elbasan të ngrihej shkolla e cila do të përgadiste mësuesit e ardhshëm të gjuhës shqipe.Ai do të mbronte fort në këtë Kuvend,bindjet e atdhetarit Luigj Gurakuqi që kush e donte Shqipërinë,të falte për të ngritur shkolla,pasi e ardhmja e atdheut kërkonte padyshim njerëz të pushkës por dhe të penës.Bindjet dhe kurajoja e tij,bënë që intelegjenca dhe populli i Korçës,ta zgjedhin Dhimitër Beratin si përfaqsues të tyre edhe në Kongresin e Dytë të Manastirit,në vjeshtën e vitit 1910,në bashkëpunim me motrat dhe vëllezërit Qiriazi,Ibrahim Temon, Mid’hat Frashërin dhe Luigj Gurakuqin,Dhimitër Berati do të ndikonte drejtpërdrejti në përhapjen e gjuhës dhe të shkollave shqipe.Pikërisht i nxitur nga bashkëpuntorët e tij,Berati ndërmerr disa udhëtime radhazi në kolonitë shqiptare në Rumani duke mbledhur të holla duke shtypur libra dhe duke shpërndarë ata fshehtas në trevat shqiptare.Në fillim të vitit 1912,Dhimtër berati ndalohet për disa ditë në admnistratën ushtarake të qytetit të Manastirit,kinse për disa verifikime,por me ndërhyrjen e disa atdhetarëve,në mes të të cilëve edhe Çerçiz Topulli,del prej garnizonit osman dhe përcillet prej trimave,pranë familjes së vet në Korçë.Në pranverën e vitit 1912,Dhimitër Beratin e shohim përsëri në Konstancë e Bukuresht.Tani ai mban lidhje të ngushta me Luigj Gurakuqin dhe Isamil Qemalin e Mit’hat Frashërin,duke transmetuar në këtë mënyrë,në kolonitë shqiptare të Rumanisë,përgaditjet dhe lëvizjet që vlente të bëheshin për pavarsinë e atdheut të tyre.Në të njejtën kohë,në bashkëpunim me Dhimitër Ilon,Berati ndërhyn energjikisht pranë qeverisë rumune,duke mundësuar ndihmën e kësaj të fundit në dobi të shqiptarëve.”Qeveria rumune ka qënë në favor të lirisë dhe pavarsisë shqiptare:Me këtë rast Taqe Iunesku,nëpërmjet patriotit Kristo Meksi i dërgon Ismail Qemalit,kryetarit të komisionit shqiptar,një çek prej 500 mijë franga ari për shpenzimet e rastit.Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin,Kristo Meksin dhe Dhimitër Beratin u nisën për në Vjenë”.(S.Vllamasi “Ballafaqime politike në Shqipëri”-Tiranë 2000 , faqe 68 ).
Dihet tashmë lufta dhe përpjekjet e mëdha diplomatike që Ismail Qemali,bëri pranë kancelarive evropiane të asja kohe.Ka qenë tejet e vështirë për Fuqitë e Mëdha të Evropës,të ndikonin në ngjarjet që do të sillnin pavarsinë e vendit tonë.Kjo për arsyen e thjeshtë se pas rrëzimit të perandorisë osmane,Fuqitë e Mëdha nxuarën nga sirtarët,planet e kahershme të tyre për coptimin e trojeve shqiptare,duke dashur të kënaqin satelitet e tyre në Ballkan.Në këto bisedime të gjata e të lodhshme,në krah të Ismail Qemalit do të ishte kurdoherë Dhimitër Berati,i cili ndonëse i ri në moshë, do të dinte se si të kërkonte të drejtat e mohuara të kombit të vet.Në vjeshtën e vitit 1912,Dhimitër Berati do të shkonte në Shqipëri së bashku me Ismail Qemalin,Luigj Gurakuqin, Vangjel Meksin dhe atdhetarë të tjerë.Ai do të provonte vështirësitë e mëdha me të cilat rëndom përballen burrat,por edhe kënqësinë që ishte në Vlorë,në atë ditë të 28 nëndorit 1912, i zgjedhur njëzëri prej kolonive shqiptare që prej vitesh patën mërguar në Rumani.Duke shtërnguar duart me bashkëpuntorët e tij të hershëm Mid’hat Farshërin,Bedri Pejanin,Rexhep Mitrovicën etj, 26 vjeçari Berati do të hynte krenarisht në sallën e atij kuvendi emblematik për krejt shqiptarët.Në telegramin që konsulli austrohungarez në vlorë i dërgon Vjenës dhe e bën me dije për përfaqsuesit shqiptarë,midis të tjerave lexojmë ; “Për shoqërinë “Bashkimi” në Bukuresht ;Dhimitër Zografi, Pandeli Cale,Kristo Meksi,Dhimitër Mborja,Pandeli Mborja,Dhimitër Berati”.( Arkivi Qëndror i shtetit – Tiranë. Fondi 591 , dosja 2 , fleta 12 ).
Duke parë aftësitë intelektuale të tij,Qeveria e Përkohshme shqiptare e dalë nga Kuvendi i Vlorës, e ngarkoi Dhimitër Beratin me detyrën e kryeredaktorit të gazetës “Përlindja e Shqypnies” si dhe sekretar të misionit diplomatik të kryesuar prej Ismail Qemal Vlorës.Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar,me të gjitha strukturat e tij ishte jo vetëm detyrë e ngutshme por edhe premisë e domosdoshme për ta njohur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.Nëpërmjet gazetës “Përlindja e Shqypnies” Dhimitër Berati u përpoq të nxiste sa më tepër vetëdijen nacionale të bashkëkombasve të vet që këta të rroknin armët dhe të mbronin me jetët e tyre,jetën e shtetit të parë shqiptar.Ndërkaq,pena dhe vizioni përparimtar diplomatik i Beratit,nuk munguan që nëpërmjet faqeve të kësaj gazete t’u bënin thirrje kancelarive evropiane për t’i ardhur në ndihmë çështjes shqiptare.Në verën e vitit 1913,ngase pat mbaruar univeristetin për admnistrim në Bukuresht,me porosi direkt të Ismail Qemalit,Dhimitër Berati ngarkohet në funksionin e admnistratorit të spitaleve të vendit.Kush e ka parasysh zhvillimin ekonomiko-shoqëror të shtetit amë në fillimet e shekullit të kaluar, e ka të qartë se në çfar vështirësije virej Dhimitër Berati.Megjithatë,ky atdhetar i pabujë e priti me ndjenjë të lartë përgjegjësie këtë mision,duke dhënë ndihmesën e vet të pakursyer.Gjithsesi,
Ai do të gjendej pranë Ismail Qemalit në momentet më të vëshira që po kalonte Shqipëria dhe diplomacia e saj,veçanërisht pas rebelimeve të verbëta të shqiptarëve të udhëhequra nga Haxhi Qamili dhe të përkrahura nga shovenizmi sllavo-helen.Me largimin e Ismail Qemalit nga Shqipëria, Dhimitër Berati do të shkonte për pak kohë në Korçë dhe prej andej sërisht në Rumani.Edhe këtu, Berati nuk do t’i rreshtëte për asnjë çast përpjekjet e veta në mbrojtje të pavarsisë së Shqipërisë dhe në ruajtjen e tërësisë territoriale të saj.Në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin shqiptar në Rumani,ai do të sensibilizonte jo vetëm Bukureshtin por edhe Romën,Parisin e Gjenevën,lidhur me padrejtësitë që vazhdonin t’i bëheshin kombit tonë.Është kjo arsyeja që në vitin 1919,kolonia shqiptare e Rumanisë e dërgon Dhimitër Beratin si përfaqsues të përhershëm të saj në delegacionin për Konferencën e Paqës në Paris.Dihet tanimë se në këtë Konferencë,shqiptarët u përfaqsuan me 4 delegacione,çka tergonte përçarjen e madhe politike të kombit tonë.Sidoqoftë Dhimitër Berati, në krah të atdhetarëve të tjerë shqiptarë,dijti të bashkojë kurdoherë forcën e mendimit dhe të logjikës së tij me ate të burrave të tjerë shqiptarë,të delegatëve të tjerë. Njëherazi,ai do të trishtohej së tepërmi kur bashkëkombas të vet,për qëllime nga më ordineret,kërkonin të shisnin deri atdheun e tyre:Kështu,në një letër që i dërgon Mid’hat Frashëri,prej Parisi,më 8 korrik 1919,midis të tjerave shkruan ; “Tek Gurakuqi sapo lexova një broshurë, e cila më bëri përshtypje të thellë.Është një promemorje me anë të së cilës disa prej bashkëatdhetarëve tanë me banim në SHBA,kërkojnë aneksimin e vendit të tyre nga Greqia.Po të mos kisha parë këtë promemorje,kurrë nuk do të kisha besuar se egzistuaka një propagandë grekomane kaq e fortë ndër bashkëatdhetarët tanë atje… Po ju bëj me dije menjëherë që nga ana juaj t’i shkruani “Vatrës” mbi këtë punë, e cila sipas opinionit tim ka shumë rëndësi.Ka shumë të ngjarë që këta të gjorë,nuk kanë pasur qëllim të firmosin një shkresë të tillë.Sidoqoftë,një komision i formuar nga disa persona të njohur,mund t’u marrë firmat,në mos të gjithëve,të paktën një pjese të atyre që kanë firmosur këtë akt tradhëtie”( Arkivi Qëndror i shtetit – Tiranë.Fondi 35 , dosja 134 , fleta 4 ).
Në krejt kohën e qëndrimit në Konferencën e Paqes në Paris,Dhimitër Berati do të shndrohej në tribun të mendimit të emancipuar shqiptar lidhur me rrjedhat tragjike të ngjarjeve që kalonte vendi ynë.Janë me dhjetar fjalë të tij,projekte,rezoluta apo protesta të ndryshme,jo vetëm në Konferencën e Paqes por edhe në kancelaritë e ndryshme evropiane,të cilat rëfejnë shpirtin e madh dhe kulturën e gjërë të këtij atdhetari.Fjalëpak nga natyra por edhe gojëmbël,ai do të dinte të ulej me atdhetarë të tjerë shqiptarë madje edhe kur këta patën gabuar.Në mënyrë të veçantë,Berati do të kthjellonte idetë e veta me Mid’hat Farshërin,Mehmet Konicën etj,duke qenë kësisoj kurdoherë i qartë dhe i vendosur në mbrojtjen e çështjes shqiptare.Në ngjarjet e vitit 1922,të cilat nxuarën si protagonistë kryesor të fateve të Shqipërisë,Ahmet Zogun,Dhimitër Berati ishte ende i vendosur në Paris,si i dërguar i kolonisë shqiptare të Rumanisë.Në tetorin e këtij viti ai do të pritej në audiencë prej kryeministrit shqiptar në Tiranë dhe fjalë pak siç ka qenë,do të pranonte prej burit të Matit,funksionin e drejtorit të Zyrës Politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme.Në këtë funksion,Dhimitër Berati do të ndiqte me shqetsim të vazhdueshëm çdo hap të shtetit shqiptar,të dalë prej Kongresit të Lushnjës,duke dashur të ndërtojë një politikë të jashtme me sa më shumë frymarrje.Shqipëria jo vetëm duhej të forcohej së mbrendshmi por vlente të thoshte fjalën evet edhe në diplomacinë evropiane,me ç’rast Berati s’i kursen energjitë për asnjë moment.Janë me dhjetra raporte dhe udhëzime që Dhimitër Berati ka përgaditur për Ministrinë e Jashtme dhe Kryeministrinë e viteve 1922-1923,ku viret theksi tek bashkëpunimi i të gjithë forcave atdhetare,në dobi të diplomacisë të vendit.Detyra si drejtor i Zyrës Politike dhe më pas sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme,s’e ka penguar askurrë Dhimitër Beratin të marrë përsipër çështje të tjera më delikate.Kështu,në verën e vitit 1923,dërgohet me porosi të kryeministrit,Ahmet Zogut, të përfaqsojë Shqipërinë në grupin e Kontrollit Ndërkombëtar të Kufijve.Shtypi shqiptar i asaj kohe shkruan tekstualisht ; “Komisioni,ka tri ditë që ka shkuar në leskovik dhe si të mbarojë atje do të hidhet në Janinë e prej andej në Korfuz.Qeveria jonë përfaqsohet nga z.Dhimitër Berati,një nga të zotët për këtë punë kaq me rëndësi,meqenëse z.Berati ka lënë mjaft studime dhe është praktikuar duke ndjenjur dy vjet në Paris bashkë me Mid’hat Frashërin”.(Gazeta”Koha”-Korçë 28.07.1923).
Përfaqsuesi i palës greke në këtë komision,kolonel Boçari,i nxitur nga qëllimet shovene të Athinës, u përpoq ta bënte për vehte Dhimitrin,duke patur parasysh që ky ishte ortodoks.Por meqë në momentet e parë,ai e kuptoi se Berati do të ishte jo vetëm i pakompromentuar,por edhe autoritar në fjalën dhe vendimet e veta.Me atë frëngjishten e vet ekselente,me kulturën e gjithanshme,Berati do të fitonte respektin e ushtarakëve të lartë francezë,italianë e britanikë,të cilët kryesonin punimet e komisionit në fjalë.Në një prej letrave që i dërgon në vjeshtën e vitit 1923,Mid’hat Frashërit,lidhur me debatet ndaj helenëve,midis të tjerave Berati shkruan , “Pjesa teorike e punës do të marr fund por druaj shumë kundërshtime gjithfarësh nga ana e grekërve.Në kundërshtim me protokolin dhe me kompetencën e Komisionit,qeveria greke kërkoi dy katunde tonat ;Bobicka dhe Radati,afër Sarandaporos.Me nj’anë pranojnë vleftësinë e protokolit,m’anën tjetër duan ta shkelin…Është e kot t’ju them se u hëngrëm mjaft me delegatin grek mbi këtë pikë…”(Arkivi Qëndror i Shtetit – Tiranë Fondi 35 , dosja 134, fleta 27 ).
Në vitet 1924-1925,Dhimitër Berati caktohet në funksionet e kryekonsullit në Sofje si edhe zv/ përfqasuesit shqiptar në Paris.Sërisht do të virej në provë intelegjencia dhe atdhetaria e tij,të cilat nuk munguan për asnjë çast.Gjatë kësaj periudhe,Berati shkruan disa shkrime në gazetat më presitigjioze për historinë e Shqipërisë,gjithashtu mban konferenca dhe leksione për gjeografinë,etnologjinë dhe të kaluarën e popullit tonë,në institutin e studimeve të Evropës.Për më tej,në këtë Institut me përpjekjet dhe veprimtarinë e drejtpërdrejtë të Dhimitër Beratit,u çel edhe një kurs i shkurtër për gjuhën shqipe,ku mundën të merrnin leksione të plota,mjaft prej studiuesve të huaj të cilët ishin të interesuar në këtë rrafsh.Në verën e vitit 1925,dhuna shovene e Athinës,ndaj popullsisë së pambrojur çame po arrinte kulmin:Përpara kësaj dhune duhej patjetër të thoshte fjalën e vet diplomacia shqiptare.Mid’hat Frashëri,asaj kohe Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë në një prej telegrameve të shumtë dërguar Tiranës zyrtare,pasi i njihte me gjëndjen më të fundit,këshillonte Ministrin e Jashtëm pos të tjerave :”Bashkë me telegrafin duhet që shkëlqesia Juaj të jipni urdhër sekretarit që kini në Gjenevë,të përpiqet për këtë çështje.Nëse nuk kemi sekretar pranë Lidhjes së Kombeve,atëherë ju lutem të emëroni z.Dhimitër Berati në këtë post dhe t’i jipni urdhër të vejë në Zvicër.Shkëlqesia Juaj,kini nga ana ime një raport të gjatë… ku rrëfej nevojën e një zyrtari shqiptar në Gjenevë dhe cilësitë e z.Berati që e bëjnë titularin më të volitshëm në këtë detyrë “.(Arkivi Qëndror i shtetit – Tiranë. Fondi 251 , dosja 131 , fleta 373 ).
Ka qenë sigurisht kjo njëra nga arsyet,me ç’rast qeveria shqiptare e dërgon Dhimitër Beratin në Lidhjen e Kombeve,vend në të cilën diplomati i shquar do të shtonte sa më shumë përpjekjet atdhetare jo vetëm për banorët etnik të Çamërisë,por edhe për krejt shqiptarët që jetonin në trojet etnike shqiptare të okupuara padrejtësisht nga serbosllavët.Njëherazi,me nismën e tij,Dhimitër Berati zhvilloi një kurs të përgjithshëm të gjuhës shqipe pranë Institutit të Studimeve Evropiane,në bashkëpunim të ngushtë edhe me albanologun e shquar Dhimitër Jorga.Duke patur parasysh se Evropa nuk e njihte si duhet historinë e kombit të vet,Dhimitër Berati përktheu në gjuhë të ndryshme mjaft nga autorët e dëgjuar shqiptarë,duke dashur të mbysë sadopak zërat e shfrenuar dhe tamtamet e propagandave sllave dhe greke.
Në vitet 1928-1934,Dhimitër Berati nuk nguron të japë kontributin e vet në sferat më të larta të diplomacisë shqiptare të asaj kohe.Regjimi i ri monarkik,u ndesh që në fillim me një varg vështirësish në fushën diplomatike si edhe ngatëresa të panumërta që kishin burimin në konfliktet ballkanike.Shtetit shqiptar duhej t’i kapërcente këto vështirësi sa më shpejt,pasi ato lidheshin jo vetëm me ekonominë e prapambetur,por sidomos me stabilitetin politik e ushtarak,po aq sa edhe vetë të ardhmen.Në disa prej momenteve kryesore,veçanërisht në marëdhëniet me Italinë,vetë Mbreti Zog merrte pëlqimin e Dhimitër Beratit,duke parë tek ai jo vetëm atdhetarin e shquar po sidomos personalitetin që mund të lidhte të tashmen me të ardhmen.Madje në disa momente jo fart të këndshme në fillim të vitit 1934 lidhur me ekonominë e vendit tonë,Mbreti Zog i ofron Dhimitër Beratit postin e Ministrit të Ekonomisë Kombëtare.Në dy vitet e qëndrimit të tij në këtë funksion, marëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Italisë,njohën ndofta periudhën më të shkëlqyer të bashkëpunimit.Me pikpamje tejet reformatore për sitemin ekonomik të vendit,nisur nga dëshira për një përparim sa më të shpejtë dhe të natyrshëm të ekonomisë shqiptare,Dhimitër Berati mundi të marrë shumë kapitale (aspak siç u than në 50 vjetë komunizëm,”për të shitur Shqipërinë”)por përkundrazi për ta orientuar ate drejt perëndimit.Janë me qindra urdhëra,telegrame,fjalë dhe bisedime,ku provohet se çdo veprim ekonomik i Monarkisë,është paraparë së pari në rrafshin politik se çafr mund t’i shërbejmë mirë qeversijes dhe stabilitetit politik në vend:pasuritë e atdheut tonë në këto vite jo vetëm që nuk u shitën për qëllime politike,por më së shumti u evidentuan,u zbuluan,u ndërtua infrastruktura e domosdoshme për t’i paisur të gjitha në duar të popullit.Roli i Dhimitër Beratit në këtë fushë ka qenë i padiskutueshëm.Forca e thellë e këtij personaliteti do të spikaste edhe në vjeshtën e vitit 1941,atëherë kur me thirrjen e disa patriotëve të tjerë shqiptarë,ai pranoi postin e Mnistrit të Kulturës Shqiptare dhe zv/ministër i arsimit.Shumë shkolla të çelura në atë kohë,qoftë në Kosovë qoftë në Maqedoninë shqiptare,mbajnë firmat dhe vulën e Dhimitër Beratit.Ai vetë do të vizitonte këto shkolla duke u bërë thirje mësuesve nga shteti amë që të kontribonin duke vajtur konkretisht dhe duke përhapur diturinë në viset ku regjimi i urryer serbosllav kishte bërë çmos të zhdukte çdo frymë shqiptarizmi.Në bashkëpunim të ngushtë me Fejzi Alizotin dhe Iljaz Agushin,atdhetari i shquar Dhimitër Berati do t’i përgjigjej etjes së madhe të shqiptarëve jashtë shtetit amë,me qindra e mijëra teste shkollore të cilat përshkroheshin fundekrye prej ndjenjave atdhetare të Shqipërisë Etnike,lirisë dhe demokracisë moderne.
Me vendosjen e diktaturës komuniste në shtetin amë,Dhimitër Berati largohet nga Atdheu. Tanimë, jeta e këtij mendimtari,intelektuali dhe veprimtari të shquar do të ndjekë rrjedhën e saj si jeta e qindra emigrantëve politikë shqiptarë:Por kjo nuk do të ligështonte aspak burrin.Ai do të vazhdonte të shkruante librin e tij voluminoz “Shqipëria”( i cili mbeti në dorëshkrim) ashtu sikundër një sërë artikujsh,për fatin e mbrapshtë të shqiptarëve.Vazhdon të mbajë letërkëmbime të shumtë me Ahmet Zogun,Abaz Kupin etj,duke ndjekur i trishtuar fatin e shqiptarëve të ndrydhur prej ortodoksisë komuniste.Mbyll sytë në ROMË i rrehtuar nga miq e shokë më 8 shtator 1970.
Bern-Zvicër
Raimonda Moisiu says
Urime Urime mik e koleg i nderuar, zEugen Shehu- me ke kenaqur me kete Esse-Profil, per nje nga Rilindasit e Shquar kombetar qe vjen nga elita e mencurise e qytetarise korcare. Te jam shume shume mirenjohes ne qemtimin, studimin dhe vleresimin e mendimtareve qe bene historine,. Vertet me ke mrekulluar per krenarine e Korces sime! respekte e nderime pafund Raimonda MOISIU