KASTRIOT ALIAJ
Diaspora ka tërhequr jo pak vëmëndjen e institucioneve shqiptare, si një cilësi dhe aset kombëtar me të drejta legjitime. Në qeverinë e mëparëshme u hap një faqe e re, duke krijuar Agjensinë Kombëtare të Diasporës, e cila do të kishte në krye një ministër, i cili deri në zgjedhjet e këtij viti, mbuloj veprimtarinë shtetërore për marrdhëniet me diasporën. Detyrat që i ishin ngarkuar nga parlamenti shqiptar më 2018, e plotësonin edhe më mirë misjonin e tij, në promovimin e aktiviteteve përafruese me ambasadat e vëndeve ku jeton diaspora. Por nuk qe e thënë që kjo veprimtari e organizuar të vazhdohej, duke patur në krye një ministër, që do ta bënte më produktiv rrolin e tij, sepse fatkeqësisht u quajt si një misjon i ezaruar. Kur flasim për diasporën si cilësi dhe aset kombëtar, duhet të pranojmë ndërgjegjësisht se ajo së bashku me banorët e atdheut të orgjinës vërtitet tek 20 miljon. Kjo nuk është aspak cudi,sepse jemi kombi më i shpërndarë në më se 40 vënde të botës,ku lëvizjet e popullsisë për arsye të ndryshme, datojnë që nga shek.XIII-të. Asnjë vënd në botë nuk mund të ndihet i plotë, kur një pjesë e popullsisë së tij ka emigruar për arsye nga më të ndryshmet, por që lidhjet me tokën amë i ka mbajtur vazhdimisht. Por si diaspora e vjetër edhe ajo e re që ka emigruar pas viteve 90-të, kanë luajtur dhe luajnë një rrol thelbësor në ekzistencën e Shqipërisë. Ajo ka shërbyer dhe shërben si një shkollë dije dhe jete,për larminë e aktiviteteve me karakter atdhetar e shoqëror,për të ruajtur në vazhdimësi ndjenjat e të qënit shqiptar. Kjo Agjensi me strukturat e saj, nuk duhet të shërbej si statistikë për evidentim numurash,por si një veprimtari që nuk ka në qëndër vetëm solidaritetin njerëzor, por edhe atë ekonomik, kulturor dhe politik. Diaspora është një potencial i madh i intelektualizmit,sepse breza të tërë janë shkolluar në shkollat më prestigjoze ku banojnë, që sot i gjen të azhonuar në fusha të ndryshme të artit, kulturës,sportit, mjekësisë, drejtësisë, biznesit e deri dhe të zgjedhur me detyra politike. Si të tillë ata mund të konsiderohen ambasadorë të sukseshëm,në të gjitha fushat ku militojnë në vëndet ku janë integruar. Kërkesat e vazhdueshme të tyre për t’u ndierë si bashkëqytetarët në Shqipëri, ata i ndiejnë si të drejta legjitime, për t’u shprehur me votë në cdo zgjedhje politike apo vendore. Kjo kërkesë nuk është vetëm një dëshirë, por edhe një obligim për të drejtat e tyre. Kështu ata mendojnë se e meritojnë,që nëpërmjet votës së lirë, të përfshihen në jetën institucionale të vëndit. Në se kjo diasporë kërkon me ngulm të dretat legjitime,shteti dhe institucionet e tij nuk duhet t’i privojne të dretën e votës. Prandaj koha bën apel që institucioni i diasporës, duhet vërë në lëvizje sa të jetë e mundur edhe shërbimin diplomati, për të qënë më pranë të drejtave të tyre legjitime si qytetarë të Shqipërisë. Ky shërbim do të konsakrojë të drejtën dinjitoze për votën, e cila duhet të lexohet me ndershmëri ashtu si dhe në vëndin amë. Sepse emigrantët nuk janë vetëm një faktor ekonomik, për remitancat që dërgojnë në Shqipëri,por ata duhet te vlerësohen edhe si faktor politik. Vlera e votës në diasporë nuk është vetëm shifër, por është shprehje e vullnetit të tyre për qeverisje dhe përparimin e vëndit. Shëmbulli i mjaftë shteteve,që po aplikojnë këtë legjitimitet ndër ta edhe Kosova si shteti më i ri në Evropë,që është treguar më fleksibël në këtë proces, le t’i shërbejë edhe Shqipërisë. Roli i tyre është bërë edhe më i ndieshëm, jo vetëm për shtrirjen gjeografike por për shifrat e medha siç është Evropa me mbi 80 miljon emigrant, ku vetëm në Gjermani sot aktualisht jetonë rreth 13 miljon, nga ku 430 mijë janë shqiptarë. Por shuma të konsiderueshme sot numurohen në Itali e Greqi, deri në vëndet më të largëta si në SHBA, Neo Zelanda e deri në Islandë. Largimi i tyre në shifrat tronditëse për vëndin tonë, në kërkim të një jete më të mirë, i ka detyruar të marrin parasysh edhe rrisqet e shumta duke i kapërcyer me mundësitë e tyre. Organizimi ityre në grupe, shoqata e lidhje sipas eksperiencës së diasporës së vjetër, ku vetëm në Itali numurohen 16 të tilla dhe bëjnë pjesë intelektual të profesioneve të ndryshme, por edhe puntorë të thjeshtë, që marrin pjesë dhe ndihmojnë në zhvillimin e aktiviteteve masive. Duke shkuar edhe më tej në ketë cështje kaq të ndieshme, i takon qeverisë shqiptare dhe institucioneve të saj, të marrë hapat e duhura që këto kontigjente t’i bëjë pjesë të sistemeve zgjedhore. Po kush janë disa nga arsyet, për të bërë realitet ëndrrën e tyre legjitime të votës së lirë? Së pari: këta emigrantë të shpërndarë në më se 40 vënde të botës,janë larguar gjeografikisht por jo shpirtërisht. Së dyti: jemi vëndi që pas viteve 90 janë larguar gati 1/3 e popullsisë,të cilët nuk i kanë shkëputur lidhjet më Shqipërinë. Ata nuk mund të kosiderohen si diaspora e vjetër në Itali,Turqi,Australi,SHBA,Argjentinë Rumani e Bullgari. Lidhjet e tyre me vëndin amë janë njerëzore, familjare, të afërmish që sistemi i votës i forcon akoma e më shumë. Së treti: në gjykimin dhe arsyetimin e kësaj çështje, le t’i referohemi aksiomës “se nuk ka votim pa përfaqësim”. Së katërti: Lidhjet me Shqipërinë janë gjithnjë të fuqishme, por edhe të rëndësishme, sepse ata nuk janë vetëm shifra por përvoja, eksperienca e vëndeve me demokraci më të konsoliduar se sa Shqipëria, ky është fakt që nuk mund ta tolerojmë. Prandaj me të drejtë do të përmëndim thënien e shkrimtarit të letrave Ismail Kadare se: “e gjithë diaspora është një Shqipëri e vërtetë”. Kjo e bën edhe më atraktive prezencën e tyre, që jo vetëm të votojnë por të bëhen pjesë aktive e institucioneve drejtuese. Ky është një fakt i rëndësishëm në përfaqësimin dinjitoz të tyre, që kjo fuqi elektorale ka po aq vlera, sa edhe votuesit brenda vendit.