NGA NDUE LAZRI/ President i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI)/
NGA ETMOND GURI/ President i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi (FSHSHG)/
Në një kohë kur në Shqipëri ekzistojnë 83 parti politike, nuk është e lehtë që t’ u flasësh shqiptarëve për nevojën e krijimit të një force të re politike, se me siguri reagimi i tyre i parë do jetë minimumi shtrembërimi i turinjve i shoqëruar me ndonjë sharje popullore nga ato me ngjyrime pikante. Dhe kjo, sepse partitë ekzistuese në Shqipëri, për 26 vjet që nga përmbysja e regjimit të egër komunist, me politikën e tyre të mbrapshtë e kanë zhgënjyer aspiratën e popullit për një demokraci të vërtetë, për një mirëqenie larg katandisjes në varfëri ekstreme në të kaluarën, për një integrim real të Shqipërisë në familjen europiane. Në 26 vjet në Shqipëri ka sunduar e sundon një klasë politike pa vizione europiane, pa një program të qartë ekonomik për zhvillimin e vendit. Partitë apo koalicionet që janë ndërruar në pushtet gjatë këtyre viteve kanë menduar vetëm për pasurimin e paskrupullt të kastës së re shqiptare, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet që nga korrupsioni i hapur e deri tek krimi, duke e polarizuar shoqërinë shqiptare në klasën e hajdutëve miliarderë dhe në shumicën e varfër, së cilës i mungon edhe buka e gojës. Kjo kastë e pangopur, e pashpirt dhe kriminale, në vend që ta çojë Shqipërinë drejt Europës, ndjek një politikë orientale, duke u bërë servile e sulltanit të ri të Turqisë, Erdoganit.
Pas 26 vjet të vendosjes së të ashtuquajturës demokraci, u nevojitën presioni dhe ndërhyrja energjike e SHBA dhe Europës që parlamenti shqiptar të votojë reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin e parlamentit e të politikës nga elementët e korruptuar e kriminelë. Imagjinoni se për çfarë demokracie bëhet fjalë në vendin tonë. Një demokraci ku luhet hapur me votën e popullit, ku manipulohen rezultatet e zgjedhjeve, ku vidhet vota e emigrantëve, ku blihen votat e qytetarëve për një copë bukë, duke shfytëzuar kushtet e mizerjes në të cilën e kanë katandisur popullin, ku me qëllim nuk vihet sistemi elektronik i numërimit të votave për t’i lënë vend spekullimit e manipulimeve. Ka vite që flitet për miratimin e të drejtës së votës së emigrantëve në vendet ku jetojnë e punojnë, partitë premtojnë, qeveria bën vizita-maskaradë tek emigrantët me premtime boshe, por ato nuk do ta miratojnë kurrë këtë ligj,sepse do të thotë të firmosin fundin e tyre. Emigrantët nuk shiten për një copë bukë, sepse janë ata që me të ardhurat e tyre dërguar apo shpenzuar në Shqipëri garantojnë një pjesë të mirë të buxhetit shqiptar. Ndaj politikanët e sotëm shqiptarë i tremben kësaj force të madhe që janë emigrantët në Itali, Greqi, Gjermani, Austri, Francë, vendet nordike e përtej oqeanit nga Amerika deri në Australi. Bashkimi i kësaj force mund të shkaktojë tërmet politik në Shqipëri. Tashmë qytetarët shqiptarë e kanë humbur shpresën dhe besimin tek partitë politike në Shqipëri dhe i kanë sytë tek Europa, tek Amerika dhe tek diaspora. Kjo diasporë sot më shumë se kurrë duhet të jetë dhe të paraqitet e bashkuar për të marrë në dorë fatet e vendit dhe të kombit. E për ta bërë këtë ajo duhet të ketë një forcë të saj politike.
Kjo frymë bashkimi ka filluar si një imperativ urgjent i kohës. Deri edhe arbëreshët po bashkohen në vetvete. Këto ditë 11 kryetarë bashkish të zonave ku ka arbëreshë janë bashkuar për të krijuar Arbërinë e Madhe në territoret ku ata jetojnë e punojnë, duke e parë këtë bashkim si një forcë e mundësi për një prosperitet më të madh ekonomik e kulturor brenda shtetit italian.
Shembull të mirë bashkimi e bashkëpunimi po japin dy federata mjaft aktive të emigrantëve në Itali e Greqi, Federata FNAI dhe ajo FSHSHG. Aktivitetet e organizuara bashkërisht midis tyre janë një hap i mirë e premtues dhe tregojnë se shqiptarët në emigracion dinë dhe mund të bashkohen e jo të mbeten të përçarë siç i ka njohur përherë historia.
Në Itali e Greqi është pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, mbi 1 milion e 300 mijë. Ndaj këto Federata mund të bëhen promotore të krijimit të një force të tillë politike, pa e humbur rolin e tyre për të cilin janë krijuar si organizime me karakter shoqëror e kulturor. Më vonë do të jetë ajo forcë politike që nga brenda parlamentit shqiptar do luftojë për mbrojtjen me ligj dhe realizimin e objektivave të këtyre federatave mbi të drejtat e emigrantëve.
Në diasporë ka plot elementë të përgatitur për një gjë të tillë, intelektualë e veprimtarë shoqërorë të kualifikuar, të pakorruptueshëm, patriotë të vërtetë. Ka sipërmarrës të fuqishëm ekonomikisht që mund të bëhen mbështetje ekonomike e një lëvizjeje të tillë, që nesër ajo forcë nga brenda parlamentit të garantojë e mbrojë me ligj edhe investimet e tyre në Shqipëri. Ka të rinj e të reja shumë të përgatitur, që kanë mbaruar universitete e mbrojtur mastera e tituj shkencorë në specialitete të ndryshme në universitetet më të mira të Europës dhe të botës e kanë dalë me rezultate të shkëlqyera duke treguar kualitetin e lartë të rinisë shqiptare. Sot pjesa më e madhe e trurit të kualifikuar shqiptar ndodhet jashtë atdheut. Këta të rinj e të reja dhe intelektualët e vërtetë duhet të jenë baza e shëndoshë formuese, por edhe drejtuese e kësaj force të re politike, duke e bërë atë një forcë moderne, me vizion europian të një demokracie të vërtetë të parametrave më të përparuar. Kësisoj kjo forcë do të dijë t’ i flasë elektoratit dhe popullit të vet me një gjuhë të kulturuar e intelektuale, me gjuhë institucionesh europiane e jo me gjuhë rrugaçësh siç flitet sot në parlamentin shqiptar, duke përdorur si mjet kryesor forcën e argumentit e të mendimit largpamës e jo ulërimat, çjerrjet nëpër rrugë, thyerjet e xhamave apo veprime të tjera destruktive deri tek vrasjet e njerëzve në një protestë të lirë e paqësore. Populli shqiptar është mërzitur dhe neveritur nga skena të tilla primitive e kërkon një forcë që të ndryshojë katërcipërisht klimën politike në vend, duke larguar nga parlamenti, politika e institucionet shtetërore e administrative të të gjitha niveleve dallkaukët, të korruptuarit, kriminelët, militantët injorantë që dinë vetëm të bërtasin e të mos zgjidhin asnjë punë.
Kjo forcë politike duhet të ketë në programin e vet objektiva të qarta, të lexueshme e të kuptueshme nga populli, të realizueshme me transparencë dhe të kontrollueshme nga elektorati. Ajo duhet t’ i japë fund praktikës së të kthyerit të politikës në profesion të atyre që kanë dështuar në profesionet e tyre dhe kanë hyrë në politikë për përfitime personale e familjare, duke mos i lëshuar kolltuqet për 26 vjet me radhë. Ata janë shndërruar në diktatorë të rinj dhe nuk janë asgjë më shumë se imitatorë e pasardhës të pushtetit diktatorial që sundoi në Shqipëri për 50 vjet.
Kjo forcë politike duhet të ketë në programin e saj hartimin e ligjeve të tilla që çojnë në zhvillime të rëndësishme e të vërteta demokratike , si zgjedhja e deputetëve dhe e Presidentit të Republikës nga populli, të zgjedhurit , që nga Presidenti, deputetët dhe administratorët e të gjitha niveleve të mos kenë më shumë se dy mandate, deputetëve që ndërrojne parti t’u hiqet menjëherë mandati, të dëbohen nga parlamenti e në vend të tyre të zgjidhet dikush tjetër. Vitet e punës në parlament të njihen si vite të zakonshme për vjetërsinë në punë, me kontribute të paguara nga vetë parlamentarët dhe pa përfitime të tjera ekonomike pas largimit nga parlamenti, të ardhurat e burimet e fitimeve mujore nga pagesat apo aktivitetet private të politikanëve të publikohen gjithnjë online dhe të jenë të lexueshme edhe nga qytetarët më të thjeshtë. Kjo forcë politike duhet të këmbëngulë për krijimin e Ministrisë së Diasporës, duke eliminuar përfundimisht talljen e deritanishme të shtetit me emigrantët me një drejtori diaspore që nuk ka luajtur asnjë rol , si dhe të verë në efiçencë të plotë ambasadat e konsullatat që ato të jenë në çdo kohë pranë kërkesave e nevojave të emigrantëve e të pastrohen nga elementët e paaftë, të emëruar me nepotizëm apo për militantizëm.
Një nga shtyllat themelore të demokracisë është ndarja reale dhe e bazuar në ligje e pushteteve, duke siguruar pavarësinë nga njëri-tjetri, për ta bërë shtetin sa më të thjeshtë, aktiv e veprues në dobi të shtetasve të vet. Për realitetin shqiptar është plagë e rëndë dhe e turpshme gjendja e pushtetit gjyqësor, të uzurpuar nga njerëz të emëruar nga politika e servilë të politikës, nga gjyqtarë të dalë nga kurset 6-mujore, ku ligjin e bën paraja dhe jo drejtësia e kulluar etj
Kjo forcë politike duhet të sjellë këndvështrime e horizonte të reja edhe në aspektin ekonomik, duke bërë projekte investimesh në infrastrukturë e sidomos në zhvillimin e turizmit detar e malor, çka do ta bënte Shqipërinë një vend me bukuri akoma më të mëdha e me një begati ekonomike për popullin e të gjitha zonave, bregdetare e malore.
Janë të gjitha pika të prekshme që interesojnë jo vetëm emigrantët, por edhe realitetin e sotëm shqiptar.
Një forcë e tillë politike, alternative e të gjitha partive ekzistente në Shqipëri, do sillte frymë të re demokratike europiane, ndryshim të spektrit politik në vend, zgjim të shpresës së elektoratit e të popullit për përmbysjen e politikës së korrupsionit e të krimit dhe sjelljen e epokës së ndërtimit të një Shqipërie të re, të denjë për të hyrë si e barabartë në familjen europiane.
Koha nuk pret. Është momenti të zgjohemi të gjithë për të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë.