Jozefina Topalli/
18 Dhjetor – Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
Sot është dita e kujtesës, e reflektimit dhe e nderimit për të gjithë ata që kanë braktisur gjithçka për të ndjekur një jetë më të mirë në një tokë të huaj. Shqiptarët e dinë më mirë se kushdo se ç’do të thotë të jesh emigrant.
Emigrimi për ne ka qenë shpesh një rrugë shpëtimi, por njëkohësisht edhe një histori lotësh, ndarje familjare dhe vuajtjesh. Nga skafet nëpër Adriatik deri tek endjet e gjata në Europë e botë, kemi përjetuar humbje, zhgënjime dhe sfida të jashtëzakonshme. Por pavarësisht gjithçkaje, shqiptarët kudo që ndodhen kanë treguar forcë, guxim dhe përkushtim për të ndërtuar jetë më të mira për familjet e tyre.
Kjo ditë është një thirrje për të mos harruar rrugën e vështirë që kanë kaluar mijëra shqiptarë. Një thirrje për të nderuar sakrificat e tyre dhe për të mos harruar kurrë rrënjët tona, kulturën tonë dhe ëndrrën për një Shqipëri më të mirë.
Për të gjithë shqiptarët kudo në botë: Ju jeni drita dhe fuqia jonë!