Nga Sokol Paja/
Gazeta “Dielli” si Organi Zyrtar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA mori rrugën për në çdo cep e në çdo skaj të mërgatës shqiptare që jeton e vepron në Amerikë dhe Kanada. Ky numër u vonua pak për shkak se shtypshkronja punoi me kapacitete të reduktuara si pasojë e prekjes së stafit nga varianti Omicron i Covid-19. Përmbyllëm një numër shumë të suksesshëm me shumë sfida. Ngjarjet më të rëndësishme në këtë numër janë: Vizita e kryetarit të Vatrës z.Elmi Berisha në Kosovë, përfundimi me sukses i projektit të historisë së Vatrës udhëhequr nga Akademik Beqir Meta, dekorimi nga Vatra dhe shteti i Kosovës i mësuesve Pretash Zef Kaçaj dhe Ndue Zef Markaj, zgjedhjet për kryetarin e Vatrës, situata në Shqipëri e Kosovë dhe ngjarjet kryesore kulturore e figura të rëndësishme të histories e kulturës kombëtare. Vatra e Dielli me veprimtarinë e tyre gjenerojnë atdhetarizëm, patriotizëm, energji pozitive dhe investojnë çdo burim për çështjen kombëtare, për gjuhën shqipe dhe identitetit tonë kombëtar. U shpreh vlerësim të posaçëm, falenderim të përzëmërt dhe mirënjohje të veçantë të gjithë bashkëpunëtorëve të këtij viti që sapo kemi filluar. Gazeta po rritet nga muaji në muaj dhe nga dita në ditë falë mbështetjes e vëmëndjes suaj. Jam i privilegjuar që bashkëpunojnë besnikërisht me “Diellin” mendjet më të mprehta, penat më të shkëlqyera dhe më të arrira të botës shqiptare që nga “Zëri i Amerikës”, mediat potente në Tiranë e Prishtinë, Akademikë, kërkues shkencorë në Fakultete dhe Njësi Kërkimi, analistë e kritikë letrarë, përkthyes, poetë, historianë, diplomatë, personalitete absolute të shkencës, ekspertë të ekonomisë, turizmit, arkivistikës, dhe kibernetikës, veprimtarë, humanistë e patriotë që na mbushin zemrën me gëzim e shpirtin me hare prej sukseseve e veprave të mira. Sukseset dhe arritjet e bijëve e bijave tona në mergatë u pasqyruan imtësisht në këtë numër. Gazeta “Dielli” në këtë vit që sapo kemi filluar e në vazhdim do lëvrojë pa pushim historinë, kulturën, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, data, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar. Qëllimi i gazetës është në çdo moment informimi i saktë, promovimi i talenteve dhe personaliteteve të botës shqiptare në mërgatë, promovimi i suksesit dhe thithja e mendimit intelektual në gazetën Dielli, ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës dhe Kanadasë, gjithashtu të jetë si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqipfolëse. Faleminderit dhe mirënjohje për të gjithë ju që mbështesni gazetën më të vjetër të botës shqiptare, gazetën “Dielli” që nga 15 Shkurti i vitit 1909.