KOSTA NAKE
(Romani “Arka e djallit” i Dritëro Agollit, Tiranë 1997)
Dy herë gjatë takimeve me poetin dhe shkrimtarin Dritëro Agolli e kishim cekur këtë roman me ndjesinë që lexuesi nuk arriti ta zbulojë si kryevepër të autorit. Është një vepër që mund të rilexohet ndryshe nga veprat paraardhëse të autorit sepse ngjarjet zhvillohen në dy rrafshe të ndryshëm kohorё, rrjedhimisht leximi mund të bëhet veçmas për të dy. Është diçka si Devolli dhe Osumi që ndjekin rrugë të ndryshme për t’u bashkuar më pas e për të formuar Semanin. Ta analizosh këtë vepër do të thotë të krijosh një simotër të saj, pasi tematika është mjaft e gjerë. Fatmirësisht është nga të paktët romane të cilёt kanë kaq shumë shpjegime për vetveten (shih f.185), prandaj lexuesit i mbetet tё bëjë një përmbledhje të tyre dhe të sjellë më shumë ilustrime.
Në rrafshin e parë ёshtë rrëfimi i Bamkë Dynjasë si një përngjitje e formës epistolare me atë memoriale dhe që ka në thelb konfliktin Cute Babulja – Mitro Karapataqi, njëri drejtor i përgjithshëm i folklorit në ministri tjetri kritik letrar, konfliktin e liberalit me dogmatikun, përkatësisht të Bamkë Dynjasë me Maxhun Xhabalakun, të punonjësit të shtëpisë së kulturës me kunatin e tij që bën vullnetarisht punën e operativit të fshehtë, të krijuesit me censorin. Për këtë rrëfim të rrafshit të pare shkrimtari Sherif Abeceja do të thoshte se nuk e kuptonte natyrën e tij: Bamka fliste me tërë mend apo tallej. (f.47)
Në rrafshin e dytë nga njёra anё është shkrimtari Sherif Abeceja që kërkon të hedhë dritë mbi dorëshkrimet e Bamkës, nga ana tjetёr kryetari i këshillit popullor Zyber Shpuza, mësuesi i historisë dhe përgjegjësi i muzeut të fshatit Spiro Arhitrari tre mustaqellinjë e Qershizës Tahir Kapedani, Fazlli Gropa, Jashar Guna që përpiqen ta pengojnë publikimin e tyre, madje pёr kёtё qёllim, pasi kanё dёshtuar nё pёrpjekjet e tjera, ia vёnё zjarrin shtёpisё sё Selman Thanёs ku ndodhet arka me dorёshkrimet dhe ku strehohet Sherif Abeceja.
Ngjarjet vendosen në Qershizë, një fshat i Devollit në vitet ’80 të shekullit të kaluar, që sipas Maxhunit – banor i tij, – “ishte një fshat ziliqarësh e batakçinjësh, i mbushur me bukëshkelës, shumë i pasur me hafije, një fshat i pasur me fantazi e trillime,” një fshat ku gjithçka ndodhte merrej vesh brenda një ore. Sistemi i centralizuar i ekonomisё kishte dështuar dhe po godiste drejtpërdrejt mirëqenien e fshatarëve, dështimi po shoqërohej me një forcim të mekanizmave shtrëngues që pakënaqësia të mos arrinte të organizohej dhe të shpërthente. Çdo tejkalim i censurёs shpallej si agjitacion e propogandё. Mёsuesi pensionist i thotë shkrimtarit “Nuk duhet folur. E marrin keq njerëzit. Të futin në ndonjë shteg të keq” (f.18), Sherifi i thotë mësuesit të historisë: “(Ca njerëz të prapë – K.N.) çdo fjale duan t’i japin kuptimin që dëshirojnë, në një kuptim të shëmtuar për të të zënë në gabime ideologjike! Këta janë përgjues fjalësh… I detyrojnë njerëzit të reduktojnë fjalorin dhe ta varfërojnë… (f.21) Berberi deklaron: “Unë e pres kokën, po s’pati gisht armiku i jashtëm!” Me të shkelur Cute Babulja, Qershiza u turbullua dhe u çmend deri sa arriti në demonstratë.” (f.255)
Cute Babulja këndon: “…Fukaraja s’kërkon gjë,/Të fle një natë me të,/
Vallahi se i bëj gjë,/T’i shkopsit kopast e gjirit,/T’i shoh gurë e xhevahirit.”
Bamka i thotë: “Mos këndo këngë të tilla se janë me zarar.” (f.58)
Cutja detyrohet t’i bëjё Maxhunit kёtё shpjegim: “…Marksisti i vërtetë edhe të flerë me të, nuk i bën gjë, se ka moral të lartë! Edhe kënga këtë thotë! (f.58-59)
Gati e njёjtё është edhe kënga tjetër në faqen 69 ku përsëri kërkohet gjiri i femrës. Përkundër moralit që ka shoqëria e një periudhe të caktuar, përkundër ligjërimit të shkujdesur në jetën e përditshme, shoqërisë socialiste iu imponua një përjashtim i dhunshëm i këtij ligjërimi në komunikimin zyrtar duke krijuar një dualitet absurd, pasi siç doli më vonë, edhe baballarët e komunizmit kishin qenë po aq gojёshthurur.
*
Tufëzimi i bagëtive ishte goditja më e rëndë në cilësinë e jetës së fshatarit shqiptar dhe ky problem përbën strumbullarin e shënimeve të Bamkë Dynjasë. Se ç’është bagëtia për fshatarin e dëshmon monologu i Cutes me lopën dhe me viçin para tufëzimit, një prozë e bukur poetike. (f.87-88) Kulmin e shënon protesta e pesë grave që nuk kishin qumësht për fëmijët e tyre dhe detyrohen tё sulmojnё stallёn mjerane, ndёrsa Cutes i vёrsulen me fjalët: “Ju të Tiranёs na e sollët këtë hata.” Tirana nё kёtё rast ёshtё partia e qeveria.
Në rrafshin e parë të veprës pikëlidhjen e përbёn ardhja e Cute Babules në Qershizë, ky hamës i madh që gjen bollëk në shtёpitё e fshatit dhe kulmin e shënon ardhja në dimër, muaj më vonë, në atë fshat ku ka pёrfunduar tufёzimi i bagёtive, janë kufizuar shpendët dhe kanë mbetur vetëm lepurat.
Vepra është një navigim në historinë (f.278-280) dhe veçanësitë e procesit krijues letrar, me vlerësime të autorit për humorin, sajesat te “Ushtari i mirë Shvjek”, vërtetësia te “Don Kishoti i Mançёs” dhe “Shpirtra të Vdekura”; me debatin që bëhet për shkrimtarin turk Azis Nesin të gjitha këto të bëjnë të zgjedhësh pozicionin tënd ndaj letërsisë sonё të traditës, të shohësh nga afër mospërfillësit e krijuesve. Një letër e Maxhun Xhabalakut, shkatërron jetën e Bamkës dhe të Cutes. (f.109-110) Ja akuzat: I kalojnë netët me gosti të shthurura duke kënduar këngë me fjalë imorale e të turpshme. Cutja e quan fshatin tonë socialist të mbushur me të çmendur, domethënë edhe veteranët e komunistët janё tё tillё. Cutja merr mollë nga fshatarët me biografi të keqe dhe premton t’i strehojë në kryeqytet e t’u gjejë punë.
*
“Arka e djallit” ёshtё njё roman karakteresh ku mund të veçohen agronomi dhe intelektuali i ri Agron Sahatçiu, përgjegjësi i shtëpisë së kulturës Teufik Imamhyseni, mësuesi pensionist Selman Thana me bashkëshorten Fatime, shoferi Fore, berberi Alush Karkanaqe, postieri Zenel Ibrishimi, rapsodi Gjok Çoku, Bajamja – vjehrra e Bamkës, mjeku Xife, etj. Portretizimi i tyre bëhet nga autori, nga vlerësimet që personazhet i bëjnë njëri-tjetrit ose nga fjalët që thonë për veten dhe me sjelljen ndaj të tjerëve.
Cute Babulja është gurra popullore e humorit i skalitur si karakter sipas formulës “qesh e ngjesh”, njeriu i zënë rob nga gëzimi dhe shakaja, gjenerator gëzimi, popullor dhe pa qibër, i matur dhe i urtë, burrë i rrallë e mëmëdhetar nga të paktët, me njё tipar shumё individual: ka qejf t’i zërë burrat për mustaqe, edhe kur janё tё panjohur, madje edhe kur janё tё huaj. Nuk mund të mos buzëqeshësh kur dëgjon historinë e Fores të sajuar prej tij për të bërë përshtypje tek tezja në Selanik. Thelbin e karakterit tё vet qё e çon nё rrёnim, e zbulon me kёto fjalё: “Shokët e udhëheqjes duan të më ruajnë nga fatkeqёsitë, unë prap shkoj drejt fatkeqёsive…unë marr rrugët edhe bëj gostira me çapaçulë që më spiunojnë.” (f.46) Ai e mposht kundërshtarin e vet Mitro Karapataqi në të gjitha debatet duke e vënë në lojë për ta poshtëruar. “Bob Çestërfilldi është superfuqi… Më pushtoi dhe s’pata ç’t’i bëja… u detyrova me dhunë të jap intervistë.” (f.313)
Po ç’mendojnё tё tjerёt pёr Cute Babulen?
Bajamja: është harbut nga goja, një araba pa rrota.
Lulushja: … e ka gjakun e ëmbël, po në shaka e sipër thotë gjëra të frikshme.
Maxhuni: është aventurier dhe zijafetxhi i papёrmbajtur, mëz i hazdisur i pelës së mikroborgjezisë.
Cutja e njeh realitetin shqiptar të mbushur me spiunё, prandaj u trembet letrave të Maxhunit dhe pas refrenit “E bëri letrën?” ai shpërthen: “Po mua më ha kjo e shkretë gjuhë, o Bamkë! Ah, ç’gjuhë të poshtër që kam! Pritmani, o Bamkë pritmani gjuhën, që sonte… Nuk do të më dhëmbë, po do të më shpëtojë. Ah, moj gjuhë, si s’më thahesh!”(f.75)
Demonstrimet e Cutes duke pirë me grekët gjatë qëndrimit në hotelin e Selanikut, duke hyrë në vallen e dervishëve nё Konia dhe me kërcimtaret në lokalin e Kullës së Gallatës janë sfidat e liberalizmit përballë dogmës; vendi që i japin gazetat e huaja këtyre akteve dëshmon se sa ishte ngurtësuar Shqipëria në hartën zhvillimore të botёs.
Të tallurit me veten është piku i satirës në këtё vepër. Vjen njё çast dhe Cutja dëshiron që nga tigër të kthehet në lepur. Meli, e shoqja i thotë: “Sa mirë që u ktheve në lepur, se do të të ushqej me lakra! O lepurushi im, s’ta dilja dot me mish!” (f.241) Këtu kemi të drejtë të aludojmë me tigrin – Shqipëria kështjellë e socializmit në botë, dhe lakra “do të hamë dhe bar dhe parimet nuk i tradhëtojmё!”
Babaxhani Cute në rrethanë të caktuara del nga natyra e vet, ose autori e ka bërё qëllimisht këtë te skena buzë lumit kur e sulmon me kalё Maxhunin, për të treguar se çdo durim ndaj të keqes ka një kufi.
Antipodi i Cutes ёshtё Mitro Karapataqi, më i shkurtri i të gjithë kritikëve, xhuxhmaxhuxh. Ja prezantimi i Cutes për tё: I pamëshirshmi kritik, zijoshi, njohësi më në zë i raporteve letrare shqiptaro-turke. “Ti je cingun, ose në shqip një koprac, ose në turqisht një neqez i pandreqshëm.”
Ja dhe vlerёsimi i Bamkës: “Ishte një qendër doganore që kontrollonte bagazhin e fjalëve dhe veprimeve tona.”
Zbulimi i karakterit tё tij kulmon kur lё bashkudhёtarёt e vet nё Greqi dhe, sapo kthehet, i denoncon se janё arratisur. Mё pas jep detaje pёr shkeljen e vijёs sё partisё nga Cutja gjatё konferencёs pёr folklorin nё Turqi.
Maxhun Xhabalaku ёshtё vëllai i Lulushes, nëpunës i gjendjes civile, njeriu që dërgon letra anonime për të tjerët, biçimsëz, pizeveng e lapangjoz, dinak e finok e i pacipë. I ka bërë letër Bajames kundër Bamkës, ka bërë letër kundër tezes së Hyskës.
Sherifi për tё: është njeri i zgjuar, flet me fjalë të ngjyrosura, i llahtarshёm.
Bamka pёr tё: letrat i ka pasion krijimtar, është zuzari më i lig i rrjedhës së Devollit, cinik, i pafytyrë, i paudhë.
Cutja: Maxhuni e Zyberi janë torero të poshtër.
Ja dhe vlerësimi i Maxhumit për vetveten “Me spontaneitetin e shpirtit i doja Cuten dhe Bamkën, kurse me logjikën e detyrës i urreja.” Apologjia e tij (f.237) është përmbyllja e figurës më negative të romanit dhe paraliza që ka pësuar ai, besoj se është një dënim i shtuar enkas nga autori; i thënë me fjalët e Sherif Abecesë “ky shtrembërim në fytyrë ishte pasqyrim i vërtetë i shpirit të këtij njeriu.” (f.106) Maxhuni është e keqja që s’na lë të përparojmë si komb.
*
Në rrafshin e dytë të rrëfimit vendin kryesor e zë Sherif Abeceja, shkrimtar i njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai vjen për të marrë dorëshkrimet e Bamkë Dynjasë dhe për t’u bërë mbrojtës i një krijuesi dhe punës së tij. Fillimisht është indiferent ndaj fshatit dhe njerëzve, por, në fund, njeriut që shkruan i bashkëngjitet njeriu që lufton. Shkundjen e madhe ia jep Anthulla: “Ju kur e gjetët fletoren, pse nuk ikët në Tiranë? Donit t’i habitnit njerëzit. Ja çfarë ka gjetur Sherif Abeceja! Ja ç’do t’u punojë fajtorëve! Dhe gjetët fajtorë të mëdhenj tre mustaqellinjtë! Donit të më habitnit mua duke më vënë vetëm një detyrë: të ulërij në shtrat për të kënaqur gjeniun e letrave, Sherif Abecenë! Ju nuk dëshpëroheni, sikur të digjet e gjithë letërsia shqipe, jo një fletore!” (f.457)
I vetmi personazh i pranishëm në të dy rrafshet e rrëfimit është Zyber Shtufa, kryetari i këshillit popullor. Në rrëfimet e Bamkës ai është përfaqësuesi i diktaturës së proletariatit, ekzekutuesi i urdhërave që vinin nga lart dhe njëkohësisht ai që përballej me njerëzit që ishin kthyer në vidha mekanike të ingranazhit socialist. E shohim Zyberin në një skenë ku bëhet barrierё për të ndaluar gratë që protestojnë për mungesën e qumështit dhe kapërcimi i kësaj barriere shёnon rënien e afёrt tё sistemit. Ka dhe një detaj anësor në të kaluarën e tij: presioni ndaj drejtorit të shkollës për t’ia rritur fiktivisht notën të nipit që të përfitonte një bursë, duke ia hequr kёtё favor njё fёmije tё shkёlqyer, por pa pёrkrahje. Kur drejtori nuk pranon vjen hakmarrja duke ia prerë pemët e kopshtit dhe duke ia shkulur kulturat e tjera se kishte sipërfaqe toke mё tepër.
Në këtë rrafsh të dytë Zyberi e di se ç’vend duhet të ketë në shënimet e Bamkë Dynjasë, prandaj kërkon me çdo mjet t’i hedhë në dorë dhe t’i zhdukë, qoftë edhe sikur ajo të paguhej me çmimin e lartë të jetës. Edhe këtu ai dështon në orvatjet e bashkërenduara me të tjerë.
Gratë përfaqësohen në vepër me dy karaktere interesante:
Anthulla Konomi është e pashme, e gjatë, me flokët të drejta, të zeza, e pamartuar, shumë e këndshme dhe shumë e gëzuar.
Cutja: është doktoresha më lozonjare që kam njohur në Ballkan.
Sherifi: është një leopardeshë e bukur.
Bamka: është amazonka e Qershizës.
Lulushja, bashkёshortja e Bamkёs ёshtё e nderuar, fisnike dhe mikpritëse, zemërgjerë, engjëll i vërtetë. Ajo bëhet muzë për të sjellë poezi brenda veprës: “O gra, sa shpejt fluturoni në qiej dhe sa shpejt zbrisni në tokë! Fluturoni duke qeshur në çast, zbrisni duke qarë në çast! Dhe me këto shenja njerëzore, na bëni që t’ju duam më shumë, që t’ju ledhatojmë për t’ju qetёsuar, që t’ju japim përsëri zemër për të fluturuar në qiell dhe për t’ju mërzitur prap, që të na kthehi në tokë.” (f.141)
*
Arka dhe fletoret me dorëshkrime të Bamkës janё njё gjetje artistike pёr tё vёnё nё lёvizje ngjarjet dhe ndaj tё cilave personazhet reagojnё nё mёnyra tё ndryshme.
Sherifi: njё shkrim letrar.
Selmani: është fletore çudirash.
Anthulla: është defter i ndotur me baltra pornografike.
Zyberi: ky s’qenka dëfter, po djalli i fshehur në letër, sёndyqkё e mbushur me helm.
Fatimja: na doli një lugat nga sëndyqka!
Fshatarët duan që Bamka të mbetet i dënuar, pa të drejtë botimi edhe pas vdekjes, por brenda tyre shquhen dy palë: njëra nga padija dhe naiviteti primitiv, tjetra nga keqdashja dhe egërsia për hakmarrje se ai u ka vënë në dukje të zezat e karaktereve tё tyre.
“Arka e djallit” është një vepër që mund të lexohet dhe përtypet nga të gjithë brezat e lexuesve sepse trajton problemet e mëdha të fshatarësisë shqiptare dhe jo vetëm, sepse karakteret bëhen bartës dhe shprehës të kulturës popullore, si Cute Babaulja dhe plaka Fatime, sepse fjalët e urta dhe aforizmat në shumicë janë të gurrës popullore ose të përvojës së njerëzve të thjeshtë, sepse përdor qëllimshëm trajtat përkëdhelëse ose zvogëluese në të folmet e Devollit, sepse përdor shpesh fjalë tingullimituese që përftojnë shprehësi, lakonizëm dhe emocionalitet.
*
Të gjithë romanet e Dritëro Agollit shquhen për kujdesin që duhet treguar për gjuhën shqipe. Deklarimi vihet nё gojёn e Demkës: “Mundohem t’i rralloj fjalët turqisht në pyllin e fjalorit tim.” (f.405) Autori tregon një interes të shtuar për gjuhësinë kur jep pёr herё tё parё nё gazetat turke emrat e personazheve në trajtat e tyre tё plota, duke u bёrё edhe pёrshtatje sipas turqishtes Maksut Babulja, Dhimitër Karapataqis, Bajram Dynjaoglli dhe Kristoforis. Kjo gjë u vu re edhe kur ata regjistrohen në hotel në Selanik, ku sportelisti mbiemrin Babulja e greqizon Papuljas. Cute Babulja bën zbërthimet e emrave Karapataqi, Thesaloniki dhe fjalёve tё tjera. Rrёfyesi kalon nga një stil ligjërimi në tjetrin në përputhje me mjedisin e komunikimit.
Një citim i gjatë qё tregon sa shumë barbarizma turke vazhdojnë të vegjetojnë në gjuhën e folur shqipe:
-Po ky bilmez pse na e ka fshehur këtë aksident?
-Evet? Bilmez? – pyeti Mehmet beu.
Cute Babulja u skuq. Ai harroi se fjala “bilmez” ishte turqisht dhe Mehmet beu e kuptonte fare mirë.
-Ah, këto fjalët turke ç’na turbullojnë fjalorin e gjuhës mëmë! Më kuptoi rezili!
-Mos, se edhe “rezil” turqisht është! – e shtyva me bërryl.
-E po s’e pastruam këtë lanete gjuhë! – shau Cute Babulja.
-Pusho se edhe “lanet” turqisht e ke! – shfryu papritur Mitro Karapataqi.
Turku u shkri në gaz.
-Ah, qerratai, u kënaq! – tha Cute Babulja.
-Mos e ngri zërin, se edhe “qerrata” turqisht është! – ndërhyra unë.” (f.314-315)
*
Që në leximin e parë mund ta konsiderosh këtë roman një kryevepër dhe, pas çdo leximi, të përforcohet ky vlerësim, të bëhet një shtysë për ta mbrojtur duke iu përmbajtur disa kritereve. Një kryevepër rrëfen atë që autori njeh dhe do më shumë – vendlindjen. “Arka e djallit” e përmbush këtë, pasi nuk është thjesht një fotografim i mjedisit të një treve, por një stacion nga merr udhë mendimi dhe filozofia e jetës. Mjafton të lexosh ç’thotё autori pёr pronёsinё e tokёs dhe raportin e njeriut me tё nё socializёm (f.272), të dëgjosh agronomin Agron Sahatçiu dhe nihilizmin e tij, të analizosh ato që shkruan për bektashinjtё dhe mishin e ndaluar. Ky roman në një këndvështrim më të largët është poema “Devoll, Devoll” e rishkruar në prozë, por në vend të ngjyrave entuziaste të poemës këtu mbizotëon toni komiko-tragjik.
Romani ka një frymëmarrje të shëndetshme sepse vështrimi i autorit ka fluturuar përtej vendlindjes, ka skena dhe fakte jo vetëm për Devollin, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin dhe Botën. Ka detaje pёr dallimin midis haneve dhe hoteleve, sjell informacion për Konian, pёr vallen e dervishëve, pёr dallimet mes popujve, për gjurmën që ndiqte rruga Egnatia, etj. Romani është një sintezë e përvojës së gjatë të shkrimtarit jo vetëm në fushën e letrave, por edhe në njohjen e botës. Libri është një enciklopedi e vendeve ku lëvizin Cute Babulja dhe Bamkë Dynjaja.
Ky roman është dëshmi e guximit për të rrokur problemet e mëdha të vendit dhe njerëzimit. Të ngresh probleme të mëdha do të thotë mbash prushin në duar. Siç tregonte vetë autori, romani e pati zanafillën në vitet ’80, atëherë kur pakkush kish guximin të kundërshtonte politikat e gabuara ekonomike të regjimit komunist. “Arka e djallit” është një simfoni shkronjash që rimishëron artistikisht jetën shqiptare në zgrip të diktaturës dhe dështimin ekonomik.
Dritëro Agolli shquhej për zotërimin mjeshtëror të artit të fjalës dhe “Arka e djallit” e ilustron këtë. Ai ishte jo vetëm një njohës i thellë i gjuhës shqipe, por e shfrytëzoi edhe këtё roman për të bërë një apel për pastrimin dhe pasurimin e saj. Romancieri bëhet edhe gjuhëtar kur përveç shqipes gjen hapësira për të futur fjalë e shprehje nga greqishtja, turqishtja, rusishtja e frëngjishtja, futet në kuptimet e disa fjalëve që kanë lidhje me brumin që ka nё duar. Ai luan me të gjitha kuptimet e fjalës për të përftuar shprehësi dhe vlera estetike. Mjafton të kujtojmë shpjegimin e kuzhinierit minoritar, xha Janit, gjatë “protestës” së preshve si dhe lojën e fjalëve “Preshtë janë vaditur me gjakun e dëshmorëve.” Autori luan me tekste të njohura (f.144) duke rimarrë mballosjen që ndodh rëndom me serenatat. Romani është shkruar me njё stil elegant – fryt i kalërimit të gjatë të Dritëroit në lëmin e poezisë.
Një kryevepër është aftësi për ta bërë lexuesin të qeshë, të buzëqeshë, të bjerë në mendime, të ngarkohet me emocione pozitive edhe kur jeta e shpalosur nuk ka vetëm diell e dritë. Pёr herё tё parё ai fut nё njё vepёr tё vetёn skena erotike si njё kapёrcim i vetvetes. Romani “Arka e djallit” është melhem për shpirtin e lexuesit, por koha kur u botua, viti i çmendurisë së madhe 1997, shpërbërja e kooperativave dhe ndërmarrjeve, e gjeti shqiptarin e çliruar nga diktatura të papërgatitur për sfidat e sipërmarrjes private dhe e larguan dhunshëm nga libri dhe arti në përgjithësi për të mbijetuar. Ja pse “Arka e djallit” ёshtё dielli i një mëngjesi të mjegullt.
Bilisht, 21 – 25 prill 2024