Majlinda Lipi mësuese e gjuhës shqipe në Katerini të Greqisë në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Katerini, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Greqisë.
KURSI I MËSIMIT PLOTËSUES NË QYTETIN E KATERINIT (GREQI)
Kursi i Mësimit Plotësues në qytetin e Katerinit (Greqi) funksionin prej tre vjetësh dhe për herë të parë në këtë qytet. Është një nga kurset e shumta që mësuesit vullnetarë anëtarë të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi kanë hapur për t`u krijuar mundësinë fëmijëve të emigrantëve shqiptarë mësimin falas të gjuhës shqipe. Pas anëtarësimit në LMSHG, fillova edhe unë si gjithë kolegët e mi përpjekjet për çeljen e kursit të parë të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në qytetin e Katerinit.U mundova që me çdo kusht fëmijët e emigrantëve shqiptarë të këtij qyteti, të kishin mundësinë të mësonin të shkruanin dhe të lexonin gjuhën tonë të bukur shqipe, që është plot gjallëri e jetë, ashtu siç e cilëson dhe Naimi”Gjuhë Perëndije”. Pas shumë mundimesh më në fund arrita të hap kursin dhe të kem grupin e parë të nxënësve të mi në diasporë, ku nxënësja më e vogël ishte vajza ime aso kohe vetëm 5 vjeç. Për të 3-tin vit radhazi Kursi i Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në qytetin e Katerinit, është kthyer në një koshere të vogël që gumëzhin nga zërat e gjithë fëmijëve që dëshirojnë të mësojnë gjuhën shqipe, gjuhën e të parëve të tyre, gjuhën më të bukur në botë. Mësimi zhvillohet në fundjavë prej 2 deri në 3 orë dhe me fëmijë të moshës nga 6 deri në 12 vjet.Janë kryesisht fëmijë që i përkasin brezit të tretë të emigrantëve. Janë fëmijë që për herë të parë flasin dhe shkruajnë shqip. Vitin e parë të mësimit kursi i çeli dyert në një mjedis modest. Fëmijët dhe prindërit pasi u njohën dhe me atë ç`ka ofronte ky kurs , vazhduan mësimin normalisht. Kur unë mendova se gjithçka po ecte mjaft mirë dhe vazhdonin ende kërkesat për regjistrim ndodhi diçka tjetër ajo që ne nuk e prisnim, pandemia. E ndodhur në këto kushte dhe duke mos dashur të shuaj atë zjarrin e vogël që u ndez, duke mos dashur në asnjë mënyrë që atë që ndërtova me kaq mund ta hedh në erë, bisedova me prindërit për të vazhduar mësimin.
SI PRITET MËSIMI SHQIP NË KATERINI
Siç e theksova dhe më lart për kursin tonë është viti i tretë që ne zhvillojmë mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Por mund të them që është pritur mjaft mirë, por jo në nivelet që ne do të dëshironim. Duke qenë se numri i fëmijëve që marrin pjesë është mjaft i vogël në krahasim me numrin e fëmijëve të emigrantëve që ka ky qytet. Ajo ç`ka mua më ka bërë përshtypje, është që në vitin kur kursi ishte në fillimet e tij, një çift shqiptarësh të rritur në Greqi dëshironin shumë që fëmija i tyre të mësonte gjuhën, traditat dhe zakonet e shqiptarëve, gjë që vetë ata si çift bashkëshortësh nuk e kishin pasur atë mundësi duke qenë se kishin erdhur shumë të vegjël në Greqi. Por kjo gjendje vihet re jo vetëm në qytetin tonë, por në gjithë Greqinë, është një situatë që shqetëson të gjithë mësimdhënësit e gjuhës shqipe. Të shpresojmë që në vitet e tjera të kemi një rritje të kënaqshme të numrit të nxënësve. Por pavarësisht kësaj, unë do të theksoja kënaqësinë që ndjen cdo mësues kur sheh rezultatin e punës së tij. Që në hapat e parë të çeljes së kursit unë e kam dokumentuar ecurinë e kursit me foto dhe video të punës së fëmijëve (sigurisht me miratimin e prindërve).Këtë e kam bërë më shumë për të parë vetë ecurinë e fëmijëve dhe me vonë për t`u treguar atyre hapat e tyre të parë në mësimin e gjuhës shqipe. Në këtë rast do ta krahasoja mësuesin me atë prindin e dhembshur që sheh me gëzim foshnjën e tij kur hedh hapat e parë, kur fillon të belbëzojë dhe kjo është një kënaqësi që nuk ka çmim. Është një kënaqësi që fashit çdo përpjekje dhe vështirësi që ke kaluar për të hapur një kurs të gjuhës shqipe në mërgim.
ORGANIZIMI I KURSIT SHQIP, KURRIKULA, TË VEÇANTAT E MËSIMIT SHQIP
Siç e theksova dhe më lart, fëmijët e kursit i përkasin moshës nga 6 deri në 12 vjet. Mësimi në këto momente zhvillohet online në dy klasa, klasa e parë që është dhe klasa e Abetares siç i themi zakonisht me fëmijët dhe klasa e dytë. Duke qenë se fëmijët i përkasin moshave të ndryshme edhe zhvillimi i mësimit ka vështirësitë e veta. Ajo që doja unë të theksoja është fakti që, pavarësisht moshës të gjithë fëmijët e njohin pak ose aspak gjuhën shqipe.
1-Pra për të gjithë fëmijët ne synojmë njohjen sa më të mirë të tingujve, të shkronjave dhe një artikulim sa më të pastër të tyre.
2-Synojmë që fëmijët të kenë aftësinë që të shkruajnë dhe të flasin bukur gjuhën shqipe.
3-Synojmë që të zhvillojmë tek fëmija kompetencën e të shprehurit dhe të komunikimit në gjuhën shqipe.
4-Synojmë gjithashtu që të ruajmë dhe të zhvillojmë identitetin kombëtar, përçimin e vlerave tona kombëtare tek fëmijët.
Por si realizohet kjo? Është vetë mësuesi ai që, duke u bazuar tek nxënësi, mundohet të bëjë një gërshetim, një ndërthurje, të lojës me detyrën. Është mësuesi që është arkitekt i orës së mësimit, është ai piktori që i jep ngjyra tablosë së tij për ta bërë sa më të bukur, sa më tërheqëse për nxënësin. Me fëmijët e kursit tim unë kam bërë një ndarje në tre grupe :
-fëmijë që kuptojnë dhe flasin shqip
-fëmijë që kuptojnë por nuk flasin shqip
-fëmijë që as kuptojnë dhe as flasin shqip
Pra kemi një grup të madh të themi me këto tre nëngrupe. Secili do përkujdesjen e duhur në bazë të moshës dhe të asaj ç`ka di. Pra mësuesi mundohet ta bëjë një orë mësimi sa më produktive, sa më të bukur, sa më argëtuese, mundohet të sjellë tek zgjoi ato bletët e vogla. Mësuesit e Diasporës punojnë shumë, jo vetëm gjatë orës së mësimit në rolin e mësimdhënësit, por një punë e vështirë është gjithashtu edhe afrimi i fëmijëve në kurset e gjuhës shqipe. Në dallim nga mësuesit në Shqipëri që problemin e mjediseve apo edhe numrit të nxënësve e kanë të zgjidhur dhe i përkushtohen vetëm procesit të mësimdhënies, mësuesit e DIASPORËS, mësuesit e Greqisë, janë ata që luftojnë me të gjitha format dhe mënyrat , për mundësimin e klasave nga autoritetet lokale, afrimin e nxënësve në këto kurse dhe gjithashtu më e rëndësishmja, për të krijuar dhe zhvilluar një mësim sa më të mirë dhe duke iu përshtatur gjithmonë mundësive dhe kapacitetit të fëmijës për të kuptuar dhe folur shqip.
GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR
Shqiptarët kudo që janë kanë qëllim ruajtjen e gjuhës sonë, prandaj edhe kërkohet angazhim nga se ruhet kombi ynë që është edhe themel i godinës sonë shtetërore. Sa më i fortë që të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina. Humbja e gjuhës vë në pikëpyetje edhe identitetin kombëtar.Janë këto disa nga fjalët e një profesorit tim të dikurshëm që nuk i kam harruar kurrë dhe sot që jam në mërgim mendoj se janë më të vlefshme se kurrë. Për të inkurajuar mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e diasporës, të gjithë bashkë ne mësues, prindër e të afërm duhet të përpiqemi të zgjojmë interesin për gjuhën shqipe. Të synojmë që të ruajmë dhe të zhvillojmë identitetin kombëtar, përçimin e vlerave tona kombëtare tek fëmijët. Rëndësia e mësimit të gjuhës shqipe është jo vetëm e madhe, por e domosdoshme për të gjithë shqiptarët kudo që jemi, sepse jo vetëm pasurohemi me dijet dhe shprehjet e bukurise së gjuhës shqipe, por edhe e lartësojmë nivelin kulturor e njëkohësisht i mbrojmë dhe i forcojmë rrënjët e krenarinë e qenësisë shqiptare.
BASHKËPUNIMI PRINDËR NXËNËS DHE E ARDHMJA E KURSIT SHQIP
Siç e theksova dhe më lart interesi nga ana e prindërve për mësimin e gjuhës shqipe nuk është në nivelin që duhet. Unë do të përqëndrohesha më tepër tek prindërit e fëmijëve që unë kam. Janë familje që kanë vite që janë integruar në shoqërinë vendase, por janë besnikë të mendimit që të integrohesh sa më shpejt në një shoqëri të huaj nuk do të thotë të flasësh vetëm gjuhën e vendit mikpritës dhe të harrosh gjuhën e vendit tënd.Te prindërit e fëmijëve kam gjetur mundësinë e një bashkëpunimi të mirë, të realizimit sa më të mirë të atij trinomit prind –mësues- nxënës që do na ndihmojë për një ecuri të mirë të nxënësve në mësimin e gjuhës shqipe. Ajo çka doja unë të theksoja është fakti që, fëmijët e familjeve që flasin gjuhën shqipe në shtëpi kanë një ecuri mjaft të mirë dhe e kundërta. Sepse mendoj se, në rradhë të parë është prindi ai timonieri që i jep drejtimin anijes, ai që duhet të ndikojë edhe më tepër, ai që duhet të insistojë që fëmija i tij të mësojë shqip, të mësojë gjuhën dhe traditat e vendit nga vjen. Fëmijët tanë në Greqi janë me rezultate mjaft të mira në shkollë, kanë aftësi të shumta në këngë, vizatim apo dhe në fusha të tjera. Dhe të gjithë prindërit së bashku me mësuesit duhet të dinë ti koordinojnë të gjitha këto edhe për mësimin e gjuhës shqipe. Lind pyetja: Çfarë duhet të ndryshojë për të siguruar vazhdimësinë e mësimeve, tek brezi i dytë e i treti në vijim? Është diskutuar mjaft herë nga të gjithë kolegët e mi, që nuk mjafton vetëm dëshira dhe puna e mësuesve të gjuhës shqipe për vazhdimësinë e kurseve. Hallka më e rëndësishme për mendimin tim është bashkëpunimi i prindërve me mësuesit.Në radhë të parë me dëshirën për të çuar fëmijët në kurset e gjuhës shqipe që nuk janë të pakta në ditët e sotme. Janë prindërit ata që duhet t`u krijojnë mundësinë fëmijëve për të mësuar gjuhën shqipe, gjuhën mëmë, pasi dihet që gjuha mëmë është bazë për mësimin e të gjitha gjuhëve të tjera.
SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË
Pandemia…Përveç të gjitha problemeve që hasen tek kurset e gjuhës shqipe, mësuesve u është dashur të kapërcejnë edhe një barrierë tjetër, siç është pandemia. Duke u përqëndruar tek kursi im gjatë këtyre viteve, mund të them që vështirësirë kanë qenë të konsiderueshme. Do të doja të ndalesha pak më gjatë këtu. Siç e theksova dhe më lart vitin e parë të mësimit, kursi i gjuhës shqipe filloi në kushte normale, por me fillimin e papritur të pandemisë u detyruam të punonim online.U munduam të gjenim mënyra sa më të thjeshta në përdorim nga prindërit, gjithashtu dhe efikase në procesin e mësimit. Si fillim, duke qenë se rrjetet sociale janë sot gjithmonë e më të përdorura u munduam t`i shfrytëzonim për vazhdimin e mësimit. Sot vazhdojmë të punojmë përsëri online nëpërmjet platformave të ndryshme. Mësimi online është mjaft i vështirë për fëmijët, pasi mos harrojmë që na duhet t`u mësojmë gjuhën shqipe fëmijëve që janë lindur dhe rritur në Greqi, fëmijë dygjuhësh me probleme të shumta në aspektin e kuptimit të gjuhës, të artikulimit të saktë dhe të qartë të tingujve.Puna në klasë të krijon mundësi më të madhe që ti ndihmosh nxënësit për një artikulim sa më të pastër dhe të qartë të shkronjave dhe të fjalëve. Dhe çështja më e rëndësishme për t`u diskutuar për mësimin online është edhe teknologjia. Jemi të vetëdijshëm që jo të gjitha familjet i kanë mundësitë për një përdorim sa më të mirë të teknologjisë. Pavarësisht të gjitha vështirësive që sapo përmenda, do të shtoja që nxënësit e kursit kanë punuar gjatë periudhës së pandemisë me librat shkollorë dhe Fjalorin Shqip-Greqisht të dhuruar nga Qendra e Botimeve për Diasporën. Por puna jonë nuk ndalet vetëm tek tekstet , ne mundohemi të shfrytëzojme çdo platformë e çdo mënyrë që na duket e vlefshme për mësimin e fëmijëve. Zhvillimi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe kryhet në fundjavë, por mësuesi punon gjatë gjithë javës për të nxjerrë një orë mësimi sa me efektive, pse jo edhe duke dërguar gjatë javës tek fëmijët video me këngë apo me filma, gjëagjëza nga yootub në gjuhën shqipe për fëmijët. Megjithëse në kohë pandemie fëmijët e Kursit të Gjuhës Shqipe Katerini janë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet festive që janë zhvilluar online nga LMSHG.Kanë qenë përkrah moshatarëve të tyre nga të gjitha qytetet e Greqisë duke recituar e kënduar në gjuhën shqipe.Festa e 7-Marsit ditës së mësuesit, festa e flamurit tone kombëtar, festa e Pavarësisë së Kosovës, festa e ditës së gjuhës amtare ka bërë bashkë dhe në një zë të gjithë bijtë e vegjël të shqipes.
KUSH ËSHTË MAJLINDA LIPI?
Kam lindur dhe jam rritur në qytetin ku u lindën serenatat, në Korçë. Në një qytet në formë zemre, ku kitarat netëve marrohen (ashtu siç e përshkruan edhe poeti i madh korçar S.Rusi. Kam mbaruar studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Fakultetin e Mësuesisë në Universitetin “Fan S.Noli” në Korçë. Gjithashtu jam diplomuar në Master në Mësimdhënie po në Universitetin e Korçës.Çdo gjë e kam të lidhur me qytetin tim të lindjes Korçën. Lojrat e fëmijërisë në rrugicat me kalldrëm, vitet e bukura të adoleshencës , edhe studimet e mia janë të lidhura ngushtë me të. Gjithë jeta ime ka qenë ai qytet që për mua do mbetet gjithmonë magjik. Prej 11-vjetësh jam larguar prej tij, por ai kurrë prej meje.Madhështia dhe bukuria e tij më kanë shoqëruar kudo. Gjithmonë kam pasur mall për vendlindjen. Dhe duke u mbështetur tek folklori ynë i artë do të doja të citoja këto vargje të popullit tonë: Po dëgjon zogu i shqiptarit/amanetin e mërgimtarit/ngado të vini e ngado të shkoni/vendlindjen kurrë mos e harroni. Gjatë viteve që kam jetuar jashtë Shqipërisë jam angazhuar në Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Greqi fillimisht si anëtare dhe sot bëj pjesë midis shumë kolegëve të mi të nderuar në Këshillin Drejtues të LSHMG-së. Jam pjesë e mësuesve që bëjnë pjesë në regjistrin shtetëror të mësuesve të Diasporës, miratuar nga Ministria e Diasporës së Shqipërisë. Pandemia pati ndikim të madh në jetën e gjithsecilit prej nesh , por na ofroi edhe mundësinë për ndjekjen e mjaft programeve studimi online që u zhvilluan nga universitetet e Athinës dhe të Selanikut. Kam marrë pjesë në mjaft seminare online në fushën e mësimdhënies, për teknikat bashkëkohore të mësimdhënies, të organizuara nga kolegët tanë shqiptarë në mbarë botën, nga kolegët e Italisë, të Anglisë, të Amerikës. Gjithashtu kam marrë pjesë dhe në mjaft seminare të zhvilluara në shtetin grek që i perkasin përsëri fushës së mësimdhënies. Aktualisht vazhdoj studimet në Institutin e Formimit Profesional në qytetin e Katerinit(Ινστιτούτα Επαγγελματικής Κατάρτισης Kατερινη) përsëri në fushën e mësimdhënies.