Dr. Erion Dasho/
“Mashtrimi fluturon, e vërteta e ndjek pas çalë-çalë”, Xhonatan Suift
1. Një parathënie e gjatë (dhe një këndvështrim gjysmë filozofik)
Mendoni njerëzimin në fillesat e tij, kur sapo kishte nisur të artikulonte fjalët e para. Të vetmit persona që mund të dëgjonin “të mençurin e fisit” ishin pjesëtarët e vetë fisit. Trashëgimia gojore ishte e vetmja mundësi për të transmetuar brez pas brezi dijen e krijuar me mundim. Kur fisi zhdukej, zhdukej e humbte edhe DIJA.
U deshën dhjetëra mijë vjet që gjuha të shkruhej. Tashmë hieroglifet apo gdhendjet në gur mund të lexoheshin nga pasardhësit, madje ne sot mund të lexojmë gdhendjet e sumerëve të para 5 mijë vjetëve. Por përhapja e dijes mbeti sërish problematike. Vetëm ata që kishin mundësi të udhëtonin deri tek guri, apo tek të cilët mund të shkonte dërrasa, papirusi, letra e shkruar, etj., mund të mësonin çfarë ishte shkruar në kopjet e pakta të dokumentuara të DIJES.
Me shpikjen e shtypshkrimit u shtua ndjeshëm numri i kopjeve të disponueshme, u ul kosto dhe mbi të gjitha u rrit qasja tek informacioni dhe DIJA. Shtypshkrimi bëri të mundur demokratizimin e “dijes” dhe “së vërtetës”. Ai luajti rol përcaktues në forcimin e qytetërimit perëndimor, deri në pikën sa ai vazhdon të jetë qytetërimi që mbizotëron botën.
Në të njëjtën kohë shtypi shërbeu edhe si standard për të vërtetën, pasi jo çdokush mund të botonte ç’të donte dhe kur të donte. Dikush duhet të vendoste se çfarë mund të botohej dhe çfarë jo. Shpesh këtë e përcaktonte tregu me ligjin e ofertës dhe kërkesës. Përveç çmimit, në atë se çfarë mund të botohej sigurisht luajtën rol edhe interesat, paraja, censura, etj., por gjithsesi traktati, manuali, enciklopedia, revista shkencore, etj., u pranuan nga shoqëritë si etalone të së vërtetës.
U krijuan kësisoj disa standarde të cilat nënkuptoni cilësi. P.sh., kur një kardiolog dëshironte të mësonte të rejat e profesionit të vet, duhej të lexonte revistat “Circulation” apo “European Heart Journal”. Vetëm duke marrë informacion nga burime të besueshme mjeku ishte i bindur se çka po lexonte ishte ajo që pjesa dërrmuese e kardiologëve në botë e kishin cilësuar si “dije” ose “të vërtetë” në atë moment të caktuar kohor.
Pra, njerëzimit ju deshën dhjetëra mijë vjet të kalonte nga belbëzimet, tek gjuha e folur, tek shkrimi dhe për të përfunduar tek shtypshkrimi. Ishte ky i fundit që mundësoi përqendrimin e dijes, sistemimin e saj, lejoi që DIJA të zhvillohej me një ritëm të jashtëzakonshëm dhe të përhapej tek pothuajse kushdo që dëshironte ta mësonte atë.
Ç’ndodhi në epokën e internetit?
Për të kuptuar përmasat e “shpërthimit eksponencial të informacionit” gjatë 30 viteve të fundit mjafton vetëm një tregues. Në një periudhë kaq të shkurtër njerëzimi ka prodhuar 25 milionë herë më tepër informacion krahasuar me gjithë historinë njerëzore. Ndërkohë rrjetet sociale bënë që pragu për të shpërndarë atë që dikush e konsideron “informacion” apo “dije” të ulet ndjeshëm deri në zerim. E vetmja pengesë mbeti vetëdiskrecioni.
Një autor informacioni mjafton të besojë se ka diçka që vlen të ndahet me “rrjetin” dhe e arrin këtë nëpërmjet disa klikimeve. Pavarësisht se gjuha e folur apo estetika e shprehjes mund të mos ndryshojë shumë nga ajo e “të mençurit të fisit” që përmenda në fillim të statusit, dhe gjuha e shkruar mund të jetë shumë më pak e kultivuar se ajo e shkruesve sumerë të para 5 mijë vjetëve, mjaftojnë disa sekonda ose minuta që autori të ndajë “dijen” e vet me gjithë botën.
Kështu arritëm në pikën ku facebooku, tiktoku, instagrami, etj., janë mbushur me burime “informacioni” të cilat algoritmet i shpërndajnë vetëm në funksion të një qëllimi, rritjes së trafikut në rrjetin përkatës. Nuk ka rëndësi nëse dikush që promovon se toka është e sheshtë, shkruan edhe për terapitë gjenetike. Nuk ka rëndësi nëse jep mendime dhe këshilla për vaksinimin një reper, apo një “influencuese” që si zanat të parë ka promovimin e silikonit. “Dija” e tyre u shkon në çast të gjithë rrjetit të ndjekësve, i bën vetes vend nëpër portale dhe jo rrallë merr statusin e standardit!
Kështu bota arriti në pikën kur malli më i rrallë dhe më i çmuar është bërë E VËRTETA! Kushdo që kërkon të vërtetën duhet të harxhojë kohë, mundim dhe sigurisht të ketë një përafrim që është njëkohësisht i shëndetshëm, përzgjedhës dhe mendjehapur. Fatkeqësisht, edhe mendjet më të shëndosha midis vdekatarëve të shekullit të XXI e kanë shpesh të vështirë të gjurmojnë TË VËRTETËN dhe të përfitojnë nga E VËRTETA.
2. Në kërkim të së vërtetës
Ju futa kësaj përsiatjeje të gjatë mbi historikun e DIJES dhe SË VËRTETËS për shkak të atyre që kam lexuar muajt dhe vitet e fundit rreth konspiracioneve dhe nxitësve të teorive konspirative, kryesisht në fushën time të dijes, shëndetësinë.
Dikush që kishte paralajmëruar se vaksina kundër COVID-it do të përdorej për të vrarë Xho Bajdenin dhe Kamala Harrisin dhe parashikon çdo ditë fundin e botës, në vend që të kërkojë falje për plehun që ka hedhur dhe hedh në mendjet e njerëzve, shfaqet papritur si Nostradamus vetëm sepse në diarrenë e parashikimeve të veta, një ose dy midis qindrave janë vërtetuar!
Por ka edhe më keq. Për shembull, kur del një zë i respektuar, që fatkeqësisht merr një paçavure të prodhuar nga kushedi ç’konspiracionist i fantaksur dhe e paraqet këtë si shkencë, vetëm sepse përfundimi i të fantaksurit përputhet me idetë e veta po aq të çuditshme dhe larg shkencës së vërtetë.
I madhi Mark Tuejn dikur shkruante “Kujdes me ato që lexoni në librat mjeksorë; mund të vdisni nga një gabim shtypi”. E njëjta gjë duhet përsëritur sot me shumë më tepër forcë. Kujdes se ku informoheni dhe cilës këshillë i besoni, sidomos në rrjetet sociale dhe mediat online!
Shëndeti është pasuria më e madhe e njeriut dhe në kohën kur DIJA dhe E VËRTETA janë bërë të vështira për t’u hulumtuar, çdokush duhet të jetë super i kujdesshëm. Bëhuni përzgjedhës në informacionin që merrni dhe besojuni vetem burimeve që kanë dhënë prova se bazohen mbi shkencë dhe gjykim të shëndoshë.
3. Përfundim
Në përfundim të këtij viti aspak të lehtë dhe në vigjilje të një kohe që po bëhet gjithmonë e më e vështirë për t’u informuar dhe orientuar, këshilla ime për miqtë realë dhe virtualë mbetet e njëjta.
KËRKONI GJITHMONË TË VËRTETËN DHE, MBI TË GJITHA, MËSONI SE SI TA KËRKONI ATË! E VËRTETA ËSHTË SOT MALLI MË I ÇMUAR PËR MIRËQËNIEN TUAJ FIZIKE, MENDORE DHE SOCIALE! ATË QË PREJ GATI 80 VITESH E KEMI PËRKUFIZUAR SI SHËNDET!