Shkruan: Astrit Lulushi/
Arsya dhe fuqia, gjithmonë në luftë të përherëshme që nga zanafilla, herë bëhet e ashpër, rrallë herë e pajtueshme. Arsyeja vazhdon udhën e vet pa fund përballë fuqisë. Edhe fuqia bën të njëjtën gjë, megjithë pengesat që lehtësisht i rrëzon. Aftësitë e njeriut janë të endura në mbijetesë. I dituri mënjanohet nga pushteti; i fuqishmi mbetet pa dije. Fuqia ofron lajka, dhurata e pozita dhe tërheq vetëm mediokritet, mbyllet, por ajo ka forcën dhe e përballon këtë humbje. Dija këto nuk i ka; ajo hap mendje, kthjellon, ndriçon udhët, përhapet dhe ofron gjithnjë zgjidhje të reja. Kombin, që Aleksandri i Madh e preu me një të rënë shpate – Nyjen Gordiane – Filozofi do ta kishte zgjidhur me durim; dhe anasjelltas, rrezet e diellit që për Diogjenin ishin jetike, Aleksandri i mbuloi me trupin e tij. Bazuar në këto ide të asaj kohe, Platoni doli me mendimin se qeverisja e mirë vjen vetëm me njerëz të ditur në pushtet, dhe dhuna mund të shmanget.
Shkolla sot mëson aftësi që siguron shpërblim, karrierë, kënaqësi dhe përmbushje. Ky interes i përtërirë për të mësuar “praktikë” të kujton shprehjen “Ai mësoi aq shumë sa që mund të emëronte një kalë në nëntë gjuhë; dhe prap mbeti aq injorant sa bleu një lopë për të hipur.”
Interneti i jep përparësi studimit “praktik”, që mbështetjen e dijes e bën shqetësim sekondar. Kjo ka një logjikë të caktuar. Fuqia është në pushtet – duke parë bishtin vlerëson qenin. Përqëndrimi në aftësitë për të njohur thelbin mbetet në hije. Duke pasur parasysh shpërthimin e teknologjisë dhe aksesin në informacion, mund të thuhet se studentët e sotëm mësojnë si të mësojnë të mendojnë në vend që të zotërojnë dije. Kështu, të mësuarit social dhe emocional është po aq i rëndësishëm sa edhe rezultatet e vlerësimeve akademike, një lloj praktike pa teori dhe teorie pa praktikë.
Disa prej kohësh kanë paralajmëruar se kjo është marrëzi. Edhe pse studentët mësojnë të lexojnë, gjë që domosdoshmërisht përfshin aftësi të tilla si të kuptuarit, nevoja e tyre më e madhe është njohuria për përmbajtjen. Boshllëqet nuk shkaktohen nga mungesat e aftësive, por nga boshllëqet e dijeve. Kur lexuesit i jepet një histori për një temë që ata e njohin, gjetja e idesë kryesore është punë e lehtë. Në të kundërt, jepuni lexuesve një pasazh për diçka për të cilën nuk dinë asgjë, dhe ata do të kishin pak shanse për të gjetur idenë e saj. Studiuesit kanë vënë re se kur në vendet ku leximi i pasur me përmbajtje lihet pas dore, performanca e njerëzve zvogëlohet; sa më pak lexim aq më e madhe është humbja dhe njeriu i bashkohet turmës me ‘like’ e ‘comment’ bajate, apo vazhdon të adhurojë e të jetë nostalgjik për shkrime që ndoshta as i ka lexuar deri në fund për të kuptuar idenë e tyre nga epoka e socializmit. Këta lexues mahniten me bukurinë e të shprehurit dhe mbeten aty, humbasin, pa mundur të mbërrijnë tek thelbi.