Vilma Proko
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Tiranë/
Profesor Andrea Shundi është ndër studiuesit më të shquar sot të inxhinierisë agrare; figurë qendrore e shkencës së vreshtarisë dhe verëtarisë. Ky kontribut i madh i dalluar i profesor Andreas vështirë matet, vlerësohet e paraqitet në një trajtesë si kjo që i kushtohet një përvjetori të rëndësishëm të jetës së tij – 90-vjetorit (15 nëntor 2024), të cilin nuk e arriti dot, e që do të shënohej sigurisht ashtu siç e meritonte jeta dhe vepra e tij. Profesor Andrea Shundi lindi në Tiranë në vitin 1934 dhe kreu gjimnazin më 1952. Më pas ndoqi studimet e larta e u diplomua në Institutin e Lartë Bujqësor (1956 sot, Universiteti Bujqësor i Tiranës). Rrugëtimi profesional i ndërlidhur me veprimtarinë në institucione shkencore zë fill në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë (1956–1960, bashkëpunëtor shkencor); e në vijim në v. 1960–1964 kryeagronom i rrethit të Lushnjës. Në vitet 1964–1975 u emërua drejtor i drejtorisë së punës shkencore në Ministrinë e Bujqësisë dhe kryeredaktor i “Buletinit të shkencave bujqësore”; më 1976–1980 drejtor i ndërmarrjes së farërave në Tiranë. Më 1980–1992 dha mësim në Fakultetin e Agronomisë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe katër vitet e fundit (1988–1992) qe dekan i Fakultetit.
Mbrojti doktoraturën në vitin 1989. Në vitet 1994–1999 u emërua në Akademinë e Shkencave me detyrën e sekretarit shkencor të Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike në ASH, si edhe mbajti detyrën e kryeredaktorit të revistës “AJNTS”. Nga viti 1998 jetoi midis SHBA dhe Shqipërisë, duke zhvilluar një veprimtari të dendur shkencore e botuese, dhe duke u bërë edhe më i njohur si një personalitet shkencor i bujqësisë shqiptare në fushën ndërkombëtare. Veprimtaria dhe bibliografia e tij shkencore është jashtëzakonisht e pasur. Studioi për shumë vite teknikat e kultivimit të bimëve dhe veprimtarinë shkencore e përqendroi në prodhimin foragjer dhe në vreshtari e verëtari, duke botuar rreth 30 artikuj shkencorë dhe 128 artikuj teknikë, një pjesë e botuar në revista ndërkombëtare, si edhe monografi, libra dhe traktate (pothuaj 48 libra dhe tekste, me një vëllim mbi 10 mijë faqesh. Përmendim disa më kryesoret: “Doracak për sistemimin e tokave” (1969), “Përmirësime agronomike në prodhimin e hasëlleve” (1981), “Agroteknologji dhe veçori të prodhimit foragjer intensiv” (1984), “Fitoteknia” (tekst universitar, 1980 dhe 1987, me bashkautor), “Ligjësi dhe parametra për selitjen e bimëve” (1984), “Bimët foragjere dhe bujqësia e përgjithshme” (1984), “Bimët foragjere” (1988, me bashkautor), “Bujqësia dhe veprimi agronomik në trojet shqiptare” (2001), “Foragjeret në zonën e ftohtë” (2004), “Jetë agronomike” (2004), “Prodhimi shtëpiak i rrushit dhe i verës” (2008), “Wisdom from vine and wine” (2012), “Hortikultura – vështrim enciklopedik” (2017), “Verëtaria praktike” (2019) etj.
Duke qenë se fusha tematike e leksikut bujqësor është nga më të gjurmuarat e më të studiuarat nga gjuhëtarët shqiptarë në këtë hulli hyri edhe studiuesi Andrea Shundi. Kureshtja e tij shkencore për gjuhën shqipe zë fill me recensionin vlerësues për Fjalorin e terminologjisë së bujqësisë anglisht-shqip dhe shqip-anglisht të Latif Susurit (Prishtinë, 1999). Duke qenë një studiues i historisë së traditës së gatimeve shqiptare, kultivimit të rrushit dhe prodhimit të verës atij i pëlqente shumë të botonte mbi pasuritë e frazeologjisë së gjuhës shqipe mbi ushqimin dhe verën shqiptare, duke u përpjekur kështu të ruante elemente të trashëgimisë së kombit të origjinës, duke emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qysh më 1998.
Më 2005 në bashkëpunim me kolegun Arif Daçi botuan Fjalor shtjellues Vreshtaria dhe Verëtaria, që u pasua nga Fjalor enciklopedik për vreshtarinë dhe verëtarinë (2010) dhe Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë (2012), Hortikultura: vështrim enciklopedik. Shqip-anglisht me rreth 4.600 terma (Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2017- me bashkautor). Me zell të admirueshëm Andrea Shundi ka mbledhur edhe dhjetëra e dhjetëra fjalë të urta për verën e për vreshtin. Kur i hyri punës për të shtjelluar një pjesë të dijeve e të përvojave të tij shkencore e jetësore në trajtën e një fjalori u përball me jo pak pikëpyetje e probleme, redaktoriale e shkencore, për të cilat specialisti përkatës ka nevojë për këshillim e për bashkëpunim me një filolog.
Meqenëse kam punuar për mbi 15 vjet në Qendrën e Enciklopedisë Shqiptare kam pasur fatin të punoj me personalitete të ndritur të shkencës shqiptare të fushave të ndryshme, e ndër të cilët me prof. Andrean i cili qe anëtar i Redaksisë së Bujqësisë, Blegtorisë dhe Pylltarisë të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, 3 vëll. 2008-2009, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si edhe hartues i zërave enciklopedikë si vijojnë: “Bimët foragjere” (me ba.), “Bimët graminore”, ”Graminoret”, ”Hasëllet”, “Jonxha” (me ba), “Livadhet” (me ba.), “Kolëza dhe Perkoja”, “Silazhi” (me ba.) dhe “Tërfilet”.
Në vijim të kontributit të tij për Enciklopedinë po jap edhe disa fragmente nga artikulli i profesor emeritur Emil Lafe (Kryeredaktorit të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, 3 vëll. 2008-2009), të titulluar Arbërishtja në një Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë, në revistën “Jeta arbëreshe”, nr. 75, 2013, f. 46–47. Citoj:
“Enciklopedia për vreshtarinë dhe verëtarinë” ka 870 faqe të formatit të madh. Për gëzimin e autorit dhe të miqve e kolegëve të tij libri doli nga shtypi në nëntor 2012, kur festohej 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë kombëtare.
kjo enciklopedi nuk është fryt i një pune vetëm në kabinet, por edhe i një pune të madhe në terren, duke u takuar me dhjetëra e me dhjetëra specialistë. 3200 artikuj që ka ky libër për vreshtarinë e verëtarinë, të vendosur në rend alfabetik, përfaqësojnë jo vetëm një enciklopedi teknike, po edhe një enciklopedi të përvojës (eksperiencës) mijëravjeçare dhe të kulturës popullore shqiptare në këtë fushë. Titujt e artikujve janë dhënë edhe anglisht e italisht (p.sh. Hardhi: Grapevine, Vine; Ceppo, Vigna, Vite; verë: Wine; Vino), dhe shoqërohen rregullisht me një a disa sinonime. Rreth 500 foto e skema ilustrojnë e konkretizojnë përmbajtjen e një vargu zërash nga gjithë aspektet e prodhimit e të përdorimit të rrushit e të verës dhe të vlerave të tyre. Autori, ashtu siç ka mbledhur me kujdes çdo gjë që ka të bëjë me vreshtin, me dhrinë, me rrushtë e me verën, ka mbledhur edhe emërtimet, termat, fjalët e tyre, dhe kështu kemi te kjo enciklopedi besoj edhe mbledhjen më të pasur të fjalëve, të shprehjeve e të proverbave (fjalët e urta) që kanë të bëjnë me vreshtin e me verën. Autori ka vënë në libër gjithë sinonimet që ka mundur të mbledhë me kujdes kudo ku ka vajtur vetë dhe nëpër librat që ka lexuar. Më kujtohet se një ndër fjalët e urta apo proverbat e parë që na kanë mësuar në shkollë, është: “S’bëhet vreshti me urata, po me shata, me lopata!”. Vera bashkë me bukën janë simboli i jetës, janë vetë jeta dhe këtë na e thotë fjala e urtë arbëreshe “Bukë e verë dhe më gjë (asgjë tjetër)”. Edhe urimi arbëresh Rroftë gjuha jonë sa buka e vera! do të thotë rroftë në jetë të jetëve, mos vdektë kurrë!
“Enciklopedia” e prof. A. Shundit ka vlera teknike të padiskutueshme edhe për vreshtarët e verëtarët arbëreshë dhe për cilindo dashamir të verës, sepse vreshtaria e verëtaria arbëreshe është e lashtë, vjen nga dheu i vjetër i Arbrit dhe ka qenë e mbetet një ndër burimet kryesore për ekonominë e jetesën e arbëreshëve. Habitesh kur mëson nga kjo enciklopedi dëshmitë e kultivimit të hardhisë dhe të përdorimit të verës te Shqiptarët që nga lashtësia! Prof. Andrea Shundi (1934) është si vera e moshuar, një specialist me përvojë (eksperiencë) të gjatë; ashtu është edhe “Enciklopedia” e tij, që e meriton me të vërtetë titullin enciklopedi, se brenda në të janë të gjitha ato që ka krijuar njeriu brez pas brezi për vreshtin e për verën. Autori i ka shpjeguar bukur, qartë, shkoqur, thjesht, që ta kuptojnë të gjithë. Sa është munduar për anën profesionale të librit, aq ka pasur kujdes që ta shkruajë me një gjuhë shqipe të pastër e të qartë, të përdorë gjithë ato fjalë që ka dëgjuar e ka mbledhur andej-këtej nëpër vreshtat e atje ku bëhet vera. “Enciklopedia për vreshtarinë dhe verëtarinë” është edhe një përpjekje e lavdërueshme për të kodifikuar terminologjinë teknike të kësaj fushe. Këtu nënkuptohet edhe pasurimi i saj me neologjizma, siç janë edhe fjalët verëtar e verëtari të formuara bukur sipas shembullit të fjalëve vreshtar e vreshtari. Ky është një shembull për t’u ndjekur edhe nga specialistë të tjerë që botojnë vepra të ngjashme. Mua, si njeri që jam marrë tërë jetën me punët e gjuhës shqipe, më bën përshtypje të thellë, që në këtë “Enciklopedi”, që është një libër teknik, gjuha shqipe e këtushme me arbërishten gjallojnë për bukuri së bashku dhe plotësojnë njëra tjetrën. Kemi të bëjmë me një mbushulli në arbërisht, duke arritur në 650 terma, sinonime, fjalë të urta, thënie, gjëza, doke, këngë, rite, mite etj.
Një varg termash dhe sinonimesh të arbërishtes vërtet përbëjnë thesar për gjuhën shqipe të sotme, sepse janë me prejardhje nga brumi i lashtë i saj dhe jo vetëm tingëllojnë hijshëm, por janë edhe të përshtatshme teknikisht. Si të tilla mund të përmendim: bancim – lidhje e shermendeve dhe e lastarëve, biljezë – fidan, ciarlë/cice – kanë, fillestar – lastar, fytim – mbëltim, kryerinë – bucelë, lisarjel – pjergull, ncëtim – shartim, ngallim dhe ngjepsje – ngjërim, nocull – bërsi, pénjith – dredhcë, pishnesë – dolli, rrimurtatje – rienësim, shkëmesje (me kmesë) – krasitje, shtrydhore – trokull, shungasje – larosje etj.
Po për kë e ka shkruar prof. A. Shundi këtë enciklopedi? Enciklopeditë shkruhen për të gjithë! Ndër këta “të gjithë” përfshihen: së pari ata që merren me mjeshtërinë e vreshtarisë e të verëtarisë si profesionistë ose si amatorë; pastaj të gjithë ata që duan të dinë më shumë për vreshtin, për rrushtë, për verën. Enciklopedia është dhe një manual i kulturës në këto fusha. Aty mëson karakteristikat e llojeve të ndryshme të hardhive, të rrushit e të verërave. Mëson t’i shijosh vetë më mirë dhe të ndiesh më shumë kënaqësi duke pirë nga një qelq verë në shtëpi e në shoqëri.
Autori, prof. dr. Andrea Shundi ka bërë përpjekje për të përdorur një gjuhë sa më se të dëlirë e të qëruar, madje e ka pasuruar me terma për vreshtarinë dhe verëtarinë, duke i shqipëruar ato. Nga ana tjetër, ka qëmtuar dhe paraqitur 3200 sinonime për termat përkatës. Për shembull, termi shermend përplotësohet me sinonimet që e qerthullojnë: degëz, hark, mashkullor, saramendë, spalë. Së fundi, të 800 fjalët e urta që autori i ka vendosur në artikuj të caktuar, lehtësojnë kuptimin dhe gjallërojnë përmbajtjen e vetë artikullit përkatës. Është e habitshme se sa shumë fjalë të urta, shprehje e thënie të ndryshme, po edhe gjëza, doke etj. për vreshtarinë e verëtarinë gjallojnë tek Arbëreshët. Ato përbëjnë pa dyshim një tjetër dëshmi të lashtësisë dhe të traditës që kanë pasur këto dy veprimtari në botën arbëreshe. Si margaritarë mund të vlerësohen: “Ai qiparis dhe ajo hardhi e bardhë, që i qarkohet përjetë”, “Bukë e verë dhe më gjë (asgjë tjetër)”, “Bukë e shërbyer, verë e matur”, “Fyto (mbëlto) hardhi edhe në prill”, “Hardhia, mbretëresha e pemëve”, “Me një vresht e me një palë (pajë/prikë), marton një bil (bijë)”, “Oj e bukura si vera!”, “Rroftë gjuha jon sa buka dhe vera!”. Fjalët e urta apo përthëniet në arbërisht, shprehin urtësinë popullore dhe mishërimin e këtyre dy veprimtarive për mbijetesën dhe mirëqenien e Arbëreshëve.
Përmbajtjen e artikujve teknikë në “Enciklopedi”, këto fjalë të urta e filozofojnë dhe e ndriçojnë më tej. Botimet arbëreshe dhe më gjerë që janë përdorur nga autori, arrijnë në 19 tituj, ku vendin e parë e zënë fjalorët e hartuar nga autorët Emanuele Giordano, Gaetano Gerbino, Giuseppe Filippini, Giuseppe Gallo, Pasquale Scutari, si dhe nga prof. Kolë Kamsi), po ashtu antologjitë e botuara nga papas Antonio Bellusci; autori ka nxjerrë materiale edhe nga leksiku i të folmeve të një vargu trevash arbëreshe, që ka përgatitur Universiteti i Kalabrisë nën drejtimin shkencor të prof. Franko Altimarit, si edhe materiale të tjera arbëreshe që janë mbledhur nga Enrico Ferraro dhe Francesco D’Agostino (www.mondoarberesco). Meritë e profesor Shundit është se ai disa terma dhe fjalë të urta i ka qëmtuar drejtpërdrejt nga goja e arbëreshëve te katundet përreth Kozencës dhe rreth Tarantos. Qëmtimi dhe paraqitja e këtyre termave, sinonimeve dhe fjalëve të urta në “Enciklopedi”, sikurse ka vepruar prof. A. Shundi, përbën një shembull të mirë për gjithsecilin që shqipen e arbërishten i sheh si njësi themelore të shprehjes dhe të ndërgjegjes mbarëshqiptare”.
Me këta fjalorë e enciklopedi, thotë profesor Emil Lafe në një shkrim me rastin e ndarjes nga jeta të profesor A. Shundit më 30 prill 2024, “….Andrea i ka bërë një shërbim të vyer edhe gjuhës shqipe. Në faqet e tyre (fjalorëve, shën. i imi, V.P.) ndihet dashuria e autorit për fjalën shqipe, kujdesi i tij për ta gjurmuar, për ta vlerësuar e për ta pasuruar me fjalë shqipe fjalorin e kësaj fushe, për të gjurmuar e pasqyruar sinonimet e shumta popullore kudo ku ka shqiptarë që vënë vresht, vjelin rrush, nxjerrin musht e verë, jo vetëm anembanë Shqipërisë që përshkruan Sami Frashëri, po edhe te arbëreshët e Italisë e te arbërorët e Greqisë”.
Vepra e profesor Andrea Shundit E(t)nogastronomia arbëreshe (shtjellohen 610 receta gjellësh dhe ëmbëlsirash), Tiranë, 2016, 437 f., e cila përmban edhe një fjalor për vreshtarinë e verëtarinë dhe shqyrtime filologjike është fryt i hulumtimeve fshat më fshat e shtëpi më shtëpi te Arbëreshët. Siç shprehet vetë, A. Shundi ka synuar që ligjërimi dhe shkrimi ynë “të bëhen më të pasur, të përpiktë, të fuqishëm e të hijshëm, pse jo edhe që të ruajmë pastërtinë e shqipes.”
Në këtë vepër hasen një varg fjalësh të urta që lidhen me veprimtarinë enogastronomike arbëreshe, siç thotë studiuesi Shundi: “fjalët e urta përbëjnë visare dhe dëshmi vijimësie të gjallimit gjuhësor dhe vreshtar-verëtar-enogastronomik arbëresh; shprehin urtësinë dhe mishërimin e këtyre veprimtarive ekonomike, jetësore dhe begatuese të arbëreshëve; për më tepër, mjeshtërinë dhe kulturën e punës e të jetesës së tyre, e filozofojnë dhe e ndriçojnë më tej”.
Prof. Emil Lafe në veprimtarinë e përurimit të kësaj monografie në vitin 2017 në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave do të shprehej: – Sa mbushullim fjalësh të urta dhe zakonesh për një veprimtari të caktuar që janë ruajtur e janë përpunuar më tej nga një bashkësi vetëm prej disa qindra mijë Arbëreshësh në Itali!
I gjithë ky material i pasur leksikor u mblodh me kujdes të veçantë nga profesor Andrea përmes dëshmive të ndryshme historike për traditën e vreshtarisë tek Arbëreshët e Kalabrisë gjatë tri ekskursioneve hulumtuese në vitet 2011-2013, duke dëgjuar me kujdes rrëfimet e atyre që merren me punët e vreshtit, të verës e të gatesave dhe duke prekur me dorë e duke ngjëruar nga pak ato që pastaj i ka përshkruar në libër, krahas gjurmimit e studimit të një vargu artikujsh, librash e dokumentesh arkivore. Vetë kreu IX i librit përmban fjalë të urta e zakone të Arbëreshëve të Kalabrisë e të Sicilisë për vreshtarinë, verëtarinë dhe enogastronominë (rreth 720 njësi), si: Duhi mir si buka e vera! Dhria isht mbretëresha e pemëve. Oj e bukura si vera! Grur shum e ver shum. Pa ardhur gushti, nuk piqet mushti.
Ky botim shkencor u prit me fjalë të ngrohta përgëzimi edhe në Panairin e Librit Arbëresh më 20 maj 2016 zhvilluar në Mbuzat të Kalabrisë (San Giorgio Albanese). Me këtë vepër prof. Andrea Shundi ka hyrë në familjen dhe në kuzhinën e vëllezërve arbëreshë; ushqehet me ta në tryezën e miqve; pi verë nga rrushi i vreshtit arbëresh; bashkëkuvendon dhe bashkëpunon me homologët arbëreshë në mënyrë që të fuqizohen studimet dhe botimet në fushën e gjuhës, kulturës e traditave arbëreshe, në kushtet e sotme të një rreziku potencial bjerrjeje të arbërishtes dhe shpreson që enogastronomia arbëreshe të jetë lartësuar siç i takon “në qelqe të verës dhe në ajkën e gatimeve”. Për më tepër mund të konsultohet edhe artikulli i përgatitur prej meje me titull: Fjalë të urta nga areali arbëresh, botuar në “Buletin shkencor” (Seria e shkencave shoqërore), organ i Universitetit të Shkodrës ”Luigj Gurakuqi”, nr. 74, 2024, përmes së cilit njihemi me mbushullimin dhe larminë pa mbarim të fjalëve të urta arbëreshe, të cilat pasqyrojnë jetën, traditën, kulturën dhe ekonominë arbëreshe, ku ka spikatur kallëzimi popullor, por që një pjesë e tyre mund të jetë zbukuruar nga dëshira e mirë dhe fantazia e krijuesve popullorë, madje duke i shndërruar deri në legjenda.
Librat e mësipërm të Andrea Shundit janë një ftesë e këndshme për të zgjeruar kulturën e(t)nogastronomike për pasurinë e traditës shqiptare për vreshtin dhe verën, e që nëpërmjet lashtësisë së fjalorit shqip të vreshtit, hardhisë, të rrushit e të verës të japë dëshmi të tjera për lashtësinë dhe autoktoninë e atyre që e ushtruan dhe e zhvilluan këtë mjeshtëri në këto troje brez pas brezi që nga kohët e stërlashta.
Profesor Shundi ka marrë pjesë me referate në disa kongrese botërore për foragjeret (Francë, 1987; Zelandë e Re, 1993; SHBA, 1995, Australi, 1999) dhe ka qenë gjithashtu ligjërues në universitetet e Viterbos dhe Potencës (Itali), si dhe në Selanik (Greqi). Ishte bashkëorganizues i konferencës kombëtare të shkencave bujqësore (1975); i simpoziumit “Shkencat agronomike në zhvillimet e reja ekonomike të Shqipërisë” (1991); si dhe i një numri seminaresh mbarëkombëtare për vreshtarinë dhe verëtarinë (2002–2010).
Meritat shkencore të profesor Andrea Shundit janë vlerësuar edhe me çmimin më të lartë kombëtar që jepet nga Akademia e Shkencave për shkencat natyrore e teknike, çmimin “Petrit Radovicka” (bashkë me akademik Nazim Grudën, 2018). Është nderuar me urdhrin “Mjeshtër i Madh” (2010) dhe me mirënjohjen “Nderi i Akademisë” nga ASH. Akademia e Shkencave ka miratuar botimin e një libri tjetër në bashkautorësi këtë vit, ku ai është autori i parë: “Ushqimi dhe (eno)gastronomia shqiptare” (2024).
Profesor Andrea Shundi do të jetojë e do të kujtohet përmes mijëra faqeve që ka lënë si pasuri të çmuar në bibliotekën shkencore të bujqësisë shqiptare dhe përmes shembullit të jetës së një dijetari me pak fjalë e me shumë vepra themelore, që koha do t’ua shtojë vlerën.
Dy vjet më parë, më 2-4 dhjetor 2021 kryesoi konferencën shkencore dyditore nga më të rëndësishmet në verëtari e hortikulturë, organizuar nga Akademia e Shkencave, kushtuar llojeve endemike të rrushit në Shqipëri e Kosovë, ku veçojmë sesionin shkencor “Verëtaria shqiptare – Tradita dhe ardhmëria (dhjetë verëra më përfaqësuese shqiptare)”.
Në ditët e sotme, ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës dhe i kulturës arbëreshe, në kushtet e një rreziku potencial bjerrjeje, përbën një problem madhor që lidhet me çështjet e mjedisit dhe të psikamës, e sidomos me përparimin ekonomik e botërorizimin. Natyra ndërdisiplinore e gjuhës, zakoneve, enogastronomisë së Diasporës arbëreshe e përtej saj kërkon studime e botime të shumta, njohje e përhapje të gjerë në të mirë të bashkësisë arbëreshe dhe të asaj mbarëshqiptare, të kulturës e të qytetërimit ndërkombëtar. Në këtë kontekst po përpiqemi të japim një kontribut modest përmes artikullit tim, botuar në revistën e studimeve arbëreshe “Continuum”, nr. 2. me titull: “Konsiderata të shkurtra për termat e e(t)nogastronomisë arbëreshe, si pasqyrim i forcës së gjuhës. Reflektime mbi monografinë “E(t)nogastronomia arbëreshe” e Andrea Shundit””.
E(t)nogastronomia në vështrimin filologjik dhe kulturor të botës arbëreshe përbën një pasuri gjuhësore të arbërishtes për vreshtarinë-verëtarinë-enogastronominë krahasuar me pasurinë gjuhësore të shqipes dhe italishtes në fushat reaspektive. Sipas burimeve historike Arbëreshët e parë i kthyen në vreshta e ullishta kodrat e shkreta e plot shkurre të viseve ku u vendosën në Italinë e Jugut. Dëshmitë gjuhësore e folklorike për vreshtarinë e verëtarinë, enogastronomia e mirëfilltë e trashëguar, përfaqësojnë një fushë etnokulturore sa të lashtë, aq dhe origjinale në ekonominë dhe në jetën shpirtërore të Ilirëve, Arbërve dhe Shqiptarëve si popull i pellgut të Mesdheut.
Monografia “E(t)nogastronomia arbëreshe” në të cilën shtjellohen 610 receta gjellësh dhe ëmbëlsirash, me 437 faqe, botuar në Tiranë, 2016, e prof. dr. Andrea Shundit trajton shqyrtime filologjike e kulturore për anën gjuhësore të vreshtarisë, verëtarisë, enogastronomisë e veprimtarive të lidhura me to, ndikuar edhe nga mjedisi gjuhësor italian.
Në mënyrë simbolike mund të themi se paraardhës të “E(t)nogastronomisë arbëreshe” janë dy botimet e para për verëtarinë dhe vreshtarinë arbëreshe, si dhe një varg botimesh të tjera. Studiuesi Shundi vëren se vreshti, rrushi dhe përpunimet e tij përfaqësojnë një fushë etnokulturore sa të lashtë, aq dhe origjinale te Arbëreshët. Për më tepër, arbërishtja i “mbulon” dhe i shpreh vërtet mirë këto veprimtari.
Në termin e(t)nogastronomi te titulli i librit, – siç dhe pohon autori, – janë dyzuar fjalët enogastronomi dhe etnogastronomi që përfaqësojnë dy veprimtari të ndërthurura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën, e që shtjellohen organikisht bashkë, si tradita dhe veprimtari më se etnike të bashkësisë historike arbëreshe, me prejardhje dhe me po aq etnike shqiptare. Libri u referohet edhe 79 dokumenteve burimore, përmban 436 faqe si dhe 610 receta gjellësh e ëmbëlsirash. Në të amvisëria, dashamirët, studiueset etj. gjejnë: traditën dhe realitetin enogastronomik arbëresh, përdorimin e verërave te gatimet e gjellëve dhe të ëmbëlsirave si edhe bashkërendimin e ngrënies së tyre me pirjen e verërave, emërtime dhe fjalë më se kuptimplote dhe shqiptare, krahasime midis enogastronomisë arbëreshe dhe asaj shqiptare e italiane, si dhe shtjellime gjuhësore dhe kulturore.
Dëshmitë gjuhësore e folklorike për vreshtarinë e verëtarinë, enogastronomia e mirëfilltë e trashëguar, që kishte gjetur prof. A. Shundi tek Arbëreshët, e bindën që t’i hynte drejtpërdrejt kërkimit në ngulimet e tyre, duke i njohur nga afër vendet, mjetet dhe njerëzit që vijojnë atë traditë të lashtë të vreshtarisë, verëtarisë dhe enogastronomisë, traditë të cilën ata e çuan nga dheu mëmë në atdheun e ri.
Vëllezërit arbëreshë, kumton autori, në vendin pritës punuan tokat dhe selitën vreshta, ullishta, grurë etj.; nënat e morën djepin edhe në arë, gjuhën ia përçuan fëmijës me porosinë dhe bekimin, që ta përcillte te pasardhësit e deri më sot, mbi 25 breza arbëreshësh pas, të cilët kanë populluar një pjesë të Italisë së Jugut.
Një libër i tillë i vëllimshëm kuptohet vetiu se është fryt i një hulumtimi disavjeçar. Autori, ndërsa ka shkelur me këmbë ngulimet arbëreshe, ka mbledhur me kujdes dëshmitë e ndryshme historike për traditën e vreshtarisë, verëtarisë e të gatesave, i ka prekur me dorë e duke i ngjëruar nga pak ato. Më tej, ka gjurmuar e studiuar një varg artikujsh, librash e dokumentesh arkivore, nga të cilat ka mbledhur lëndë për librin e vet, duke e paraqitur sa shkencërisht aq edhe me vlerë publicistike.
Duke pasur në vëmendje qasjen e autorit ndaj objektit të kësaj vepre: kontributi i arbëreshëve, kudo ku ata jetojnë sot, të shtrirë në kohë e me rëndësi jetike për vendin, historinë dhe trashëgiminë tonë kombëtare, si edhe çka parashtruam më sipër mbi paraardhësit e këtij libri kuptojmë më mirë se si është krijuar dhe ç’përmbajnë krerët e tij.
Libri përbëhet nga dy pjesë: pjesa e parë “E(t)nogastronomia arbëreshe në vështrim teknik e profesionor” (f. 12-286) dhe pjesa e dytë: “E(t)nogastronomia në vështrimin filologjik dhe kulturor të botës arbëreshe” (f. 287-419). Në pesë krerët e pjesës së parë autori flet për traditat e Arbëreshëve dhe potencialet e tyre në fushën e enogastronomisë dhe në atë të vreshtarisë e të verëtarisë, duke përshkruar gjellë dhe ëmbëlsira, kultivarë dhe ekotipa vendës të hardhisë, vreshta e kantina arbëreshe, si dhe veprimtari e kremtime e(t)nogastronomike, të cilat për një pjesë të mirë i ka njohur nga afër. Katër krerët e pjesës së dytë përmbajnë, së pari, një fjalorth për vreshtarinë, verëtarinë dhe e(t)nogastronominë me 1255 fjalë-terma që përdoren në ngulimet arbëreshe. Më tej vijnë shqyrtime filologjike e kulturore për anën gjuhësore të kësaj veprimtarie; autori ka ndjekur edhe ndikimet nga mjedisi gjuhësor italian dhe ka bërë krahasime me fjalët e shprehjet që përdoren në Shqipëri. Është interesant krahasimi në fund të kreut të tetë se “arbërishtja është e mbushulluar me fjalë/terma të dëlira shqipe lidhur me veprimtarinë enogastronomike prodhuese dhe përdoruese”.
Kreu i fundit (Kreu IX) përmban fjalë të urta (600 njësi) dhe tradita e doke (120 njësi), që lidhen me vreshtarinë, verëtarinë dhe enogastronominë shoqëruar me përkatësisht në shqip e italisht; gjithsej (720 njësi), si: Duhi mir si buka e vera! Dhria isht mbretëresha e pemëve. Oj e bukura si vera! Grur shum e ver shum. Pa ardhur gushti, nuk piqet mushti. Sa mbushullim fjalësh të urta dhe zakonesh për një veprimtari të caktuar, që janë ruajtur e janë përpunuar më tej nga një bashkësi vetëm prej disa qindra mijë Arbëreshësh në Itali!
Termat e e(t)nogastronomisë arbëreshe si pasqyrim i forcës së gjuhës
1255 fjalë-terma që përdoren në ngulimet arbëreshe ngërthejnë të katër krerët e pjesës së dytë, në trajtën e një fjalorthi për vreshtarinë, verëtarinë dhe enogastronominë (arbërisht-shqip-italisht). Përmes këtij fjalorthi autori sjell një lëndë të re me vlerë apo shton njohuritë për gjeografinë dhe jetëshkrimin e fjalëve të veçanta, pasuron terminologjinë e fushave përkatëse me sa më shumë fjalë shqipe të popullit ose me formime të reja, ndër të cilat spikatin një varg fjalësh arbëreshe me rrënjë të shqipes, si: biljezë “fidan”, çil “syth”, fillestar “lastar”, fytim “mbëltim fidani”, kryerinë “bucelë”, lisarjel “pjergull”, mbroní “vozë”, ncëtim “shartim”, nocull “bërsi”, pishnesë “dolli”, spalë “shermend”, shtrydhëse “trokul” etj. që mund të shërbejnë për pasurimin e fjalorit të gjuhës sonë letrare.
Në këtë Fjalorth terminologjik, së bashku me fjalët e urta e zakonet e paraqitura në kreun e nëntë (i fundit), mëtohet të jepet ndihmesë edhe në pasurimin e visarit gjuhësor dhe profesionor, përmes përfshirjes së termave që nuk janë të përafërt me shqipen. Shumica dërrmuese e tyre, të shoqëruar me sinonimet përkatëse nuk paraqiten në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (2006). Në krah të çdo fjale/termi arbërisht jepet barasvlerësi në italisht dhe shqip, me qëllim krahasimi dhe mundësie përdorimi nga më shumë lexues.
Fjalorthi, i hartuar si një dëshmi e lashtësisë gjuhësore dhe e traditave gastronomike arbëreshe jo gjithmonë i përmbahet rregullave të plota të një fjalorthi gjuhësor të mirëfilltë: fjalët nuk emërzohen nëse janë emër-mbiemër-folje etj.; nuk shënohen gjinia, trajta e shquar dhe shumësi i emrave e mbiemrave, foljet paraqiten kryesisht në trajtën veprore etj.
Një pjesë e këtyre termave/fjalëve janë vërtet të moçme dhe tanimë përdoren rrallë, por sidomos një pjesë janë të dëlira shqipe. Për më tepër, vetëm 18 fjalë arbëreshe janë paraqitur në fjalorët e gjuhës shqipe, ndër të cilat: droqe, horë, ngjëroj, buthtoj (lulëzoj). Ndërkaq termi ngjëroj në FGjSh e që ndeshet te arbëreshët në nëntrajtat ngjepsje, ngjërim, ngjironje, njërim po humbet për shkak të përdorimit të fjalës degustoj.
Nuk janë përfshirë në Fjalorth termat kyçe arbëreshe të enogastronomisë të njëjtë me shqipen standarde, të tilla si: arrë, bathë, bletë, brumë, bukë, cjap, dardhë, dash, degë, dele, djathë, dosë, dhi, dhjamë, elb, ëmbëlsirë, farë, fik, ftohët, furrë, groshë, grurë, gjalpë, gjizë, hirrë, hu, hudhër, kà, kalë, kashtë, kizë, kopsht, kripë, krunde, kulaç, kumbull, kungull, kusi, lakror, lopë, lugë, lule, magje, mbjellje, miell, mish, mollë, musht, ngrënie, ngrohët, ngjalë, peshk, petull, përshesh, përtypje, pirje, pjekje, pjeshkë, poçe, prush, pulë, qepë, qiqër, qullë, qumësht, presh, rrush, qengj, rreshkët, rrënjë, sitë, spinaq, supë, shat, shkumë, shoshë, shtjerrë, tëharrje, tul, thelë, thikë, ujë, ulli, uthull, vatër, verë, vesh rrushi, vezë, viç, vjelje, vresht, vreshtar, zëmër, zierje, zjarr etj.
Në jo pak raste, përmes Fjalorthit shpaloset dukuria e gjallimit gjuhësor të përbashkët me dhjetëra fjalë/terma enogastronomike të njëjta, si: arë, athëti, bar i lig, bel, bucelë, bulë, but, calik, gërshërë, kanistër, kofin, mbrujtje, ngjërim, pite, pupë (vile), qilar, tharti, verëtar, vjelje, e cila përbën një dukuri pozitive dhe është dëshmi e marrëdhënieve në vijimësi midis gjuhës mëmë dhe arbërishtes.
Ndërkaq, huazimet e arbërishtes nga gjuha italiane, përgjithësisht janë më se të natyrshme, rrjedhojë e bashkëjetesës për shumë shekuj radhazi. Në secilin term në gjuhën arbëreshe (si në shqip) theksi është vendosur duke zbritur nga e majta (′) dhe në barasvlerësin në italisht theksi zbret me pjerrësi nga e djathta (ˋ).
Për sa i përket sinonimeve që gjallojnë në treva të ndryshme vreshtare dhe verëtare arbëreshe, mund të themi se ato përbëjnë një tjetër dëshmi të rrënjëzimit dhe popullarizimit të vreshtarisë dhe verëtarisë, duke mundësuar shprehje, frazeologji, ligjërime etj. më të larmishme dhe me ngjyrime më emocionuese nga ana e arbëreshëve, p.sh.: 10 sinonime për veprimtarinë e shtimit të hardhisë përmes përpajnimit të saj, apo 15 të tilla për vile, 14 për lastar, 13 për kanë, 11 për krasitje etj.
Ndër kulmet e larmisë dhe të cilësisë sinonimike mund të jenë rastet e fjalës /termit lastar me 18 sinonime dhe të fjalëve/termave bute dhe kaljaveshme nga 10 dhe 11 sinonime përkatësisht. Siç nënvizonte prof. Çabej se shumica e fjalëve njërrokëshe shqipe janë të brumit indoeuropian, edhe në këtë Fjalorth fjalët njërrokëshe arrijnë në 20 për qind, ndërsa së bashku me ato dyrrokëshe përbëjnë 54 për qind të këtyre termave e sinonimeve. Pikërisht, kjo sinonimi krijon mundësi për ta gjallëruar në vijimësi arbërishten edhe në këtë drejtim, për të zgjedhur termat më të përshtatshëm, duke i fisnikëruar dhe i përkryer më tej ato në suazën e gjuhës standard.
Në pjesën më të madhe të termave është shënuar prejardhja e tyre nga komuna të caktuara, por që nuk përjashton faktin se ato u takojnë edhe komunave të tjera, edhe pse janë përdorur burime botimesh e të dhënash gojore të besueshme.
Në fjalësin e librit hasen edhe fjalë/terma dhe emërtesa të arbërorëve në Greqi, si: dhri-hardhi, tumaca-makarona, dromsa etj. dhe të arbënorëve në Kroaci, duke i shënuar përbri përkatësisht me “(arbr.)” dhe me “(arbë)”, praktikë e ndjekur edhe me përfshirjen e ndonjë fjale të urtë, kultivari hardhie, kantine etj., që jetësohen në këto dy diaspora, çka dëshmon që shqipja mesjetare ka qenë e pandarë në dialekte aq të dalluara.
Me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen: Kujt i drejtohet ky libër, e përse është i dobishëm?
Monografia “E(t)nogastronomia arbëreshe” është, në radhë të parë, një vepër me vlera shkencore në fushën e albanologjisë, sepse përmban një visar të çmuar gjuhësor dhe të besueshëm, e veç kësaj edhe shumë elemente të etnokulturës arbëreshe. Ajo na ndihmon të zbresim në shekujt kur nisi mërgimi i Arbëreshëve dhe të hetojmë çfarë ka mbetur e përbashkët (fjalë, shprehje, fjalë të urta, zakone, rite, kultivarë hardhie, gatesa etj.) dhe çfarë është shtuar. Për ata që merren me dialektologji dhe me historinë e fjalëve, ky libër përmban një lëndë të re me vlerë ose shton njohuritë për gjeografinë dhe jetëshkrimin e fjalëve të veçanta. Prirja e studiuesit Shundi për të konkretizuar sendet me anë të fjalëve e ka çuar te dashuria për fjalën shqipe dhe te dëshira për ta pasuruar terminologjinë e fushës së tij të punës me sa më shumë fjalë shqipe të popullit ose me formime të reja.
Te “E(t)nogastronomia arbëreshe” autori ka spikatur një varg fjalësh arbëreshe me rrënjë të shqipes, si: biljezë “fidan”, çil “syth”, fytim “mbëltim fidani”, kryerinë “bucelë”, lisarjel “pjergull”, ncëtim “shartim”, ngjepsje “ngjërim”, nocull “bërsi”, pishnesë “dolli”, shkëmesje “krasitje”, shtrydhore “trokull” etj., që mund të shërbejnë për pasurimin e fjalorit të gjuhës sonë letrare.
Krahas këtyre vlerave gjuhësore e folklorike dhe interesit në rritje për agroturizmin, i cili ndihmon për të njohur mozaikun e larmishëm të etnokulturës sonë edhe nëpërmjet larmisë së gatesave popullore dhe llojeve të verërave shqiptare, ky libër me 610 receta gjellësh e ëmbëlsirash arbëreshe shërben edhe si tekst kuzhine, sepse janë të shumtë ata që i tërheq ruajtja dhe ripërtëritja e traditës kombëtare në këtë fushë, si në komunat arbëreshe, ashtu edhe te ne, në Arbërinë e lashtë, po edhe kudo ku gjallon gjaku i shprishur i Arbrit. Autori parashtron se enogastronomia arbëreshe është shtjelluar e ndërlidhur dhe në bashkëveprim me mjediset italiane, ku bashkëjeton për shekuj me radhë si edhe me traditat shqiptare, që janë burimore, e madje ndonjëherë këto emërtime janë disafjalëshe: bath me çkore, likëngë me rrapa, luljakuq ma fasulje, skorca derku me liakra etj. Po ashtu jepen shembuj krahasues midis enogastronomisë, zakoneve dhe fjalëve-terma, përkatësisht në vendbanimet arbëreshe, me ato në Shqipëri e në shqipen mëmë. Është domethënëse që shumica dërrmuese e gatesave kanë emërtime arbëreshe-shqipe dhe nuk përdoren turqizmat, gjë që shpjegon edhe lashtësinë e këtyre gatimeve me emërtime shqiptare.
Të tilla janë gjellët: dorëzët, dromësa, droqe, fletazi, gërvishtje, gjimave, hollonjra, kulaç, lagane, lalëzot, likëngë, nusëse, ngjambara, patuga, përpeqe, përshesh, pifti, pjakëza, strangule, shtridhëla, tërcënele, t’plotit, vajiholla, verdhet. Po ashtu ëmbëlsirat si: bushkavune, gagane, kauçiume, kraviqe, loshka, nepite, paprate, picile, popoçulla, pulikë, qenullile, skallile. Këtu duhen shtuar edhe emërtime të ekotipave e të kultivarëve (prof. A. Shundi ka përshkruar 26 të tillë), si: “Hardhagjel”, “Hora”, “Katarrat”, “Lot Krishti”, “Marvazezë”, “Muskarjel”, “Porthinjë”, “Ruxh”, “Rrush të gjelëti”, “Sislopë”, “Tenarjel”, “Virdhan, “Zagarezë”.
Një varg gatimesh kanë madje “vulën” arbëreshe: djathë arbëresh, sallatë arbëreshe, çorbë arbëreshe, qiqra arbëreshe etj.
Arbëreshët kanë disa dhjetëra ekotipe dhe kultivarë të tyre të hardhisë. Prof. Shundi shtjellon disa të tillë si: Asprun, Hardhagjel, Hora, LotKrishti, Pasularë, Sisëlopë, Ruxh, Virdhan, Zagarzezë etj. Mandej vijon me dëshminë se disa prej tyre prodhojnë rrush të bardhë dhe të zi, çka ripohon fuqi biologjike dhe prejardhje të moçme. Për më tepër, shumë verëra tregtohen me emërtime arbëreshe (Arbëria, Haré, Hora, Kokrra, Loti, Mos, Pinot i Skanderbekut, Pjuhuri/Baruti, Vera Jonë etj.).
Në krerë të veçantë shtjellohen 31 vreshta e kantina vere, ullishte dhe fabrika vaji, mbarështime derri e fabrikë sallami. Po ashtu bukëtore (Bukë e përsosur, Buktore Karafini, Buk’e Ungrës), dhe restorante (Ceraudo, Kamastra etj.). Po ashtu, kremtimet enogastronomike janë të panumërta dhe me veçantitë përkatëse zhvillohen në çdo komunë arbëreshe. Kryesisht lidhen me agroturizmin dhe të kremtet fetare e laike, por edhe me ngjarje enogastronomike sikurse “Hapja e butit”, “Karnavalet”, “Therja e derkut” etj., të cilat zhvillohen kryesisht gjatë qershor-shtatorit, kur shtohen turistët dhe kthimi në vendlindje i arbëreshëve për pushimet verore.
Të bëjnë përshtypje fjalët e urta, aq shumë vetëm për enogastronominë!, nga ku mund të hasen shprehje të tilla moralizuese, të traditës, të mjeshtërisë, si p.sh.: “Duhi mir si buka e vera!”, “Ti, buka dhe vera!”, “Vreshta e ullishta mjaftojn qe familja t’jetoj mir!”, “Grur shum e ver shum!”, “Kadori/Gjethja ruan/mbron rrushtë!”, “Hardhia me shum pamna/gjethe ben pak rrush!” etj. Po ashtu çiftime, bukë dhe verë: “Buk e ver dhe më gjë!”, “Pafshe hije/nderime si buka e vera!”, “Rrofshi sa buka e vera!”, “Shurbe bukën e mat verën!”, “Triesa pa buk e ver s’ka hije!” etj.
Spikasin krahasime të goditura, që prof. Shundi bën midis disa gatimeve arbëreshe dhe shqiptare (buka, fiqtë e terur, hardallia, kulaçi, lakrori, petullat, qulli etj.), me ato italiane (kanojët arbëreshë me cannoli sicilian etj.).
Një vend të rëndësishëm zënë edhe emërtimet e fshatrave/qytezave arbëreshe dhe të rrugëve e shesheve të tyre janë në shqip, natyrisht dhe në italisht. Institucionet vendore duke përfshirë shkollat, bibliotekat, kishat etj., si edhe shitoret, restorantet etj. po ashtu kanë emërtime dygjuhëshe. Në fshatin arbëresh ndihesh se je diku në fshatrat e Labërisë, Bregut etj. E folura arbërishte është kudo e pranishme, shoqëruar me botimet ku spikatin një numër i shumtë gazetash dhe revistash, krahas radio-televizionit dhe shtypit elektronik arbëresh.
Këto realitete e(t)nogastronomike arbëreshe krijojnë mundësi për zhvillime të mëtejshme, në mënyrë që këto të bashkërendohen me më të mirat e traditave të tjera, në funksion të njohjes dhe veçanërisht të përhapjes më gjerë të tyre, të zhvillimit edhe të turizmit enogastronomik në komunat arbëreshe.
Lexuesi përmes burimeve të referencës (rreth 75) krijon ide më të plotë për këtë botim shkencor të thelluar që u prit me fjalë të ngrohta përgëzimi në Panairin e Librit Arbëresh, zhvilluar në Mbuzat të Kalabrisë (San Giorgio Albanese) më 20 maj 2016, me sugjerimin që të botohet edhe i përkthyer italisht e anglisht. Duke cituar prof. Lafen: “mendoj se është një ftesë e hapur për një simpozium shumëdisiplinor për vreshtarinë e verëtarinë dhe për enogastronominë mbarëshqiptare, për të shkuarën, të sotmen e të ardhmen e saj”. Megjithatë duhen përmendur edhe disa nisma të organizimit të konferencave kombëtare e ndërkombëtare, apo simpoziumeve me tema specifike, si p.sh., kumtesa me titull “Verëra arbëreshe, traditë më se 500-vjeçare” e studiuesit Roberto Ceraudo, e mbajtur në Sesionin shkencor “Verëtaria shqiptare – Tradita dhe ardhmëria (dhjetë verëra më përfaqësuese shqiptare)”, më 2-4 dhjetor 2021 në Tiranë.
Në përfundim: Me këtë vepër prof. Andrea Shundi ka hyrë në familjen dhe në kuzhinën e vëllezërve arbëreshë; ushqehet me ta në tryezën e miqve; pi verë nga rrushi i vreshtit arbëresh; bashkëkuvendon dhe bashkëpunon me homologët arbëreshë në mënyrë që të fuqizohen studimet dhe botimet në fushën e gjuhës, kulturës e traditave arbëreshe, në kushtet e sotme të një rreziku potencial bjerrjeje të arbërishtes dhe shpreson që enogastronomia arbëreshe të jetë lartësuar siç i takon “në qelqe të verës dhe në ajkën e gatimeve”.
Ashtu si pohon shkrimtari gjerman i shekullit XIX Heinrich Laube dhe shpjegon autori i veprës se “Librat nuk janë mbijetoja të së kaluarës, por armët e së tashmes”, ky visar i çmuar gjuhësor, i përfaqësuar në libër, lidhet edhe me të tashmen, edhe me të ardhmen e arbërishtes, duke shërbyer si një model shembullor në fushën e etnokulturës arbëreshe dhe një nyje lidhëse me vëllezërit arbëreshë.
BIBLIOGRAFI:
Fjalor i Gjuhës Shqipe (2006). Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë. 1252 fq.
Lafe, Emil (2013). Arbërishtja në një Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë, revista “Jeta arbëreshe”, nr. 75, f. 46–47.
Lafe, Emil (2017). “Shêjzat”, S.n. Tiranë, nr. 1-2.
Lafe, Emil, Fjalë kujtimi e nderimi për prof. Andrea Shundin (1934–2024) në gazeta “Nacional”, nr. 721, 18–25 maj 2024. https://gazeta-nacional.com/prof-dr-emil-lafe-fjale…/
Proko-Jazexhiu, Vilma (2022). Konsiderata të shkurtra për termat e e(t)nogastronomisë arbëreshe, si pasqyrim i forcës së gjuhës – (Reflektime mbi monografinë “E(t)nogastronomia arbëreshe” e Andrea Shundit, botuar në: “Continuum”, Revistë e studimeve arbëreshe (e përvitshme). Numër special: Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora. Studimet dhe stadi i arbërishtes si gjuhë e rrezikuar. (Pjesë nga Aktet e Konferencës Vjetore XXV. Fondacioni për Gjuhët e Rrezikuara). QSPA&FEL, Viti II, nr. 2. Tiranë.
Proko, Vilma (2024). Fjalë të urta nga areali arbëresh, në “Buletin shkencor” (Seria e shkencave shoqërore), organ i Universitetit të Shkodrës ”Luigj Gurakuqi”, nr. 74, 2024.
Shundi, Andrea (2016). “E(t)nogastronomia arbëreshe” (Shtjellohen edhe 610 receta gjellësh dhe ëmbëlsirash), “Vllamasi”, Tiranë, 437 fq.
Shundi, Andrea (2011). “Wisdom from vine and wine”, Winstom Salem USA. 224 fq.
Shundi, Andrea (2012). “Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë”, Tiranë. 869 fq.
Shundi, Andrea (2003). “Vreshtaria praktike”, Tiranë, 214 fq.
Shundi, Andrea & Osja, Ahmet (2004). “Vreshtaria dhe verëtaria shqiptare”, Tiranë. 212 fq.
Shundi, Andrea & Daçi, Arif (2006). “Fjalor shtjellues për vreshtarinë dhe verëtarinë”. Tiranë. 388 fq.
Shundi, Andrea (2008). “Prodhimi shtëpiak i rrushit dhe i verës”, Tiranë. 471 fq.
Shundi, Andrea (2010). “Fjalor enciklopedik për vreshtarinë dhe verëtarinë”, Tiranë. 465 fq. Shundi, Andrea & Gruda, Nazim (2016). “Enciklopedi e hortikulturës”, Tiranë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 383 fq.
“VRESHTARIA DHE VERËTARIA NË HAPËSIRËN MBARËSHQIPTARE”, Simpozium shkencor: Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Tiranë. 2-4 dhjetor 2021.