NICK MRNAÇAJ, NA KA DHURUAR DITËN E LIRISË SHQIPTARE NË NJU JORK. LE TA KTHEJMË NË DITË KUJTESE – TË MOS HARROJMË!/
NGA DALIP GRECA/
Të Dielën me 7 Maj 2017, me pjesmarrjen e një numri të shumtë bashkatdhetarësh, si dhe me praninë e Prefektit të Westchester Caunty, z. Rob Astorino, u përkujtua DITA E LIRISË SHQIPTARE,që organizohet çdo vit në Kujtesë të aktit sublim të Nick Mrnaçaj, i cili humbi jetën ndërsa kthehej nga një demonstratë antikomuniste, organizuar në Detroit, në kohën kur shteti i fundit komunist në Europë, përpiqej të qëndronte ende në këmbë përmes emisarëve të vet dhe ambasadorit në Kombet e Bashkuara. Kjo ditë e shënuar sjellë në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës qëndresën e nacionalistëve shqiptarë, të cilët nuk i pushuan asnjëherë përpjekjet për ta sensibilizuar Amerikën për dhunën e përgjakshme, që ushtronte shteti komunist shqiptar kundër familjeve nacionaliste, me kalvar 45 vjeçar burgjeve dhe kampeve të internimit.I tillë ishte edhe i riu nacionalist, antikomunisti Nick Mrnaçaj, i biri i Marash dhe Mrije Mrnaçaj. Vujatjet e fisit të tij në Shqipëri, kalvari në burgje dhe kampet e internimit, burgosja dhe vdekja e axhës së tij, Nikolla Mrnaçaj nga torturat,e kishin mbushur shpirtin e tij, dhe e kishin bërë aktiv në demonstratat antikomuniste në SHBA.
Viti 1990 i kishte shtuar shpresat se fundi i diktaturës ishte i pashmangshëm dhe përmbysja duhej shpejtuar….Ishin pikërisht nacionalistët ata që organizuan protesta të fuqishme në Nju Jork, gjatë vizitës të Ramiz Alisë. Në atë demonstratë ishte edhe Nick Mrnaçaj.
Si kundërpërgjigje e demonstratës të nacionalistëve në Nju Jork, ambasadori me përkrahës të tij,organizoi një demonstrim në Detroit. Kundërpërgjigje e fuqishme erdhi nga Nju Jorku. Nick Mrnaçaj u vu në krye të grupit të Nju Jork-ut dhe shkuan atje për ta bërë të pavlefshme atë demonstrim, por në kthim mdodhi tragjedia.Ishte 22 Janar 1990, kur ai humbi jetën aksidentalisht. Nick Mrnaçaj u përcoll si hero nga Shqiptarët e Amerikës drejt banesës së fundit. Ishte djal i ri, vetëm 31 vjeç, dhe kishte dhënë për demokracinë dhe Lirinë Shqiptare, jetën e vet. Ç’ka njeriu më të shtrenjtë se Jeta?
Ceremonia e përcjelljes ishte madhështore. Në respekt të Nikës-hero, në maj të vitit 1990,u ngrit Flamuri kuq e zi, para zyrave të Bashkisë në White Plains të Nju Jork-ut. Prej vitesh ceremonia që nderon dhe kujton aktin e sakrificës njerëzore për Liri e Demokraci, e cila mban emrin e Nick Mrnaçaj, organizohet çdo vit në Parkun“Kensico Dam Plaza”, në Valhalla, Westchester, Nju Jork, duke ngritë dhe Flamurin shqiptar, i cili valvitet për një javë në shtizën e parkut përbri flamurit amerikan.
Po sa e shfrytëzojmë ne shqiptarët DITËN E LIRISË SHQIPTARE, që mbanë emrin e Nick Mrnaçaj ? Pak! Duhet të jetë obligim i të gjithë komunitetit shkuaraja masivisht në këtë ditë,e cila duhet të shëndrrohet si Ditë-Kujtese për të mos i harruar krimet e komunizmit.
….Ashtu si dhe pesë vitet e shkuara veprimtaria e 7 Majit 2017, krahas familjes Mrnaçaj, kishte për organizatore Shoqërinë Kulturore Artistike KELMENDI.Edhe Vatra ishte mbështetëse e kësaj veprimtarie.Ishte i pranishëm kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj, anëtari i kryesisë Marjan Cubi, editori i Diellit etj.
Takimin përkujtimor dhe nderues për Heroin Shqiptar-Nick Mrnacaj, emrin e të cilit mbanë Dita e Lirisë Shqiptare, e ka hapë në emër të Familjes Mrnaçaj Valbona Preldakaj: Të nderuar pjesmarrës, prindër,pjestarë dhe të afërm të Familjes së Nick Marash Mrnaçaj,- është nder i veçantë për mua që në emër të familjes Mrnaçaj, si dhe në emër të Shoqërisë Artistike “Kelmendi”, t’ju uroj mirëseardhjen në këtë ditë përkujtimore, Ditën e Lirisë Shqiptare.
Drejtuesi i Shoqërisë Kulturore Artistike”KELMENDI” Sokol Smajlaj evokoi veprën e Heroit të Demokracisë me vargje:
Nik Marash Mrnaçaj dhe veprimtaria e tij
Janë mesazh i madh për brezin e ri
Për të respektuar vlerat madhore,
Lirinë, Demokracinë, të Drejtat njerëzore,
Për të cilat Nick Mrnaçaj prini në demonstrata,
E dha Jetën e Tij në rrugëtimet e gjata…
Të përjetshëm qofshin Liri e Demokraci,
I përjetshëm qoftë emri dhe kujtimi i Tij!
Veprimtaria ka vijuar me interpretimin e Hymneve Kombëtare të SHBA-vë dhe të Kombit Shqiptar, kënduar nga Mikela Ndoja.
Tubimin e ka bekuar Marash Shkreli,i cili duke vlerësuar veprën dhe përkushtimin për liri e demokraci, për Fe dhe Komb, të heroit Nick Mrnaçaj,bëri apel për kujtesë e nderim të veprës dhe aktit sublim.
Heroi është Përjetësuar në këngë dhe kënga, ku më mirë se në një tubim të tillë duhet të jehojë? “Nick Mrnaçaj s’e harrojmë” ishte kënga që u interpretua nga Luigj Tinaj, Ylli Sufaj dhe Pëllumb Naçaj të shoqëruar në çifteli nga Lek Lumaj, Kol Vushaj dhe Anton Peraj.Kënga evokon aktin sublim.
Me duartrokitje të zgjatura është pritur prezantimi nga Sokol Smajlaj, i Westchester County executive Robi Astorino, i cili përshëndetjen fillestare e ka bërë në gjuhën shqipe, duke iu drejtuar të pranishëmve me një”Mirëdita”.(Për më shumë do të lexoni në gazetën”Dielli” në print)