Nga Zina Tosku/- Rreth 31 mijë mësues të arsimit parauniversitar festojnë sot 7 marsin, që përkon me 126 vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe në Korçë. Përvjetori i Mësonjtores së Parë shqipe simbolizon rilindjen e madhe të shqiptarëve, luftën e tyre për identitet kombëtar, për liri dhe progres. Falë dashurisë dhe sakrificave të rilindasve tanë të shquar arsimi i rezistoi presioneve dhe i dha frutet e veta, një Shqipëri e pavarur, që iu bashkua rrjedhës së kombeve të tjera europiane, në rrugën e pavarësisë dhe zhvillimit. Përpjekjet e përbashkëta nga atdhetarët shqiptarë të Korçës, Bukureshtit e Stambollit për çeljen e një shkolle të rregullt shqipe u intensifikuan në vitet e fundit të shekullit të XIX-të. Ndër intelektualët tanë të njohur në atë kohë përmendim Naum Veqilharxhi, Zef Jubani, Jeronim De Rada, Konstandin Kristoforidhi, Thimi Marko, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Hasan Tahsini e të tjerë. Drejtuesit e Komitetit Shqiptar të Stambollit u kujdesën në atë kohë edhe për hartimin dhe miratimin e një alfabeti të përbashkët për të gjithë bashkëatdhetarët. Me këtë alfabet ata botuan librin e parë “Alfabetarja e Gjuhës Shqipe”. Ndërsa në Korçë, nën drejtimin e Komitetit Kombëtar, ishin marrë të gjitha masat nga atdhetarët vendas për çeljen e shkollës së parë shqipe. Kështu, më 7 mars 1887, u çel shkolla në gjuhën amtare që kishte fillimisht mbi 35 nxënës. Megjithëse edhe më parë ishin bërë përpjekje për çeljen e shkollave shqipe, shkolla e parë e Korçës dallohej për fizionominë e saj kombëtare, laike dhe demokratike. Në të mësimi zhvillohej vetëm shqip, nuk kishte përmbajtje fetare dhe në të mësonin djem e vajza pa asnjë dallim. Në fillim kjo shkollë kishte katër klasa, numri i nxënësve pas tre muajsh arriti në 60 dhe në vitin e dytë të saj numëronte 300 nxënës. Mësuesit e parë që dhanë mësim në këtë shkollë ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina e Thoma Avrami. Si drejtues të shquar të kësaj shkolle përmenden atdhetarët e njohur Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Janko Minxha, Kristaq Vaja, etj. Falë punës së palodhur të armatës së madhe të mësuesve që shërbeu në vite, shpirtit arsimdashës të shqiptarëve, sot kemi një arsim të konsoliduar. Arsimi fillor, 9-vjeçar dhe i mesëm janë shtrirë në gjithë vendin. Arsimi i lartë, përveç Tiranës, po ecën dhe forcohet çdo ditë edhe në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Durrës, Kukës e Dibër etj.