![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/11/404269517_739427688225756_6391522107511196742_n.jpg)
Hasan Metuku/
Jemi të bashkuar për të kremtuar një ditë të shenjtë, një ditë të bekuar, ditën e Flamurit, ditën e pavarësisë tonë kombëtare, 28 Nentorin!
Flamuri ynë madhështor, me shqiponjën dy krenore simbolizon me shumë se çdo simbol kombëtar, kodin gjenetiko-historik, kulturor, trazhgimor të kombit shqiptar. Flamuri që na ka bashkuar sot, na sjell kujtimin e sakrificave të paraardhësve tanë trima, bujar dhe fisnik që sakrifikuan gjakun dhe jetën e tyre që ne sot, të kemi identitetin tonë kombëtar-shqiptar, dhe krenarinë kombëtare.
Në rrugëtimin e gjatë të kombit tonë, në momente kyçe të shpërbërjes si komb nga armiqtë tanë përmes pushtimeve, na janë gjetur miq të mëdhenj si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë mbrojtur të drejtën e kombeve të vogla si ai i yni.
Me gjithë sakrificat, luftërat, mijëra jetë të rëna për liri dhe identitet kombetar nuk do të mjaftonin që ne sot të ekzistonim si komb pa ndihmen e Austro-Hungarisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ndaj duhet të jemi përjetë mirënjohës ndaj tyre.
Në festën e Pavarësisë, le të përulemi me nderimin më të thellë ndaj të gjithë heronjve, dëshmorëve të lirisë dhe veprës së tyre në shekuj.
Ndonëse larg vendit tonë fizikisht, ne sot kemi me vete në shpirtin tonë, në qenien tone, në shtëpitë tona dhe ne veprimtarinë tonë, traditën tonë shqiptare, ne kemi me vete adhurimin për shqiponjën, flamurin dhe familjen!
Secili prej nesh, ka nderin për të përfaqësuar, e detyrim për ta lartësuar, flamurin dhe traditen tonë kombëtare.
Flamuri ynë është flamur i paqes, framur i drejtë, sepse shqiptarët nuk kanë sulmuar kurrë kombe të tjera, por kanë bërë vetëm luftra çlirimtare.
Nder përjetë, birit të Kastrioteve, Princit të Emathias dhe Krujës, Gjergj Kastriotit, Skenderbeut i cili në vitin 1444, në Kuvendin e Lezhës, bashkoi Princat Arberor nën një flamur, nën flamurin që ngriti dhe Ismail Bej Vlora, me 28 Nëntor 1912, 111 vjet më parë.
Lavdi përjetë dhe Faik Konicës, i cili sipas burimeve historike e rizbuloi dhe publikoi Flamurin e Skenderbeut.
Ne si matjanë kishim përfaqësuesin si trevë në firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë, Ahmet Zogun, i cili si ministër i brendshëm dhe përfaqësues në Kongresin e Lushnjës më 1920, dhe me vonë si President e Mbret, hodhi themelet e konsolidoi Pavarësinë e Shqipërisë.
Mati është treva që ka luftuar liri dhe ka prodhuar për qindra vjet barutin, dhe pinjollët e këtyre familjeve janë këtu me ne sot në këtë sallë, mirenjohje ndaj tyre sot e gjithmonë.
Prandaj si matjanë, si shqiptarë, kemi të drejtë të ndjehemi krenarë, për kontributin në rrugëtimin shekullor të flamurit kombetar në procesin e pamvarësimit dhe në konsolidimin e shtetit shqiptar.
Gjuha Shqipe, Flamuri Kuq e Zi, dhe Besa Shqiptare, janë tre shtyllat dalluese të Kombit tonë.
Prandaj motra e vellezer, dhe pse larg, ne duhet ta ruajmë gjuhën shqipe, ta nderojmë e ta lartesojmë Flamurin tonë, dhe të mos ta harrojmë Besën Shqiptare!
Shqipëria sot është anëtare e NATOS, krah për krah SHBA-s dhe vendeve demokratike, Kosova është e lirë dhe sovrane, me gjithë vështirësitë, shqiptarët në Mal të Zi dhe Maqedoni kanë më shumë të drejta dhe pjesë shtetformuese. Ndërsa shqiptarët në Luginën e Preshevës vuajnë dhe persekutohen akoma nga shteti Serb për flamurin Kuq e Zi. Çështja Çame mbetet ende e pazgjidhur në kalendat Greke.
Por rreziku më i madh për trojet tona mbetet shpopullimi dhe emigrimi, të cilat vijnë nga keqqeverisja, dhe këto çështje kërkojnë zgjidhje.
Dhe pse ne Amerike, dhe me shume fat, prap ëndrrat per atdheun nuk na lënë rehat.
Të dashur vëllezër e motra, me lejoni ta mbyll fjalën time me kushtrimin:
“Se zoti vete e tha me gojë,
Se kombet shuhen përmbi dhe
Por Shqipëria do të rrojë
Për të, për të luftojmë ne!”
Lavdi përjetë atyre që dhanë jetën për liri dhe Pamvarësi!
Rrofte Shqipëria!
Rroftë Mati dhe Matjanet!
Rrofte Kombi Shqiptar
Bekuar qoftë Flamuri ynë Kuq e Zi!