Dita e Verës, atmosferë festive dhe show me avion në qiellin e Tiranës/
TIRANE, 14 Mars / -Dita e Verës, atmosferë festive, show me avion në qiellin e Tiranës Atmosfera festive ndihet sot kudo në rrugët dhe në sheshet e qytetit të Tiranës.Kryeqyteti ka veshur ngjyrat e festës, ndërkohë që koha e mirë dhe aktivitetet e shumta të parashikuara nga Bashkia e Tiranës kanë bërë që mijëra qytetarë të dalin shëtitje bashkë me familjet dhe miqtë.
Sot në orën 12:00 tek sheshi Skënderbej, do të ketë show, por jo në tokë, në qiell. Sot bën 25 vite Aeronautika shqiptare dhe për këtë kryebashkiaku Veliaj përmes një postimi në Instagram njofton se piloti, Martin Sonka do të bëjë show me një mini aeroplan në qiell.
Gjithashtu, Parku i Madh pret Ditën e Verës, sivjet edhe më i pastër e më i sistemuar, më i madh me zgjerimet e rrugicat e reja, më i ndriçuar e më rekreativ. Ai do të jetë sot një nga destinacionet kryesore të qytetarëve të Tiranës. Varka dhe kanoe për argëtim, aktivitete sportive, panair kulinarie e muzikë do të gjallërojnë ditën e sotme.
Ndërkohë që në orën 10:00 nga sheshi “Skënderbej” drejt Liqenit Articial, do të zhvillohet për herë të parë parada e karnavaleve ku fëmijë të shkollave të ndryshme të kryeqytetit do të parakalojnë me veshje të ndryshme.
Veç zbukurimeve me lulet që simbolizojnë largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës, ndërmarrjet bashkiake kanë veshur edhe të gjitha pemët përgjatë gjithë këtij bulevardi me ngjyra që krijojnë një atmosferë festive.
Në rrugë të ndryshme të qytetit janë ngritur skena më të vogla për të vegjlit, por edhe për të rinjtë të cilët do të kenë mundësi që të ndjekin DJ dhe këngëtarët më të mirë të momentit të zhanreve të ndryshme muzikor.
Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar sot të gjithë qytetarët për Festën e Ditës së Verës, teksa ka postuar foto nga Pazari i Ri që shënon edhe 1-vjetorin e hapjes së tij.“Mirëmëngjes nga Pazari i Ri. 1 vit me xhevahirin e Tiranës që më shumë se treg, bëri bashkë një komunitet. Gëzuar Ditën e Verës”, shkruan Veliaj.Projekti transformues i Bashkisë së Tiranës, e ka kthyer zonën e Pazarit të Ri, nga një ngrehinë, në një hapësirë që funksionon 24 orë, ku paradite fokusi më i madh është te tregtia dhe pazari, kurse pasdite te kulinaria, restorantet rreth e rrotull dhe aktivitete të tjera kulturore, festive e panaire.
“Dita e Verës”, tradita shqiptare që vjen nga lashtësitë
Një festë festë pagane, shumë më e hershme se krishtërimi është festimi i Ditës së Verës, në të gjithë zonën e Elbasanit por edhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Por në këtë ditë të shënuar, Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë, deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungon ballokumja.
Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.
Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit. Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballakumeve.
Ballakumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë bio dhe sheqer të imët.
Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.
– Shpati në Ditën e Verës-
Në zonën tradicionale malore të Shpatit, rreth 22 kilometra larg Elbasanit, festa niste me një ekskursion shpateve te Bokanikut, ku të rinjtë që një ditë më parë përgatisnin shilarthe e sheshe për lodra të ndryshme, ku merrnin pjesë me kenaqësi jo vetëm mosha e re, por edhe burra e gra të moshuar.
Kjo ditë e 14 marsit, që ndryshe quhej dita e luleve, gjithnjë shoqërohej me bisqe të gjelbëruar drurësh apo lule të hershme. Dreka e bollshme me mish gjahu shtrohej kolektivisht, pas së cilës, u mbetej fëmijeve për t’a mbyllur festën me trokitje nëpër dyer të fshatit, ku gostiteshin me vezë, pala fiku, fruta të ruajtura për këtë ditë. Vitet kaluan dhe kjo festë pak nga pak i humbi disa nga veçoritë e saj. Së fundi ajo ka mbetur si festë e fëmijëve, por që ruan akoma me fanatizëm drekën e bollshme dhe lulet.
-Në Shënavlash, festohet me natyrën pranë-
Në fshatin Shënavlash edhe sot festa nuk ka humbur asgjë nga tradita. Këtu pergatitjet për këtë festë fillojnë që dy ditë përpara nga fëmijët që merren me këtë parapërgatitje.
Mëngjezi i Ditës së Verës i gjen tërë fëmijët e fshatit grupe-grupe me hithra në duar, duke trokitur derë më derë. Askush nuk kthehet duarbosh. Pjesa ruhet edhe për ndonjë fëmijë që ka munguar. Dhe pasi mbaron riti i fëmijëve, të rinjtë dhe të moshuarit dalin nga shtëpitë dhe urojnë njëri- tjetrin “Gezuar Ditën e Verës! Qoftë një verë e mbarë!”
Gratë në këtë ditë as qepin, as bëjnë punë dore me shtiza sepse, siç besohet, janë të mbrojtura nga gjarpëri. Dhe 12 ditë pas festës së luleve, fshati feston ditën e Baba Nevruzit, kur nuk pritet asnjë lloj druri, sepse besohet se atë ditë tërë pylli falet.
Në fshatra të tjerë në rrethin e Elbasanit, “të plotfuqishmit” e festës së Ditës së Verës kanë mbetur vetëm fëmijët, që mëngjezi i gjen dyerve të shtëpive, prej nga kthehen të gostitur me gjithfarë frutash dhe embëlsirash. Gurabija e mbrujtur me maja miell misri e gjalp erëkëndshëm dhije, ëmbëlsuar me sheqer të bluajtur, me emrin joshës ballakume, i ka mbetur vetëm Elbasanit.(Sipas ATSH)