Nga Frank Shkreli/
“Jeta, liria dhe përpjekja ose synimi për të qenë i lumtur (Life, Liberty and Pursuit of Happiness), është një frazë nga Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, që në të vërtetë nënvijon rëndësinë kyçe që themeluesit e Shteteve të Bashkuara i kushtonin këtij trinomi, duke deklaruar para pothuaj 250-vjetësh se, “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se Perëndia u ka falë atyre disa të drejta të pamohueshme dhe këto janë Jeta, Liria dhe e drejta për të synuar arritjen e lumturisë.”
Ndërsa këto fjalë konsiderohen nga amerikanët si më të rëndësishmet e Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara si dhe gur themeli i të gjitha të drejtave të tjera që rrjedhin nga këto, Organizata e Kombeve të Bashkuara,(OKB) në një përpjekje për të lidhur lumturinë me zhvillimin botëror, ka shpallur 20 Marsin si Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë, duke theksuar se fraza nga Shpalljes së Pavarësisë së Amerikës “Pursuit of Happiness”, që pak a shumë mund të përkthehet si e drejta për të ndjekur mundësinë për të qenë i lumtur –përveç, jetës dhe lirisë — është gjithashtu një e drejtë themelore e njeriut, dhe sipas OKB-së edhe një objektiv i angazhimit të shteteve anëtare të saj për të krijuar rrethanat për realizimin e mundësive që njerëzit të jenë të lumtur në jetën dhe veprimtaritë e tyre.
Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara aprovoi Korrikun e kaluar një rezolutë duke shpallur 20 Marsin si Ditën e Lumturisë anë e, mbanë botës, duke njohur kështu, sipas 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, “rëndësinë që lumturia, të qenët i kënaqur dhe mirëqenja, të cilat si frymëzim i qëllimeve universale, ushtrojnë në jetën e njerëzve anë e mbanë botës si dhe ndikimin e rolit që ato luajnë në arritjen e objektivave politike për të mirën e publikut kudo”. Është këjo një iniciativë e Kombeve të Bashkuara me të cilën organizata botërore shpreson të inkurajojë vendet anëtare që të marrin seriozisht mirëqenjen dhe lumturinë e shtetasve të tyre dhe jo vetëm t’i përqendrojnë politikat e tyre në zhvillimin ekonomik, pasi sipas disa ekspertëve, pasuria në vet vete nuk e bën njeriun të lumtur as të kënaqur, me fjalë të tjera, paraja nuk mund të merret si një masë e vetme për të matur përparimin e njeriut, shoqërisë, shtetit dhe botës.
Me rastin e Ditës së parë Ndërkombëtare të Lumturisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki moon, u bëri thirrje shteteve anëtare që të ”rithkesojmë angazhimin tonë ndaj një zhvillimi të përgjithëshëm dhe të vazhdueshëm njerëzor dhe njëkohësisht të angazhohemi rishtas për të ndihmuar të tjerët. Kur ne kontribojmë për të mirën e përbashkët, ne vetvetiu pasurohemi. Mëshira promovon lumturinë dhe do të ndihmojë në ndërtimin e një të ardhme që ne dëshirojmë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në mesazhin e tij.
Udhëheqsi i organizatës botërore tha gjithashtu në mesazhin e tij se “liria e njeriut për të bër të mundur realizimin e lumturisë është në qëndër të përpjekjeve njerëzore për ekzistencë. Popujt anë e mbanë botës,“ tha ai, “dëshirojnë të kenë një jetë më të lumtur, pa frikë e imponime dhe në harmoni të plotë me natyrën.” Megjithkëtë, tha Ban Ki-moon, mirëqenja materiale është e parealizueshme për shumë veta që jetojnë në një varfëri ekstreme anë e mbanë botës.
Dita Ndërkombëtare e Lumturisë u sugjerua fillimisht nga shteti i vogël aziatik, Bhutan-i, një vend ky që në mënyrë unike vlerëson progresin e vet duke u bazuar në indeksin e përgjithshëm kombëtar të lumturisë që përfshinë kënaqësinë e jetës, gjëndjen shpirtërore dhe emocionet — dhe jo në indeksin e të ardhurave të përgjithëshme kombëtare, siç bëjnë shumica e vendeve në botë. Bhutan-i, u kushton të njëjtën rëndësi çështjeve jo-ekonomike të jetës aq sa edhe aspekteve materiale të zhvillimit shoqëror të vendit.
Siç duket, qëllimi i 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke shpallur për herë të parë Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë — është që të pohojë rëndësinë qç ka lumturia njerëzore si një objektiv universal, për tu relizuar. Për shumë veta, këjo iniciativë mund të duket si qesharake, në një kohë kur Kombet e Bashkuara mund të merren me çështje ndërkombëtare më me rëndësi dhe të një natyre urgjente, por kënaqësia dhe lumturia me vet veten, në vendin e punës, në familje dhe në ambinetin dhe shoqërinë ku jeton njeriu, është një çështje e rëndësishme, për zhvillimin personal të individit si edhe për kontributin ose mungesën e kontributit të personit për shoqërinë ose vendin ku jeton.
Për të gjithë ne që jemi ose kemi qenë në marrëdhënje pune, të qenët i kënaqur dhe i lumtur në punë dhe në ambijentin ku punojmë është jetike. Një nëpunës i kënaqur me punën që ka, prodhon më shumë, është më i lumtur dhe inovues. Ndërsa një person i pakënaqur, gjithmonë mund të llogaritet se do të shkaktonjë mosmarrveshje, pakënaqësi dhe konflikte me veten dhe me të tjerët, duke përhapur moskënaqsinë e tij edhe në radhët e të tjerëve. Në përgjithësi, me njerëz të tillë të cilët nuk janë të lumtur me asgjë, krijohet një atmosferë shumë e keqe e cila dëmton jo vetëm marrëdhënjet shoqërore, por edhe punën në përgjithësi.
Siç duket –duke caktuar 20 Marsin si Ditën Ndërkombëptare të Lumturisë — Kombet e Bashkuara mendojnë se në shekullin 21, lumturia apo mungesa e saj – në vendin e punës, në familje, në shoqëri dhe në politikë — është një çeshtje serioze dhe me rëndësi globale që meriton vëmendjen e kësaj organizate ndërkombëtare, ndërkohë që u bën thirrje vendeve anëtare, organizatave ndërkombëtare dhe jo-qeveritare që të shënojnë këtë ditë me veprimtari të përshtatshme për të edukuar publikun mbi rëndësinë e saj.
Prandaj, dhe megjithëse me pak vonesë, të gjithëve u dëshiroj kënaqësi dhe lumturi në jetën tuaj personale, në familje, në vendin e punës dhe në shoqërinë ku jetoni.