Shkup, 27 janar 2025 – Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit sot u shënua në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me pjesëmarrjen e korit diplomatik dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë shtetëror dhe sektorit civil. Ky manifestim u organizua në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Shkup, e cila solli para publikut një ekspozitë me tematikën e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë.
Me këtë rast, ambasadori shqiptar në Shkup, Denion Rexhep Meidani, tha se në këtë 80-vjetor të Holokaustit, ne përulemi para kujtimit të 6 milionë hebrenjve që humbën jetën – burra, gra dhe fëmijë – dhe kujtojmë se pas çdo shifre qëndronte një jetë, një familje dhe një botë e tërë e shkatërruar. Më tej, Meidani tha se ekspozita na fton të shohim të kaluarën me sytë hapur, të kuptojmë se si veprimet e vogla – të guximshme apo indiferente – mund të formësojnë fatin e brezave. “Dokumentet dhe historitë që shfaqen këtu janë dëshmi e fuqisë së shpirtit njerëzor për të zgjedhur të drejtën edhe atëherë kur bota humbet fillin”, u shpreh ambasadori Meidani.
Drejtori i Institutit, Skende Asani, tha se sot kur po e shënojmë Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, ne si Institut po marrim për obligim që ta luftojmë rrezikun e harresës, sepse çdo e keqe që ndodhë në të kaluarën, mund të përsëritet sërish, nëse ajo nuk parandalohet me freskimin e kujtesës. “Shoqëria gjithmonë ka nevojë për guximin qytetar që do të shprehte mospjatimin me të keqen, por edhe solidaritetin me viktimat e situatave denigruese. Por, në anën tjetër, guximi qytetar ka edhe koston e vet, për arsye se jo të gjithë janë të lumtur kur ne shprehim haptazi një qëndrim që dënon esktremizmin e dhunshëm në çfarëdo trajte qoftë ai”, u shpreh Asani.
Më tej, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, duke përshëndetur këtë aktivitet, vuri në dukje rëndësinë e madhe të fjalës së dhënë shqiptare, besës, e cila ishte kulti mbi të cilin gjetën shpëtim shumë hebrenj duke kaluar nëpër trevat tona.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Petra Drexler, nga kryetarja e Komisionit parlamentar për Arsim dhe Shkencë, Ivanka Vasilevska, si dhe përgjegjësja e Departamentit për Edukimin dhe Hulumtimin mbi Holokaustin në ITShKSh, Maja Susha.
Më 27 janar 1945 forcat e armatosura sovjetike, Ushtria e Kuqe, çliruan kampin nazist të përqendrimit dhe të shfarosjes Aushvic-Birkenau, ndërsa në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shpalli 27 janarin Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.