nga Jozef Radi/
…në të 15 vjet të ikjes së Tij!/
Me shkruejtë për Ahmet Kolgjinin, kam mendue gjithherë sa asht gjaja ma e lehtë që mund të baj, bile mund ta baj edhe me sytë mbyllë, edhe në gjumë, edhe midis çorodisë së përditshme… mundem me thanë… çka s’mundem për Ahmet Kolgjinin: mundem me shkrue me lehtësinë e çeljes së lules apo ramjes së gjethes, mbasi akumulimi im i gjatë e i heshtun, për çdo grimcë të dhunueme të jetës së këtij djaloshi të ikun herët, ndër ato kohna të përgjakuna shtazësh të egra, ka pikue në mue si dhimbje hane dhe rrin ashtu i mbledhun dhe pret… prandej them se gjithçka mund të shfaqet ashtu si nji krue që rrjedh pa ia kërkue askush, thjesht pse Ahmet Kolgjini hyn te ajo kategori e njerzve që mbeten “djaloça të përjetshëm”, pse shpirti i tyne ka nji përmasë të veçantë e të papërsritshme, që e ndalon moshën me ecë dhe i jep krahë pegasit të shpirtit me i grah qiellit kah të mundet, deri sa ta lodhë atë…
Shpesh e mendoj dhe i bahem dalazotas i jetës dhe veprës së këtij njeriu modest, pse ai i dha vuejtjes kuptimin ma madhështor të jetës, pse diti me i ba vend vetes ndër miq e shokë, po edhe ndër urrejtsa, pse edhe fëmijë ndër vuejtje e tortura të mnershme ndejt si burrë; pse edhe i rritun pa babë, po nën kujdesin e veçantë të nji partie që s’e la me gëzue nji ditë të vetme n’at përmasën e tij njerzore të papërmasë… e megjithatë Ahmeti mbijetoi.
Sot i përkujtojmë të pesëmbëdhjetin vit të ngjitjes ndër qiej, dhe jam i bindun se ai kqyr mbi ne, kqyr me shumë dhimbje gjithçka ndodh, pse shumçka asht ashtu si ai s’e kishte andrrue… e sigurisht ndër qiej ai përlotet jo për çka hoqi e vuejti, po për çka andrra e tij për vend të vet vazhdon të jetë andërr…
Sot po e përcjell kët nderim ndaj tij me disa poezi që ai mbrriti me i ba libër pak para se ti mbyllte sytë, për me dëshmue që edhe pse futën në burg pa mbushte të 18 vitet, edhe pse bani 20 e kusur vite burgjeve të tmerrit, edhe pse u rrit pa babë; edhe me pse motra rrugëve të krejt kampeve të tmerrit, ai do të mbahet mend e do të kujtohet si poet, si poet delikat i asaj dashnie që mbetet veç andërr…
Ky njeri i brishtë e i tejdukshëm, ky zog vetmitar kange, fitoi betejën ma të madhe të jetës së vet: betejën me urrejtjen, mbasi kish fitue betejën mbi trishtimin, betejën e pafund me burgjet dhe interrnimet, betejën me provokuesit e ndytë që s’i lanë nji ditë me e gëzue si duhet… betejën e të mbetunit Njeri, Njeri i Dashuruem… kur bishat të shkelnin me kambë e me dhambë…
Nderim, respekt, mirnjoftje dhe do pika loti të spërkatuna me dritë… për Ju zoti Kolgjini!
2 gusht, 2014
*Botohet me lejen e autorit.
Falenderim e vleresim autorit te shkrimit. Te lumte, Jozef, per kete shkrim te bukur, ne pervjetorin e nderrimit jete te nje shoku e miku qe na la shume para kohe. Ka shume per te shkruar per Te, ne kete dite te trishtuar, qe eshte 15-vjetori i largimit te tij nga bota jone. Kujtimet e tij na vijne ne te gjithe vertetesine e tyre, per mua nje mbi te gjitha : arrestimi i tij i pare. Ishim bashke e po niseshim per ne Saver, ku banonim, kur dy oficere sigurimi na dolen para dhe moren Ahmetin, qe me la ne dore librat e tij. Ishte viti 1958, ishim ne vitin e dyte te gjimnazit…
Ne keto çaste nuk mund te mos kujtoj mendjen e mprehte e kulturen e gjere, arsyetimin e sakte e pjekurine e parakoheshme, bujarine proverbiale e respektin per tjetrin. Por do te shtonja ketu nje tjeter ane te personalitetit te tij, besimin e thelle tek Zoti e mesimet e fese. Ai besim i ka shperblyer te gjitha mungesat e nje jete te privuar nga te gjitha te drejtat, sepse prej 15 viteshai shijon jeten e pasosur.
Nderim e respekt emrit e kujtimit te tij, si shok, si mik, si bashkevuajtes, si poet, si njeri, si perfaqesues i nje brezi te denuar nga historia, nje brezi te humbur nen thundren e diktatures me te zeze.