DOKTOR LLUKË GJIDEDE, PIER FOSHARD I STOMATOLOGJISË DHE PROFESOR I MIRËNJOHJES QYTETARE/
Nga MSc. Albert R. HABAZAJ/ sekretar i shoqatës “Labëria”, Vlorë/
Wikipedianët,me faqen elektronike universale WIKIPEDIA, na informojnë se stomatologjia është disiplina që studion, diagnostikon, parandalon dhe mjekon kavitetin oral. Termi stomatologji vjen nga Greqishtja e vjetër “Stoma” – gojë dhe “logos” – shkencë. Në ditët e sotme, termi “Stomatologji” është duke u zëvëndësuar me “Dentistri”. Për herë të parë veçimi i Stomatologjisë si disiplinë e veçantë nga mjekësia e përgjithshme u bë nga Hipokrati [Hippokrátēs: 460 – 370 pes, themelues i mjekësisë klinike në Greqinë e vjetër, që ndau mjekësinë nga magjia (nga shtrigat), “babai i mjekësisë perëndimore” në Epokën e Perikliut (Greqia klasike), një nga figurat më të shquara në historinë e mjekësisë botërore]. Sipas të dhënave arkeologjike, mendohet se stomatologjia ka filluar të praktikohet më tej se 7000 vjet Para Krishtit…Mjeku i famshëm francez Pier Foshard (Pierre Fauchard, 1678 – 22 mars 1761) është pagëzuar si “babai i stomatologjisë moderne”.
Doktor Llukë Gjidede është cilësuar si Pier Foshard i stomatologjisë në rajonin e Vlorës dhe më gjerë; ndërsa nga banorët e Topalltisë, të Myzeqesë e të Labërisë (ku përfshihet dhe Himara e tij dhe imja) njihet si Profesor i Mirënjohjes Qytetare. Për burra të lartë si Doktor Lluka, fjala shpreh e peshon. Me mendimet e tij kristaline dhe të vyera, me rrënjë të pashkulura në atdhetarinë dinjitoze, Doktori i Vlorës, penelin e shpirtit e ngjyen në mjaltin e mirësisë njerëzore dhe të mirënjohjes qytetare. Nuk kam ndërmend t’i bëj biografinë jetësore, shkencore, shoqërore apo atdhetare Doktor Llukës, sepse nuk u intereson vlonjatëve fare jetëshkrimi i Doktorit, ngaqë Ai është personalitet i qytetit, me plot gojën, është dinjiteti njerëzor, besimi për jetën. Kohë më parë në Pallatin e Kulturës “Labëria” në Vlorë u zhvillua një veprimtari mbresëlënëse kushtuar veprës “Historiku i dentistrisë Vlorë” të Doktorit të Shkencave Mjekësore Llukë Gjidede. Folën shumë miq të Doktorit dhe intelektualë të qytetit. Thanë me dashamirësi dhe vërtetësi, që Doktor Lluka e meriton të ketë titullin Profesor. Shpreha dhe unë pak fjalë shpirti, ku në substancë thashë se mjeku nga vetë profesioni është natyrshëm i gatuar si human. Së pari, falënderova Dr. Asqeri Llanaj, që më mundësoi praninë në këtë takim të lartë simbolik. Së dyti, përmënda faktin që, një herë, kur u takova me Dr. Halit Harizaj, kirurg i njohur në Spitalin Rajonal të Vlorës, pas përshëndetjes, më tha: “Berti, dua të vij një ditë në Skelë, te puna jote, por mbasdite, të pimë një kafe në qetësi, dhe vetëm, se dua të më bësh një nder”. “Me kënaqësi doktor, je i mirëpritur”, – ia ktheva me respekt. Po mendoja se ç’nder mund t’i bëja unë doktor Halitit…Iishte nder t’i bëja unë nder. Erdhi një mbasdite dhe më ftoi të uleshim në një lokal të qetë, të pastër. Pimë kafe me doktorin dhe zhvilluam një bisedë shumë të përzemërt. Nga doktor Haliti merr kulturë të gjerë dhe edukatë të mirë, kur bashkëbisedon me të. Porositi raki dhe meze dhe, megjithë këmbënguljen time, pagoi ai. Cili qe nderi që më kërkoi doktor Haliti? “Të bëja një shkrim respektor për Doktor Llukë Gjideden”. Kaq. Dhe më falënderoi. A nuk duhet të isha unë ta falënderoja 100 herë për kujtesën fisnike. Ja këta janë doktorët e vërtetë të qytetit të Vlorës. Së treti, shpreha se u tha në këtë takim që, kryedentisti ynë, Doktor Llukë Gjidede e meriton titullin Profesor. Ashtu është, por do të bëj një korrigjim jo thjesht terminologjik. Profesorët janë të nderuar, por Doktor Lluka është profesor mbi profesorë, me botimet shkencore, me aftësitë profesionale, me shembullin personal, me modelin familjar, me identitetin krenar si shqiptar e bregas me rrënjë, me qëndrimin e lartë moral. Profesorët duhet të krahasohen me Doktor Llukën, jo metaforikikisht, por realisht e çdo ditë të jetës. Doktor Lluka është një kompozitë jo vetëm gjuhësore, por së pari një kompozitë intelektuale dhe qytetare sipërore. Qysh në vitin 1983, Ai ka mbrojtur disertacionin në kërkim të gradës shkencore “Doktor i shkencave mjekësore” me studimin “Anomalitë e zhvillimit të nofullave dhe vlerësim i metodave të mjekimit kirurgjikal” në 169 faqe (dispencë) me një aparat bibliografik të pasur, prej 194 autorësh, ndër ta shqiptarë, por shumica absolute të huaj, renditur sipas kriterit alfabetik. Në qoftë se shkencën e dentistrisë e krahasojmë me një reliev me fushëza, fusha, livadhe, kodrina, kodra, me male e me male të lartë, Doktor Lluka është sipër, mbi Bogonicë, afër Çikës, që qëndron ballëlart e kryerëndë si kurorë e hijshme e vargmaleve të Vetëtimave (Akrokeraunet). Ai e njeh pëllëmbë për pëllëmbë hapësirën e rajonin të Vlorës. Ai ka shkelur gati në çdo fshat, ka shëruar njerëz me shërbimin stomatologjik pa dhembje dhe me fjalën e ngrohtë, të ëmbël e vëllazërore dhe ka lënë gjurmë nderi e respekti, kudo ku ka shërbyer. Vlora është mirënjohëse ndaj mirëbërëse. Është dhe fodulle dhe nuk ta fal kollaj respektin. Shërbimtarëve dhe Shërimtarëve po. Mbahet mend e nderohet doktor Ali Mihali. Mbahet mend e nderohet Doktor Flloku, babai i artistit të madh dhe poetit Timo Flloko. Ata ishin shërimtarë të qytetarëve. Emrat e tyra janë përjetësuar dhe në institucione apo emra rrugësh në Vlorë. Mbahet mend dhe nderohet Doktor Lluka. Ai është shërimtar i qytetarëve vlonjatë, labë, himariotë e myzeqarë. Ai është mishërim i gjallë i sentencën Da Vinçiane: “Dituria është bijë e përvojës. E vërteta është bijë e kohës”. Nuk e bën “kabull” doktori t’i thotë Çikës: “O kryemal, të lutem, hapëm pak vend aty, te supi yt!” dhe pse e meriton. Çika më duket sikur i thotë: Urdhëroni, Fisnik, afër meje, të marrin njerëzit dritë e mirësi nga Bujaria Juaj Lartësore!” Dhe Doktor Lluka, me atë qetësinë e tij olimpike, me atë thjeshtësinë e tij hyjnore ia kthen Çikës: “Hirësi! Nuk kam bërë gjë tjetër, veçse kam mbledhur kallëza në një fushë të korrur”. E na kujton kështu filozofin e njohur gjerman Arthur Schopenhauerin me shigjetat e tij të mendimit. Nuk pretendoj të bëj promovimin e librave të Tij, se s’jam i zoti, as t’i bëj reklamë emrit të Doktor Llukës, se ai s’ka nevojë. Vlora dhe vendi, qytetaria jonë ka nevojë për të. Ai s’i ka dashur dhe si do kurrë spaletat, dekoratat, aq më tepër fjalët e fryra me tullumbace të bukura. Ai është i thjeshtë si e vërteta; i pastër si ujët e gurrës në Vale, mbi Iljazin e tij e mbi Tërbaçin tim; i ditur si Nestor i kohës; bamirës si Ai (nuk po i them si nënë Tereza, se Doktor Lluka përbën vetë një model të ri mirëbërësie). Ndoshta mund të mërzitet pak për këto radhë që po shkruaj e botoj për të, sepse ia di natyrën e tij, që i ka “zët” fjalët e mira e lavdërimet, sidomos nga miqtë, por s’ka gjë, do të kalojë, për hir të miqësisë shekullore të Iljaz Vunoit me Tërbaçin; për hir të të një lugë gjaku të përbashkët që kemi; për hir të miqësisë fisnike midis Gjidedëve dhe Habazajve; në vlerësim dhe në nderim të çdo 23 Shtatori, qysh nga viti 1979 deri më sot, që Doktor Lluka vjen me lule të frekëta për homazh në Tërbaç. Ai e meritonte njëqind përqind, dhe me kohë, biles, dekoratën më të lartë të vlerësimit moral që jep Shoqata Kulturore Atdhetare Kombëtare “Labëria”: “PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË”, që mori Dr. Llukë Milo Gjidede disa javë më parë, me motivacionin: “Si himariot, që ka demonstruar dashuri për atdhe. Për kontribut të tij të demonstruar në përgatitje intelektuale brenda dhe jashtë vendit, për kontribut shkencor e profesional në shkencën e shërbimit dentar. Për cilësitë organizative si drejtues i spikatur i institucioneve shëndetësore, për botimet shkencore që na ka dhënë, për veprat atdhetare dhe shkrimet me nivel kulturor”.
Faleminderit, Doktor Lluka, o vëllai im nga drita e përbashkët e malit të Çikës, që diellon mbi Vuno e mbi Tërbaç!