Nga Viron KONA/
Në kuadër të redaksisë së botimeve të revistës Dituria këto ditë doli nga shtypi libiri ”Djali dhe Tigri” i autorit suedez Lars Westman në përkthim të shkrimtarit dhe publicistit Sokol Demaku. Libri është redaktua nga Viron Kona, me recenzet Dr. Rovena Vata, Ismet Hasani dhe Mr. Kadrije Meniqi, si dhe nënë përkujdesjen editoriale të Mr.fil Sadulla Zendeli Daja, e me përkujdesje në shtyp të shtypëshkronjes nga Tiaran Westprint.Libri ka gjithësejt 145 faqe dhe është shypurë në 1000 egzempalr e do të shpërndahet falas për nxënësit e shkollave fillore në Republikën e Kosoves, në Republikën e Shqipëri dhe diasporë.
Faleminderit Lars!
Lexuesit e vegjël shqiptarë e kanë njohur letërsinë suedeze veçanërisht nëpërmjet librave të nobelistes Selma Lagerlof dhe të magjishmes Astrid Lindgren. Ashtu si fëmijët në Skandinavi dhe në botë, ata e kanë lexuar me ëndje “Udhëtimin e mrekullueshëm të Nils Olgerssonit” dhe “Pipi Çorapegjatën”, kurse tani, kanë në dorë një tjetër libër të mrekullueshëm nga letërsia suedeze, “Djali dhe Tigri” të shkrimtarit të njohur Lars Westman.
Që në fillim të këtij shkrimi, dëshiroj të them se shkrimtari suedez, na ka dhuruar një libër me vlerën e një margaritari vezullues. Me penën e tij të artë, ai na rrëfen me një stil tërheqës dhe gjuhë të figurshme, aventurat e Djalit që e donte aq shumë macen e tij, Tigrin, saqë, për tre muaj resht, pa u lodhur dhe pa u tërhequr nga vështirësitë, e kërkoi atë deri në skajet më të largëta të atdheut, Suedisë së bukur. Në çdo faqe, libri mban të ndezur zjarrin e kureshtjes për të mësuar fatin e Djalit dhe të Tigrit dhe, krahas emocionit dhe kënaqësisë së madhe, na jep artistikisht mësime të vlefshme për gjeografinë dhe historinë e Suedisë, na nxit shpirtin e guximit dhe të vendosmërisë, për të njohur edhe më mirë botën e njerëzve dhe të kafshëve. Tregimet, shfaqin episode, ngjarje, aventura, dialogë, batuta, fjalë të urta të mrekullueshme pa fund, të cilat ushqejnë pareshtur flakët e dëshirës për ta lexuar me pasion çdo rresht, paragraf dhe faqe të librit. “Djali dhe Tigri”, nis me arratisjen e papritur të Tigrit, shqetësimin dhe vendosmërinë e djalit për ta kërkuar dhe për ta gjetur doemos atë. Njerëzit që ai takon, thuajse të gjithë e këshillojnë Djalin që të kthehet në shtëpi, por ai nuk mund të kthehet, ai nuk mund ta braktisë dhe ta lërë në mëshirë të fatit Tigrin, mikun e tij të dashur.
Episodet vijojnë si sekuenca filmike: biseda me parashikuesen e fatit, episodi, se si Djali, përtë siguruar ushqimin e ditës bëhet fotograf, dialogu i këndshëm me urithin, i cili ndihet keq sepse nuk ka krahë që të fluturojë së bashku me shpendët dhe, në pamundësi, ëndërron të hapë një tunel të gjatë të nëndheshëm deri në Lapland, tregimi për salmonin madh, që ndonëse me plagë në trup, priti natën me hënë që të kërcente fluturimthi në ujëvarë dhe të shkonte doemos në vendlindjen e tij, tregimi për shitësin shëtitës, për macet e egra, shtegtimin e zogjve drejt Afrikës, takimi i Djalit me vajzën që donte të shkonte në Paris, përshkrimi i aventurave të Vjedullës, tregim për djemtë që mblidhnin kanoçe, për vajzën refugjate në kambanore, tregimi që na mëson se dhelpra dhe kusarët janë e njëjta gjë, tregimi për jetën e samve dhe të drerëve në Veri të Suedisë…
Duket sikur autori ngjyen penën e tij në ngjyrat e mahnitshme të aurorave polare dhe përhapë nuancat e tyre të freskëta nëpër faqet e librit, duke na treguar se bota është e madhe, se jeta është e bukur kur i jep vlerë dhe kuptim, se mirësia dhe dashuria njerëzore duhet të triumfojnë mbi gjithçka, se është gjithnjë në rrugë të mbarë dhe nuk gabon kurrë, ai që ecën në rrugën e së vërtetës, se e drejta për të jetuar është e drejtë e çdo gjallese të rruzullit tokësor…
Njëri tregim më i interesant se tjetri, njëri më tërheqës se tjetri, një bukuri e pafund fabulash, përshkrimesh, shprehjesh me hijeshi artistike pasqyrohen në faqet e këtij libri të magjishëm, që e ka sjellë në gjuhën shqipe me përkthimin e tij poeti, shkrimtari dhe gazetari i njohur Sokol Demaku.
Në libër përshkruhet Suedia, mjediset dhe peizazhet e saj magjepse, qytetet, krahinat, bregdeti, ishujt, klima dhe natyra e këtij vendi të mrekullueshëm. Përshkruhen, skaliten dhe portretizohen njerëzit, personazhet e librit, që të mbeten në mendje për karakterin e pa përsëritshëm, zakonet, bisedat, fjalët që përdorin, mendimet që shfaqin, humori, të veçantat e secilit. Përshkruhet llojshmëria e kafshëve dhe e shpendëve, jeta e tyre, respekti, kujdesi dhe dashuria e suedezëve për çdo gjallesë të rruzullit tokësor.
Duke lexuar të 140 faqet e këtij libri, kuptojmë se jemi bërë më të ditur, më të pasur shpirtërisht, më të vendosur në qëllimet tona për të mësuar dhe për të përballuar jetën dhe vështirësitë e saj, për të dashur më shumë atdheun dhe njerëzit, për të respektuar lirinë dhe mendimin përparimtar, por jemi bërë edhe më të ndjeshëm ndaj natyrës, drurëve dhe pemëve, kafshëve dhe shpendëve. Ndërkohë që, mendimet dhe përjetimet tona, imagjinata dhe frymëzimi ynë, kanë fituar hapësira dhe dimensione të reja. Shkrimtari na ka vënë në mendime, ka nxitur tek ne përfytyrime për gjëra që nuk i dinin përpara se të lexonin këtë libër, ka bërë që t’u tregojmë me padurim shokëve dhe miqve se çfarë libri të rrallë kemi lexuar dhe, pastaj, bashkërisht, të përpiqemi të vëmë në skena të improvizuara teatri, episode, ngjarje, rrëfenja të këtij libri.
E përshëndes kolegun suedez për librin e bukur, edukativ, tërheqës dhe mbresëlënës që na ka dhuruar. Kam ndjerë shumë gjatë leximit të librit, kam përjetuar emocione të bukura dhe befasuese, jam përfshirë në valë respekti dhe dashurie për jetën dhe njerëzit e guximshëm, këmbëngulës në arritjen e qëllimeve që i vënë vetes. E falënderojë nga zemra dhe e urojë shkrimtarin suedez për krijime të tjera të bukura, që na pasurojnë dhe na zbukurojnë mendimin, fantazinë, imagjinatën dhe jetën tonë.
Faleminderit Lars Westman!