PERSONAZH/ Flet regjisorja e mirënjohur Donika Mustafaj: Dikur kënga ishte një qëllim më vete, sot qëllimi është fitimi i parasë/
-Ja misteret e filmit “Kur kënga nuk kishte Pazar”
– Të gjitha këngët e dashurisë sot janë këngë mekanike, nuk kanë shpirt
-Këngëtarët sot shesin më shumë imazhin se sa këngën
Nga Albert Z. ZHOLI/
Kënga për dashurinë është burim i kulluar i ndjenjave të shpirtit. Ajo të çon drejt virtytit, ndjenjës së pastër, mallit të përvëluar, kufijve të sentimentit njerëzor me dimensione të hiperbolizuara jashtë paragjykimeve dhe barrierave të shoqërisë. Ajo e lartëson bukurinë e vashës në tempullin e ndjenjës dhe dashurinë e djalit në himnin e lidhjes fizike dhe shpirtërore, me një temp perëndish. Kënga, e kthen realitetin në idealizëm dhe idealizmin pjesë të kënaqësisë së të jetuarit. Ajo është ankth, mall, përshpirtje, lartësim, ikjemendje drejt skutave të vetvetes. Kush jemi pse jetojmë? Si na kanë dashur dhe sa dashurojmë ne në jetën tonë?! Jo vetëm Nepor edhe të tjerë!. Asnjëherë populli nuk e ka shkruar eksperiencën e tij jetësore, më shumë se në zhanrin e këngës. Një përballje shpirti dhe mbi të gjitha brezash ndër vite, genesh dhe gjenetike të një populli, që ka ditur ta bëjë shpirtin të flasë me notat e këngës së tij. Duke rrjedhur nga kjo tokë e virgjër, brendësore e malaksur vetëm me natyralitet, kënga lartësohet në interpretimin e një këngëtari virtuoz dhe të talentuar. Është kjo lidhje e madhe shpirtërore e poezisë popullore me interpretimin, që ka krijuar në Shqipëri një plejadë këngëtarësh me emër që i kanë dhënë këngës për dashurinë emrin dhe talentin e tyre. Dhe pse muzika është kthyer në një mall tregu, këngëtarët më të talentuar ndjehen larg këtij manierizmi duke patur si pasion intelektual muzikën e vërtetë, muzikën e pastër, muzikën autoktone shqiptare, tekstin e bukur të mbështetur në folklorin shqiptar. Është pikërisht kjo shtresë intelektualësh e cila krijon një veçansi me interpretimin e saj. Por nuk është vetëm kjo. Është dhe e kundërta e saj, kur kënga për dashurinë përcillet me një muzikë absurde dhe një tekst pa kuptim në emër të komercializmit. Kështu foklori përjashtohet, teksti poetik shpërdorohet, muzika tradicionale mohohet. Të gjitha në emër të parasë….
Kënga për dashurinë dje dhe sot. Çfarë është në folklorin shqiptar, si ruhej kjo muzikë dje dhe si është sot kjo këngë magjike?
-Tek këngën për dashurinë para viteve ’90 dhe pas viteve ’90, nuk kanë ndalur ende kritikët, apo muzikologët ta analizojnë. Kënga ka shumë komponentë. Kënga nuk është përqendruar vetëm tek teksti. Kënga është si çdo art tjetër që tregon se kush jemi. Kënga brenda ka edhe motivin e dashurisë. Unë jam përqendruar tek kënga e dashurisë dhe në film kam përcjellë tek shikuesi këngën e lehtë dhe atë popullore. Këto janë të gjitha këngë dashurie, për të parë ndikimin e dashurisë në këngët bashkëkohore. Duke parë si kanë ndikuar këngët e dashurisë në këngët bashkëkohore unë ndërtova këtë film duke e parë si ka qenë më përpara dhe e krahasoj me sot. Kam respektuar personalitete që kanë emër në fushën e artit si Jorgo Papingji, Flamur Shehu, Arben Duka, Pandi Laço. Këto janë personalitete që flasin. Konkluzioni im është: Nuk mund të mendosh që kultura jonë individuale, është thelbi kryesor i kulturës së këngës së dashurisë. Kënga është ajo që e çon kulturën tonë drejt një regresi apo progresi dhe më tej drejt një analize. Duke ballafaquar të dyja këngët para viteve ‘90 dhe pas viteve ‘90, kam si shënjestër dallimet ms tyre…Pra kam bërë një analizë të këngës në përgjithësi. Këngët pas viteve 1990 janë të gjithë këngë problematike, ka një marramendje të këngëve. Shumë njerëz mund të mendojnë se nuk është vetëm dashuria që duhet të marim në konsideratë se kemi edhe probleme të tjera, se ka edhe këngë shumë të bukura që nuk kanë dashuri. Unë shpjegoj në film se përse kemi zgjedhur këngë dashurie. Pse publiku jonë ka më shumë neps, sesa gjykim. Tërheq më shumë publikun me këtë pasion që ka brenda vetes dhe që e ka të identifikueshme se sa me pasione të tjera. Sepse është forcë që t’ia thuash vetes tënde dobësitë që ke. Një pyetje nga një gazetar ishte, se kë këngë pëlqeja! Unë jam për të gjitha shijet. Nëqoftëse dikur kënga ishte një qëllim më vete, kënga sot është kthyer për të arritur një qëllim dhe fitimi i parasë. Kjo mund të ketë pasoja në peizazhin muzikor shqiptar. Unë jap një sinjal dhe një alarm. Këta këngëtarë e kanë shpërfytyruar të qenit art dhe ne këtu duhet të ndalemi dhe ti biem fort këmbanave. Kemi shkuar drejt një uniformizimi të kulturës dhe progresit të saj meqenëse bëhen vetëm këngë të njëjta. Këngët zgjidhen për ti pëlqyer rinisë. Rinia është masa më e madhe dhe më evulive e shoqërisë dhe duhet ti përgjigjemi me gjuhë bazike. Por kur dëgjon këngët sot? Të gjitha janë këngë mekanike. Këngët mekanike nuk kanë shpirt.
Më përpara ne këngët i kemi pasur me tema të shumëllojshme dhe me poezi brenda. Po këngët e dashurisë sot?
Në këtë kohë kënga nuk ka asnjë lloj frymëzimi. Është gjetur një kallëp që po të realizojë diçka për fitim ka garantuar suksesin. Ata shesin më shumë imazhin se sa këngën. Kjo bëhet më shumë që ata të flasin për veten e tyre. Ata nuk e kanë më problemin e këngëve. Kënga është bërë konsum në masë. Më parë nuk ishte konsum, ishte kënaqësi. Mund të them se pjesa më e madhe e fajtorit është media, sepse ajo është edukative. Akoma nuk e kemi kuptuar se thelbi i kulturës jepet nëpërmjet medies. Kam studiuar dhe dëgjuar shumë se këta këngëtarë i bëjnë edhe heronj. I thërrasin nëpër studio, ku ka këngëtar të tjerë që kanë më shumë vlera dhe nuk i fton njeri. Sot këngët e mëparshme nuk transmetohen, ato kanë ngelur të ngrira nëpër sirtarë.
Deri para viteve ‘90 të gjithë kompozitorët dhe poetët kanë krijuar dhe kanë shkëputur nga e kaluara, nga folklori. Kanë ecur përpara. Por sot shohim një peizazh krejt tjetër, ku nuk pyet asnjeri për folklorin dhe traditën dhe akoma më keq kanë vënë fëmijët që të këndojnë këngë që nuk u përkasin dhe kjo është e tmerrshme. Këta lloj këngëtarësh thjesht nuk bëjnë art por bëjnë këngë për të fituar para.
Kush është mesazhi që përcjell në këtë film?
Unë e dua shumë këngën. Kur kam qenë e vogël kam kënduar. Jam rritur duke kënduar. Kënga është elementi thelbësor i kulturës. Dhe të gjithë personazhet që kam në dokumentar janë të gjithë të shqetësuar për këtë gjë: Ku po shkon kënga sot?! Pra ky është mesazhi…
-Kush është bërë pengesë e kësaj rrokopujë që po ecën kënga e dashurisë…?
E para është media. Dikur në media kënga ishte art dhe vlerat përcaktoheshin nga profesionalizmi i një kënge, ndërsa sot është paraja në mes. Profesionalizmin nuk e sheh as me dylbi, poetikën e vargjeve nuk e shijon askund në horizont…
-Përse femrat kanë pasur sukses më shumë në këto lloj këngësh?
Sepse femrat shesin imazhin. Kënga është kthyer në një pjesë të ëndrrave tona. Atë që ne nuk na e jep libri apo filmi, sot kënga na e jep për 5 minuta. Por na e jep me një imazh të përmbysur, ku derdhet lumë paraja. Sheh një klip, ku derdhet shampanjë, vetura superluksoze, helikoptera etj, etj.
Populli një pjesë e shikojnë, (pra nuk e dëgjojnë ) në televizor, kompjuter apo celularë. Duke e parë vazhdimisht këtë lloj kënge që përsëritet për 10 vjet, ajo patjetër që kthehet në një shije. Sigurisht që populli do ta pëlqejë dhe këtë shije të hidhur. Këtë bën reklama negative.
-Kush është lufta kryesore për tu zhvendosur ndaj këtyre lloj këngëve ?
Duhet të ketë censurë nga specialistët e këngës. Duhet të ketë censurë niveli. Zgjidhjen duhet ta japin ata që janë të asaj fushe, unë kam bërë vetëm studimin. Një këngë pa mesazh, ku do ta çojë këtë brez?! Si po edukohet ky brez, dhe çfarë po i japim këtij brezi? Kjo lloj kënge është shkëputja totalisht nga folklori. Folklori nuk vlerësohet se është sqimatar, ka marrë vulën dhe vlerën e popullit, sot nuk ka se kush paguan për të. Media jep atë që paguan. Thjesht media është bërë komerciale. Të gjitha këto i vuan folklori, muzika, kënga e bukur që është zhdukur në pluhurin e harresës.
***
“Kur kënga nuk ishte Pazar”
Në veprën më të fundit, “Kur kënga nuk ishte Pazar”, Donika Mustafaj bën një ndërthurje të zbërthimit të estetikës së këngës me zbërthimin sociologjik të përmbajtjes së saj, duke mbajtur gjithnjë në qendër të vëmendjes si artiste problematikën e saj të parapëlqyer rreth identitetit të shqiptarit dhe tronditjeve që ka pësuar ky identitet nën presionin e fortë të shoqërisë së konsumit. Ajo zgjedh kësaj here një element të përjetshëm, sa universal aq edhe individual, përbashkues për të gjithë njerëzit pavarësisht moshës dhe gjinisë, e njëherësh burim i pavdekshëm frymëzimi për muzikantët, poetët e këngëtarët, që është dashuria. Përtej prapambetjes ekonomike apo edhe prapambetjes arsimore, gjendjes në liri apo i pushtuar nga të huajt, shqiptari i ka kënduar në mënyrë të magjishme dashurisë, duke nxjerrë në pah si ndjeshmërinë e tij të lartë shpirtërore, aftësinë për ta shprehur artistikisht me mjeshtëri impresionuese këtë ndjeshmëri, si edhe respektin publik ndaj dashurisë si burim energjish pozitive, qoftë edhe kur bëhej fjalë për një dashuri të mbetur pa përgjigje. Dashuria ka etikën e vet, në sajë të së cilës ajo e ndihmon njeriun fuqishëm të përsoset si njeri në anët e tij më të mira, ato që ofrojnë me të tjerët. Përballë këtij koncepti për dashurinë, që na vjen nga këngët e traditës, Donika Mustafaj na vendos këngët e sotme të dashurisë, ku dominon instinkti, seksi i egër dhe ku marrëdhënia intime përjetohet më së shpeshti si një traumë më pasoja të rënda për individin. Autorja nuk merr përsipër të gjykojë mbi cilësinë artistike të tekstit dhe as të muzikës së këtyre këngëve. Shqetësimi i saj si krijuese lidhet me përmbysjen e madhe, që ka pësuar vetë koncepti i dashurisë së pasqyruar në këto këngë, të cilat mishërojnë një ndërprerje brutale të traditës. Qëllimi i saj nuk është, megjithatë, ta shtrojë këtë ndërprerje të traditës si një çështje të zhvillimit estetik të këngës, për të nxjerrë përfundimet e veta nëse ky zhvillim është në rrugë të mbarë apo të gabuar. Qëllimi, drejt të cilit ajo ecën me kërkimet e veta, është krejt tjetër.
Jakov says
Jane persona te vecante qe e drejtojne kengen ne pergjithesi drejt asaj qe thuhet ne artikull PARAJA ben ligjin edhe ne art .Tv e ndryshme kane marre detyren te cedukojne masen sidomos te rinise qe pelqen tek kenga vetem paraqitjen e jashtme -Kenga e bukur per ta eshte ajo ku kengetarja (sidomos )del e xhveshur –ka veshje transparente ku duket gjithcka deri tek te mbathurat –gjoksi i madh perjashta ku specialistet qe filmojne vazhdimisht ,filojne te tregojne pjeset me atraktive ,filmimet nga posht dhe keshtu kenga bie ne nje plan te dyte apo te trete .Te gjitha kenget vene te plan te pare baterine apo kitarat ku ata luajne rolin kryesor .Po te pyesesh pastaj per tekstin ai ose eshte per ibret ose nuk shqiptohet mire fare mbasi kengetaret nuk kane arsimin e duhur muzikor qe fillon jo vetem nga vokali por edhe nga gjuha shqipe (Fjalet shqiptohen keq ne pergjithesi )Ajo tjetra qe ve re eshte kopjimi nga muzika e huaj sidomos ajo italiane e angleze .Refrene apo pasazhe te tera ,bien ere muzike jo shqiptare .Fajin ketu e kane komisjonet qe i pranojne keto kenge porkeri dhe asnje nuk do tja dij –as z.Gjebrea qe i ka marre te gjitha funksionet ne nje shou televiziv .Keshtu ndodh kur mbetet puna kur punet si ne socializem i drejton vetem nje dore (apo kembe )Pagat e tyre te stermedha ,kane prishur edhe shijet e kengeve–paraja po shkateron artin me kazme -ka mbatur vetem pushka –simbolet e sistemit qe ngordhi -mbasi edhe ne art jane po ato fytyra qe kemi pare ketu e 25 vjet te kaluara .Shikoni vetem Arditin –sa programe drejton ai qe nga gjyqet televizive e deri tek show TV –vetem se ai eshte miku i shefit qe e kone majmerisht .Nuk shkohet perpara keshtu .