Artan Nati/
Edipi ishte një princ për të cilin Orakulli kish paralajmëruar profecinë se në moshë të re ai do të vriste të atin dhe me pas do të martohej me nënën e vet. Për të shmangur këtë fat, prindërit e tij e braktisën si foshnjë, por ai u shpëtua dhe u rrit nga një familje tjetër. Si i rritur, Edipi padashur e përmbushi profecinë duke vrarë babanë e tij në rrugë dhe më vonë u martua me nënën e tij, Mbretëreshën Jokasta. Kur e vërteta u zbulua më në fund, Jokasta vrau veten dhe Edipi u verbua nga tmerri dhe turpi. Ai u internua nga mbretëria dhe jetoi pjesën tjetër të jetës së tij si një lypës endacak. Kjo profeci bazohej në njohurinë hyjnore në të cilën kishte akses orakulli dhe besohej se ishte e pagabueshme. Natyrisht kjo njohuri hyjnore sot quhet subkoshiencë ose pavetëdije. Efekti i Edipit veç të tjerash është një koncept psikologjik që i referohet tendencës së njerëzve për të kërkuar dhe rikrijuar në mënyrë të pandërgjegjshme modele sjelljeje që pasqyrojnë konflikte të pazgjidhura nga e kaluara e tyre. Historia e Edipit shihet shpesh si një përrallë paralajmëruese për kotësinë e përpjekjes për t’i shpëtuar fatit, si rezultat i injorimit të pavetëdijes sonë.
Në përgjithësi, efekti i Edipit në kontekstin e udhëheqjes së një partie politike thekson rëndësinë e vetëdijesimit dhe rreziqet e mundshme për të qenë tepër i fokusuar në rezultate të caktuara ose në interesat e veta personale. Udhëheqja efektive kërkon një ekuilibër midis ambicies personale dhe një përkushtimi për t’i shërbyer të mirës më të madhe. Liderët e shtetit apo partive tona politike janë produkt i kulturës kombëtare që bazohet në patriarkalizëm dhe shoqërinë hierarkike, ku autoriteti i të parit të grupit, fisit apo i vendit është i padiskutueshëm dhe nqs ai është vërtetë burrë kurrë nuk tërhiqet, kurrë nuk jep dorëheqje , por qëndron deri në fund, m.gj.s mund të shkaktojë tragjedi. Po të pyesnim orakullin sot, me siguri do të përgjigjej se : ndikimi i një lideri autoritar në një parti politike mund të jetë negativ, pasi mund të çojë në një ulje të unitetit të partisë, humbje të popullaritetit dhe paaftësinë për t’u përshtatur me rrethanat e reja. A nuk duket kjo si realiteti që ne jetojmë në Shqipëri?
Shpesh dëgjojmë nga simpatizantë të partive politike apo edhe anëtarë të tyre dhe njerëz të thjeshtë se edhe të rinjtë i kemi provuar dhe kanë dështuar totalisht. Faktet tregojnë se ata kanë të drejtë dhe është e vështirë të provosh të kundërtën. Ashtu si Edipi nuk mund të ndryshonte dot fatin e tij dhe më në fund verboi veten, sepse ishte i paaftë të shikonte me sy hapur fundin e tij, duket sikur ka ndodhur edhe me politikën dhe qeverisjen e vendit tonë. Problemi mendoj se qëndron tek të rinjtë, por te proçesi nëpërmjet të cilit ata zgjidhen. Mendoj se në pavetëdijen tonë është rrënjosur praktika se të rinjtë duhet të marrin bekimin e njerëzve të fuqishëm në parti apo qeveri dhe pastaj të promovohen. Bazuar në këtë eksperiencë të rrënjosur në pavetëdijen tonë, mund të parashikojmë të ardhmen apo profecine se ku mund të arrijmë. Kështu ka funksionuar vendi ynë, familja jonë, shoqëria jonë. Psikoanalisti Carl Jung e ka shprehur shumë bukur këtë sindromë që po përjeton politika dhe lidershipi i vendit “Derisa ta ndërgjegjësoni të pandërgjegjshmen, ajo do të drejtojë jetën tuaj dhe ju do ta quani atë fat.” Pra përderisa ne nuk do të kuptojmë se kultura dhe eksperienca jonë të rrënjosura në pavetëdijen tonë janë busulla jonë e padukshme, ajo do të drejtojë gjithë jetën tonë deri në momentin që ne arrijmë të njohim veten dhe të fillojmë ndryshimin. Pikërisht kjo ndodhi me Edipin, kjo po ndodh në qeverisjen e vendit dhe në gjithë politikën Shqiptare dhe kjo ndodh me secilin prej nesh. I njëjti fenomen vihet re edhe te PS dhe lideri i saj Edi Rama. Ata janë zhytur tërësisht në batakun e korrupsionit dhe autoriteti i Ramës është i padiskutueshëm. Rama fajëson median për gjithçka, duke e quajtur atë kazan, të cilin e ka në shërbim të tij me përjashtime të vogla, duke mos u bërë i vetëdijshëm për kulturën autoritare dhe korruptive në të cilën është zhytur PS. Rama është një udhëheqës i cili është tepër i përqendruar në suksesin e tij dhe në ruajtjen e fuqisë së tij, duke marrë vendime që përfundimisht minojnë autoritetin e tij dhe po e çon PS dhe vendin drejt një rruge pa fund. Nëse një qeveri ose udhëheqësit e saj nuk mbahen përgjegjës për veprimet e tyre, ekziston një rrezik më i madh korrupsioni. Kjo mund të ndodhë nëse ka një sistem ligjor të dobët ose inekzistent, ose nëse ka zbrazëtira që lejojnë që korrupsioni të mos kontrollohet.dhe është pikërisht kjo situata ku e ka çuar vendin kjo qeveri.
Është gjithashtu e mundur që udhëheqësi mund të zgjedhë të japë dorëheqjen vullnetarisht, veçanërisht nëse mendon se nuk janë më në gjendje të udhëheqin efektivisht partinë ose nëse besojnë se udhëheqja e tyre e vazhdueshme po dëmton shanset e partisë për sukses. Filozofi Gjerman Frederik Niçe thotë: “Gjarpri që nuk mund të hedhë lëkurën e tij duhet të vdesë. Si dhe mendjet që pengohen të ndryshojnë mendimet e tyre; ato pushojnë së qeni mendje”. Shumë nga liderët europianë kanë dhënë dorëheqje kur kanë qenë në pushtet sepse e kanë kuptuar se vendi kishte nevojë për ndryshim. Të tillë janë Angela Merkel në vitin 2018, njoftoi se do të tërhiqej si kryetare e Unionit Kristian Demokrat (CDU) të Gjermanisë pas 18 vitesh në këtë rol m.g.js ishte shumë e suksesshme. Po ashtu në prill 2011, kryeministri i Spanjës, Zapatero njoftoi se nuk do të kërkonte rizgjedhje në zgjedhjet e ardhshme, të cilat ishin planifikuar për në nëntor të atij viti. Ai deklaroi se besonte se është koha që lidershipi i ri të marrë drejtimin dhe partia të ripërtërihet. Këta lider e shumë të tjerë e kuptuan se koha e tyre kishte mbaruar dhe hapën rrugën për brezin e ri. Duket sikur liderët tanë kanë vendosur që ashtu si Edipi ta çojnë vendin në greminë, ata nuk pranojnë të japin dorëheqje ,ata nuk pranojnë të demokratizojnë jetën e partive politike, ata kanë një kompromis me njeri tjetrin të rrinë në pushtet në kurriz të popullit, duke shtruar rrugën për profecinë e vendosur nga populli, që të përfundojnë më parë në SPAK. Shqipëria nuk ka kohë të presi, komuniteti ndërkombëtar nuk mund të lejojë disa të korruptuar me mentalitet mesjetar të mbajnë vendin peng. Drejtësi për politikanët do të thotë që ata të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre, duke iu nënshtruar të njëjtave ligje dhe rregullore si çdo qytetar tjetër, dhe të mbahen me një standard të lartë sjelljeje etike duke pasur parasysh ndikimin që vendimet dhe veprimet e tyre mund të kenë në shoqëri.