“Felix, qui potuit rerum cognoscere causas atque metus omnes”
Lënda e mbledhur përfshinte 359 vëllime me dorëshkrime si dhe 268 tituj të botuar, pra gjithsej, 627 zëra. Studiuesit, hisotrianët dhe biografët kan konstatuar se dorëshkrimet e at Riçeputit nuk janë botuar deri me sot, si rezulat i një ndryshimi përmbajtësor, tematik e konceptual të projektit të veprës Illyricum Sacrum nga ana e at Farlatit, por ato janë shpërndarë nëpër volume të ndryshme nëpër biblioteka, arkiva dhe institucione tjera dhe një pjesë tjetër është humbur pa lënë asnjë gjurmë.
Prof. Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies – Budapest
Për shkak të pozicionit të saj gjeografik, Shqipëria megjithëse shpesh e izoluar, ka qenë përherë në udhëkryqin e perandorive, qytetërimeve dhe civilzimeve të ndryshme. Në lashtësi, për shekuj me rradhë, ajo është gjendur në kufirin politik, ushtarak dhe kulturor ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, në fillim midis Perandorisë Romake dhe qytetërimit helen, më pas në mesjetë, midis Italise katolike dhe Perandorisë Bizantine ortodokse. Më tej, deri në pushtimin e plotë nga Turqit, Shqipëria gjendej ne frontin midis Evropës së krishterë dhe Lindjes ortodokso-islamike.
Korpusi Illyricum Sacrum është një nga arritjet kryesore historiografike dhe burimologjike jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin, por në gjithë Europën e shekullit të 18-të. Edhepse e botuar në vitet 1751-1819, kjo vepër edhe sot e gjithë ditën ka rëndësi të dorës së parë si burim i të dhënave për historinë mesjetare të tërë Ballkanit, në veçanti të Ilirisë së lashtë. Historiografia e shekullit të XVII-të dhe të XVIII-të shquhet për ndërmarrje të mëdha botuese. Ajo ka nxjerrë në dritë vepra monumentale, që jo vetëm i kanë rezistuar kohës, por edhe u bënë udhërrëfyese për një sërë studimesh të mëvonshme, duke shërbyer si bazë për botime dhe editime serioze. Po përmendim vetëm disa nga këta editorë dhe kryeveprat e tyre kapitale si psh. R. Pirri, Ph. Labbè, J. F. Schannat, J. J. Stredovsky, M. le Quien, M Hansizio, D. Sammarthani, H. Florez, etj.
Një vështrim i përgjithshëm për këtë epokë nuk mund të fillojë pa përmendur atë që është konsideruar si themeluesi i historiografisë moderne kardinalin Caesare Baroni. Vepra monumentale e kardinal Baronit, në atë kohë prefekt i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, dhe e grupit të tij të bashkëpunëtorëve, Annales ecclesiastici, (botuar brenda një periudhe prej 19 vitesh [1588-1607]), pasohet nga një seri veprash të tjera të kësaj natyre, siç janë veprat kapitale të autorëve të mëdhenj: Ferdinando Ughelli Italia Sacra, të cilën e botoi në vitet 1642-1648; pastaj seria hagjiografike, njëra ndër seritë më të rëndësishme të shekullit të XVII-të, me vlerë akoma të pakapërcyeshme, Acta Sanctorum e Ioannes Bollandi-t. Të tre këta autorë përdorën metoda të reja për të shkruar historinë, duke inkorporuar tekste të nxjerra nga dorëshkrimet e dokumentet e shumta, të përshkruara me shumë korrektësi nga arkivat e bibliotekat e ndryshme, si dhe duke i shoqëruar ato edhe me citate të veprave të autorëve të nderuar, me komente në favor të argumentimit sa më të saktë të ideve dhe të mendimeve të parashtruara, duke i ilustruar me harta e tabela ndihmëse për t’i kuptuar sa më drejtë dhe sa më plotësisht ato.
Ishte pikërisht vepra e bollandistëve ajo që e frymëzoi projektuesin e veprës monumentale Illyricum Sacrum, Filip Riçeputin, për të nisur kalvarin e gjatë e të mundimshëm të mbledhjes, analizimit dhe përgatitjes për botim të burimeve dokumentare e jodokumentare që i përkisnin historisë së Ilirisë. Vlerësimi i bashkëkohësve për këtë vepër do të na përcillej me thënien e Tamburinit: “… La prima opera dopo quella dei Bollandisti, che in genere istorico e critico…”, thënie kjo me shumë kuptim, nën dritën e së cilës vlen të analizohet e gjithë vepra Illyricum Sacrum, sidomos nga ana e historiografëve, për ta kuptuar historiografinë e asaj epoke që vazhdon të jetë themel solid edhe sot e kësaj dite dhe qëndrimin kritik ndaj burimeve dhe dokumenteve burimore. Për vendet e Ballkanit Illyricum Sacrum ka një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm si njëra ndër veprat e para historiko-kritike, por edhe si vepra më e plotë burimore për këto hapësira.
Lënda burimore, dokumentare dhe literatura në korpusin Illyricum Sacrum janë jo vetëm për ilirët (por edhe për popujt e tjerë të trevave ballkanike), për shtrirjen e tyre gjeografike, jetën, organizimin shtetëror, (themelimin dhe ngritjen e qyteteve të rëndësishme iliro-shqiptare prej lashtësisë deri sot), por edhe për sukseset e disfatat: luftërat me grekët, romakët, bizantinët, anzhuinët dhe sllavët, duke trajtuar këtu edhe rezistencën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut kundër turqve, për të ardhur deri te fillimi i shekullit XVIII, përkatësisht Kuvendi i Arbërit dhe ngjarjet tjera që pasojnë në atë periudhë. Në mënyrë të veçantë në këtë korpus, trajtohet historia e ungjillizimit të ilirëve, në periudhën apostolike në hapësirat e gjera të Ilirikut, përhapja e krishterimit, themelimi dhe shtrirja e kishave, kuvendeve, manastireve dhe katedraleve, ndarja administrative-kishtare, hierarkia katolike e provincave kishtare dhe e qendrave ipeshkvnore e kryeipeshkvnore, përfaqësimi i tyre që prej koncileve më të hershme e deri te ai Arbërit në vitin 1703, etj. Nga pikëpamja e rëndësisë së burimeve, Illyricum Sacrum mund të krahasohet me një arkiv më vete. Asnjë burim tjetër, i botuar apo i pabotuar, nuk do të mund të zinte vendin e këtij korpusi. Asnjë institucion, asnjë akademi, asnjë shtet, nuk ka mundur të bëjë një vepër të ngjashme për trashëgiminë kulturore-historike të popullit shqiptar prej kohërave të lashta e deri në mesin e shekullit XVIII.
Ndër burimet e rëndësishme për njohjen e historisë së lashtë të Ilirisë janë veprat e historianëve dhe të gjeografëve grekë e romakë. Ilirët, duke qenë shekuj me radhë fqinjë të grekëve dhe romakëve, duke pasur marrëdhënie me ta, kanë tërhequr vëmendjen e autorëve të lashtë. Të dhëna, ndonëse të pakta, gjejmë duke filluar nga Homeri dhe Hesiodus në shekujt X-VI para Krishtit. Njoftime me interes na jep gjeografi grek Scylax, që i përket shekullit VI para Krishtit. Për shekullin e V para Krishtit, kemi njoftime më të shumta dhe më të rëndësishme nga autorët grekë si Herodotus, Hecataeus. Veprat e Herodotit dhe të Thucydides, i cili është quajtur i pari historian kritik i kohës së lashtë, kanë një rëndësi të veçantë për historinë e Ilirisë. Në “Luftën e Peleponezit” Thuqididi flet edhe për fiset ilire duke dhënë njoftime interesante mbi gjendjen e tyre në shekullin V para Krishtit. Për shekujt e mëvonshëm burimet bëhen më të shumta, më të pasura dhe më kritike. Një rëndësi të posaçme kanë njoftimet dhe gjykimet që na jep filozofi i madh grek i shekullit IV para Krishtit, Aristophanes, ndonëse të përcipta për qytetet dhe fiset e Ilirisë, për rendin e tyre shoqëror dhe për sistemin e tyre shtetëror. Fragmente të vlefshme na kanë mbetur nga veprat e Theopompus nga shekulli IV para Krishtit, dhe të Agatharkidit nga shekulli II para Krishtit, të cilat flasin për rendin shoqëror të Ilirëve. Historinë e luftërave të Ilirëve me Romën në shekullin II para Krishtit, na e jep me hollësi historiani Polybius. Duke filluar nga shekulli I para Krishtit, burimet letrare greke plotësohen me ato romake. Krahas grekëve, Diodorus Siculus e Scymnus, njofime mbi Ilirët në shekullin I para Krishtit na japin Julius Caesar, Titus Livius dhe Pomponius Mela.
Autorët e lashtë të shekullit I pas Krishtit, duke u mbështetur në veprat e shkruara para tyre, një pjesë e mirë e të cilave për ne janë të panjohura, bëjnë fjalë edhe për ngjarje të shekujve të kaluar. Nga këto, njoftime më të pasura dhe më të rëndësishme mbi ilirët dhe Ilirinë i gjejmë te historiani romak Appianus dhe gjeografi grek Amasenus Strabo. Historianët dhe gjeografët e tjerë të këtyre shekujve, që na japin burime të vlefshme për njohjen e historisë së vjetër të Shqipërisë janë: Plini Plaku, Plutarchus, Dion Cassius, Flavius Arrianus, Claudius Ptolemaeus, etj, ndërsa Stefan Bizanti, i shekullit VI pas Krishtit, në fjalorin e tij na jep njoftime të autorëve antikë, veprat e të cilëve kanë humbur. Materiale për dyndjet e barbarëve gjejmë tek autorët e shek. V-VI pas Krishtit, si Amion Maecelini, Porpyrius, Procopius Caesariensis, etj.
Gjatë shekujve të shkuar Iliria kishte kaluar një lulëzim të qytetërimit latino-ilir, duke i dhënë Romës disa perandorë, në mesin e të cilëve edhe Aurelianin, Dioklecianin, Konstantin e Madh, etj. Në kohën e shkatërrimit të Perandorisë Romake, Iliria u sulmua shpesh nga popuj të ndryshëm si: vizigotët, hunët, ostrogotët, gotët, avarët, etj, të cilët territoret ilire i bënë arenë luftërash shkatërrimtare, duke pushtuar pothuajse tërë Gadishullin Ballkanik. Nga fundi i shekullit VI dhe fillimi i shekullit VII nga veriu depërtuan fise të popujve sllavë: bullgarët, serbët dhe kroatët, që për një kohë të shkurtër pushtuan pothuaj tërë Ilirinë përkatësisht territoret në mes Dravës, Moravës dhe Vardarit duke dalur deri në brigjet e detit Adriatik.
Ndërrimeve të pandërprera të pushtuesve të shumtë, ndarjeve fetare në mes të Romës e Bizantit në shekujt e mëvonshëm, si dhe coptimet teritoriale të trevave ilire [albane] në mes serbëve, bullgarëve dhe kroatëve, në shekujt pasardhës ju shtuan edhe pushtimet normane dhe venedikase, duke bërë kështu që bregdeti shqiptar, por edhe brendia, të shndërrohen në teatër luftërash të vazhdushme, ku popullsia vendëse çdoherë rrezikohej të zhdukej në forma të ndryshme, qoftë edhe me asimilim. Familjet fisnike të popullsisë vendëse, shqiptare, formuan principata të vogla lokale, duke ndihmuar edhe ato shkatërrimin e Perandorisë Bizantine. Në këtë kohë lindin shumë formacione administrative në vend të Perandorisë Bizantine, njëri nga të cilat është edhe ajo shqiptare, Principata e Arbërit (fillimi i viteve 60 të shekullit XII) me kryeqendër Krujën, me një territor që shtrihej përafërsisht në mes të Lezhës-Durrësit dhe Ohrit. Duke qenë se Iliria, gjatë periudhave të ndryshme historike shtrihej në hapësira të ndryshme gjeografike, herë më të gjera e herë më të ngushta, autorët e veprës Illyricum Sacrum u përcaktuan për kufijtë gjeografikë të Ilirisë në kohën e perandorit Justinian.
Pas regjistrimit dhe sistemimit të lëndës së mbledhur, të cilën Riçeputi e quante: “Bibliotheca manuscripta Illyricana” të gjithë së bashku ishin të mendimit se nuk ishte e mundur të botohej asnjë pjesë e Historisë së Ilirisë, pa u bërë krahasimet e duhura në mes të katër serive të planifikuara, për t’iu shmangur përsëritejve të shumta, në një apo në të gjitha seritë, të disa ngjarjeve, personaliteteve ose momenteve të ndryshme, që duhej të inkorporoheshin si njësi të veçanta. Psh. emri i një ipeshkvi mund të përsëritej në serinë e parë kur bëhej fjalë për ipeshkvët dhe ipeshkvitë, pastaj në të dytën kur bëhej fjalë për Sinodet kishtare, në të tretën kur bëhej fjalë për shenjtërit dhe në të katërtën ku ishin të renditur rregulltarët, etj. Një gjë e tillë, do të vononte shumë fillimin e botimit të veprës, gjë që autorëve do t’u sillte kokëçarje të shumta, ngase ata të cilët prisnim me padurim botimin e veprës ishin në fund të durimit, ndërsa numri i kundërshtarëve të një botimi të tillë sa vinte e shtohej; në anën tjetër, autorëve u ofrohej mundësia që të vazhdonin me hulumtime dhe me studime të tjera, veçanërisht në veprën madhore Acta Sanctorum të cilën po e përgatitnin bollandistët dhe kishin arritur të botonin 50 vëllime në format in folio; pastaj të konsultonin veprat e shumta të autorëve antik historianëve e gjeografëve, të cilat më parë nuk kishin arritur ti shfrytëzonin si dhe botimet më të fundit, të autorëve të shumtë të fushave të ndryshme.
Megjithatë kundërshtarët e Riçeputit ishin shumë aktivë, pos të tjerash, botuan edhe një broshurë kundër tij dhe punës që bënte. Në mesin e kundërshtarëve kishte njerzë të njohur nga jeta publike, intelektualë dhe prelatë kishtarë, veçanërisht të zëshëm ishin disa anëtarë të urdhërit të Jezuitëve. Gjatë kohës derisa mblidhte burimet dhe dokumentet për veprën e tij nëpër Dalmaci, Riçeputin e kundërshtojnë me forcë një grup intelektualësh dhe klerikësh dalmatinas, të cilët dërguan letra të shumta me akuza të rënda kundër tij, në: Dubrovnik, Riekë, Zagreb, Venedik, Padovë dhe Romë, por pa arritur ndonjë sukses. Kërcënimet arrinin deri aty sa kishte raste kur kundërshtarët kërkonin ta padisnin në gjyq ose shkonin edhe më larg në kërcënimet e tyre sa pohonin se do ta vrisnin fare nëse nuk do të hiqte dorë nga puna e filluar për të shkruar veprën Illyricum Sacrum. Shumë aktiv ishte edhe inkuizicioni venedikas dhe censura. Disa nga këto të dhëna, por edhe shumë të tjera, ruhen në korrespodencën e Riçeputit e cila tash ruhet e shpërndarë në Venedik, Firencë, Vatikan, Padovë, Zagreb, Romë, Friuli, etj.
Në këtë kryevepër është mbledhur gjithçka që ka qenë e mundur të mblidhet sipas metodës dhe kritereve të shkencës hisotrike të asaj kohe. Shkencëtarët, hisotrianët dhe studiuesit, jo vetëm të asaj kohe, por edhe në shekujt e mëvonshëm si psh: Assemani, Sommervogel, Theiner, Valentinelli, Sufflay, Combi, Ljubić, Jireček, Katalinić, Šišić, Bulić, Patriaraca, etj, me respektin më të madh kanë pranuar punën rezulatet që kanë arritur autorët e veprës, duke e quajtur atë si një vepër e jashtëzakonshme historike, natyrisht, duke theksuar edhe lëshimet e natyrshme të kohës, si rrjedhojë e kushteve objektive, por edhe faktorëve të ndryshëm shoqëror, kultuor dhe politik.
Ç’është e vërteta, sikur për çdo veprë tjetër, edhe për Illyricum Sacrum ka mendime, vërejtje dhe shkrime kritike. Ndër më kritikët, ishte njëri nga vetë autorët e veprës, at. J. Koleti, i cili shkruante se në vëllimet e para të veprës Illyricum Sacrum kishte shumë liri në interpretime dhe shkrimin e hisotrisë, derisa në vëllimet e fundit mungonte hisotria dhe shqyrtimi historik; “alterum quod nimiae scribendi licentiae aliquando indulserit in prioribus Tomis, alterum quod in postremis jenjuna aliquando arescat historia”. Në vazhdim, at Koleti nuk e mohon mundësinë e ndonjë lëshimi apo gabimi të paqëllimshëm të at Farlatit, por thekson se ai ishte shumë kritik ndaj burimeve dhe dokumeteva me të cilat punoi gjatë tërë jetës së tij; “haud negavero, aliquoties Faraltum errasse … Nam quod ad artem critices spectat, hanc Daniel apprime novit”. Disa të tjerë, at Farlatin e kanë kritikuar për faktin se ka përdorur disa bula papnore dhe burime tjera kishtare; dokumente të sundimtarëve dhe princërve ballkanas, legjenda dhe tregime popullore, duke i konsideruar ato si origjnale, të sakta dhe burime të dorës së parë; që sipas kritikëve nuk ishin të tilla. Por, në të vërtet, as at Farlati, e as at Riçeputi, nuk kishin pasur mundësi që të hulumtonin saktësinë dhe origjianlitetin e burimeve, dorëshkrimeve, dokumenteve dhe të dhënave tjera, ngase në atë kohë, nuk ishte e hulumtuar dhe studiuar në një shkallë të lartë, [psh. sikur në ditët e sotme], hisoria e Ilirisë në përgjithsë dhe asaj kishtare në veçanti. Nuk kishte rrezultate të mjaftuara të gërmimeve arkeologjike; korpuset e dokumentave me me lëndë arkivore sapo kishin filluar të botoheshin apo nuk ishin botuar ende; mungonin studimet krahasimtare në shumë fusha të shekncës, por, edhe qëndrimet e autorëve në veprat e botuara që kishin në dispozicion autorët e Illyricum Sacrum, nuk përmbushin kërkesat më elementare të studimeve të thelluara shkencore me metoda bashkëkohore. Prandaj mund të pohohet se kryevepra Illyricum Sacrum, është një vepër e rëndësisë së dorës së parë, për vetë faktin se në të gjejmë një numër shumë të madh dokumetash, të cilët autorët të shumtën e rasteve, i sjellin komplet, të pashkurtuara, orignalet e të cilave sot janë zhdukur apo kanë humbur pa gjurmë.
Në kryeveprën monumentale Illyricum Sacrum, punuan tre gjenerata studiuesish: at Filip Riçeputi, at Daniel Farlati dhe at Jakob Koleti, të cilët, në një periudhë kohore prej 124 vjetësh [1695-1819], hulumtuan, mblodhën dhe studiuan burime të shumta dhe të shumëllojshme; dorëshkrime dhe dokumente; libra të rrallë dhe modernë të kohës, hartuan disa prospekte të veprës, përpiluan tetë vëllime me indeksa si dhe shkruan më shumë se njëqind katalogje të ndryshme, që përfundimisht nga viti 1751 deri në vitin 1819 të botojnë tetë vëllimet e kryeveprës së tyre Illyricum Sacrum, për të lënë në dorëshkrime me qindra vëllime dokumentesh dhe burimesh të dorës së parë, për historinë e Ilirisë ose thënë ndryshe të Gadishullit Ballkanik dhe popujve që jetuan dhe ende jetojnë aty.
Nga at F. Riçeputi është themeluar “Bibliotheca manuscripta Illyricana,” ose “Musaeum Illyricum” qëllimi i të cilit-ës ishte ruajtja e lëndës arkivore për shkak të rëndësisë që kishte për brezat e ardhshëm. Këtu ishte mbledhur pothuajse gjithçka që kishte të bënte me historinë kishtare dhe laike të Ilirisë. Ishte sjellur nga Illira, por edhe nga Italija, Vatikani, Austria, Shqipëria, Dalmacija, Gjermania, Hungaria, e vende të tjera, lëndë arkivore origjnale ose e noterizuar. Në këto burime trajtoheshin martirët, shenjëtorët, kronikat e ndryshme me të dhëna për historinë e urdhërave kishtare, portokole e letra të papëve, si dhe e tërë ato që autorët antikë dhe të kohës kishin shkruar dhe mund të shfrytëzohej për veprën Illyricum Sacrum. Pra, thënë shkurt, ajo me vërtet ishte një “thesar” dorëshkrimesh, dokumentash, librash dhe burimesh tjera, për shkak të rëndësisë hisotrike që përmbante në vete.
Lënda e mbledhur përfshinte 359 vëllime me dorëshkrime si dhe 268 tituj të botuar, pra gjithsej, 627 zëra. Më 30 dhejtor të vitit 1741, at F. Riçeputi përgaditi për Nuncin Apostolik në Venedik, katalogun e detajuar të bibliotekës së tij, “Bibliotheca manuscripta Illyricana,” ose “Musaeum Illyricum”. Një kopje e këtij katalogu ndodhej në Vis të Kroacisë, të cilin e kishte përshkruar studenti, Anton Nisiteo. Më vonë ky dorëshkrim i këtij katalogu kishte mbërritur në Bibliotekën e Gjimnazit të Zarës, ku ruhej në fondin e dorëshkrimeve me signaturën nr. 3915. E tërë kjo bibliotekë, u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore, me të edhe dorëshkrimi i katalogut të at Riçeputit. Mbledhja, sistemi, hulumtimi dhe studimi i lëndës burimore, at Riçeputit i mori pjesën më të madhe të jetës së tij, dhe ky ishte një nga shkakqe që ai nuk arriti të botonte asnjë vëllim të Illyricum Sacrum sa ishte gjallë, por ai, në të vërtet përgaditi për shtyp disa vëllime të projektit të tij, dhe për vëllimin parë dhe të dytë mori lejen e cenzorëve. Mendimet e censorëve dhe prelatëve kishtarë që u bënë me shkrim për vëllimet e përgaditura të at Riçeputit janë vërtet të shkëlqyera.
Në bazë të hulumtimeve të bëra mund të pohojmë me sigurinë më të madhe se kjo gjendje e Musaeum Illyricum ose Bibliotheca manuscripta Illyricana, ishte në fund të vitit 1741. Pas këtij viti, është bërë një grumbullim i vazhduar i burimeve, lëndës arkivore dhe literaturës tjetër, si nga at Faralti ashtu edhe nga at Koleti, por, autorët e Illyricum Sacrum nuk na kanë lënë ndonjë regjistër, katalog, index apo çfardo shënimi tjetër për këtë. Ndërrimi konceptual i planit fillestar të Illyricum Sacrum nga ana e at Riçeputit, gjë që vërehet nga Prospectus-it e tij, ka bërë që e gjithë lënda e mbledhur të risistemohej, por nuk është pregaditur një regjistrim i ri.
Studiuesit, hisotrianët dhe biografët kan konstatuar se dorëshkrimet e at Riçeputit nuk janë botuar deri me sot, si rezulat i një ndryshimi përmbajtësor, tematik e konceptual të projektit të veprës Illyricum Sacrum nga ana e at Farlatit, por ato janë shpërndarë nëpër volume të ndryshme, pa shënuar vendodhejn e parë, fillimisht sipas konceptit të ri të veprës, që më vonë, një pjesë e tyre t’iu kthehen pronarëve të mëparshëm, një pjesë të shpërndahet falas nëpër biblioteka, arkiva dhe institucione tjera dhe një pjesë tjetër të humbet pa gjurmë.Kërkimet dhe hulumtimet për të zbuluar fatin e tërë lëndës së grumbulluar kanë dhënë rezultate të pjesëshme edhepse ato janë bërë nga specialist, arkivist, historianë dhe studiues të njohur, nëpër biblioteka, arkiva dhe institucione tjera, në shumë vende, duke filluar që nga fundi i shekullit të XVIII e deri në ditët e sotme.Për fatin e burimeve, dorëshkrimeve dhe literaurës tjetër, ishin interesuar disa shtete, institucione dhe persona derisa ishte gjallë vetë at Riçeputi, por edhe pas vdekjes së tij. Kështuqë, fillimisht, pronarët e dorëshkrimeve dhe dokumentave, insistuan që t’ju kthehen prapa ato që i kishin huazuar.