Nga Vepror Hasani/
Ne Foto: 1925-Kur aeroplani zbriti për të parën herë në Korçë/
Ishte fillimi i vitit 1925 kur lajmi mbërriti edhe në qytetin e Korçës. Thuhej se një shoqëri ajrore do të niste nga puna së shpejti. Qytetet e Shqipërisë do të lidheshin me linja ajrore. Njerëzit, tani e tutje, do të udhëtonin edhe me aeroplanë. Thuhej gjithashtu se Korça do të shndërrohej në një nga qendrat më të rëndësishme të shërbimit ajror. Udhëtarët nuk do të rropateshin më nëpër automobila e nëpër rrugë të shkatërruara, të cilët në përfundim të udhëtimit e ndjenin veten të vdekur nga lodhja. Vetëm për të udhëtuar nga Korça në Tiranë duheshin së paku 12 orë, jo rrallë herë udhëtimi zgjaste edhe më shumë se 14 orë. Ndodhte që edhe automobilat të rrëzoheshin e të përfundonin nëpër humnera. Lajmi i përhapur për shërbimin ajror ishte mëse i vërtetë. Në Korçë, një grup njerëzish kishin kohë që punonin për përgatitjen e një fushe, (aerodromi), ku do të uleshin aeroplanët. Edhe gazetat e kohës kishin filluar të shkruanin për gjithçka ndodhte:
“Informohemi se aeroplanët e shoqërisë “Adria Aero Lloyd” arritën në Tiranë dhe për së shpejti do të nisnin fluturimin. Në qytetin tonë, (në Korçë), u gatit dhe vendi për të zbritur”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë 17 janar 1925).
Shtypi i kohës e përshkruante kështu mbërritjen e aeroplanit të parë, i cili ende po vononte: “Të gjithë presin me padurim aeroplanët. Puna e tyre qëndron kështu: kur aeroplanët ishin gati për të fluturuar për në Serbi, nga e cila kishte marrë leje shoqëria, zunë mjegullat e mëdha që e ndaluan fluturimin. Kur u hoq mjegulla i kish shkuar afati lejes. Kur shoqëria kërkoi leje të re, i ardhë disa vonime. Shoqëria, duke parë se do të zgjaste kjo punë, i zbërtheu dhe i dërgoi me anën e Trieshtit për në Vlorë. Sot, atje ka vajtur mekaniku i shoqërisë për të mbledhur copët dhe për t’i vënë në rregull. Kemi shpresë, për së shpejti do të fillojë fluturimi”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 14 mars 1925).
Nga sa shihet, shoqëria ajrore ishte në përgatitjet e fundit. Ende punohej për riparimin dhe rregullimin e aeroplanëve të vjetër. Megjithatë, banorët e qytetit të Korçës ishin mbërthyer nga një kënaqësi e jashtëzakonshme. Dëshironin ta shihnin qytetin sa më parë edhe me shërbim ajror. Ëndërronin mundësinë e udhëtimit edhe drejt vendeve të tjera të botës. Linjat ajrore edhe biznesin do ta bënin më të shpejtë dhe shërbimin postar më të sukseshëm. Gazetat e Korçës vazhdonin të informonin për gjithçka: “Për së shpejti do të vihet në veprim shërbimi postar me aeroplan dhe letrave për brenda Shqipërisë do t’u vihet pullë prej 30% ar”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 18 prill 1925).
Më në fund, pas disa muajsh pritjesh, aeroplani i parë mbërriti edhe në qytetin e Korçës. Ajo ditë u shndërrua në një festë të madhe. Nuk mbeti njeri, i madh dhe i vogël, pa shkuar në fushën ku zbrisnin aeroplanët. E vështronin atë send fluturues me një kërshëri të pafundme. Edhe piloti ishte një çudi më vete. Ai ishte njeriu që atë krijesë të rëndë metalike dinte ta ngrinte në ajër sikur të ishte një shpend prej vërteti. Me të mund të mbërrije edhe në fund të botës sa hap e mbyll sytë. Mbi të gjitha ata i gëzoheshin lajmit të përhapur se Korça do të bëhej një qendër e rëndësishme e shërbimit ajror. Korça priste të ishte një qytet ndryshe. Gazetat shkruanin: “Pardje ardhi për të parën herë në qytetin tonë nga Tirana një nga aeroplanët që do të udhëtojnë nëpër Shqipëri. Këtë javë, çdo dy ditë, ka ardhur dhe shkuar aeroplani. Udhëtimin Korçë – Tiranë e bën në 55 minuta. Siç lajmërohemi, shoqëria “Adria Aero Lloyd” ka hyrë në marrëveshje me qeverinë e Greqisë dhe Serbisë për një lidhje (linjë) me aeroplan dhe se qytetin tonë ka ndërmend ta bëjë një qendër të madhe aeroplanësh”
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 25 prill, 1925).
Njerëzit filluan të udhëtonin me aeroplan, por një farë frike e shqetësimi nisi t’i ndiqte që nga çasti i parë i fluturimit e deri në mbërritje. Askush nuk ishte i sigurtë nëse ky shpend i hekurt nuk do të pësonte gjë gjatë rrugës. Po sikur?… Kjo ishte pyetja. Atëherë aeroplani do të rrëshqiste me shpejtësi drejt tokës dhe do të humbiste diku në humbëtira të panjohura. Askush nuk do t’i gjente dot. Por, si gjithnjë, njeriu i merr parasysh të gjitha, edhe vdekjen. Ata nisën të udhëtonin, ndoshta për të mposhtur frikën një herë e përgjithmonë. U desh të kalonte vetëm pak kohë që udhëtimet me aeroplan të bëheshin të zakonshme. Më guximtarët ua kishin hequr frikën edhe të tjerëve. Megjithatë, pyetja, po sikur?… vazhdonte të qëndronte pezull. Në ato ditë të fluturimeve të para nëpër gazeta thuhej: “Aeroplanët udhëtojnë rregullisht Tiranë – Korçë nga 3-4 herë në javë. Gjithë populli këtë udhëtim e ka marrë pa frikë dhe udhëtojnë me një kënaqësi të madhe, por duke parë se fluturimi i këtyre aeroplanëve po bëhet vetëm me një shofer (pilot) na ngut që të kujtojmë këtë shoqëri që të marrë masa për të shtuar pilotët sa pa ngjarë ndonjë aksident. Këtë fjalë po e bisedojnë dhe gjithë populli zuri të frikësohet për të udhëtuar”. (Gazeta “Koha”, e shtunë, 27 qershor 1925).
Shqetësimi që i kishte ndjekur udhëtarët vazhdimisht se një ditë do të dëgjonin edhe për rrëzime aeroplanësh, ndodhi. Dukej sikur kishte qenë parandjenja e tyre, ajo që shkaktoi rrëzimin e tij. Meraku i përditshëm se diçka kishte për të ndodhur, kishte qenë një energji negative. Kështu përpiqeshin ta shpjegonin disa prej udhëtarëve. Lajmi për rrëzimin e aeroplanit përfshiu gjithë qytetin e Korçës. Ai ishte rrëzuar në malet e Grabovës. Në atë vend do të rrëzoheshin edhe aeroplanë të tjerë. Grabova po bëhej vend i frikshëm për pilotët që udhëtonin drejt Korçës. Rrymat e ajrit krijonin korridore pasigurie për aeroplanët. Sigurisht, lajmi për rrëzimin e aeroplanit nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes së gazetarëve: “Lajmërohemi se rënia e aeroplanit pardje, të premte, u shkaktua sepse u vulos, (bllokua) vendi i benzinës dhe kur po fluturonte dymijë metra lart, pushoi të punojë motori. Piloti z. Noaek, një aviator i mbaruar, i cili meriton tërë përgëzimet, me një mjeshtëri të veçantë, e zbriti aeroplanin përmes shkëmbinjve në varret e Grabovës, pa pësuar asgjësendi pasagjerët, vetëm një krah i aeroplanit u prish
(“Gazeta e Korçës”, e martë, 3 nëntor 1925).
Pasagjerë të asaj ditë kishin qenë: drejtori i gazetës “Koha”, z. Koço Grameno, zonjusha Sabiha Vërleni dhe e ëma e saj.
Me qenë se në atë fluturim aksidental ishte ndodhur vetë drejtori i gazetës “Koha”, njëkohësisht dhe gazetar, ngjarja mundi të mbetej e përshkruar në të gjitha detajet e saj. Ja si e përshkruan Koço Grameno: “Të premten në mëngjes, më ora 10.00, fluturuam prej Tirane duke marrë drejtimin e ngahershëm për në Korçë. Koha ishte shumë e bukur, por kur arritëm përmbi malet e larta të Grabovës dhe të “Shën e Premtes”, ku ndodheshim 4.200 metra lart, dëgjojmë një trokëllimë të jashtëzakonshme dhe kuptuam se një rrezik i madh po na rrethon në mes të erërave dhe të maleve…” “… Aeroplani u rrëzua më mirë se 1000 metra poshtë dhe piloti nisi të vërtitë aeroplanin nëpër malet duke kërkuar ndonjë copë vend të vogël për të qëndruar edhe për të shpëtuar jetën tonë. Kur u afrua aeroplani afër tokave të maleve, dhe rrutulloheshe si ndonjë shpezë që rend për të hyrë në fole, i dëgjuari dhe shumë i lavdëruari pilot z. Ëalter Noaek, porsa pa një copë tokë të sheshme në malin kundrejt Grabovës, – por me qenë se vendi që do të lëshonte aeroplanë ishte shumë i ngushtë edhe pllajë,- e lëshoi më turi duke marrë ndër sy prishjen e mashinës, por vetëm shpëtimin e jetës tonë, dhe na shpëtoi pa kurrfarë rreziku dhe tronditje. Aeroplani qëndroi në atë copë tokë me dëme shumë të mëdha se iu dërmua përpara fena, rrota e mëngjër u bë spica, edhe krahu i mëngjër u thye, duke mbyllur portën e aeroplanit, e cila në atë moment sado e vogël që ishte, m’u duk si një portë tepër e madhe dhe zumë të përgëzojmë njëri-tjetrin për shpëtim të jetës tonë”.
Koço Grameni vijon rrëfimin e ngjarjes: “Pas një kohe shumë të shkurtër arritnë ndënjësit e katundit Grabovë me burra, me gra, djem, vajza për ndihmë dhe për shpëtim, duke na përgëzuar e duke na sjellë lehtësirat më të mëdha. Në këtë kohë, vështrojmë dhe z. Gani bej Shënepremten, i cili vinte pe Korçe për në shtëpi të tij. Që në rrugë kishte parë përpjekjet dhe rrezikun e aeroplanit dhe u derdh pa shpirt për të ndihmuar duke pandehur se mos ndonjë prej nesh ishte pa shpirt ose i plagosur. Disa grabovarë vrapuan e lajmëruan krahinarin e Shën e Premtes. Ariti me vrap duke marrë në dorëzim aeroplanë edhe duke u përkujdesur që të lajmërojë qendrën më të afërme që kish telefon, që të lajmëronte më të gjitha anët ngjarjen dhe shpëtimin tonë. Mjerisht, edhe për fat të keq, më i afërmi stacion ishte Gramshi, ku prej atje mban 9 orë larg, kështu që deri të nesërmen para darke mezi mundmë që të lajmërohen të interesuarit për ngjarjen tragjike dhe shpëtimin e jetës tonë. Këtu, brenda në aeroplan, ishin tre pasagjerë edhe piloti, katër: i nënshkruari, (Koço Grameno), zonjusha Sabia Serezi dhe zonja Filla Falli, (nëna e vajzës) Është për t’u çuditur pra, se që të tre pasagjerët që u ndodhmë, sado që pamë tërë rrezikun, ishim gati dhe jemi prapë gati e kurdoherë që në çdo rast të fluturojmë me aeroplan…” “…Ospitaliteti i katundeve Grabovë dhe Shën e Premte është i patreguar, andaj me këtë rast u faleminderit për mirësinë e tyre që treguan ndaj nesh…”.
(Gazeta “Koha”, e shtunë, 7 nëntor 1925).
Edhe të nesërmen, banorët u përfshinë nga një shqetësim i madh. Aeroplani kishte mbërritur në Korçë, por nuk zbriste dot në aerodrom. Cfarë kishte ndodhur? “Pardje, të shtunë, aeroplani q’ardhi nga Tirana nuk mundi të zbresë sepse nga mjegull e shumtë që kish rënë, nuk e çquante dot vendin e zbritjes, dhe pasi u suall rrotull qytetit disa here, u kthye prapë në Tiranë.
(“Gazeta e Korçës”, e martë, 24 nëntor 1925)
Më në fund, që nga dita e parë e fluturimeve me aeroplan kishte kaluar gati një vit. Kishte trokitur marsi i vitit pasardhës, (1926). Shërbimi ajror ishte bërë edhe më i mirë. Njerëzit nuk kishin më atë frikën e mëparshme për të udhëtuar me aeroplan. Edhe në rast aksidentesh mund të shpëtoje. Aeroplanët ishin të vegjël dhe pilotët i bënin zap. Edhe ne raste avarie e detyronin mjetin të ulej në vende të sigurta për pasagjerët. Megjithatë, tashmë gjithçka ishte përmirësuar ndjeshëm. Gazetat sërish informonin: “Që pasnesër, të enjte, do të fillojnë udhëtimet e rregullueshme, (të rregullta), me aeroplanët e shoqërisë “Adria Aero Lloyd”. Po të jetë kohë e mirë, do të vijë aeroplani pasnesër nga Tirana”. (“Gazeta e Korçës”, e martë, 30 mars 1926).
Madje jo vetëm kaq, e njëjta gazetë sqaronte: “Drejtoria e Përgjithshme e Postë-Telegrafit i bëri të njohur dje zyrës së postës së këtushme se që dje do të fillonte përsëri shërbimi ajror midis qyteteve Tiranë – Korçë, Berat – Vlorë, duke u nisur prej Tirane për në Korçë të hënë, të mërkurë dhe të shtunë, ora 6, dhe do të kthehet në Tiranë ora 8.30. Për në Berat e Vlorë do të niset nga Tirana, ora 6.30, dhe do të kthehet nga ora 10. Nga shkaku i kohës së ligë aeroplani nuk mundi të vijë dje”.
(“Gazeta e Korçës”, e martë, 11 maj 1926).
Gjithashtu po kjo gazetë, shkruante: “Sot arriti nga Tirana aeroplani dhe do të vazhdojë rregullisht shërbimin tri herë në javë për të sjellë postën dhe pasagjerë”. Përmirësimi i shërbimit ajror kishte nisur të ringjallte shpresat te banorët për shndërrimin e Korçës në një qendër të rëndësishme të shërbimit ajror.
(“Gazeta e Korçës,” e shtunë, 15 maj 1926),
Shoqëria po bënte të gjitha përpjekjet për përmirësimin e shërbimit, megjithatë rrëzimet e aeroplanëve ndodhnin kohë pas kohe, por pa ndonjë humbje jete. “Aeroplani që shkoi pardje për në Tiranë, ka rënë në mes të katundeve Sovjan dhe Symizë, (fshatra të Korçës). Pasagjerët nuk pësuan gjë”.
(“Zëri i Korçës”, e shtunë, 14 gusht 1926)
Megjithatë, me këto linja kishin filluar të udhëtonin edhe të huajtë. “Pardje urdhëroi këtu nga Tirana me aeroplan inxhinieri amerikan z. Vincent M. Pittsburgh, ai do të vizitojë qytetet principiale të Shqipërisë për të studiuar vendin”.
(“Zëri i Korçës”, e shtunë, 23 prill 1927).
Ndërkaq, shtypi sillte informacione të tjera: “Dje bëri udhëtimin e parë aeroplani i ri i shoqërisë italiane që bleu aksionet e “Adria Aero Lloyd”-it. Aeroplani është i ri, i markës “Junkers” dhe me shtatë vise (vende). Kishin hipur kryetari i shoqërisë, direktori dhe attaché millitaire, i Legatës Italiane. Z. Fazli Frashëri, i cili urdhëroi dje nga Tirana me aeroplan na tha se fluturimi qe fare i mirë, ndonëse piloti Italian udhëtonte për të parën herë në këtë udhë. Lajmërohemi se shërbimi ajror paskëtaj do të bëhet rregullisht dhe për së afërmi do të lidhet Vlora me Brindizin, ku është stacioni i hidroplanëve që udhëtojnë për në Athinë e Stamboll. Fluturimi do të fillojë rregullisht pasi të bëhen formalitetet e duhura midis dy qeverive”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 30 korrik 1927)
Gjithsesi, aksidentet ende vijonin: “Pardje , të shtunë, aeroplani kur po vinte nga Tirana ra afër Quksit sepse iu prish motori. Për fat të mirë asnjë udhëtar nuk pësoi gjë. Nga ky shkak shërbimi ajror u ndalua këtë javë”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 22 tetor 1927).
Ajo çka ishte shpresuar nga banorët e qytetit të Korçës, tashmë kishte nisur të bëhej realitet: “Sheshi i aeroplanit këtu në Korçë ka disa ditë që po shtrohet dhe po zgjerohet që të jetë për të zbritur aeroplanë të mëdhenj, që do të fillojnë të fluturojnë për së shpejti Tiranë – Korçë dhe Korçë – Tiranë. Kjo tregon se kjo vijë (linjë) do të ketë një rëndësi për shoqërinë e aeroplanëve, prandaj për ta shtuar rëndësinë do të ishte mirë që edhe çmimi për pasagjerët të mos ishte më shumë se ai i automobilave”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 16 qershor 1928).
Madje, “sipas një letre që i dërgoi shoqëria “Adria Aero Lloyd”, Ministrisë së Punëve të Brendshme, që më 1 gusht hyri në zbatim orari i ri i shërbimit ajror, si vijon: Tiranë – Korçë e vice-verca (vajtje-ardhje) çdo të martë e të premte. Tiranë, nisja ora 8, Korçë, arritja më 9 e 5. Korçë, nisja, ora 15 e 30, Tiranë arritje 16 e 35”.
(“Gazeta e Korçës”, e enjte, 9 gusht 1928).
Tashmë banorët e Korçës ishin familjarisuar me gjithçka që kishte të bënte linjat ajrore. Ata ishin miqësuar mjaft edhe me pilotët e aeroplanëve. Kur morën vesh që njëri prej tyre do të kthehej në Itali u dëshpëruan shumë: “Pas sa morëm vesh shoqëria “Aero Lloyd” ka qëllim të heqë pilotin simpatik z. Luigi Vernizzi i cili është i mirënjohur midis atyre q’udhëtojnë me aeroplan midis Korçës –Tiranë e vice-verca. Në rast që ky lajm vërtetohet do të jetë një humbje e vërtetë për udhëtarët, por jo dhe më pak për shoqërinë, sepse piloti z. Vernizzi me zotësinë e tij të çquar është garancia më e fortë për të gjithë ata që udhëtojnë me aeroplan, sidomos në këtë rrugë mjaft të vështirë. I lutemi pra shoqërisë, ta marrë në konsideratë lutjen tonë dhe të mos e transferojë pilotin në fjalë”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 16 shkurt 1929)
Ndërsa shoqëria në respekt të pasagjerëve të saj dha këtë përgjigjë: “Shoqëria “Adria Aero Lloyd”, të cilën e kanë në zemër zotërinjtë pasagjerë që udhëtojnë, siguron se nuk ka mejtuar kurrë të transferojë pilotin z. Vernizzi nga shërbimi ajror Tiranë – Korçë. Z. Vernizzi që prej 10 muajsh që gjendet në Shqipëri, dëshiron me gjithë shpirt të kthehet në Itali dhe shoqëria do të bëjë ç’të jetë e mundur të mbushë dëshirën e z. Vrenizzi duke i çmuar meritat që ka fituar në shërbimin e tij ajror… Drejtori Rag. Giuseppe Bertoço, (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 28 shkurt 1929). T
Tashmë përveç qytetarëve, udhëtimi me këto linja po bëhej gjithnjë e më i frekuentuar edhe nga politikanët e vendit. “Dje në mëngjes ardhi këtu me aeroplan nga Tirana z. Xhavit Leskoviku, kryekonsull i Shqipërisë në Ysqyp të Jugosllavisë”
(“Zëri i Korçës”, e shtunë, i mars 1930).
Duket se shoqëria e fluturimeve ajrore ishte konsoliduar edhe më shumë. Në një përshkrim të shtypit thuhej: “Që prej një muaji shoqëria e “Adria Aero Lloyd” nga dy herë në javë i shtoi në tri herë udhëtimet e rregullueshme ajrore midis kryeqytetit dhe qytetit tonë. Po bëhen tri vjet që shërbimi ajror në Shqipëri, veçanërisht në vijën Korçë – Tiranë vazhdon rregullisht pa asnjë aksident. Jo vetëm aeroplanët janë në gjendje të mirë po edhe pilotët janë nga më të provuarit, edhe ay që ka udhëtuar dendur me këta aeroplanë e ndjen veten shumë më të sigurtë se çdo mjet tjetër komunikacioni. Me rrugën në gjendjen më të keqe dhe me automobilë të çkatërruarë, udhëtimi më i preferuar për në kryeqytet është aeroplani. Rregullisht, me automobil duhen 12-14 orë, shumë herë dhe më tepër, kurse me aeroplan arrin në më pak se një orë. Dhe përveç udhëtimit të gjatë, plot rreziqe e lodhje, në dimër nga lagështia, në verë nga vapa, njeriut i duhen dy-tri ditë për të marrë veten që shpëtojnë nga një udhëtim i lodhshëm, por fitojnë një ditë të tërë, e cila është tepër e vlefshme për cilindo”
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 7 qershor 1930)
Gjithashtu, më pas do të vinte edhe një njoftim tjetër: “Që në fillim të këtij muaji shërbimi ajror Korçë – Tiranë që do të bëhet këto ditë, do të vijë në mëngjes ora 8.30 çdo të martë, të mërkurë e të shtunë dhe do të shkojë ora 4.30, gjithë po atë ditë.
(“Gazeta e Korçës”, e martë, 5 maj 1931).
Megjithatë asgjë nuk shkoi sipas dëshirës së banorëve, që Korça të ishte një qendër e rendësishme e shërbimit ajror. Sot edhe aerodromi ndodhet në gjendje të mjerueshme dhe askush nuk kujtohet për të.
Vepror Hasani
Adili says
Nje pasqyrim interesant i shtypit te kohes, per situaten e komunikacionit ajror qe asokohe funksiononte ne Shqiperi, ne disa linja ajrore. Eshte fat i mire, por per kuptimin dhe njerezit e sotem eshte e pabesueshme,qe te kene ndodhur aq aksidente, nga defektet e aeroplaneve, ulje e ngulje te aeroplaneve ne terrene malore, jashte cdo piste e aeroporti, e te mos kete pasur asnje te vdekur! Natyrisht, shkakun duhet gjetur ne faktin se aeroplanet ishin te vegjel, me 5-7 ulese per udhetare, por ma teper te aftesia, gjakftohtesia, guximi i piloteve. Sidoqofte, ishte per lavdate kujdesi dhe angazhimi i shtetit, ne kohen e Zogut, qe popullit t’i ofroje sherbime teper komode per kohen.- Ju falemnderit z.Vepror Hasani, per kete shkrim interesant nga ajo distance kohore.