Të nderuar drejtues dhe anëtarë të Federatës “Vatra” dhe të gazetës “Dielli”!
Fort e nderuar profesoresha ime, znj. Iris Halili!
Në pamundësi për të qenë fizikisht apo virtualisht mes ju, në këtë ngjarje të pazakontë librore, – dëshiroj që t’ju përcjell urimet e përzemërta; secilit veçmas dhe të gjithëve bashkë: Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për bashkësinë e shqiptarëve të Amerikës, të cilët kanë ditur të jenë pjesë e jetës dhe e vlerave të atij kombi të madh, duke ndërtuar një “Shqipëri tjetër”, – të gjallë, të bukur dhe plot shpresa, – një model dinjitoz për ne këtu, në “Shqipërinë e vjetër”.
Ju, vatranë të dashur, përgjatë disa brezave, na keni treguar se “gjaku nuk bëhet ujë”, se “historia nuk zhbëhet”, por e keni dëshmuar me vepra sesi ndërtohet e tashmja dhe e ardhmja në mënyrën më të mirë të mundshme, përmes punës dhe dijes. Edhe ky takim i sotëm është shenjë e kësaj tradite dinjitoze dhe këtij kontributi të çmuar që vazhdoni të jepni, ju “bijtë e shqipes”.
Libri “Lideri nuk lind…bëhet” i Iris Halilit, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Dituria”, është shembull i qartë i kësaj tradite njerëzish fisnikë, ku me kontributin e ideve, na fton ne të gjithëve, – sidomos këtu në Shqipëri, të ndërtojmë një mendësi tjetër ndaj liderit dhe lidershipit. Autorja na sfidon që në titull, – duke na trazuar fort brenda nesh përgjegjësinë e të qenit lider, në familje, në komunitet, në organizatë apo në bashkësitë e tjera ku jemi të pranishëm. Irisi e njeh shumë mirë mendësinë e liderit shqiptar përgjatë historisë, – dhe aq më mirë liderin e ditëve tona. Ajo ka pasur përvoja personale pune dhe marrëdhëniesh me disa prej tyre, – dhe e kupton më mirë se shumëkush tjetër përmasën e liderit, rolin e tij, mundësitë dhe pamundësitë e lidershipit shqiptar.
Besoj se të gjithë biem dakord se në Shqipëri liderat janë produkte të traditës së tyre, të historisë plot konflikte dhe të mendësisë për ta asgjësuar tjetrin. Unë besoj se ky libër vjen në kohën e duhur, – si një ftesë për ndryshim radikal në modelit të liderit në Shqipëri, – për krijimin e një lidershipi të ri. Sepse lidershipi është një disiplinë të cilën duhet ta mësojmë përmes shkollës dhe librit. Lidershipi nuk është thjeshtë produkt i traditës, apo shprehive social-kulturore në përditshmërinë tonë.
Autorja ka studiuar shkollat më të mira të lidershipit, – analizon teoritë bashkëkohore të drejtimit dhe iu referohet autorëve më në zë të kësaj fushe. Ajo sjell edhe modele të liderëve, duke i analizuar përmes tipologjive të tyre dhe vlerave që kanë lënë. Unë do të kisha dashur që Irisi në këtë libër të thellohej më shumë në natyrën e liderit shqiptar, – përmes një qasje më të detajuar të liderave shqiptarë në histori, – por shpresoj dhe besoj se puna e saj në këtë fushë do të thellohet më tej në të ardhmen.
Gjithsesi, këtë libër unë e konsideroj një guidë të çmuar për secilin prej nesh, – një libër përmes të cilit mund të mësojmë ide të reja për lidershipin dhe mund të reflektojmë më thellë për mënyrën sesi të drejtojmë jetën brenda familjes, bashkësisë, biznesit apo institucionit. Libri i komunikohet lexuesit teksa ne e prekim përditë krizën e liderit apo kur ndodhemi përballë fuqizimit të liderit autoritar.
Unë mendoj se lideri është produkt i nivelit të shoqërive tona, – i vëmendjes që tregojmë secili prej nesh për të nxjerrë njerëzit që na përfaqësojnë. Prandaj, heshtja dhe neglizhenca e secilit prej nesh për të marrë pjesë në jetën publike dhe politike, shmangia nga procesi i përzgjedhjes së përfaqësuesve tanë, – po na rëndon jetën tonë me pasoja të mëdha.
Vëmendja që i kushton autorja modelit të lidershipit që na ka lënë Shenjtja Nëna Terezë është ndër gjërat më të veçanta të këtij libri. Përkundër paradokseve të mëdha që prodhon bota jonë shqiptare, – shembulli i Shenjtes Terëzë na tregon se mund të drejtosh edhe me fuqinë e dashurisë, të mëshirës dhe të arsyes. Sot, më shumë se kurrë, na duhet fuqia e arsyes dhe e dashurisë përkundër arsyes së forcës; na duhet modeli që krijoi dhe na la si trashëgimi shqiptarja jonë e përbotshme, Nana Terezë.
Unë nuk dua të zgjatem më tej, paçka se kam shumë për të thënë për librin dhe autoren, – por dua të ndaj me ju lajmin e bukur se ky libër është pritur shumë mirë edhe nga lexuesit në Shqipëri: Dëshmi e këtij receptimi të pazakontë është edhe fakti se libri “Lideri nuk lind…bëhet” është përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 nga platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al.
Ky libër riktheu pas shumë vitesh komunikimin me profesoreshën time të letërsisë moderne Iris Halili, dhe jam befasuar pa masë me këtë angazhim të ri të saj: Do të doja që ky libër të ishte pjesë e kurrikulave shkollore, universitare apo të ishte pjesë e trajnimeve për krijimin e liderëve rinj shqiptarë në biznese, organizata apo në politikë. Unë e kam për nder të jem një shërbëtor i zellshëm në procesin e komunikimit të këtij libri, dhe të gjithë pasurive të tjera mendore dhe shpirtërore, – të ngjashëm si kjo, – tek lexuesi shqiptar, sepse besoj rrënjësisht tek shprehja: “Readers are Leaders”.
Të dashur të pranishëm!
Ky libër do të rrisë përmasën e kuptueshmërisë dhe të informimit për lidershipin; – dhe pas leximit të tij, ju siguroj se secili prej jush do të ndihet më i qetë; do të silleni në mënyrë më të maturuar; do të jeni më efikasë në drejtim dhe do t’i kuptoni më mirë ata që ju drejtojnë në jetën e përditshme. Besoj se këtë fuqi transformuese që kanë idetë dhe librat tek ne, Iris Halili ka ditur ta bëjë siç duhet përmes këtij botimi, – me profesionalizëm, me përkushtim dhe me dashuri, – që secili prej nesh të jetë një udhëheqës më i mirë i jetës së tij në familje, biznes apo shoqëri.
Unë jam i paduruar që të pres libra të tjerë për lidershipin prej jush, Profesoresha ime Iris Halili.
U jam mirënjohës; ty Iris, dhe gjithë ju, pjesëmarrës të nderuar që patët durimin për ta përcjellë mesazhin tim deri në fund, – me shpresën se një ditë do të takohemi me secilin prej jush për gjëra po aq të bukura dhe të vlerta sa ky promovim libri.
Vëllazërisht, i juaji!
Dr. Albert Gjoka
Themelues dhe menaxher i platformës së librit shqip, Bukinist.al