• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dr. Albert Gjoka: Libri i Iris Halilit një ftesë për ndryshim radikal në modelit të liderit në Shqipëri

September 20, 2021 by s p

Të nderuar drejtues dhe anëtarë të Federatës “Vatra” dhe të gazetës “Dielli”!
Fort e nderuar profesoresha ime, znj. Iris Halili!

Në pamundësi për të qenë fizikisht apo virtualisht mes ju, në këtë ngjarje të pazakontë librore, – dëshiroj që t’ju përcjell urimet e përzemërta; secilit veçmas dhe të gjithëve bashkë: Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për bashkësinë e shqiptarëve të Amerikës, të cilët kanë ditur të jenë pjesë e jetës dhe e vlerave të atij kombi të madh, duke ndërtuar një “Shqipëri tjetër”, – të gjallë, të bukur dhe plot shpresa, – një model dinjitoz për ne këtu, në “Shqipërinë e vjetër”. 

Ju, vatranë të dashur, përgjatë disa brezave, na keni treguar se “gjaku nuk bëhet ujë”, se “historia nuk zhbëhet”, por e keni dëshmuar me vepra sesi ndërtohet e tashmja dhe e ardhmja në mënyrën më të mirë të mundshme, përmes punës dhe dijes. Edhe ky takim i sotëm është shenjë e kësaj tradite dinjitoze dhe këtij kontributi të çmuar që vazhdoni të jepni, ju “bijtë e shqipes”. 

Libri “Lideri nuk lind…bëhet” i Iris Halilit, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Dituria”, është shembull i qartë i kësaj tradite njerëzish fisnikë, ku me kontributin e ideve, na fton ne të gjithëve, – sidomos këtu në Shqipëri, të ndërtojmë një mendësi tjetër ndaj liderit dhe lidershipit. Autorja na sfidon që në titull, – duke na trazuar fort brenda nesh përgjegjësinë e të qenit lider, në familje, në komunitet, në organizatë apo në bashkësitë e tjera ku jemi të pranishëm. Irisi e njeh shumë mirë mendësinë e liderit shqiptar përgjatë historisë, – dhe aq më mirë liderin e ditëve tona. Ajo ka pasur përvoja personale pune dhe marrëdhëniesh me disa prej tyre, – dhe e kupton më mirë se shumëkush tjetër përmasën e liderit, rolin e tij, mundësitë dhe pamundësitë e lidershipit shqiptar. 

Besoj se të gjithë biem dakord se në Shqipëri liderat janë produkte të traditës së tyre, të historisë plot konflikte dhe të mendësisë për ta asgjësuar tjetrin. Unë besoj se ky libër vjen në kohën e duhur, – si një ftesë për ndryshim radikal në modelit të liderit në Shqipëri, – për krijimin e një lidershipi të ri. Sepse lidershipi është një disiplinë të cilën duhet ta mësojmë përmes shkollës dhe librit. Lidershipi nuk është thjeshtë produkt i traditës, apo shprehive social-kulturore në përditshmërinë tonë. 

Autorja ka studiuar shkollat më të mira të lidershipit, – analizon teoritë bashkëkohore të drejtimit dhe iu referohet autorëve më në zë të kësaj fushe. Ajo sjell edhe modele të liderëve, duke i analizuar përmes tipologjive të tyre dhe vlerave që kanë lënë. Unë do të kisha dashur që Irisi në këtë libër të thellohej më shumë në natyrën e liderit shqiptar, – përmes një qasje më të detajuar të liderave shqiptarë në histori, – por shpresoj dhe besoj se puna e saj në këtë fushë do të thellohet më tej në të ardhmen. 

Gjithsesi, këtë libër unë e konsideroj një guidë të çmuar për secilin prej nesh, – një libër përmes të cilit mund të mësojmë ide të reja për lidershipin dhe mund të reflektojmë më thellë për mënyrën sesi të drejtojmë jetën brenda familjes, bashkësisë, biznesit apo institucionit. Libri i komunikohet lexuesit teksa ne e prekim përditë krizën e liderit apo kur ndodhemi përballë fuqizimit të liderit autoritar. 

Unë mendoj se lideri është produkt i nivelit të shoqërive tona, – i vëmendjes që tregojmë secili prej nesh për të nxjerrë njerëzit që na përfaqësojnë. Prandaj, heshtja dhe neglizhenca e secilit prej nesh për të marrë pjesë në jetën publike dhe politike, shmangia nga procesi i përzgjedhjes së përfaqësuesve tanë, – po na rëndon jetën tonë me pasoja të mëdha. 

Vëmendja që i kushton autorja modelit të lidershipit që na ka lënë Shenjtja Nëna Terezë është ndër gjërat më të veçanta të këtij libri. Përkundër paradokseve të mëdha që prodhon bota jonë shqiptare, –  shembulli i Shenjtes Terëzë na tregon se mund të drejtosh edhe me fuqinë e dashurisë, të mëshirës dhe të arsyes. Sot, më shumë se kurrë, na duhet fuqia e arsyes dhe e dashurisë përkundër arsyes së forcës; na duhet modeli që krijoi dhe na la si trashëgimi shqiptarja jonë e përbotshme, Nana Terezë.

Unë nuk dua të zgjatem më tej, paçka se kam shumë për të thënë për librin dhe autoren, – por dua të ndaj me ju lajmin e bukur se ky libër është pritur shumë mirë edhe nga lexuesit në Shqipëri: Dëshmi e këtij receptimi të pazakontë është edhe fakti se libri “Lideri nuk lind…bëhet” është përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 nga platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al. 

Ky libër riktheu pas shumë vitesh komunikimin me profesoreshën time të letërsisë moderne Iris Halili, dhe jam befasuar pa masë me këtë angazhim të ri të saj: Do të doja që ky libër të ishte pjesë e kurrikulave shkollore, universitare apo të ishte pjesë e trajnimeve për krijimin e liderëve rinj shqiptarë në biznese, organizata apo në politikë. Unë e kam për nder të jem një shërbëtor i zellshëm në procesin e komunikimit të këtij libri, dhe të gjithë pasurive të tjera mendore dhe shpirtërore, – të ngjashëm si kjo, – tek lexuesi shqiptar, sepse besoj rrënjësisht tek shprehja: “Readers are Leaders”. 

Të dashur të pranishëm! 

Ky libër do të rrisë përmasën e kuptueshmërisë dhe të informimit për lidershipin; – dhe pas leximit të tij, ju siguroj se secili prej jush do të ndihet më i qetë; do të silleni në mënyrë më të maturuar; do të jeni më efikasë në drejtim dhe do t’i kuptoni më mirë ata që ju drejtojnë në jetën e përditshme. Besoj se këtë fuqi transformuese që kanë idetë dhe librat tek ne, Iris Halili ka ditur ta bëjë siç duhet përmes këtij botimi, – me profesionalizëm, me përkushtim dhe me dashuri, – që secili prej nesh të jetë një udhëheqës më i mirë i jetës së tij në familje, biznes apo shoqëri. 

Unë jam i paduruar që të pres libra të tjerë për lidershipin prej jush, Profesoresha ime Iris Halili. 

U jam mirënjohës; ty Iris, dhe gjithë ju, pjesëmarrës të nderuar që patët durimin për ta përcjellë mesazhin tim deri në fund, – me shpresën se një ditë do të takohemi me secilin prej jush për gjëra po aq të bukura dhe të vlerta sa ky promovim libri. 

Vëllazërisht, i juaji!

Dr. Albert Gjoka

Themelues dhe menaxher i platformës së librit shqip, Bukinist.al

Filed Under: Opinion Tagged With: Albert Gjoka, Iris Halili

PANDEMIA, MARRËDHËNIET E REJA ME LIBRIN

November 14, 2020 by dgreca

SI E NDRYSHOI PANDEMIA MARRËDHËNIEN E NJERIUT ME LIBRIN-

Albert Gjoka, administrator i platformës më të madhe online të librit shqip “Bukinisti”, në një prononcim për gazetën Dielli të VATRËS – New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, ka analizuar situatën e librit në Shqipëri dhe shpjegon se si ka ndryshuar raporti i librit me lexuesin veçanërisht gjatë pandemisë. Albert Gjoka, ka përfunduar studimet doktorale në fushën e studimeve letrare dhe ka një përvojë mbi 15 vjeçare në fushën e medias dhe komunikimit. Z. Gjoka shprehet se pandemia ktheu lexuesin te letërsia e vlerave.

PANDEMIA NXITI LEXUESIN TË SHKOJË TEK LETËRSIA E VLERAVE 

Periudha e pandemisë i mbylli njerëzit brenda katër mureve të shtëpisë dhe një ndër gjërat më me vlerë që bënë ata për ti dhënë kuptim kohës së tyre, ishin të uleshin dhe të lexonin libra. Kjo u shoqërua me rritje drastike të punës së platformave online si Bukinist. Muajit mars, prill dhe maj shënuan kërkesa rekord nëse do t’i krahasonim me muajt e tjerë apo periudhat e tjera të mëparshme. Çuditërisht, lexuesit e përqendruan vëmendjen e tyre tek ato libra që kanë si tematikë apo që flasin për epidemitë; ku ndër titujt më të kërkuar ishin “Murtaja” e Alber Kamysë, “Dashuria në kohërat e kolerës” të Marquez-it, “Dekameroni” i Bokaçios, “Sytë e errësirës” të Dean Koontz, etj. Por, pati një rikthim edhe tek letërsia klasike, pa lënë mënjanë librat bestseller që janë më të kërkuarit në tregjet e librit kudo në botë. Fatmirësisht, kjo pandemi e ka nxitur lexuesin të shkojë tek letërsia e vlerave, e ka afruar më shumë pranë librit dhe e ka bërë që të reflektojë më tepër për vlerat e lirisë në një botë të sëmurë ku je i privuar nga shumë gjëra.   

NJERIU DHE LIBRI, MARRËDHËNIE QË PO KRIJON TRADITË APO RASTËSI?

Lexuesi është më i zgjuar se botuesi apo librari. Ai e zgjedh sot librin për tu informuar, për të kuptuar më tepër apo për tu zbavitur. Këto nevoja ndikojnë edhe në ecurinë e tregut dhe shijet e lexuesve. Këto kohë ka pasur një rritje të kërkesës për librat e zhvillimit personal, librat e motivimit, biznesit, të natyrës psikologjie apo leadershipit. Këto botime konsiderohen si “pilula euforie” në një botë të ngarkuar emocionalisht, plot pasiguri dhe sfida. Libri është një mjet për të kuptuar më shumë rreth asaj që po ndodh në Shqipëri dhe kudo në botë. Po ashtu, dua të ndaj me ju edhe një fenomen tjetër pozitiv në tregun e librit. Shtëpitë botuese po sjellin në shqip libra, të cilët sapo kanë dalë edhe në tregun botëror. Gjatë kësaj kohe është shkurtuar koha e botimit të veprës origjinale me ato të përkthyera në gjuhën shqipe. Lexuesi shqiptar tashmë përdor më shumë se më parë edhe literaturën në gjuhë të huaj, kryesisht atë angleze, italiane franceze, etj.. Kjo po ndikon në ndryshime radikale të shijeve estetike të lexuesit dhe orientimin e tij drejt zhanreve dhe kategorive të reja. Këtu ka edhe përplasje mes brezave të lexuesve, ku ata në moshë mbi 50 vjeç janë më të pasionuar pas letërsisë klasike, qoftë e huaj apo shqiptare. Gjithësesi, në horizont është shfaqur prej kohësh një lexues i ri, i cili ka shije të reja estetike dhe qasje të re ndaj tekstit. Ky lexues e pasuron mendërisht dhe shpirtërisht mjedisin dhe krijon premisa për mënyra të reja të menduari dhe të shijuari të librit apo letërsisë.     

AFRIMIN E LIBRIT TEK SHQIPTARËT E DIASPORËS 

Shqiptarët që jetojnë në Shqipëri dhe Kosovë mendoj se kanë të njëjtin raport si edhe një apo dy dekada më parë; nuk ka rënie të numrit të lexuesve, përtej asaj që flitet në media, por nuk konstatohet as rritje e tyre. Nëse flitet më shumë për librin, nëse hapësirat mediatike dhe publike e bëjnë librin pjesë të diskursit të tyre, atëherë ka rritje të interesit. Mjafton të përmendim një fakt të thjeshtë: Në Panairin vjetor të librit shitjet rriten në mënyrë të rrufeshme sepse ka vëmendje të shtuar. Por, nëse do të ketë përgjatë vitit edhe 2-3 evente të tjera të ngjashme apo përafërta, dhe nëse do të promovohen autorët dhe librat më tepër, unë mendoj se do të ketë përmirësime. Tregu është potencialisht 2-3 herë më i madh, por kërkon marketing më të mirë, menaxhim më cilësor dhe punë më të mira në të gjitha hallkat e sistemit të edukimit në shkollë dhe familje. Problemi më i madh është për afrimin e librit tek shqiptarët e diasporës. Kanë nisur disa përpjekje në fushën e edukimit përmes disa projekteve institucionale, por jemi ende shumë larg. Ne nuk kemi qenë të aftë për ti mbajtur bashkëatdhetarët tanë të lidhur me gjuhën dhe kulturën përmes librit. Por, konstatojmë se gjatë 2-3 viteve të fundit ka rritje të kërkesave për libra në platformën tonë, sidomos nga shqiptarët që jetojnë në Zvicër, Gjermani, Kanada, SHBA, Suedi, Francë dhe ndonjë vend tjetër. Ne jemi të vetëdijshëm për kostot në transportin e librit, por po bëjmë ç’është e mundur që të ofrojmë shërbimin më të mirë, që ata të cilët e duan librin shqip, t’ia çojmë aty ku ndodhen. Këto kohë kemi shtuar opsionet me pagesave me kartë krediti, pay pal, transfertë bankare, etj. Një ndër shqetësimet më të mëdha për ne është edhe kostoja e lartë e marketingut të librit jashtë Shqipërisë. Por, përmes jush dua t’i ftoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë që ta ta bëjnë pjesë të jetës së tyre librin shqip, ta mbajnë të gjallë gjuhën tonë përmes librit, të kontribuojnë me përkthime në shqip të autorëve cilësorë që njohin aty ku jetojnë dhe të mbajnë të gjallë traditën dhe origjinën e tyre me botimet shqip. I ftoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë që të ndjekin hapësirën virtuale të Bukinist.al, duke iu premtuar se do të ketë një shërbim gjithnjë e më të mirë ndaj tyre. Ne i mirëpresim propozimet e tyre dhe jemi të angazhuar për të futur shërbime të reja më inovative në tregun e librit online.  

 “BUKINISTI” SI PJESË E MARKETINGUT DHE SHITJES SË LIBRIT ONLINE 

Bukinist.al e ka nisur rrugëtimin e tij në tregun e librit në muajin korrik të vitit 2016, si pjesë e Nettrade Albania, kompania më e madhe e shitjeve online në Shqipëri. Përvoja e gjatë që kishte kjo kompani në fushën e e-commerce në disa tregje; stafi që ka, me të rinj plot ide, inovatorë dhe ambiciozë, shoqëruar me filozofinë e punës së Bukinist ishin garancia për një rrugë me sukses.  Para se të nisnim punën tregu i librit në përgjithësi dukej i vakët: Dy subjekte që shisnin online në platforma gjysmëprofesionale e-commerci ishin thuajse në agoninë e tyre. Pas gjithë këtyre viteve konstatojmë se Bukinist i dha shpresë shitjes së librit online dhe revolucionarizoi marketingun e librit në përgjithësi. Sot ne jemi platforma më e madhe online e librit shqip dhe një nga tre operatorët më të mëdhenj të tregut të librit në Shqipëri. Janë mbi 10 mijë libra të kategorive të ndryshme që aksesohen për blerje online, të hedhura në qarkullim nga botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj. Po ashtu, ne kemi komunitetin më të madh të lexuesve aktivë që jo vetëm porosisin libra, por edhe shkruajnë revieë dhe ndajnë përvoja leximesh.    

FORMAT E MARKETINGUT NË INDUSTRINË E SHITJES “BUKINIST”

Në fokusin tonë ka qenë dhe mbetet marketingu digjital (online), i përqendruar kryesisht në rrjetet sociale, si Facebook dhe Instagram, ku shqiptarët edhe shpenzojnë një kohë relativisht të konsiderueshme. Po ashtu, kemi përdorur edhe Google apo Youtube. Buxheti më i madh shpenzohet në këto kanale, por ne kemi organizuar edhe evente fizike në qendrat e mëdha tregtare si TEG dhe QTU, si “Pazari i librit” dhe “Magjia e librit” me fokus oferta masive për lexuesit në ditë të tilla si Dita Botërore e Librit në prill apo muaji i librit në tetor dhe nëntor. Krahas tyre, kemi bashkëpunuar me partnerë si Ministria e Kulturës, kompani të mëdha të telefonisë celulare, organizata, etj., në fushatat për promovimin e librit dhe leximit. Pjesë e punës tonë është edhe mbështetja e klubeve të librit dhe organizimi i një konkursi vjetor për librat më të mirë në kategoritë; libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri non-fiction dhe librat e zhvillimit personal. Duke parë rëndësinë që kanë revieë-të për lexuesit dhe promovimin e librit, prej kohësh kemi hapur blogun Leximtari, ku publikojmë përshtypjet e lexuesve dhe bëjmë rekomandimet tona.   

KOMUNIKIMI I LIBRIT PËRMES FORMAVE DIGJITALE SI NJË DOMOSDOSHMËRI 

Shqipëria është ende në fazat fillestare të përdorimit masiv të teknologjisë për të lexuar apo tregtuar librin. Unë e kam fjalën këtu për e-book apo forma të tjera. Ka disa përpjekje modeste, – jo për qëllime tregu, – me audiobook-un, por duhet thënë se jemi ende shumë larg. Komunikimi i librit në shumë forma është sfida më e madhe për tregun e librit shqip, ku të humburit e mëdhenj janë përgjithësisht shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët kanë kosto shtesë për të siguruar librin shqip në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Të drejtat e autorit, mbrojtja e pronësë intelektuale, mungesa e standardeve të sigurisë për shitjen e produkteve online, një zhvillim i vonuar i formave të pagesës online me kosto të ulët dhe skepticizmi i botuesve ka bërë që ky treg të mbetet fatkeqësisht tej mase prapa, nëse e krahasojmë me vende të tjera, qoftë në rajon, Europë dhe më gjerë. Komunikimi i librit përmes formave digjitale është domosdoshmëri, në kohën kur kostot e transportit të librit fizik (hardcopy) janë të larta, apo në situata të tilla si kjo e pandemisë, kur ka shkaktuar një kaos të vërtetë me dërgesat e librit jashtë Shqipërisë. Në këtë treg ka shumë rrisqe, të cilat duhet ti sfidojmëë bashkërisht, si botuesit, autorët dhe librarët.  

Filed Under: Featured Tagged With: Albert Gjoka, MARRËDHËNIET E REJA ME LIBRIN, Pandemia, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT