Nga Astrit Lulushi/
Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Global Media ka emëruar gazetarin veteran të Zërit të Amerikës, Elez Biberaj, si drejtorin në detyrë të Zërit të Amerikës që transmeton lajme në rreth 60 gjuhë të botës.
Emërimi i tij u njoftua në një e-mail për stafin të martën nga shefi ekzekutiv i USAGM, Michael Pack.
Elez Biberaj ka qenë drejtor i Zërit të Amerikës në Divizionin Eurasia që nga viti 2006, duke e bërë atë përgjegjës për programimet e Zërit të Amerikës për audiencat në Rusi, Ukrainë, Armeni, Gjeorgji dhe Ballkan. Ai gjithashtu ka shërbyer si shef i shërbimit në gjuhën shqipe të Zërit të Amerikës.
Në një email për stafin të martën, z. Biberaj rrëfeu se si historia e tij personale si refugjat, emigrant dhe karriera gati 40-vjeçare si gazetar i Zërit të Amerikës kanë formuar perspektivën e tij.
Që nga dita kur është krijuar, VOA ka pasur 29 drejtorë duke filluar me aktorin dhe regjisorin e njohur të Hollivudit, John Houseman më 1942, dhe së fundi me fituesen e çmimit Pulitzer për gazetari, Amanda Bennett në qershor 2020. Dr. Elez Biberaj bëhet drejtori i 30-të i Zërit të Amerikës.
Urime, Elez Biberaj, për këtë pozitë historike – Sa kohë, mundime e sakrifica, brezash shqiptarë emograntë për të arritur në postin e drejtorit të VOA-s, posti më i lartë i një shqiptari të emëruar deri më sot në qeverinë e Shteteve të Bashkuara.