Fjala e akademik Mark Krasniqit, kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, në mbledhjen komemorative, më 25 janar 2006, me rastin e vdekjes së Presidentit të Kosovës dr.Ibrahim Rugovës./
Presidenti Rugova, symbol i pavarësisë së Kosovës e i Dardanisë Antike/
Falë meritave të dr.Ibrahim Rugovës, ne sot kemi mikun më të fortë, fuqinë më të madhe ekonomike dhe ushtarake në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj të Bashkimit Evropian./
Priashtinë 24 janar 2006/
Presidenti i Kosovës, dr.Ibrahim Rugova i cili ndërroi jetë më 21 janar të këtij viti, gjatë 16 vjetëve ka qenë prijës dhe udhëheqës i popullit shqiptar në Kosovë në rrugën e të drejtës së vetëvendosjes, përkatësisht drejt Pavarësisë së shtetit të lirë e Sovran të Kosovës që është e drejtë historike, etnike e politike e shqiptarëve të kësaj treve.
Kjo rrugë ka qenë shumë e vështirë në kushtet e okupacionit serb i cili gjatë shekujve, e sidomos më vitet 1998-99, bëri gjenocid e pastrim etnik të popullsisë shqiptare nga vatrat e tij shekullore të Dardanisë antike.
Presidenti Rugova këtë rrugë të gjatë e të veshtirë e bëri para se gjithash duke e senzibilizuar problemin e Kosovës në botën euroatlantike e cila për Kosovën nuk kishte njohuri e aq më pak mirëkuptim për t’i realizuar edhe ne aktet dhe qëndrimet ndërkombëtare për vetëvendosje. Mirëpo me këmbënguljen dhe me qëndrimin e zgjuarësinë intelektuale e politike të dr.Ibahim Rugovës, filloi faktori ndërkombëtar ta kuptojë të drejtën tonë dhe përpjekejt tona për të qenë të lirë e të pavarur në shtetin Sovran të Kosovës.
Me meritat e dr.Ibrahim Rugovës, ne sot kemi mikun më të fortë, fuqinë më të madhe ekonomike dhe ushtarake në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj të Bashkimit Evropian. Në saje të veprimtarisë politike të Presidentit Rugova dhe në saje të përpjekjeve të gjithë popullit shqiptar në Kosovë dhe të gjitha strukturave paqësore e ushtarake të tij, forcat e NATO-s, bombarduan 72 ditë pa ndërprerë okupatorin serb të cilin e detyruan të gjunjëzohet e të tërhiqet nga Kosova më 12 qershor të vitit 1999.
Falë angazhimit dhe suksesit të tillë, dr. Ibrahim Rugova fitoi simpatinë dhe përkrahjen e gjithë shqiptarëve të Kosovës e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë si dhe të botës demokratike ndërkombëtare.
Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës gjatë 15 vjetëve të kaluara ka qenë krahu i djathtë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të saj dr.Ibrahim Rugovës. Në këtë rrugë të interesit kombëtar, edhe partia jonë, e cila gjatë kohë ka qenë forca e dytë politike në Kosovë, ka dhënë kontributin e vet në Kosovë e në diasporë duke marrë pjesë në Institucionet paralele në kohëne e okupacionit serb dhe në vepritmaritë e tjera të nevojshme të asaj kohe.
Dr.Ibrahim Rugova, me qëndrimet e tij demokratike e paqësore ka fituar simpati e përkrahje të autoriteteve politike përëndimore.
Dr. Ibrahim Rugovën, kushdo që e ka njoftë dhe që ka dashur të jetë objektiv, e ka rrespektuar si njeri shumë të ndershëm, të dashur, të afërt, intelektual i madh, demokrat, tolerant e paqëdashës. Të gjitha këto veti pozitive morale janë traditë e kulturës tradicionale shqiptare. Prandaj shtresat më të gjëra të popullit shqiptar, Ibrahim Rugovën e kanë çmuar si shembull i njeriut të madh, të mençur dhe të guximshëm, i cili meriton të jetë në ballë të këtij populli, ta ketë përkrahjen e besimin e pjesës më të madhe të tij,
Me vdekjen e presidentit të Kosovës, d.Ibrahim Rugova, është shkaktuar një boshllëk i madh në jetën institucionale e politike, në momentet më të vështira për Kosovën, e cila gjendet në udhëkryq për vendosjen e fatit të saj përfundimtar. Në këtë moment personaliteti i dr.Ibrahim Rugovës ka qenë i domosdoshëm.
Mirëpo, Ibrahim Rugova me sakrificën e tij, me guximin e mendjen e tij të holë e vizionare ka qenë dhe ka mbetur arkitekti dhe babai i Pavarësisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës, pa marrë parasysh kush do ta nënshkruajë aktin final të saj, është meritë e gjithë popullit shqiptar, por merita kryesiore
Dhe e pamohueshme i takon atij i cili gjatë dy decenieve e trasoi këtë rrugë të vështirë kombëtare, e ky personalitet është vetëm dr.Ibraim Rugova.
Presidenti i Kosovës dr.Ibrahim Rugova është i pazëvendësueshëm. Por me humbjen e tij fizike nuk do të humb rruga e idealit të cilin e ka ndjekur me përkushtim gjatë gjithë jetës së tij. Në këtë rrugë, siç e ka përcjellë deri tash PSHDK-ja, do të qëndrojë e paluhatshme edhe më tutje së bashku me partinë e tij, aleatën e natyrshme të saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe mbarë popullin e Kosovës i cili e ndjek këtë rrugë kombëtare.
Me këtë rast, Partia Shqiptare Demokrstikane e Kosovës dhe unë personalisht, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar të dr.Ibrahim Rugovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbarë popullit shqiptar.