- Bisedë e Kryeredaktorit të Gazetës”Dielli” Dalip Greca me Dr. Skënder Murtezani MD,anëtar i Kryesisë së Vatrës dhe Kryetar i degës së Vatrës në Queens, New York./
- Deri tani një vatran i degës së Queensit ka rezultuar pozitiv dhe po trajtohet. Priten edhe rezultatet e të testuarëve të tjerë.
-Dr. Murtezani: Brenda një jave do të arrij që t’i bëj në klinikën time të gjitha testet dhe po aty t’i nxjerr rezultatet.
Gazeta Dielli: Përshëndetje dr. Skënder Murtezani.Si po e ndiqni situatën e mbingarkuar nga koronavirusi?
Dr. Skënder Murtezani: Përshëndetje Dalip. Po e ndjek jashtëzakinisht për së afërmi epideminë e përbotshme. Nga njëra anë ndihmoj pacientët, nga ana tjetër mendoj për anën shkencore të ecurisë së virusit, për kategoritë që prek, reagimet e pacientëve, po i ndjek me vëmendje edhe statistikat ditore, për të dalë në përfundime studimore.
Dielli: Në Klinikën Tuaj po kryhen teste për të zbuluar të infektuarit me COVID-19. Si po ecën puna?
Dr. Murtezani: – Po që nga 16 Marsi kur e mbyllëm zyrën për pacientët e regullt, unë vazhova të jem në shërbim të pacientëve të mi për raste urgjente. Në këtë periudhë të pandemisë së koronavirusit do të ishte e pakuptimtë mos të bëja testin SARS CoV-2.
Dielli: – SARS CoV-2 është i njëjtë me COVID-19?
Dr.Murtezani: Po është i njëjtë ,vetëm se e para është term laboratorik.
Dielli: Cilat janë rezultatet e deritanishme të të testuarëve? Si veprohet me të infektuarit? Mbyllen në shtëpi apo dërgohen në qendra mjekimi?
Dr. Skënderi: Si gjithë pacientët e tjerë në Shtetin e New York-ut, karantinohen, rastet e rënda dërgohen për mjekim të specializuar. Por deri tani nuk kemi të sëmurë të riskuar, që kërkojnë mjekim të atillë.
Dielli: Kemi lexuar në media se administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka aprovuar një test të ri për koronavirusin që mund të nxjerrë rezultatin në 45 minuta. Bëhet fjalë për një të ardhme të afërt apo?
Dr. Murtezani: Tani për tani unë testet i bëj në klinikën time dhe i dërgoj në laboratorin Queat Diagnostic. Por shumë shpejt, besoj se brenda një jave, do të arrij që t’i bëj në klinikën tone të gjitha testet dhe po aty t’i nxjerr rezultatet. Sa për testin e ri që ka autorizuar administrata amerikane (FDA) jemi në pritje.
Dielli: – Ç’kontigjente testohen në klinikën tuaj? Pacientë që kanë shqetësime apo edhe qytetarë që nuk kanë shqetësime ?
Dr. Murtezani: -Testojmë vetëm pacientët me shqetësime, me simptoma të ngjashme me ato të gripit.
Dielli: Qarku i Queens-it, ku ju jetoni dhe keni klinikën , të premten ishte zona më e infektuar e shtetit të New York-ut, përse ndodh kjo?
Dr. Skënderi: Sot psh është Brooklyn-i me më shumë raste, pastaj vjen Queens-i, NYC, Bronx, Staten Island, por mendoj se radhitja ndryshon në vartësi të numrit të testimeve të kryera. Sipas disa formulave statistikore mendohet se numri i të prekurve nga Coronavirusi duhet të jetë 100-500 herë më i madh se sa paraqitetet.
Dielli: Ju jeni kryetar i degës së Vatrës së Queensit a keni komunikuar me vatranët e degës? A janë vetëdijësuar ata? Si është gjendja e tyre shëndetsore?
Dr. Murtezani: Po si jo! Jemi në kontakte. Unë herët publikova shenjat dhe mënyrat se si të mbrohen nga COVID-19. Mendoj se të gjithë janë të edukuar dhe të vetdijësuar për sëmundjen dhe janë njohur me metodat e parandalimit dhe mbrojtjes. I kam publikuar edhe në Facebook-un e degës.
Dielli: A ka të infektuar nga radhet e vatranëve të Queens-it?
Dr. Murtezani: Për fat të keq kemi një rast të vetëm për tani, por fatmirsisht është në gjendje të mirë shëndetsore dhe në kontroll të plotë.Jam optimist se do ta kalojë gjëndjen.
Dielli: Po në përgjithësi si janë rezultatet e të testuarëve të tjerë në klinika juaj?
Dr. Murtezani: Janë tre raste deri tani por ende jemi në pritje të daljes së rezultateve të 100 testeve nga 147 të testuar.
Të tre pacientët që kanë dalë negativë janë në gjendje të mirë shëndetësore, kanë qenë me mjekim të arsyshëm, që kur janë testuar dhe janë në vëzhgim e të izoluar.
Dielli: Sa është koha e pritjes të rezultateve pas testimit?
Dr. Murtezani: Rezultatet e testimi dalin për pesë ditë.
Dielli: Si është një ditë e betejës kundër Koronavirusit për dr. Skënderin?
Dr. Murtezani: Besoj si e çdo mjeku tjetër internist. Ditët e një internist në SHBA në këto ditë kërkojnë qetësinë ,urtësinë dhe përkushtimin për të trajtuar pacientët, por më së shumti për të parandaluar infektimin e qytetarëve me koronavirusin. Shkurt:Janë të lodhshme, të mbingarkuara dhe kërkojnë përkushtim maksimal.
Dielli: Çfarë këshillash do t’u përcillnit bashkatdhetarëve dhe lexuesëve të gazetës DIELLI?
Dr. Murtezani: Për të gjithë bashkatdhetarët kudo që janë nuk do t’u thosha ndonjë gjë të re, por do të përsërisja çfarë kam thënë e shkruar: Pastroni rezidencat me mjetet dezinfektuese.Kush nuk i di mund të shkojë në faqen e Facbooku të degës Queens dhe i gjeni aty-: fb Vatra-Queens NY.Po ashtu do t’u thosha: Lani duart duke qenë në shtëpi , para se të dilni, si dhe sapo të ktheheni në shtëpi. Lani duart pas takimeve apo kontaktit me objekte të ndryshme. Ndiqni hap pas hapi pamfletin e përkthyer në shqip që e gjeni në fb e degës së Queensit.
Dielli: A mund t’i përsërisni sinajlet e sëmundjes dr. Skënderi!
Dr. Murtezani: Patjetër: Po të keni një nga simptomat : temperaturë mbi 99.6 ‘, kruarje fyti, ethe, rrjedhje hundësh, izolohuni për 2 javë! Forconi aftësitë e mbrojtjes së trupit me këto ilaçe:
1.ALA Alpha lipoic Acid 600mg dy herë në ditë!
2.Eldeberry
3. Vitamin C- 1000 gram në dite…
Dielli: -Tjetër mesazh, keni doktor?
Dr. Murtezani: I lus t’i marrin me seriozitetin më të madh urdhërat e guvernatorit Cuomo dhe kryebashkiakut Bill Debiaso. Natyrisht, do t’i porosisja dhe të mos stresohen e të mos kenë frikë. Paniku është aleat i sëmundjeve!
Dielli: Faleminderit dr. Skënder Murtezani!
Dr. Murtezani: Faleminderit Diellit!