
Prof. Milazim Krasniqi/
Drenica është njëra nga krahinat shqiptare që në këto tetëdhjetë vjetët e fundit të historisë kombëtare, në shumë momente ka luajtur rol përcaktues për zhvillimet e mëdha historike. Drenica ka marrë rolin e krahinës ku ka shpërthyer erupcioni më i fuqishëm atdhetar, duke u martirizuar vetë për interesat e mëdha të mbarë kombit. Historia shpalos argumente të pakontestueshme: kryengritja e vitit 1912, e udhëhequr nga Hasan Prishtina, filloi pikërisht në zemër të Drenicës. Ajo kryengritje rezultoi me krijimin e Shqipërisë, ngjarjes më të madhe deri sot në historinë e shqiptarëve si komb. Mbas mbetjes së gjysmës së atdheut nën robërinë e barbarëve sllavë, ishte prapë Drenica ajo krahinë që e ngjizi kryengritjen dhe luftën kundër okupatorit. Për vite të tëra lëvizja e Azem Bejtës e mbajti gjallë frymën e rezistencës kombëtare, iu kundërvu shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga tokat e veta dhe e alarmoi botën për barbaritë serbe në këto vise.
Mbas lënies së sërishme të Kosovës nën robërinë sllave, mbas Luftës së Dytë Botërore, ishte prapë Drenica, ajo që ngriti kushtrimin e kryengritjen e armatosur kundër dhunuesve të lirisë shqiptare. Një kryengritje që u shtyp me gjak, por që nuk u shua kurrë në shpirtin dhe në mendjet e shqiptarëve. Ai shpirt atdhetar e rezistues, u manifestua në vitin 1981 me aktin e Tahir Mehës. Rezistenca sublime e tashme e Drenicës, në Prekaz, në Llaushë, në Vojnikë, në Açarevë e në fshatrat e tjera të Drenicës, po e shkruan historinë më të re të lavdishme të Kosovës. Drenica u bë pika ku rifilloi rezistenca e shqiptarëve kundër okupimit serbomadh, duke ndërlidhur historinë e saj të lavdishme. Drenica sot është vend ku ka ndodhur masakra e barbarisë serbomadhe kundër popullit të pambrojtur, vend me dhjetëra të vrarë mizorisht, vend me mijëra të ikur nga vatrat e tyre, vend me dhjetëra të plagosur, të cilëve nuk u mundësohet mjekimi.
Drenica është metaforë e dhimbjes shqiptare. Ajo i ka bashkuar të gjithë në një dëshirë, në një aspiratë, në një veprim. Të gjithë shqiptarët, kudo që ata janë. Ky unitet dhe ky mobilizim i fuqishëm, i paparë ndonjëherë ndër shqiptarët, është rast i jashtëzakonshëm që të vazhdohet me këtë frymë e me këtë dinamizëm. Shpalosja e shpirtit dhe e vendosmërisë shqiptare në Drenicë, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë Perëndimore, në Preshevë, në mërgatat shqiptare, përfshirë edhe Zelandën e Re, është diçka që nuk është parë në këtë përmasë deri sot. Kjo duhet të shfrytëzohet që të vazhdojë lufta për fitore definitive.Është koha kur duhet të operacionalizohet kjo energji e kjo vendosmëri shqiptare. Drenica duhet të jetë gjithsesi pikë referimi e kësaj energjie, e kësaj vendosmërie dhe e këtij uniteti të fituar me sakrificën sublime të Drenicës. (9 mars 1998) P.S. Veni dorën në zemër dhe vlerësoni drejt, se sa shqiptarë brenda në Kosovë kanë shkruar në këtë frymë në mars 1998.