Nga Majlinda BUSHJA
Gjithkujt i ka ndodhur të shkoj në spital qoftë dhe njëherë të vetme në jetën e tij, ku shprehja “Shko te privati’’, është kthyer në një rutinë. Po pse te privati për një shërbim shëndetësor më të mirë, apo për mungesë infrastukture, aparaturash të nevojshme dhe kushtesh në spitalet shtetërore? Sapo përballesh me një problem shëndetësor dhe konsultës te mjeku specialist ndodh jo rrallë të drejtonë në klinikë private, (ku mund të jetë ndoshta e vetja, e ndonjë kolegu, apo atje ku ndërthuren interesa të caktuara). Çuditërisht edhe spitalet private ndodhen shumë pranë atyre shtetërore, për të mos e lodhur fizikisht pacientin, por vetëm financiarisht, ku realisht shqiptarët shpenzojnë më shumë se vende të tjera të Evropës për shëndetin, pavarsisht se kanë pagat dhe pensionet më të ulta. Këtë gjë e pasqyrojnë edhe statistikat. Sipas EUROSTAT shqiptarët shpenzojnë për shëndetin 34 herë më shumë se mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Evropian, megjithëse Shqipëria është një ndër vendet më të varfëra të saj. Faturën e shpezimeve e rrit blerja e tepërt të ilaçeve, por edhe analiza e shërbime në spitale private tregojnë për mungesën e infrastukturës spitalore, ku mosfunksionimi i aparaturave, apo pjesërisht të tyre, bën që qytetarët të rraskapiten dyerve të spitaleve sa në shtetëror, në atë privat. Po pse duhet të shkojnë qytetarët në një spital privat, për një shërbim që duhet ta garantoj shteti? A nuk mund të jetë një zgjedhje personale vajtja në spitalet private për të marrë një shërbim, ndoshta më të shpejt apo cilësor, sesa një detyrim. për shkak të mungesave të aparaturave apo mosfunksionimit të tyre. Ndërkohë që, 13,5 % e shqiptarëve nuk kanë mundësi financiare të kryejnë as ekzaminimet mjeksore te specialisti e të blejnë ilaçet, e jo më të shkojnë më tej të bëjnë analiza në spitalet private ku tarifat janë të kripura. A nuk po përjetojnë qytetarët shqiptar një dramë, me sorollatjen sa në një spital në tjetrin dhe detyrimin për ta marrë shërbimin shëndetësor jashtë mundësive të veta financiare. Si gjithçka tjetër edhe ky problem madhor që ka të bëj me shëndetin e popullatës dhe anën fianciare të tyre kalon në një heshje, apo përgjumje të qeverisë, pa llogaritur korrupsionin në shëndetësi ku shëndesia falas është vetëm në letra. Sot kujdesi shëndetësor për qytetarërt shqiptar është i dobët, sepse Shqipëria ka buxhetin më të ulët të shëndetit në Evropë. Të dhënat e Bankës Botërore bëjnë me dije ndër të tjera se vlera totale e shpenzimeve të bëra nga xhepi të qytetarëve është sa 58 % e shpenzimeve totale për shëndetësinë. Gjatë vitit të pandemisë 2020 sipas FSDKSH-së ( Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) dhe bilanceve të kompanive shëndetësore, shqiptarët shpenzuan 92 milionë euro për shpenzime spitalore dhe diagnostikuese private. Ndërkohë, shteti vesh maskës e hipokrizisë para kësaj të vërtete ulëritëse në lidhje me shëndetin dhe financat e qytetarëve shqiptar duke parë se si zhvaten çdo ditë xhepat e tyre. Shteti është për t’i mbrojtur dhe jo për t’i rrënuar e nënshtruar qytetarët e vet, ku sipas EUROSTAT 51% e shqiptarëve rrezikohen nga varfëria dhe përjashtimi social. çka tregon ndër të tjera se kanë pak mundësi për të marrë një shërbim në spitalet private. Ndërkohë që, në Evropë shërbimi shëndetësor parësor edhe dytësor është falas për qytetarët, ku 90 % paguan shteti dhe 10% qytetarët, në Shqipëri qytetarët shqiptar përballen me një realitet tjetër, dëshpërues, anarshi dhe mungesë vëmendjeje nga ana e shtetit, ku qytetarët paguajnë me miliona lekë për shëndetin e tyre. “Ti nxjerr shaminë e hundëve nga xhepi se je sëmurë, doktori shikon nga duart mos nxjerr para” thoshte me ironi një miku im. Pra, një situatë tejet shqetësuese tashmë që jetojmë në kushtet ku prej 2 vitesh koronavirusi ka mbërthyer mbarë botën e ka rënduar gjendjen edhe në Shqipëri, ku qytetarët po shpenzojnë më tepër për shëndetin e tyre edhe në spitalet private. Flitet çdo ditë për luftën ndaj korrupsionit, ku ai në shëndetësi është i mirëlulzuar prej vitesh. dhe i gjithë pranuar në heshtje. Ka pak denoncime nga qytetarët, ndaj ka mungesë të zgjidhjes së këtij problemi madhor që ka të bëj me financat dhe shëndetin e tyre. Mosbesimi në zgjidhjen e problemit nga ana e shtetit dhe faktet kanë treguar për kompleksin e zgjidhjes së problemit ku ndërthuren interesa të caktuara dhe rrënjëzimin e korrupsionit në këtë sektor. Mjek të 2-3 punësuar që logjikisht nuk mund të punojnë me orar të zgjatur sepse ulin vigjilencën dhe cilësinë e shërbimit, nuk mundet të kalojnë sa në spital shtetëror, në atë privat sepse nuk shesin patate, por japin receta dhe luajnë drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve. Aq më tepër ku për interesa të tyre orientojnë pacientët të bëjnë analiza në spitale private, ku çmimet janë të larta dhe të papërballueshme prej tyre. Në këto kushte duhet të jetë shteti që t’i japi fund këtij abuzimi shumëvjeçarë dhe të ndryshojë sjelljen e mjekëve përballë pacientëve, pse jo të kërkoj dhe bërjen e vetingut në mjeksi.