• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Duhet të jetë shteti…

November 6, 2021 by s p

Nga Majlinda BUSHJA

Gjithkujt i ka ndodhur të shkoj në spital qoftë dhe njëherë të vetme në jetën e tij,  ku shprehja “Shko te privati’’, është kthyer në një rutinë. Po pse te privati për një shërbim shëndetësor më të mirë, apo për mungesë infrastukture, aparaturash të nevojshme dhe kushtesh në spitalet shtetërore?  Sapo përballesh me një problem shëndetësor dhe konsultës te mjeku specialist ndodh jo rrallë të drejtonë në klinikë private, (ku mund të jetë ndoshta e vetja, e ndonjë kolegu, apo atje ku ndërthuren interesa të caktuara). Çuditërisht edhe spitalet private ndodhen shumë pranë atyre shtetërore,  për të mos e lodhur fizikisht pacientin, por vetëm financiarisht, ku realisht shqiptarët shpenzojnë më shumë se vende të tjera të Evropës për shëndetin, pavarsisht se kanë pagat dhe pensionet më të ulta. Këtë gjë e pasqyrojnë edhe statistikat. Sipas EUROSTAT shqiptarët shpenzojnë për shëndetin 34 herë më shumë se mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Evropian, megjithëse Shqipëria është një ndër vendet më të varfëra të saj. Faturën e shpezimeve e rrit blerja e tepërt të ilaçeve, por edhe analiza e shërbime në spitale private tregojnë për mungesën e infrastukturës spitalore, ku mosfunksionimi i aparaturave, apo pjesërisht të tyre, bën që qytetarët të rraskapiten dyerve të spitaleve sa në shtetëror, në atë privat. Po pse duhet të shkojnë qytetarët në një spital privat, për një shërbim që duhet ta garantoj shteti? A nuk mund të jetë një zgjedhje personale vajtja në spitalet private për të marrë një shërbim, ndoshta  më të shpejt apo cilësor, sesa një detyrim. për shkak të mungesave të aparaturave apo mosfunksionimit të tyre. Ndërkohë që, 13,5 % e shqiptarëve nuk kanë mundësi financiare të kryejnë as ekzaminimet mjeksore te specialisti e të blejnë ilaçet, e jo më të shkojnë më tej të bëjnë analiza në spitalet private ku tarifat janë të kripura. A nuk po përjetojnë qytetarët shqiptar një dramë, me sorollatjen sa në një spital në tjetrin dhe detyrimin për ta marrë shërbimin shëndetësor jashtë mundësive të veta financiare. Si gjithçka tjetër edhe ky problem madhor që ka të bëj me shëndetin e popullatës dhe anën fianciare të tyre kalon në një heshje, apo përgjumje të qeverisë, pa llogaritur korrupsionin në shëndetësi ku shëndesia falas është vetëm në letra. Sot kujdesi shëndetësor për qytetarërt shqiptar është i dobët, sepse Shqipëria ka buxhetin më të ulët të shëndetit në Evropë. Të dhënat e Bankës Botërore bëjnë me dije ndër të tjera se vlera totale e shpenzimeve të bëra nga xhepi të qytetarëve është sa 58 % e shpenzimeve totale për shëndetësinë. Gjatë vitit të pandemisë 2020 sipas FSDKSH-së ( Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) dhe bilanceve të kompanive shëndetësore, shqiptarët shpenzuan 92 milionë euro për shpenzime spitalore dhe diagnostikuese private. Ndërkohë, shteti vesh maskës e hipokrizisë para kësaj të vërtete ulëritëse në lidhje me shëndetin dhe financat e qytetarëve shqiptar duke parë se si zhvaten çdo ditë xhepat e tyre. Shteti është për t’i mbrojtur dhe jo për t’i rrënuar e nënshtruar qytetarët e vet, ku sipas EUROSTAT 51% e shqiptarëve rrezikohen nga varfëria dhe përjashtimi social. çka tregon ndër të tjera se kanë pak mundësi për të marrë një shërbim në spitalet private.  Ndërkohë që, në Evropë shërbimi shëndetësor parësor edhe dytësor është falas për qytetarët, ku 90 % paguan shteti dhe 10% qytetarët, në Shqipëri qytetarët shqiptar përballen me një realitet tjetër, dëshpërues, anarshi dhe mungesë vëmendjeje nga ana e shtetit, ku qytetarët paguajnë me miliona lekë për shëndetin e tyre. “Ti nxjerr shaminë e hundëve nga xhepi se je sëmurë, doktori shikon nga duart mos nxjerr para” thoshte me ironi një miku im. Pra, një situatë tejet shqetësuese tashmë që jetojmë në kushtet ku prej 2 vitesh koronavirusi ka mbërthyer mbarë botën e ka rënduar gjendjen edhe në Shqipëri, ku qytetarët po  shpenzojnë më tepër për shëndetin e tyre edhe në spitalet private. Flitet çdo ditë për luftën ndaj korrupsionit, ku ai në shëndetësi është i mirëlulzuar prej vitesh. dhe i gjithë pranuar në heshtje. Ka pak denoncime nga qytetarët, ndaj ka mungesë të zgjidhjes së këtij problemi madhor që ka të bëj me financat dhe shëndetin e tyre. Mosbesimi në zgjidhjen e problemit nga ana e shtetit dhe faktet kanë treguar për kompleksin e zgjidhjes së problemit ku ndërthuren interesa të caktuara dhe rrënjëzimin e korrupsionit në këtë sektor. Mjek të 2-3 punësuar që logjikisht nuk mund të punojnë me orar të zgjatur sepse ulin vigjilencën dhe cilësinë e shërbimit, nuk mundet të kalojnë sa në spital shtetëror, në atë privat sepse nuk shesin patate, por japin receta dhe luajnë drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve. Aq më tepër ku për interesa të tyre orientojnë pacientët të bëjnë analiza në spitale private, ku çmimet janë të larta dhe të papërballueshme prej tyre. Në këto kushte duhet të jetë shteti që t’i japi fund këtij abuzimi  shumëvjeçarë dhe të ndryshojë sjelljen e mjekëve përballë pacientëve, pse jo të kërkoj dhe bërjen e vetingut në mjeksi. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Majlinda Bushja

A po përcjell paraja sot një model?

April 30, 2018 by dgreca

Nga Majlinda BUSHJA/

Paraja është aq joshëse sa e bëri njerinë përgjithmonë të dobët përballë vesit. Por shtimi i zerove te pasurisë nuk i shton zerot e jetës, por të qetësisë së humbur. Etja për t’u pasuruar sa më shpejt nuk e bëri njerinë më të pasur, por më të trembur përballë së vërtetës që një ditë mund t’i përplaset fytyrës dhe t’i bëj pis dukjen. Etja për t’u pasuruar shpejt rri si një gjilpërë në ndërgjegjen e njeriut duke e ngacmuar sa herë dyshimi mbi atë që zotëron e vë përpara përgjegjësisë. Është mirë të jesh i paur, por më e mira është të jesh njeri i pastër në pasurimin tënd. Pasi sa herë na rrëmben egoizmi i zotërimit harrojmë të qenit njerëz. Dalja nga vetja nuk na bën keq vetëm neve, por dhe të tjerëve përreth nesh. A nuk po rrit dukuritë negative në shoqëri “verbëria e parasë”, apo paramania? A nuk e ka futur në grackë shoqërinë, politikën, botën? A nuk po dirigjon paraja jetët tona? A nuk po tjetërson jetët tonë dhe konkurrencën në demokraci ku realisht çdo njeri duhet të marrë atë që meriton? Mendoj se po. Vendet me demokraci në zhvillim e ndjejnë edhe më shumë barrën.

Shqipëria, por jo vetëm lufton çdo ditë me korrupsionin e nivelit të lartë e të gjitha formave, krimin e organizuar dhe trafiqeve që kanë në thelbin e vet luftën e pafund për shtimin e zerove të pasurisë, por jo të atyre që kur shtohen të ndreqin jetën, por të atyre që e bëjnë çdo ditë jetën tonë më të pasigurtë në shoqëri. Që rrisin dukuritë negative dhe e bëjnë shoqërinë dhe çdo individ brenda saj të pandjeshëm, indifferent për atë çka ndodh përreth. Ku drejtësia humb kuptimin dhe del jashtë funksionit përgjithmonë duke u shndërruar në vend pazaresh ku më “i forti” bën ligjin.

Nëse i referohemi raporteve më të fundit të organizmave ndërkombëtar, aktualitetit në vend, dhe lajmeve që serviren çdo ditë në media do të vërejmë se kronika e zezë përveçse zë një vend të konsiderueshëm reflekton ndër të tjera gjendjen në vend dhe një të vërtetë aspak të dëshirueshme për qytetarët e zakonshëm të vendit që përpiqen ta ndërtojnë jetën mbi punën e përditshme dhe të ndershme. Shprehja “me djersën e ballit” po e humb kuptimin. A nuk është e vërtetë se burgjet janë mbushur përtej kapaciteteve ? A nuk udhëheq lojën i fajshëm, apo i pafajshëm “topi i parave” ku atje ku godet ky “top” gjithë fajet zhduken? A nuk po ndikon kjo lojë e nisur herët në qarkullimin e “parasë së zezë” në shoqëri, në deformimin e mentalitetit dhe modelin se si krijohet paraja? A nuk po stampohet ky shembull në shoqëri që pritet t’i shtojë ndjekësit e vet për shkak të asaj çka përcjell, pasurimit të shpejt? Nëse pyesim pse burgjet janë mbushur plot, së pari duhet parë modeli që është ndjekur nga disa syresh deri më tash për të arritur nivele marramëndëse të pasurisë, pastaj kupton lehtë se në çrrugë është ecur.  Në atë që të tjerët po na përbuzin. Raporti i DASH (Departamenti Amerikan i Shtetit) është vetëm shpulla e radhës mbi korrupsionin e përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes, por këmbanat e organizmave ndërkombëtar do të vazhdojnë të bien për shumë kohë për të ndryshuar modelin që vazhdon të ndiqet e që vështirë të ndryshojë për shkak të çimentimit të tij. Çdo përpjekje për ta ndryshuar realitetin fsheh pas tij “fytyra djallëzore” që nuk e duan ndryshimin. Sepse kur ndryshimi trondit shoqërinë dhe vet ekzistencën komode dhe të lakmueshme të atyre që kanë në duar ndryshimin, ai, vjen më ngadalë ose të paktën krijon idenë sikur vjen, por që kërkon kohë, kohë që nuk mjafton kurrë, prandaj në realitet ndryshimi nuk vjen. Ndaj korrupsioni sot i shumpërfolur deri në linçim nga qytetarët e zakonshëm të vendit, dhe dukuritë negative në shoqëri kanë po të njëjtat frekuenca e qendrojnë fortësisht të gjalla e përpiqen të shumohen në oazin në të cilët kanë zenë rrënjë dhe mbajnë gjallë modelin “e djallit”. Pasi atje ku noton paraja lumë, duhet mësuar vetëm noti, pavarsisht thellësisë kilometrike. Kjo është filozofia që po udhëheq jetën sot në shoqëri. E në të tillë situatë me të drejtë lind pyetja e radhës: A do t’i jepet përparësi “parasë së bardhë”,  apo do të mbesim në kurthin e “parasë së zezë” që e ka të shkurtër mjaltësinë e vet, por që realisht po bën shumë zhurmë aq sa e ka tronditur shoqërinë duke e vënë në dilemë për rrugën e drejtë të ekzistencës. Vetëm të dielën që lamë pas u kap një ton drogë në Leçe, por nuk është vetëm kjo ngjarje që shënjojë të dielën, disa të tjera pasuan ditëve në vijim. Shumë tonë të tjerë drogë kanë pluskuar në brigjet e Adriatikut, por jo vetëm. Loja me paranë tashmë është kthyer në lodrën dhe luksin e atyre që kanë në dorë të vendosin çfarë duhet të jetë e drejtë dhe në rrezikun e atyre që nuk duan ta bëjnë dallimin se cili është modeli i duhur i ekzistencës dhe ju shkojnë pas. Paramania ka bërë të vetën në shoqëri, dhe njeriu çdo ditë e më shumë po i shkon nga pas “parasë së zezë” pa marrë parasysh pasojat e pyetur për modelin që duhet të ndjekin brezat që pasojnë. Ndodhur në këto kushte kjo lojë mund të cilësohet pa frikë gara e kohës, ku paraja komandon mendjen dhe jo mendja paranë duke e shndërruar njerinë në rob të saj. Njeriu po i shkon nga pas, pa ditur se në fund të rrugës mund të jetë humnera. Është humnera e modelit që po ndjek dhe çimentimit të saj në shoqëri. Ndaj ndryshimi është i vështirë të ndodh veçandërisht në një shoqëri si kjo jona, pavarsisht se çdo përpjekje për të ndryshuar koha e shpërblen me zhvillim dhe siguri për jetën.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: A po përcjell, Majlinda Bushja, paraja sot një model?

“Ujqërit e mendimeve”

October 11, 2017 by dgreca

1 Bushja Oknga Majlinda BUSHJA/Kur njeriu “copton” mendimin e tjetrit ose i ka sosur durimi, ose mosbesimi ka arritur kulmin dhe merret e pavërtetë ajo çka thuhet. Një rast i tillë ndodhi pak ditë më parë pas fjalimit të Rigerta Lokut nga Rubiku në Parlamentin e parë Rural Shqiptar, ku u fol për aktrim, e çnuk u tha aq sa dhe opozita lëvizi nga vendi. U zgjua dhe foli. Disa syresh ju turrën Rigertës, megjithëse Rigerta kishte të drejtë në ato çka foli. Madje një gazetare që nuk kishte jetuar asnjë ditë në fshat e revoltuar u shpreh se “problemi më i madh në fshat nuk është bujqësia, por krimi…”, pavarsisht se bujqësia në fshat është puna dhe puna për njeriun është jeta. Kurse krimi është si krimbi që kur lindi nuk është zhdukur, veçse luftuar gjithmonë me rezultate të përkohshme.Mirëpo, nuk është ky rasti i vetëm ku mendimi i drejtë dhe e vërteta coptohen, raste të tjera në debatet e përnatshme televizive rrëfejnë sesi nuk pranohet mendimi i tjetrit deri në copëtimin e tij, madje gjerat shkojnë deri në fyerje personale. Flasin edhe ata që nuk pajtohen me idenë, por edhe ata që nuk e kanë të plotë idenë, por hamendësojnë mbi atë që thuhet duke nxjerrë përfundime. Dhe kjo e fundit është më e keqja.

Është e vërtetë që bujqësia ka nevojë për ujë dhe asnjë fermer nuk duron dot tek sheh bimët e tij që vuajnë në temperaturë 40, apo 45 gradë në verë, ai do përpiqet të gjej një zgjidhje sado të mundimshme, nga ana tjetër duhet dhe rrugë që prodhimi të mos mbes stok. Por nuk është vetëm kjo që i jep fund problemeve në fushën e bujqësi dhe fshatit.  Duhet organizim për orientimin e kulturave që duhet të mbjell fermeri, madje unë hedh idenë dhe në hapjen e “Bibliotekave Bujqësore”, të profilizuara, që ndoshta nuk mund të hapen në çdo fshat, por në çdo ish-komunë do të ishte një vlerë e mirë për cdo fermer që do të ketë sukses në punën e tij, që e do tokën dhe do të jetojë prej saj. Librat dhe informacionet, studimet shkencore nuk duhen të mbesin vetëm në zonat urbane, pasi atje ku ekzistojnë njerëzit duhet të shkojnë dhe librat.  Dija kurrë nuk është e tepër, ajo të jep me tepri mundësi për të gjetur zgjidhje. Ndoshta duket një luks, në kohën kur fermerit nuk i shkon asnjë pikë uji në ara, nga ana tjetër prodhimi që kanë marrë me shumë mundim mbet pa u shitur për shkak të cmmimeve të ulta, sidoqoftë pasurimi me dije në fushën e bujqësisë, do të jepte rezultate më të mira dhe do bënte që njerëzit të kthejnë sytë nga fshati, nga fshati që duam e qeveria e thotë sa herë që i vjen rasti.

Është folur shumë për reformën në bujqësi, për fshatin që duam, për sfidat që e presin bujqësinë, rilindjen e fshatit, janë shkrepur foto nën hijen e pemëve gjatë fushatave elektorale, janë bërë premtime të majme, është shpërdoruar shumë kohë pa u konkretizuar në punë konkrete dhe njerëzit në fshat janë drejtuar kryesisht emigrimit si e vetmja shpresë për ringritje dhe për të jetuar. Fakti që të gjitha qeveritë i kanë nënvlerësuar e kanë bërë fshatin sot një vend ku ritmi i jetës ecën shumë ngadalë. Toka mund të quhet pa frikë “dheu i artë”, por shumë njerëz e kanë braktisur tokën çka e tregon dhe raporti i popullsisë qytet-fshat në ditët e sotme. Pasi toka të ushqen, kur ti “e ushqen”, por njerëzit nuk mund ta bëjnë këtë pa një pëkrahje, ndaj e kanë parë veten të humbur para kësaj sfide dhe kanë ikur. Kanë ikur dhe kanë parë sesa e prapambetur është bujqësia në vendin tonë në krahasim me vendet e tjera të rajonit e më gjerë. Kanë parë të vërtetën mbi atë që thuhet dhe bëhet realisht për bujqësinë shqiptare. Dinë të dallojnë të vërtetën nga gënjeshtrat e politikës dhe politika ju është bërë gjithmonë e më e largët në shpresën e tyre.

Megjithëse forma e të vërtetës nuk është gjithmonë si një vijë e drejtë, ajo shërben për të ndryshuar të vërtetën e mëvonshme duke e bërë të pëlqyer. Le ta lëmë të vërtetën nën dritën e të gjithëve (si në rastin e fjalimit të Rigerta Lokut), disa sy që nuk kanë mundur ta shohin më parë mund të reflektojnë dhe ta ndryshojnë gjendjen. Çdo ngutje për ta coptuar si bën mirë të vërtetës, përveçse e deformon atë, duke vonuar çdo ndryshim që mund të vijë në kohë për mirë. Vërtet koha që jetojmë na ushqen përditë me mosbesim, por të vërtetës duhet t’i japim kohën e duhur para se ta flakim, e ta coptojmë. Dhe “Ujqërit e mendimeve” janë kthyer sot në frikë për të vërtetën,  jo vetëm në fushën e bujqësisë, por në të gjitha fushat e jetës duke u sjell si “Zot i të vërtetave”. Ata shkojnë pas së vërtetës imagjinare duke u përpjekur ta coptojnë e largojnë nga vëmendja e opinionit publik të vërtetën e vërtetë. Në disa raste duke e zbukuruar me magjinë e gënjeshtrave që ata vet i besojnë si të vërteta. Por të vërtetës nuk duhet t’i bëjmë bishta, pavarsisht se mund të jetë e shëmtuar dhe s’na pëlqen. E vërteta është drita e ndërgjegjes dhe tregues i gjendjes që duhet të shfaqet me përmasat e saj reale, për reflektim dhe ndryshim pozitiv në sa më pak kohë.

Filed Under: Analiza Tagged With: “Ujqërit e mendimeve”, Majlinda Bushja

Shqipëria demokraci e re, apo demokraci me re?

April 6, 2017 by dgreca

nga Majlinda BUSHJA/

Shqipëria demokraci e re, apo demokraci me re? Le ta analizojme: Kur shihet si rrugëzgjidhje kërcënimi nuk flitet më për aktorë që qendrojnë në krye të forcave politike, por për forca politike që i mungon kryeja. Pasi kërcënimi është shenjë dobësie, ku më i dobti në mungesë të aftësive reale për të dominuar gjen një rrugë tjetër force për të treguar se ekziston. Kërcënimi është “forca” e tij që parandjen humbjen dhe për të mos u përballur me të duhet të gjej me patjetër “gurin e baraspeshës” për të fshehur mangësitë dhe shmangur përballjen. Sepse përballja është mësim, pësim dhe tregues i gjendjes, por ndonjëherë dhe mospranim i saj përsa kohë nuk je në gjendje të pranosh forcën e vetvetes që vendos kufijë dhe na tregon vendin. Kështu, përballja përsa kohë është tregues shfaqet e rrezikshme dhe të pranosh atë është atribut vetëm i atyre që duan të njohin dhe pranojnë realitetin. Pse e them këtë? Shkaku i mospranimit të përballjes në zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit po trazon së fundi ujërat  në politikën shqiptare, ku dialogu nuk pranohet realisht, por shihet si zgjidhje kërcënimi në distancë, si “forcë” për të ndryshuar gjendjen. Nuk është diçka e re kjo në politikën shqiptare, por një vazhdimësi duke e lënë Shqipërinë prej 26 vitesh një vend në tranzicion dhe duke konsideruar tranzicionin arsye për krizat e herë pas hershme politike në vend. Kriza të sajuara për karrigen e pushtetit, por dhe për t’i shpëtuar të shkuarës që fundos dhe gjendet si mjet shpëtimi “kriza” në momente të vështira.

Çfarë po ndodh realisht në vend, Shqipëria një demokraci e re, apo një demokraci me re, ku fjala dialog konsiderohet e huaj në ambjentet tona politike. Mesazhe kërcënuese, denigruese, (ku media fatkeqësisht është përcjellësja) “hidh e prit” që në muajin shkurt të këtij viti dhe kokëfortësia për dialog kanë krijuar një krizë politike institucionale artificiale të panevojshme që më së shumti rëndon qytetarët, dhe të ardhmen e vendit. Kërcënimi po përdoret si “aftësi” për të dominuar në politikë, dhe kokëfortësia po shihet si zgjidhje, duke u ngatërruar gabimisht me vendosmërinë në realizimin e qellimeve. Por, politika e forcës nuk tregon forcën e politikës, por paaftësinë e saj për të zgjedhur dialogun si mjet paqësor të demokracisë. Flitet shumë për dialog në parim, por kur shkon puna për t’u ulur në tryezë e për të bërë bisedime e lëshime (se bisedimet prandaj bëhen) atëherë aty dialogu mbaron dhe çdo njeri nga aktorët mendon se e drejta i takon atij, meqenëse dhe nuk ekziston e drejta absolute në vetvete. Mirëpo në këtë rast, mençuria politike është të mbrosh “të dobtin” për të treguar se je “i fortë” përmes paqes së ofruar si privilegj i atij që sundon.  Problemi është të mos e shohësh pushtetin si “Zot” e të përkulesh para tij, pasi pushteti është Verbëri dhe si i tillë nuk të lë të shohësh përreth e të kuptosh se cilat janë mjetet e paqes së detyruar, (si detyrë themelore e pushtetit dhe atij që e mban). Sa herë përkulemi para pushtetit aq herë humbasim si lidër para atyre që na kanë zgjedhur dhe kthehemi në problem përmes arrogancës që vjen prej këtij të parit dhe që na zë sytë. Por gjithmonë ka një zgjidhje për të mos u rrëmbyer nga pushteti, e për t’u treguar atyre që qendrojnë në anën tjetër zgjidhjen dhe detyrimet. Zgjidhja është të shohim të vërtetën dhe jo të krijojmë të vërtetë, të mos krijojmë nyje në fillin e pakëputur, por të zgjidhim fillin e ngatërruar pa e këputur atë. Të kuptojmë së pari se pushteti (dhe rruga drejt tij) është “një lëmsh” që ngatërrohet shpejt në duart e shumë njerëzve dhe duke qenë i tillë vetëm dialogu dhe toleranca shmangin krizat artificiale të panevojshme dhe përcaktojnë të drejtën që takon. Pasi lufta më e madhe bëhet për të fituar të drejtën dhe ai grup që hamendëson se janë shkelur të drejtat është i prirur të shkaktojë kriza dhe përgjithësisht qendron në anën e pakicës. Problemi është të bindësh pakicën se gjithmonë do ekzistojë e kundërta(pakica) pavarsisht se kujt i takon ky rol dhe kjo nuk duhet të shihet si nënshtrim për të. Vendi i gjithsecilit përcaktohet nga pëlqimi dhe besueshmëria që kushtëzohen nga të tjerë persona që kanë të drejtën të vendosin për vendin e gjithsecilit, që në këtë rast janë votuesit. Çdo kërcënim, fyerje, apo presion nuk zhbën dot të vërtetën, nuk ofron zgjidhje, por është vet problemi që pengon zgjidhjen.

E vërteta e pakundërshtueshme është se për gjithçka e çdo gjë ekziston e kundërta, sikundër edhe në politikë. Nuk ka pëlqim absolut në shoqëri, ndaj dhe ekziston e kundërta që pranohet dhe merret në konsiderat për arsyet e saj të mospëlqimit. E kundërta konsiderohet e domosdoshme dhe e dobishme në funksion të zhvillimit dhe pasurimit të ideve dhe të tërës. Ndërkohë ai që i përket kësaj pjesë duhet të gjejë arsyet reale pse ndodhet aty. Pasi kërcënimi nuk është mënyra për të kaluar në anën tjetër, por problemi që nuk na jep kohën e mjaftueshme të kuptojmë formën normale të ndryshimit.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: apo demokraci me re?, Majlinda Bushja, Shqipëria demokraci e re

Fitore si këto i vendosin qytetarët

March 15, 2017 by dgreca

opinion nga Majlinda BUSHJA/

1 Majlinda BushjaTë jesh fitimtar i një beteje nuk duhet vetëm ta fitosh atë, por edhe të meritosh fitoren. Të kuptosh se pas fitores vijnë ditë më të vështira, apo ditët e bindjes dhe krijimit të besimit që rikonfirmojnë edhe njëherë meritën e fitores. Pasi çdo fitore afatshkurtër tregon dobësinë e fitimtarit dhe paaftësinë për të zotëruar fitoren përmes faktesh të mëvonshme që e forcojë atë. Koha nuk duhet ta zbeh fitoren, nëse ndodh kjo vihen në dyshim meritat e fitores. Çdo betejë ka humbësit dhe fituesit e vet, por në një lojë të padrejtë fituesi duhet të ketë frikë nga fitorja e tij.  Nëse ka një fitore të përkohshme është pikërisht, kjo fitore. Përse e them këtë?!

Në skenën politike shqiptare prej gati një muaji po luhet një betejë, e cila nuk mund të quhet më e heshtur, që prej 18 shkurtit të këtij viti, ku nisi dhe protesta pa limit e opozitës. Opozita kërkon me ngulm qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe të ndershme, por në kujtesën qytetare janë ende të forta, zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, trazirat e vitit 1997, Gërdeci, 21 Janari etj. Kurse pozita insiston në procesin e vettingut, dhe ajo nga ana e saj është përfolur jo pak herë për futjen e kriminelëve në parlament, se shfarosi Lazaratin, por droga u përhap në të gjithë Shqipërinë etj. Por, vettingu për të cilën pozita duket se ngul këmbë nuk ju shërben të gjithëve, sepse zullumqarët i merr përpara (pavarsisht ngjyrave) dhe ata mund t’i gjesh jashtë partive politike, por që shkakton më shumë frikë brenda tyre. Gjithsesi, ngërçi artificial dhe vonesat nuk do ta shmangin dot atë që do të ndodh më pas, pavarsisht vonesave. Do vijë një kohë që gjuha nuk do mundet të mbulojë më veprat, dhe mëkatarët nuk do munden të shpëtojnë më prej gjuhës së tyre. Dhe është pikërisht kjo situatë që ka sjellë pështjellime politike dhe tension në vend.

Situata e krijuar ka sjellë ndryshime dhe në qeveri, ku katër ministra të rëndësishëm të kabinetit Rama zëvendësohen me katër të tjerë. ndryshe nga më parë raporti është 50 me 50 (dy gra dhe dy burra). Çka bën që numri i grave ministre të shtohen në kabinet dhe kjo ndodh për herë të parë në Shqipëri pas viteve ’90, por edhe e djathta ka patur, në mos gabojë një ministre. Gjithsesi, lëvizjet e fundit në kabinetin qeveritar nuk e bindën opozitën të mbyll çadrën, ajo kërkon “kokën e padrinos” madje ironizoi së fundi me shkarkimin e ministrave, por dhe shefi i pozitës që ka marrë mandat për të qeverisur 4 vjet, nuk pranon qeveri teknike dhe deklaron se, shkarkimet nuk kanë ndodhur për shkak të opozitës, por se jemi tre muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit.  Pavarsisht se fjalët e z. Rama nuk bindin, nuk bind as qeveria teknike se do të nxjerr opozitën në krye në zgjedhjet e 18 qershorit 2017. Vota është e qytetarëve që tashmë janë kthyer në spektator në teatrin e radhës të luajtur nga politika shqiptare. Ata kanë në dorë të hedhin votën në kutinë e votimit, apo ta “zhubrosin” atë duke mos qenë dakort me asnjë.

Ndërkohë që, beteja politike vazhdon, mes aktorëve të vjetër të politikës që presin zgjidhje të reja dhe vendosin kushte, politika ka futur veten në krizë me këtë formë të vepruari. Opozita nuk shkon në parlament prej disa ditësh, duke u ngujuar në “Cadrën e Lirisë”, në të njëjtën kohë së bashku me 23 partitë aleate nuk është rregjistruar në zgjedhje duke kërcënuar se  s’do të ketë zgjedhje pa qeveri teknike. Por, ndërkohë opozita nuk është në gjendje të masi vullnetin e qytetarve opozitar nëse atë kanë dëshirë të shkojnë në zgjedhje me këtë qeveri, apo jo, (sa janë pro dhe kundra këtij vendimi). Meqenëse janë mijëra qytetarë opozitarë në të gjithë vendin, duhet të jenë po aq në protestë për ta faktuar vullnetin e përfaqësuesëve, ose të paktën gjysma. Kjo e bën vendimin e përfaqësuesëve të opozitës të njëanshëm brenda saj dhe nuk i jep zërin e duhur betejës për qeveri teknike. Nga ana tjetër, lëvizjet në qeveri nuk e kanë çtensionuar situatën politike mes tyre dhe i kanë bërë përfaqësuesit e opozitës më të vendosur për t’i shkuar deri në fund betejës së nisur. Por edhe nëse ka fitore të saj, ajo është e përkohshme, sepse në fund janë qytetarët që zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të lira. Fatin e çdo partie e përcaktojnë votuesit tashmë më të kthjellët për vendimin e tyre pas më shumë se çerekshekulli demokraci. Çdo lëvizje e gabuar e partive politike votuesi nuk është i prirur ta fal nisur nga përvoja e zgjedhjeve të mëparshme.

Kështu partitë politike nuk duhet të humbasin kohë, por duhet të riorganizohen për të matur forcat përmes programeve të tyre. Koha e humbur nuk kthehet pas, por më vonë të ndjehesh i humbur për shkak të kohës që ke shpërdoruar, kupton rëndësinë e kohës që iku dhe çmimin e saj.

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fitore si këto, i vendosin qytetarët, Majlinda Bushja

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pritje spektakolare për Kryeministrin Albin Kurti në Vatër
  • ALBANOLOGU KROAT MILAN VON SUFFLAY SIPAS DOKUMENTEVE MË TË REJA NGA ARKIVI SHTETËROR HISTORIK I DUBROVNIKUT
  • UKRAINA 2022 : Fushë  beteje në  mes dy qytetnimesh : Demokraci liberale Europiane versus  Autokraci tradicionale Ruse
  • Heronjtë që na duhen, por që nuk i meritojmë
  • Shqipëria po qanë…
  • Lamtumirë Dr. Gjon Buçaj
  • LAMTUMIRË DR. GJON LEKË BUÇAJ
  • KANË FILLUAR PUNIMET PËR REHABILITIMIN E KISHËS SË KUVENDIT TË ARBËRIT AFËR LEZHËS 
  • BOSTONI, VIZITA E RRADHËS E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS ALBIN KURTI
  • Kombi shqiptar dhe politikat e sigurisë në ditët e sotme
  • Dalip Greca – Emër i Pashuar
  • Dalip Greca, një emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare
  • Dalip Greca, një profesionist dhe patriot i madh
  • Kur vdekja merr krijues dhe atdhetarë të mirëfilltë
  • Lamtumirë kolegu ynë Dalip Greca

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT