Opinion nga ARTUR AJAZI/
Shqipëria ka vite që kërkon një burrë shteti, një autoritet që të ndërlidhë shumë komponentë për të mundësuar ekuilibrat politikë e shoqërorë në këtë vend. Vendi ka vite që përjeton krizën e autoritetit, dhe pozicionin e burrave të shtetit e kanë pushtuar anonimët politik, të pamoralshmit, të korruptuarit, të ngriturit në majë sipas “shkatërrimokracisë”. Shqipëria në këto momente historike, ndjen nevojën e një burri të vërtetë shteti. Por eksperienca e 25 viteve të fundit, ka treguar se mosnjohja e vetes, i ka shtyrë shumë politikane të synojnë vetëm majën. Deliri i madhështisë mbetet një epidemi që ka prekur politikanët e këtij vendi, duke kultivuar mitin e vetvetes. Kjo garë që nuk njeh kushte dhe barriera ka “lojtarë” vetëm nga klasa politike ku shumica përbëhet nga mediokrit. Duke mos njohur veten, ata deklarojnë dhe ripërsërisin gjithmonë dhe kudo që “Jemi të Parët”. Paradoksi dhe absurdi, amoraliteti dhe anormaliteti, mediokriteti dhe miti i vetvetes përbëjnë një realitet. Sikur politikanët të votonin në mënyrë të fshehtë për presidentin e Shqipërisë, ne do të ishim dëshmitarë të absurdit, ku në fund secili prej tyre kishte fituar nga një votë. Një dukuri e tillë kur shfaqet në jetën politike të një vendi është mbushur me dhimbje, dramë, fatkeqësi, dhe fatalitete. Turrja pas karrierës, pushtetit, për të kapur majën , është tragjedia më e madhe e një populli që kërkon të ndërtojë dhe begatojë jetën e tij. Asnjë popull nuk mund të përparojë nëse në krye të drejtimit të tij, nuk ka burra shteti. Mungesa e këtyre burrave në drejtimin e vendit, përbën krizën më të rëndë politiko-shoqërore, duke prodhuar kriza të tjera si ajo ekonomike, e morale. Situata mbetet sa e zymtë dhe e trishtuar, pasi janë karrieristët dhe aventurierët , që deliri i ka çuar në marrëzi, në konflikte e armiqësi. Kriza politike që përsëritet shpesh , është rrjedhojë e krizës së autoritetit, e mungesës së një klase politike me mentalitet të ri , idealistë, demokratë dhe europianistë. Dhe mungesa e një klase të tillë politike, ka sjellë pasoja që kanë reflektuar direkt në jetën tonë, dhe kanë sjellë drama dhe fatkeqësi, më tepër se lumturi. Shpura e politikës që kanë zënë vendin e burrave të shtetit, kanë ndërtuar sistemin e tyre që funksionon si një rrejt i sofistikuar merimangash, duke hequr shpresën e shumicës së shqiptarëve. Krimi godet në mes të ditës, në qendër të qyteteve, mjerimi dhe varfëria është bërë e pranishme në shumicën e shqiptarëve, kurse pasuria shënon rritje të përvitshme tek të korruptuarit. Shtresa e intelektualëve ka vite që ka marrë rrugën e mërgimit, dhe këtu po mbeten “të parët” dhe pasuria e tyre e pamerituar. Në Shqipëri ata që merren me trafik dhe korrupsion, janë shtresa e pasur, një paradoks sa absurd dhe alarmant për fatet e një vendi. Në një situatë të tillë, vendi padyshim kërkon burrin e shtetit, të bëjë revolucionin, ndryshimin, progresin. Në një gjendje e tillë, çdo qeveri do të jepte dorëheqjen ose do të merrte mbi supe një mision të madh. Kushdo që jeton sot në Shqipëri e sheh të vërtetën objektivisht dhe jo i ndikuar nga ideologjia partiake, duke dalluar kaosin dhe mungesën e normalitetit. Deri tani korrupsioni po luftohet me slogane, deklarata, konferenca shtypi, komisione parlamentare, me akuza në dukje të rënda, dhe në fund , shumë zhurmë për asgjë. Akuzon opozita qeverinë si të korruptuar, pa asnjë kallëzim në prokurori për ndjekje penale. Vetë kryeministri Rama e pranon se “jemi zhytur në korrupsion, ndonëse na e la peshqesh PD”- përsërit ai shpesh. Megjithatë asnjë kallëzim për ndjekje penale, as për ish ministrat, as për ministrat e kabinetit të tij. E vërteta është se lufta me të korruptuarit është e vështirë për të mos thënë e pamundur . Përpara kësaj sfide ndodhet sot kjo qeveri. Por ata akoma nuk e kuptojnë këtë të vërtetë, akoma operojnë me praktika të vjetra, shumë zhurmë për asgjë, pasi sot disa pushtetarë dhe parlamentarë, na bëjnë të gajasemi kur deklarojnë se kanë një shtëpi me një dhomë e kuzhinë, kur flitet se janë pronarë të pallateve, resorteve, ortakë me biznesmenë etj . Korrupsioni është i vështirë për tu luftuar, kur janë të implikuar ata që do ta luftojnë atë nga pozita e qeveritarit, korrupsionin mund ta luftojnë vetëm ata që deri sot kanë dhënë prova që nuk janë implikuar, duke ndërgjegjësuar popullin, duke krijuar psikologji realiste, për të mbështur lëvizjet e guximshme politike, dhe për ti gjetur Shqipërisë Burrin e Shtetit.
ismaili says
po kur do te dale ky burri shtetit mor burra, eh shqiperia e gjore.