Nga Shefqet KERCELLI/Durres/
Paraditen e datës 26 nëntor 2014, qindra qytetarë durrsakë të moshave të ndryshme, ishin mbledhur në një shesh të përgatitur enkas midis murit juglindor të Amfiteatrit dhe Xhamisë së qytetit, për të festuar 102 vjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar në qytetit bregdetar të Durrësit. Këtë ceremoni simbolike, që është kthyer në ritual të përvitshëm, e nderuan me pjesmarrjen e tyre patriotë durrsakë dhe familjarë të tyre, veteranë, ishushtarakë dhe ushtarakë aktivë, detarë të qytetit, përfaqësues të pushtetit qëndror e vendor, nxënës shkollash, media durrsake, etj. Fillimisht nën tingujt e hymnit tonë kombëtar të ekzekutuar me mjeshtëri nga banda e qytetit të Durrësit u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit nga kryetari i bashkisë zoti Vangjush Dako dhe n/oficerja e Forcës Detare, Jonida Murataj, e cila u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit. Më pas përshëndeti kryebashkiaku Dako, i cili theksoi se:-102 vjet më pare, patriotët durrsakë vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga perandoria osmane. Kjo është ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti, në gjithë shekullin e XX-të, e në vijim. Jam i nderuar dhe i prekur, të përsëris sot, 102 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu Kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor 1912!….Nderim dhe respekt për jetën dhe veprën e këtyre patriotëve! Në fakt sipas dokumentave të kohës, në Durrës, patriotët e shquar, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, bënë përpjekjen e parë për ngritjen e Flamurit të Shqipërisë, por rrethanat ishin të disfavorëshme. Në këtë kohë pushtuesit sërbë ishin pranë portave të qytetit, me synimin për të pasur skelën e tyre në Adriatik, ndërsa populli kishte rrokur armët dhe po bënte qëndresë të fortë. Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë mbrritën në Durrës nga Triestja, me anijen “Taurus” më 21 nëntor 1912, dhe sipas porosisë të tij, në më pak se pesë ditë qytetaria durrsake ngriti flamurin kuq e zi të pavarësisë. Kjo ndodhi më 26 nëntor 1912, kur patriotët dhe qytetaria durrsake shpalli pavarësinë dhe zgjodhi delegatët e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, para se një pushtues të zvëndësohej nga një tjetër. Sot përkujtohet me respekt vepra e Hafiz Ali Podgoricës, Kryetarit të I-rë të Bashkisë në Durrës dhe patriotëve durrsakë, Akostin Serreqi, Sotir Vevecka, Sulejman Kadiu, Marie Kaculini, etj. Gazeta e asja kohe, “Lirija e Shqipërisë “ lajmëronte se në telegramin e ardhur nga Durrësi, u deklarua autonomia e Shqipërisë dhe flamuri shqiptar u ngrit mbi “Konak të Durrësit”….Ndërkohë në këtë ditë të shënuar u vlerësua dhe vepra e delegatëve durrsakë në Kuvendin e Vlorës, Dom Nikollë Kacorri, Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, të cilët ishin pjesmarrës të nënshkrimit të dokumentit historik të Shpalljes së Pavarësisë. Nuk ngeli jashtë vëmendjes në këtë ditë historike, kontributi i detarëve, kapidanëve dhe tregtarëve durrsakë që rrihnin detrat. Ata ishin bazë e fuqishme për mbështetjen e lëvizjes patriotike në qytetin e Durrësit, sepse nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta që siguronin me patriotët rilindas në Selanik, Stamboll, Kajro, Batum, Bari, Brindizi, Trieste, etj. mundësonin sjelljen e literaturës patriotike dhe shpesh herë dhe armë kundër pushtuesve. Mbas urimit për 26 nëntorin, festën më të madhe të qytetarisë durrsake, pjesmarrësit vizituan një ekspozitë me vepra arti kushtuar shpalljes së pavarësisë dhe luftës kundër pushtuesve nazifashistë.
Shefqet Kërcelli
Literatura:-Antologji e Detarisë Shqiptare, Vëllimi i I-rë, faqe 108,109,110.