• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

METAFORA E PRANVERËS DURRSAKE

May 6, 2016 by dgreca

Mbresa nga festivali “Pranvera poetike durrsake”/

 NGA PËLLUMB GORICA/

 Nuk ka rëndësi se sa çaste të bukura kalojmë në jetë, por çfarë emocioni dhe gjurmësh lenë ato në kujtesë, dhe më e bukura është se si i ndajmë me njëri tjetrin. Kjo është arsyeja që ftesa në festivalin e përvitshëm “Pranvera poetike durrsake”, dhe dëshira për të takuar miqtë e mi, më bëri të gjendem pranë komunitetit të krijuesve durrsakë. Ishte një ditë e mbingarkuar me veprimtari letrare në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme (kavalishenca) te Plepat– Durrës, por edhe me bukuri mendore e modesti shpirti. Vlerat njerëzore, kulturore e krijuese, me të cilët shumica nga ne kalojmë një pjesë të mirë të jetës, varen nga këndvështrimi që i percepton ato. Edhe kjo veprimtari mbesëlënëse, në një mjedis romantik, dhe që i shërben një qëllimi, ka rëndësinë e vet. Madje, e shëndërruar në një ngjarje kulturore me përmasa mbarë shqiptare, çastet e bukura, përjetimet aty dëshiron jo vetëm t’i fiksosh në foto, por edhe të shkruash. 

  Durrësi, ky pendëartë qysh nga hera, jeton jetën e vet të vrullshme e dinamike, e që meriton të përmendet. Këtu lashtësia 3000 vjeçare flet me heshtjen e mureve të kalasë, mozaikut dhe amfiteatrit antik. E kombinuar me modernen në qendër e periferi të tij, ajo udhëton këndshëm si dy miq të mirë, ku hijeshia, poetika e kultura, bashkëjetojnë pranë njëra tjetrës. Brenda këtij gërshetimi, udhëton edhe geni popullor i Durrahut të lashtë. Natyrisht janë këto, që tregojnë se kush janë ato, nga kanë ardhur, cilët kanë qenë figurat e ndritura dhe vlerat e tyre njerëzore, që i kanë dhënë emër qytetarisë durrsake, traditës dhe kulturës sonë kombëtare. 

 – Historia e qytetit tonë nuk tregohet vetëm në libra historie, në mure të vjetër, apo stenda muzeore, as edhe me një shpjegim të shkurtër historik nga thellësia e shekujve, – të thotë miku ynë, poeti Edmond Agolli, që të imponon menjëherë me pamjen e njeriut energjik, edhe pse në në kurorën e flokëve të tij ka rënë lehtë e bardha borë. Dhe kur e pyet për të ditur më shumë ke dëshirë ta dëgjosh më gjatë. Emrin e qytetit nuk e ka zbehur asnjëherë mosnjohja, rëndësia, historia e lashtë, vlerat, figurat, bujaria, poezia, miqësia… Qyteti i ngjan këto ditë një sofre të madhe poetike, dhe në këtë sofër bujaria e poetëve të Durrësit i shtron të gjithë, pavarësisht moshës, të njohur apo kalimtarë rreth saj. Kështu, në këtë ditë kur dielli lëshonte rrezet e tij bujare, dhe të gëzonte syrin, u end ajo mes miqve poetë, të rinj e të vjetër në moshë, e me gjeografinë e trevave shqiptare, të Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, Greqisë, por edhe nga Vlora, Elbasani, Saranda, Tirana, Korça, Kavaja, Shkodra, Dibra, Burreli etj. Edhe pse disa nga ata të ardhur për herë të parë në këtë veprimtari, me ndjesinë se njihen prej vitesh, atmosfera e ngrohtë dhe miqësore i rrëmbeu këndshëm. Pas përshëndetjeve me njëri tjetrin, me respekt e përzemërsi, thuajse të gjithë kanë dëshirë të tregojnë ngutshëm botimet, gëzimet e pasionin e tyre. Shumica prej tyre të dhurojnë kopjet e librave të botuar kohët e fundit me urimin për suksese në rrugën e vështirë, por të bukur të artit. Ndaj, është më se e natyrshme që me mençurinë dhe nivelin intelektual nisin bisedat, edhe pse koha fluturon si pa u ndier. Diskutojnë me një rrymë gjallërie, e ngrohtësie të shpirtit të tyre, në fjalë kumbuese e pa droje, por me plot dashuri e mirësi për një gamë temash, ku tradita dhe historia, kultura dhe arti, udhëtimet dhe poezia, vendlindja dhe pija e poetëve, vera, etj janë miqtë e mirë dhe më kryesoret. Miqësitë e krijuesve kanë shumë ngrohtësi, sinqeritet, origjinalitet, gazmend, qoftë kur pi një kafe, apo edhe kur shijon një drekë të thjeshtë mes vargjesh poetike, e patjetër kur mblidhen në festa të mëdha krijuese. Në përkitjet me shoqërinë e miqve poetë e me vlera nuk duhet të harrojmë se ato janë njerëz të etshëm për të çmuar, vlerësuar e respektuar miqësinë poetike, duke ndarë emocione që të mbeten për një kohë të gjatë në mendje. Sidomos kur ky respekt vjen nga veprimtaritë, promovimet e brumit krijues të këtij qyteti. Nuk gjej fjalë të tepërta të rrëfej se ç’atmosferë mbresëlënëse lenë këta krijues me prezencën e tyre në veprimtaritë letrare.

    Pranvera poetike është një veprimtari e rëndësishme e krijuesëve durrsakë, që nxit, organizon, vlerëson dhe u jep jete e bukuri poetëve, shkrimtarëve, këtyre njerëzve me botë të mrekullueshme. Kjo e bën këtë festival poetik një festë të bukur e me shumë kuptim. Përkushtimi i krijuesëve durrsakë: Nikolla Spathari, Gjergj Vlashi, Naim Kërçuku, Agim Bajrami, Vladimir Muça, etj, ka realizuar e po realizon pa egoizëm e interes personal, dhe larg llafogjisë bërtitëse e mjerane të tilla kuvendime të fjalës së bukur me peshë artistike, e me një pjesëmarrje të madhe, duke krijuar një traditë. Ndaj, interesimi i  botuesëve periodikë; Roland Lushi i revistës letrare “Obelisk”, dhe i Mujo Buçpapës të gazetës “Nacional” ishte domethënës. Por, Nikolla Spathari, Kryetari i Klubit të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, i thyer në moshë, i këndshëm e shpërthyes në gojëtari, dhe i një elokuence mbresëlënëse vazhdon t’i jap kuptim  vlerash veprimtarive letrare në Durrës. Është humori i tij që u jep zjarr bisedave tona.

 Natyrisht të shkruash një libër, dhe sigurisht ta promovosh me miqtë poetë nga të gjitha trevat, në një veprimtari të tillë si festivali ” Pranvera poetike durrsake “ është kulmi i një kënaqësie. Aq më tepër kur aty shpalosen vlerat e librave të ndryshëm, të shkruar nga autorë entuziastë, si  Sami Velçani me promovimin e librit të tij, të ri poetik “Ditari i së djelës”. Ishte një promovim interesant e mbresëlenës, që rrezëlleu nga përgëzimet, urimet dhe vlerësimet, por edhe valëzimet e ëmbla të vargjeve të tij recituar këndshëm nga studentët e Universitetit të Durrësit. Vëllimi poetik “Ditari i së djelës”, të thotë poeti Agim Bajrami, vjen në vazhdën e librave të tjerë të botuar nga autori përmes një gjuhe figurative të zgjedhur, e pa truke mikluese, por që pasqyron më së miri realitetin absurd të kohës. Në trajtimet analitike të këtij botimi me një perceptim konçiz, u shprehën fjalë vlerësimi për forcën shprehëse, gjetjet mataforike, por edhe konsiderata për librat e tjerë të botuar të Sami Velçanit, nga studiuesit: Alisa Velaj, Rruzhdi Mata, Vladimir Muça, etj.

 Atmosfera sharmante e frymëzimit i inspiroi poetët të lundrojnë me frymën e shenjtë të poezisë. Kjo mund të themi se ishte thelbi i bukurisë së festivalit poetik ”Pranvera poetike durrsake” në një konkurimin të drejtëpërdrejtë të gjashtëdhjetë poetëve, ku meliodiziteti i vargjeve, dhe dimesioni i lartë shpirtëror shpalosej nën flakërimat magjike të emocioneve. Kjo dinamikë shprehëse e bëri më të larmishëm festën poetike me duartrokitjet entuziaste. Ndjen kënaqësinë që dhurojnë vargjet e recituara në tematika aktuale të poetëve: Kalosh Çeliku, Pandeli Koçi, Iljaz Bobaj, Agim Bajrami, Xhelal Tosku, Skënder Temali, Nebih Bunjaku, Edmond Agolli, Anila Toto, Alisa Velaj, Adem Zaplluzha, Irena Gjoni, Ibrahim Berjashi, Nikollë Berishaj, Argëzon Sulejmani, Vladimir Muça, Myrteza Mara, Laureta Petroshati, Bedri Neziri ,Riza Braholli, Manushaqe Toromani, Naxhije Doçi, Ramadan Mehmeti, Sabit Rustemi, Nexhat  Çoçja, Lindita Ramushi, Agim Desku, Adivie Hoxha, Xhevahir Cirongu, Urime Staka etj. Fituesit ishin nga treva të ndryshme, të njohur dhe të panjohur të elitës së poezisë shqiptare. Me çmime të III u nderuan Vladimir Muça nga Durrësi dhe Anila Toto nga Vlora. Me çmime të II Pandeli Koçi nga Tirana dhe Berat Batiu nga Prizreni. Ndërsa çmimin e I e meritoi poeti Iljaz Bobaj.

 Panorama e detit të qetëson shpirtërisht. Nën ngrohtësinë e rrezeve të praruara të këtij dielli mesdhetar, me gëzimin që të fal ai, shëtitja bregut të detit i çon poetët në meditime, e që fluturojnë larg hapësirave të pafundme të imagjinatave. Me  këtë lumturi dhe gëzimin shpirtëror që ndjen kur je mes miqve të tillë, natyrisht askush nuk mund t’i rezistojë një kënaqësie tunduese si kjo.

 U mbyll festivali poetik “Pranvera poetike durrsake” me kënaqësinë e një dite të këndshme, dhe dëshirën për të ardhur në veprimtari të tjera, për të promovuar këngë, emocione, e vepra të reja letrare.

Fotografia: Luan Jaupi

Filed Under: ESSE Tagged With: durrsakë, E PRANVERËS, METAFORA, Pellumb Gorica

Durrës, Festohet 102 vjetori i ngritjes së flamurit nga patriotët durrsakë

November 26, 2014 by dgreca

Nga Shefqet KERCELLI/Durres/
Paraditen e datës 26 nëntor 2014, qindra qytetarë durrsakë të moshave të ndryshme, ishin mbledhur në një shesh të përgatitur enkas midis murit juglindor të Amfiteatrit dhe Xhamisë së qytetit, për të festuar 102 vjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar në qytetit bregdetar të Durrësit. Këtë ceremoni simbolike, që është kthyer në ritual të përvitshëm, e nderuan me pjesmarrjen e tyre patriotë durrsakë dhe familjarë të tyre, veteranë, ishushtarakë dhe ushtarakë aktivë, detarë të qytetit, përfaqësues të pushtetit qëndror e vendor, nxënës shkollash, media durrsake, etj. Fillimisht nën tingujt e hymnit tonë kombëtar të ekzekutuar me mjeshtëri nga banda e qytetit të Durrësit u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit nga kryetari i bashkisë zoti Vangjush Dako dhe n/oficerja e Forcës Detare, Jonida Murataj, e cila u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit. Më pas përshëndeti kryebashkiaku Dako, i cili theksoi se:-102 vjet më pare, patriotët durrsakë vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga perandoria osmane. Kjo është ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti, në gjithë shekullin e XX-të, e në vijim. Jam i nderuar dhe i prekur, të përsëris sot, 102 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu Kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor 1912!….Nderim dhe respekt për jetën dhe veprën e këtyre patriotëve! Në fakt sipas dokumentave të kohës, në Durrës, patriotët e shquar, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, bënë përpjekjen e parë për ngritjen e Flamurit të Shqipërisë, por rrethanat ishin të disfavorëshme. Në këtë kohë pushtuesit sërbë ishin pranë portave të qytetit, me synimin për të pasur skelën e tyre në Adriatik, ndërsa populli kishte rrokur armët dhe po bënte qëndresë të fortë. Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë mbrritën në Durrës nga Triestja, me anijen “Taurus” më 21 nëntor 1912, dhe sipas porosisë të tij, në më pak se pesë ditë qytetaria durrsake ngriti flamurin kuq e zi të pavarësisë. Kjo ndodhi më 26 nëntor 1912, kur patriotët dhe qytetaria durrsake shpalli pavarësinë dhe zgjodhi delegatët e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, para se një pushtues të zvëndësohej nga një tjetër. Sot përkujtohet me respekt vepra e Hafiz Ali Podgoricës, Kryetarit të I-rë të Bashkisë në Durrës dhe patriotëve durrsakë, Akostin Serreqi, Sotir Vevecka, Sulejman Kadiu, Marie Kaculini, etj. Gazeta e asja kohe, “Lirija e Shqipërisë “ lajmëronte se në telegramin e ardhur nga Durrësi, u deklarua autonomia e Shqipërisë dhe flamuri shqiptar u ngrit mbi “Konak të Durrësit”….Ndërkohë në këtë ditë të shënuar u vlerësua dhe vepra e delegatëve durrsakë në Kuvendin e Vlorës, Dom Nikollë Kacorri, Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, të cilët ishin pjesmarrës të nënshkrimit të dokumentit historik të Shpalljes së Pavarësisë. Nuk ngeli jashtë vëmendjes në këtë ditë historike, kontributi i detarëve, kapidanëve dhe tregtarëve durrsakë që rrihnin detrat. Ata ishin bazë e fuqishme për mbështetjen e lëvizjes patriotike në qytetin e Durrësit, sepse nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta që siguronin me patriotët rilindas në Selanik, Stamboll, Kajro, Batum, Bari, Brindizi, Trieste, etj. mundësonin sjelljen e literaturës patriotike dhe shpesh herë dhe armë kundër pushtuesve. Mbas urimit për 26 nëntorin, festën më të madhe të qytetarisë durrsake, pjesmarrësit vizituan një ekspozitë me vepra arti kushtuar shpalljes së pavarësisë dhe luftës kundër pushtuesve nazifashistë.
Shefqet Kërcelli
Literatura:-Antologji e Detarisë Shqiptare, Vëllimi i I-rë, faqe 108,109,110.

Filed Under: Histori Tagged With: Durrës, durrsakë, Festohet 102 vjetori i ngritjes së flamurit, nga patriotët, Shefqet Kercelli

Artikujt e fundit

  • DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së
  • TË PIKTUROSH ATË QË NDJEN…
  • JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË
  • Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj
  • #SiSot ndërroi jetë veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe Mësuesi i Popullit Petro Nini Luarasi
  • Koha e Gjenive: Lord Byron dhe Bonaparti
  • Napoleon-i dhe trojet shqiptare… mbi dy shekuj pas vdekjes së tij
  • KOSOVA DHE SERBIA RINISIN DIALOGUN NË NIVEL TË LARTË NË BRUKSEL
  • Kosova pret “Defender Europe 23”
  • E KEQJA VJEN CDO DITE NGA PAK…
  • KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…
  • Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar
  • LEONARD NEWMARK OBITUARY
  • U mbajt Akademi përkujtimore dhe promovimi i librit FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE
  • V I K T O R G J I K A…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT