Nga Shefqet Kërcelli/ Janë mbledhur në Durrës, më datën 30 mars 2016, Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky është takimi i katërt në kuadër të procesit që mori udhë në Berlin. Pjesë e kësaj nisme janë ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi. Gjithashtu në takim marin pjesë dhe Ministri i jashtëm Norvegjisë, sekretari i shtetit të Francës për çështjet evropiane Harlem Desir dhe nënsekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme të Italisë, Vincenzo Amendola. Njëkohësisht, në takim marin pjesë edhe Ministri i jashtëm i Çekisë, Lubomir Zaoralek, pasi ai është edhe kryesuesi i radhës i Grupit të Vishegradit, si edhe Goran Svilanovic, Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Në Durrës, Serbia dhe Kosova nuk përfaqësohen me ministra, ndërkohë që mer pjesë edhe Komisioneri Hahn. Paraprakisht, në kuadër të këtij Ministeriali, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati zhvilloi takime me homologun maqedonas Nikola Poposki, sekretarin francez të Shtetit, Harlem Desir dhe nënsekretarin italian për Punët e Jashtme, Vincenzo Amendola. Fillimisht ministri i jashtëm Ditmir Bushati, priti pjesëmarrësit e këtij takimi në mjediset e Hotel “Palace”, në Durrës, Temë diskutimi në këtë takim të kryediplomatëve të rajonit janë projektet rajonale, sidomos ato në infrastrukturë dhe në energji. Këtu përfshihet ajo që njihet si “Autostrada e Kaltër”, projekt që nis në Kroaci, vijon në Bosnje, Mal të Zi dhe Shqipëri, duke lidhur gjithë bregdetin e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu po diskutohet edhe për projektin tjetër madhor po në infrastrukturë, ai Nish-Prishtinë-Durrës. Një tjetër që projekt që ndodhet në tryezë është dhe projekti i linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni. Pra, gjatë këtij takimi Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, po diskutojnë projektet e bashkëpunimit rajonal, para organizimit të samitit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Paris. Takimi i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor mbyllet sot më datën 31 mars.